UDHËTIMI I KËNGËS (II)

“O e bukura More” në mërgim

Ka arbëreshë që e këndojnë “O e bukura More” me orkestrim (kryesisht një kitarë e vetme) që ndjek melodi tipike të Jugut italian. Ka variante që e kanë greqizuar këngën, duke shtuar hyrje transparente greke buzukësh vajtues që pa dyshim nuk kanë lidhje me Morenë e 1400-1500ës. Në variantet e Shqipërisë kënga është përpunuar edhe më shumë, edhe në versionet e adaptuara për muzikë lirike që kanë hyrje të gjata orkestrale ose një-instrumentale, hyrje shpesh krejt të ndryshme prej njëra-tjetrës. Mua më duket se i bën drejtësi këngës së bukur vetëm kori i thjeshtë shumëzërash i grupeve folklorike arbëreshe i pashoqëruar nga instrumentet. Por këtë s’e gjen dot më kollaj.

Sa herë një element i ri futet në këngë, qoftë në tekst, qoftë në muzikë, kënga riinterpretohet dhe rivlerësohet simbolikisht. Efektet e saj publike gjithashtu janë të ndryshme. Në secilin riinterpretim mund të analizohen qartë arsyet e elementeve shtesë si dhe ideologjitë themelore në bazë të tij. Përpunimet dhe ripunimet e këngës për ta “zbukuruar” atë, pavarësisht nga niveli profesional apo zhanri muzikor i përdorur, synojnë t’ua shesin më mirë këngën publikëve më të gjerë ose më të specializuar, dhe t’i bëjnë ata më të lidhur e të apasionuar pas këngës. E kam fjalën këtu për shitje në kuptimin e drejtpërdrejtë, dhe në kuptimet figurative të fjalës që lidhen me ideale kulturore dominante si ato të dashurisë për atdheun, mallit për të, humbjes së tij të dhimbshme dhe reagimeve sentimentale. Ky proces komodifikues i këngës bëhet herë në mënyrë inteligjente dhe herë jo, sipas rastit nëse fjalët apo përmbajtja e këngës (origjinale ose dytësore) kuptohen ose jo nga përpunuesi, si dhe nga sa i kursyer ose jo është ai me patriotizimin e këngës.

Po ashtu, në këtë proces të kalimit të këngës prej grupeve arbëreshe tek grupet shqiptare, mund të flitej për një proces “apropriimi” të këngës prej nesh [një përvetësimi kulturor (etikisht të padrejtë) prej nesh të një produkti kulturor të tjetërkujt (arbëreshëve) me histori dhe karakteristika që e lidhin ngushtë simbolikisht atë produkt kulturor me tjetrin dhe jo me ne]. Por ka dy argumente që e bëjnë të pavlefshme tezën e përdorimit apropriues të këngës prej shqiptarëve: i pari, se shqiptarët (këndues) ndihen arbërorë ose ndihen pikërisht ata, dheut të të cilëve u këndohet në këngë, pra me lidhje fort të qenësishme me arbëreshët; e dyta, kënga në Shqipëri ka nisur të këndohet gjithnjë e më shpesh me tone që rimarrin motivin arbëresh të atdheut të lënë pas dhe mallit për të, dhe e vendosin atë në sfondin e emigracionit të ri shqiptar të pas 1990-ës, edhe më masiv dhe rreze-gjerë sesa ai mesjetari. Diaspora e re nuk e përdor më këngën si t’i takonte së vjetrës, por sikur të ish krijuar për atë vetë, të renë pra. Është interesante të shihet si bartet pa kontradiktë vlera simbolike e këngës, prej elementeve vajtuese lidhur me funebritetin origjinal të përmbajtjes, për atin, mëmën dhe vëllain e vdekur, tek malli për atdheun arbëror në variantin e dytë të saj, përcjellë tani në mallin e emigrantëve të pas-90ës për Shqipërinë e sotme.

Pra kënga tashmë është bërë edhe “e jona”, duke rritur kuptimet e shtuara në këto përdorime, si edhe duke ndryshuar simbolikën e dikurshme. Madje, një pjesë e këngëtareve që e kanë kënduar këngën, si Elsa Lila, kanë luajtur me futjen në tekst të fjalës Shqipëri, duke e njësuar emigracionin e hershëm me të sotmin, dhe duke përcjellë identifikim tërësor të emigrantit me këngëtarin, që në rastin e Elsa Lilës është real. Në këtë përdorim, një “manipulim” i ri i shtresohet këngës. Siç u sqarua në pjesën e parë, nga përkujtim funeral, kënga ishte bërë këngë patriotike e arbëreshëve; ndërsa tani po rikuptimësohet mbi bazën e identifikimit të atdheut të vjetër të Arbëreshëve me atdheun e ri të jo-arbëreshëve, dhe atë e këndon emigranti vetë.

Mund të vësh buzën në gaz po të mendosh se, duke qenë që një pjesë e mirë e emigrantëve tanë modernë sot gjenden në Itali, kënga “O e bukura More” është shndërruar në një polifoni surreale zërash qindravjeçarë që vazhdon të ketë si origjinë tokat italike dhe i drejtohet një Shqipërie shumëvlerëshe (që mund të shfaqet edhe si More), e cila vazhdon të braktiset dhe të qahet me po aq pasion nga grupe masive.

Sot gjen plot variante të këngës online të prodhuara nga arbëreshë dhe shqiptarë, madje edhe të tillë ku “More” (tokë e panjohur për shumë) shkruhet me të vogël e marrë në kuptimin e pasthirrmës “more” të shqipes pavarësisht lëmshit që krijon përplajsja e gjinive aty.

Një version lirik i mirë i këngës është ai i kënduar nga O. Kurteshi shoqëruar në piano nga D. Tukiqi. Në këtë variant ruhet strofa origjinale e këngës si në origjinalin arbëresh paraqitur në pjesën e parë të shkrimit, por ai shqipërohet fonetikisht dhe leksikalisht dhe bëhet krejt i kuptueshëm për dëgjuesin shqiptar. Kënga lirike (në të gjitha variantet e saj) kufizohet në tekstin origjinal pa shtuar tekste të tjera që i gjejmë shpesh në muzikën e lehtë. I vetmi ndryshim verbal që i bëhet këngës nga origjinali është se “zonja mëmë” shfaqet në tekst para “zotit tatë”. Por, sado afër origjinalit, ky variant lirik nuk është ai më i dashuri për njerëzit.

Varianti publikisht më i përfillur online (që shoqërohet nga imazhe filmike që variojnë nga videoja në video) është ai i Elsa Lilës. Lila, përfshin në të kënduar elemente të fonetikës arbëreshe që, sipas meje, rrisin emocionalisht këngën dhe i shtojnë mistikën arbërore aq të dashur për shqiptarët, sido që pikërisht Elsa Lila bën zhvendosjen në aksin toponomik nga Moreja tek Shqipëria. Lila në fakt këndon vetëm tri vargjet e para të këngës të përsërituara, duke hequr krejt pjesën me “tatën, mëmën dhe vëllain, gjithë mbuluar nën dhe”, me synim që, Injorimi i pjesës funebre (origjinali kuptimor) o lëshon vendin e vet kuptimit patriotik të këngës si dhe copës së gëzuar që i bashkohet.

Prej tri vargjeve të para të dhimbshme e vajtuese kalohet papritur në një motiv totalisht të kundërt, atë të dashurisë së çmendur të djalit për vajzën lule në këngën tjetër “O lule-lu” që i bashkëngjitet mekanikisht atij të “O e bukura More”. Vaji për atdheun, në këtë kompilim pa krisë a pauzë, kthehet në gaz dashnorësh të lumtur; origjina funebre e këngës, në erotikë[i]!

Kemi parë e s’kemi parë, shkon i vdekuri me të gjallë! Pasi djali i thotë vajzës-lule “se zemra ime je ti vetë”, Lila transformon vargun herën e dytë që e këndon, në “se zemra ime, Shqipëria”. Këtu emocioni arrin kulmin, kënga mbyllet dhe publiku shpërthen në një stuhi brohorimash e duartrokitjesh. Është prekur mu në zemër! Për publikun shqiptar ky pohim dashurie patriotike i mërgimtares së bukur Lila, është edhe më prekës e i vlerësuar se talenti i saj.  Duhet nënvizuar këtu se sjellja në skenë e Shqipërisë në pjesën dashurore të këngës, dëshmon se motivi i shtresuar patriotik vazhdon të jetë themelor në këtë variant të ri të këngës, ashtu si deshën të moçmit intelektualë arbëreshë.

Nga variantet e lehta të “O e bukura More” Lila i bën hyzmet të veçantë dhe të talentuar fonetikës së këngës. Ajo nuk shqipton “ë-në” shqipe, por një “ë” më të mbyllur e më të lartë duke iu afruar “ë-së” arbëreshe si në fjalët “për”, “të” “e vërtetë”; Lila shqipton “unë/un” pa “n”, pra “u” me një hundorëzim të lehtë, siç bëjnë arbëreshët, dhe shndërron tingullin “l” të fjalës “lule” në një tingull qiellzor të përparmë (siç ndodh me italishten në rastin a tingullit shkruar “gl”) pikërisht siç ndodh në arbërisht.

Elina Duni këndon një variant më teatral të këngës dhe, më shumë se për fjalët një nga një, kujdeset për një rritje të vazhdueshme të efektit dramatik.  Edhe ajo thekson (që në shpjegimin paraprak që i bën këngës për publikun) karakterin e saj patriotik arbëror, sido që edhe në këtë variant teksti patriotik ndiqet nga ai dashuror. Ndërsa Duni me finesë nuk e fut në lojën e vet “Shqipërinë” (që duhet thënë se është një hile meskine që i ul vlerat këngës) në fund të këngës. Ajo nuk përdor as fonetikë arbëreshe, por afron disa segmente të këngës me shqiptimin geg, si në “zonjën nan” dhe “vlla”.

Çuditërisht, në variantin e Dunit vargjet e këngës së dashurisë që në arbërisht[ii] janë zakonisht “o lule-lu, o lule lule mazz’ mazz’, se u për ti, se u për ti, jam e dal pazz’[iii]” transformohen: nga “dal’ pazz’” vargu bëhet “e ndalu pak” herën e dytë. Në fakt, vargu arbërisht që thotë “se unë për ty jam e dal pazz’” (ose thjesht “dal pazz’”) është një kalk nga shprehja italiane “esco pazzo” (në shqip “çmendem për ty”). Pra vargu ndjekës “e ndalu pak është e vërtetë” është një varg qesharak për faktin se nuk ka asnjë lloj kuptimi. Më kujtohet që në Shqipëri nëpër eskursione rreth viteve ‘88-‘89 e këndonim si “djalo pazz[iv]”. Ka pastaj edhe nga këto variante revolucionarizueso-gajasëse të kësaj kënge në shqip si: “E lum e lum e paça paça /E nalu pak e nalu pak ende sa s’plasa/ Se zemra ime, se zemra ime je ti vete/ Se un per ty, e un per ty jape jete”.

Unë e respektoj lirinë që jep anonimiteti dhe folklori, por besoj se, kur prishet një farë ekulibri sasior nëpërmjet risive, nuk kemi të bëjmë më me të njëjtën cilësi apo këngë. Ja edhe varianti arbëresh. Teksti më poshtë vjen nga San Benedetto Ullano në provincën e Kozencës. Por në variantin e kënduar arbëresh më lart, nuk duket se thuhet vargu tipik i këngës siç këndohet prej shumë arbëreshëve “është (e) vërtetë”, por si “pe ti vëtetë” ose “për ty vërtetë”. Këtu ndihen fort edhe qiellëzorizimet në “ljulje” e “dalj”. U vë dot faj shqiptarëve që ta kanë dëgjuar keq?!

E lule lule mac mac
u pë tia dal pac
e dal pac e është vërtetë
se zëmëra ime je ti vet!

Tri probleme nxjerrin krye këtu: i pari, arbërishtja dhe shqipja janë larguar fort mes tyre, dhe shqiptari e këndon këngën për vlerën simbolike që ajo ka, dhe jo sepse ia kupton tekstin; pra rishtaz kemi të bëjmë me një këngë të re, në fakt, më shumë se me të vjetrën por që në një plan, aspak verbal, lidhet fort me të vjetrën. Ky është kthimi mbrapsht i këngës në përdorimin  e vet ritual si në “prehistorinë” e saj, që diskutoja në fund të pjesës së parë të këtij shkrimi. Problemi i dytë është ai i sfidave serioze që ka mbijetesa e gjuhëve në rrezik si arbërishtja, në kushtet e një deleksikalizimi masiv të tyre. Një mikeshë nga Piana degli Albanesi, me të cilën diskutoja nëse kënga “O lule lu” ishte e Siçilisë apo e Kalabrisë, më tha: “shiko shprehjen “dal’ pazz’”; këtë mund ta thonë veç arbëreshët e Kalabrisë që e kanë prishur gjuhën, se ne pianiotët deri këtu nuk kemi arritur ende, dhe nuk e kemi shkartisur gjuhën kaq keq me italishten!” Kjo më kujton një folës nga Piana degli Albanesi që dinte edhe ca shqip, me të cilin para shumë vjetësh po testoja nëse mënyra dëshirore kish vdekur ose as ekzistuar kurrë në Piana, apo rronte në formë pasive, së paku në shprehje të ngurosura. Ai, vargun “artë[v] rregjëria jote” të lutjes “Ati ynë” arbërisht, nuk e përktheu në italisht “venga il tuo regno”, por “d’oro è il tuo regno”. Problemi i tretë lidhet me forcën false që ka diskursi patriotik për njerëzit në shkallë të gjerë, dhe pranueshmërinë pa pyetje të ideologjisë që ai bart. Emigracioni masiv i shqiptarëve pas 1990-ës ka qenë zgjidhja e vetme që ata kanë parë drejt një jete më të mirë, ndoshta edhe zgjidhja më e ndershme mes të tjerave. Por ky emigracion nuk është as i thjeshtë, as fatlum dhe as i reduktueshëm në një dukuri të thjeshtë pozitive zhvendosjeje drejt vendeve që ofrojnë më shumë siç bën gjithë bota. Emigranti shqiptar tipik nuk e pranon kollaj tokën e re dhe njerëzit e saj, i sheh vetëm probleme, ia shan zakonet, gjellët, jetën. Kështu ndodh edhe me lidhjet mes shqiptarëve dhe arbëreshëve: secili grup e sheh veten superior, i sheh tjetrit defekte “gjenetike” të pakëmbyeshme, fatale. Por përqafimi aktiv i këngës tregon se, në rrafshin simbolik, gjithë kontradiktat janë zhdukur, dhe ne ende kemi fuqi të prodhojmë dy diskurse totalisht të kundërta në të njëjtën kohë: diskurse reale, të përditshme e që i besojmë. Dhe diskurse të rreme romantike si ai i unitetit të paluajtshëm kombëtar, dashurisë për atdheun e përsosur që lamë e na përlot e na bën të këndojmë me zjarr e të ndihemi superiorë në ditë  të caktuara të vitit. Thua të jetë prapë e tillë rruga drejt mbajtjes së gjuhës dhe kulturës edhe në shekullin e XXI?

Besoj se Frederik Ndocaj mendon tamam kështu. Varianti i “O e bukura More” i Ndocajt bën komodifikim më të drejtpërdrejtë të këngës që me siguri i drejtohet një publiku emigrantësh të sotëm shqiptarë. Ky variant është edhe më “pa lidhje” me këngën arbëreshe. Tonet patriotike “me të dredhur të zërit” përforcohen sepse Ndocaj as nuk e përdor fare fjalën “More” por e zëvendëson atë në të gjitha rastet me “Shqipri”, dhe sapo e mbaron këngën e plotë, hidhet në vargjet “Vajta, kalova gjithë Kalabrinë, askund nuk gjeta si Shqipërinë”. Në këtë pikë nuk e di cili kompilim është më pak fin: ai që ngjit këngën e mortit me atë të dashurisë dhe i patriotizon që të dyja, apo ky i Ndocajt që do të prekë me çdo çmim emigrantin.[vi]

Në poezinë “Atje kam” të vëllimit me të njëjtin titull të vitit 2004, poeti arbëresh Giuseppe Schirò Di Maggio, me zgjuarsinë parashikuese tipike të burrave të moçëm arbëreshë, luan me këto rikuptimësime që i bëhen Moresë ashtu si edhe këngës “O e bukura More”, sido që ai nuk ka parasysh atje variantet shqiptare të diskutuara më sipër. Di Maggio, arbëresh i vërtetë, por i shekullit të XXI, e sjell Morenë e largët, koncept i ndryshueshëm dhe i dyshimtë, në rrafshin e “sot-it” dhe “këtu-së”:

E Bukura More e sprasme është “këtu” ku jam.
“Këtu” kam u zotin tatë, “këtu” kam u zonjën mëmë
“këtu” kam edhe tim vëlla, gjithë mbuluar në “këtë” dhe (atdhe).”

Jam e sigurtë që kënga fatlume e Moresë do vazhdojë të lakohet mes nesh në kuptime e interpretime të reja, legjitimiteti i të cilave nuk vendoset nga tjetërkush veç publikut. Por lëmshi pa formë i këmbimeve “More”, “Arbëri” “Shqipëri” nuk dëshmon atdhetarinë tonë, por mungesën e një “atdheu” real dhe dëshirën për ta rikrijuar atë në fantazi. Në fakt duhet mësuar nga G. S. Di Maggio dhe duhet kërkuar dhe gjetur atdheu “këtu” dhe “tani”.

_________________________________________________

[i] Kjo bashkëngjitje motivesh pa lidhje që pa dyshim bëhet për ta bërë këngën më joshëse për publikun kryhet edhe mes grupeve arbëreshe që këndojnë këngën. Në këtë moment unë nuk bëj dot kërkimet e nevojshme për vendosjen e një linjëe të qartë kohore të hyrjes së këngës në Shqipëri dhe transformimeve të saj të vazhdueshme. Por kjo punë është në plan për verën e ardhshme.

[ii] Pjesa e këngës në fjalë është në mes të këtij regjistrimi dhe jo në fillim të tij.

[iii] “Jam e dal” përdoret në arbërisht si e tashme progresive ose e ardhme e afërt, pra në kuptimin “po dal” ose “do dal”

[iv] E shqiptuar me “c” në shqip, që mua më prekte shumë atëherë, se nuk kuptoja përse duhet t’i thoje “djalë torollak” (“djalo pazzo”, pra) një njeriu që ty të thërriste “lule”.

[v] “artë” është asimilim i “ardhtë”.

[vi] Mbetet për të ardhmen të diskutohet brenda po kësaj teme si e plotëson këtë puzzle edhe kënga “O e bukura Arbëri” kënduar nga Vaçe Zela, apo nga Inva Mula e të tjera këngëtare.

Nuk ka komente

  1. Ai varianti “grek” ne youtube qe keni vene eshte vertet grek. Kengetari quhet Thanas Moraiti dhe ka nje ose dy albume me kenge arvanitase (gjysmat came ne fakt) dhe njerin me arvanitase dhe arbereshe.
    I njejti ka dhe nje album me kenge greke nga Deti i Zi.
    E terheqin diasporat si duket, dhe ne mesojme dicka. Edhe e perqeshim pak nga padija, por pa zarar te madh…

  2. Ne fakt kur gjeta emrin e tij online, nuk kuptoja si mund te rezultonte ai si kompozitor. Por qenka ai qe e kendon. Edhe pyeta, por nuk e njihnin. Disa te folme arvanite dhe disa arbereshe kane ngjashmeri te dukshme.

  3. Ardian Ahmedaja paska publikuar nje punim ne Konferencen Nderkombetare te Baladave qe po mbahet ne Prishtine, me titull “Parallel Worlds in the Arbëresh Song, Mori e Bukura More (Oh, All-embellished Morea)”

    Abstrakti ketu : https://2015ibc.wordpress.com/abstracts/

    Nis abstrakti : This song from the Albanian diaspora in Italy, called Arbëresh, is rife with homesickness for the land which the people have left and seen no more.

    Interesante 😀

  4. Peshperitesi: une nuk e njoh kete studiues. Por nese ti mundesh, a mund te me dergosh gjithe kumtesen e tij? Ne nje tjeter shkrim qe hasa rastesisht, autori flet edhe per Festivaline Gjirokastres dhe hollesi te tjera qe nuk permenden ne abstraktin e linkut me lart. Do isha shume e interesuar te dija cfare thuhej ne kete pune.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin