ARS LONGA: BEAT-HOVENI TAKOHET ME JAZZ-IN

nga Eda Zari

Fjala magjike është – improvizimi.

Duke ndjekur shembullin e Ludwig van Beethoven – në 250 vjetorin e lindjes.

 

Ta-ta-ta-taaaa…. Është “riff-i”[1] më titan në historinë e muzikës, paçka se takti i parë, (një triol dhe një gjysmë note, e ngritur në notat – mi dhe sol -) nuk duket shumë premtues. Por, simfonia e 5-të, ose “Schicksalssinfonie” e Beethoven-it (Simfonia e nafakës), është tashmë një mit, një fenomen tingullor për njerëzimin!

Në përfytyrimin popullor, njerëzia vazhdon të mbetet tek ideja se Beethoven karrierën e tij e nisi si kompozitor! Ndërkohë – që të qartohemi, Ludwig u bë i njohur më parë si pianist me famë improvizuese. Bashkëkohësit e tij së pari lëvduan fuqinë e tij improvizuese pianistike ku dominonte fantazia spontane. Gjenialiteti kompozitorial pasoi shumë më vonë, nga çasti kur shtatëvjeçari van Beethoven në vitin 1778 mban koncertin e tij të parë pianistik. Marrim parasysh faktin se në Vjenë (1792), ai u ftua si pianist (madje nuk u lejua të luante literaturën e njohur të kohës) për të demonstruar aftësitë e tij virtuoze në improvizim. Tek hedhim sytë në burimet e tij biografike, vërejmë se Ludwig-u, qysh në moshën trembëdhjetë vjeçare, improvizimin e pat kthyer pasion edhe interpretativ jo vetëm duke luajtur në piano, por edhe në violinë. Pianisti Abbé Josef Jelinek[2], mjaft i famshëm në atë kohë, raporton pas një garë pianistike me Beethoven-in: “Vazhdoj të mendoj për ditën e djeshme! Tek ky i ri jeton Satanai. Kurrë nuk kam dëgjuar dikë të luaj kësisoj! Ai fantazonte mbi temën e dhënë nga unë aq mahnitshëm, sa as vetë Mozartin s´kam dëgjuar të fantazojë”. Carl Czerny[3], konfirmon gjithashtu në kujtimet e tij se improvizimet e Beethovenit shkaktuan zhurmë të “frikshme” interesimi në vitet e para pas mbërritjes së tij në Vjenë. Me pa të voglin dyshim ai qe mjeshtër i një kalibri të panjohur. Shijet e lojës së tij pianistike, dëshmojnë për thyerjen e kufijve të pamundur, duke kërkuar mes tasteve tonet e sakta që i nevojiten pjesës, ashtu si dashuria – shpirtit. Imagjinata e lirë interpretuese ishte një “work in progress”, një kërkesë vetjake artistike, për të kapërcyer madje dhe vetë Ludwig-un. Sidoqoftë, si të gjithë specialistët e konsoliduar, ai kish krijuar kreshmën e tij betoveniane, mbi të cilën liria dhe saktësia interpretuese plotësonin njëra-tjetrën.

Këtë e dëshmojnë fletët e skicave, mbi të cilat Beethoven-i mbante shënime që kishin të bënin me peshën e momentit emocional, si dhe mundësinë e rritjes së efektit pianistik përmes fantazimit spontan.

Kjo paraqitje diapozitivash lyp JavaScript.

Dhe për t‘i ardhur më pranë thelbit, vijojnë me çka thekson Beethoven në një prej skicave të tij: „Ju mund të fantazoni vetëm nëse nuk i kushtoni vëmendje asaj që luani, ndaj – më e mira do të ishte, literarisht të fantazoni haptazi – jepini vetes liri të shkojë, luani atë që ju vjen në mendje”[4]. Paçka se kjo tingëllon si një ideal të cilit jo gjithmonë mund t’i shkosh pas, ky shënim i vlen çdo jazzisti edhe dita sot. Për të luajtur korrekt dhe improvizuar guximshëm, Beethoven-i duke qënë edhe një shkencëtar i përpiktë, nuk e lë credon e fantazisë në mëshirë të frymës spontane, pa ndërtuar arkitektura e shkallare kyçe (si në dashuri), pa të cilat nuk ngjitesh apo nuk zbret dot: “Ewig dein, ewig mein, ewig uns”[5] (përgjithmonë yti, përgjithmonë imja, përgjithmonë ne) gjithçka tjetër plotësohet gjatë udhës!

Për shembull, Beethoven-i në faqen tre të skicave të këngës “Sehnsucht”[6], shënon gjithashtu konceptin si mund të kryhet improvizimi: “Në fund të fundit, kënga ndryshon në fugë dhe përfundon me pianisimo […] Në këtë mënyrë, çdo imagjinatë është projektuar e kjo më pas interpretohet në teatër”. Me fjalë të tjera, ajo që bashkëkohësit e tij e përshëndetën si improvizim falë shfaqjes në publik, nuk rrinte pezull nga fryma e shenjtë por bazohej në grupime skelash notative dhe temën e këngës. Mbi këtë armaturë Beethoven-i shtonte dekorime, fermatis ose variacione, emfaza akordesh, frazime ritmike e deklamacione tingujsh që shpiken apo përpunohen kuazi, aty për aty. Teksa vërej se Beethoven-i, është preciz në teknikat e fantazimit, marr shtysë t’i referohem logjikës krejt orientuese: Është qetësuese kur di se vijat e bardha dhe semaforët janë aty, por në fund vendos ti ku e hedh hapin!

Ndoshta, teksa shkarraviste mbi skicat e tij konceptet e fantazisë spontane pianistike, Ludwig-u nuk e kish menduar kurrë se një ditë ato do të bëheshin publike. Në fakt përtej çdo analize muzikore, çështja e improvizimit dhe imagjinatës në muzikë është më e gjerë. Është çasti kur përfshihemi në teorinë e të kuptuarit se Zeitgeist-i fryn aty ku do të shkojë dhe të veprojë ashtu siç dëshiron. Për tu pozicionuar mirë muzikalisht në frymën e kohës, kjo kërkon njohje të caktuara por dhe përkatësi artistike. Mirëpo, dimë se Zeitgeist-i është një premtim i përkohshëm për t´iu përmbajtur një strategjie të vetme afatgjatë. Sidoqoftë, jehona dhe fryma e këtyre skicave me koncepte improvizuese të motmotshme, ka ndikuar ndjeshëm në frymën improvizuese të pianistëve jazz – Bill Evans dhe Michel Petrucciani.

Qasja e tyre improvizuese bazohet gati mbi të njëjtin “ligj” – takti dhe melodia përgatisin hapjen e shpirtmendjes. Shumëçka varet nga interpretimi i lirë. Teksa ata improvizojnë duke zhvilluar kontrapunktin mbi shtresëzimet e linjave melodike, njëkohësisht dora e majtë trajton strukturat harmonike vertikale në “blockakkords”[7].

Petrucciani improvizon më së shumti mbi linjat melodike sesa rrjetin harmonik si tek kompozimi i tij “13.th”, i cili përbëhet nga trembëdhjetë takte, bazuar mbi dymbëdhjetë tonalitetet e shkallës kromatike. Po kështu ndodh me kompozimet por edhe strukturat improvizuese të Evans-it siç paraqitet tek kompozimi i tij “T.T.T” (Twelve Tone Tune), ose “Spartacus” Love Theme[8].  Janë pikërisht qelizat e vogla melodike të Evans-it që zhvillojnë formën mahnitëse të improvizimit[9]. Është vazhdimësia dhe eksplorimi spontan i lojës së tij pianistike ajo që na bën mendimtarë (ngjashëm me pjesët imagjinative “Gymnopédies” të Erik Satie), teksa pianisti përzgjedh nota të caktuara aty për aty, qoftë për të komunikuar, qoftë për të mbërritur heshtjen. Kjo është formula – uniteti në diversitet brenda improvizimit – do thoshte Beethoven-i, nëse do përjetonte lojën improvizuese të këtyre artistëve. Një tjetër synim ky që vërehet edhe në filozofinë improvizuese të Miles Davis-it dhe Coltrane-it në horizontin e jazz- it modal.

Tek “Blue in Green”[10], trinia – Evans, Davis, Coltrane, arrin të krijojë një tingull subtil, gati transhendent nëpërmjet solistimeve.

Pjesa përbëhet nga 10 takte dhe katër takte introduksion. Vija lirike melodike gati introverte, tërheq e degdis dëgjuesin në terrene të mugëta, por që shpirti i lakmon fort. Skeleti i pjesës është në formë unaze, një rrethore e përkryer ku gjithçka përsëritet, paçka se loja solistike e artistëve është irrituese, sepse ata improvizojnë me akcente të hapura. Ca herë dëgjuesi ka përshtypjen e një ndryshimi të përhershëm të temës melodike, teksa pulsi ritmik mbetet i njëjtë. Ndaj prirem të them se versioni “Blue in Green” tek albumi “Kind of Blue”, vërtetë është i larmishëm brenda specifikave metrike, por versioni “Blue in Green (take 2)”[11] i Evans-it, loja e fantazisë së tij pianistike (sipas shijeve të mija) arrin të rehatojë me klas dhe elegancë elementin modal, duke përfshirë edhe atë miksolidian, dorian e lidian.

E kap veten mat dhe me vjen mirë që këtë herë është Beethoven shtysë për mua, për të parë si frymojnë krijuesit mes tyre – në hapësirë dhe kohë!

Megjithëse nuk kishte dhe akoma nuk ka asnjë epokë muzikore pa improvizim dhe përfaqësues të famshëm të muzikës – ex tempore (sepse ata mund të gjenden në të gjitha kohërat), them tashmë se Zeitgest-i betovian duhet të konsiderohet si praktika udhëheqëse pianistike e improvizimit për të gjitha instrumentet e tastierës. Rëndësia e improvizimit në veprën e Beethovenit si pianist dhe kompozitor është gjithëpërfshirëse dhe për fat të mirë e kemi plotësisht të dokumentuar.

Kemi hyrë tashmë në 250 vjetorin e lindjes “Beat-hovenian”, e për ta bërë gjeniun – pianistin, kompozitorin Beethoven, mbrojtës, Patron të improvizuesve të sotëm, them me padyshim se Ludwig-ut do t´i bënte ky Fron. Ndoshta, do të lëshonte një ndër ato parullat e tij revolucionare (ashtu siç paraqitet në librin e Fan S. Nolit “Beethoveni dhe Revolucioni francez”) teksa Beethoven-i vetë, në letrën e tij, i shkruan poetit Kuffner: “Fjalët janë të lidhura me vargonj, por fatmirësisht tingujt janë ende të lirë”.[12] Ai përdori tingujt për të përforcuar tekstin poetik. Njerëzit e vlerësuan dhe ende e pëlqejnë kombinimin e tij mjeshtëror dhe dramatik mes poezisë dhe muzikës”[13].

Interpretimi dhe krijimi spontan mund të jetë një nxitje e madhe sot, për të kaluar kufijtë statikë dhe shabllon që ndodhen jo vetën në hartën e stileve muzikore por dhe mesballit dhe shpirtit tonë. Uroj që kontributet në vazhdim të vitit betovenian, të synojnë dhe zgjerojnë lenten e shikimit të kulturës si dhe rëndësinë e frymës improvizuese në fusha të ndryshme të artit.

 

Düsseldorf, 8 Janar 2020.

(c) 2020, Eda Zari. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Motiv.

[2] Kompozitor dhe pianist çek 1758 – 1825, koleg me Mozart.

[3] Nxënës i Beethovenit dhe mësues i Franz List. Carl Czerny – Kujtime / Arkiva, Beethoven – Haus Bonn.

[4] Arkivi Beethoven – Haus, Bonn.

[5] Brief an die Unsterbliche Geliebte. “Letër të Dashurës së Pavdekshme“, pjesa e tretë e letrës shkruar nga Beethoven më 7.07.1812- Teplitz.

[6] Mall / Dëshirim / Zhuritje – WoO 134 – Werk ohne Opus – Vepër pa numër Opusi. Skicat e këngës “Sehnsucht“ janë origjinalë – Arkivi Beethoven – Haus, Bonn.

[7] Tufë-akordet ose zëra të notëzuar në partiturë (marrim shembullin e simbol-akordeve tek Jazz Real Book – të vendosura nën melodi, psh. C – Am – Dm – G7)

[8] Bill Evans – The Solo Sessions, Vol.1

[9] “Spartacus“ Love Theme – minuta 2.11

[10] Kompozuar nga Bill Evans. (përtej spekulimeve legjendare se “Blue in Green“ mban autorësinë e Miles Davis) Personalisht dua të vë në dukje faktin se ishte Evans ai i cili ndriçoi Miles-in me jazz-in modal.

[11] Ky version gjendet në albumin “Bill Evans Trio – Portrait in Jazz“. Sugjeroj LP

[12] Romain Rolland, Beethoven f. 49. Shkëputur nga libri i Fan S. Nolit “Eroica – Das heftige Leben des Ludwig van Beethoven“ – Eroika – Jeta e dhunshme e Ludwig van Beethoven, f.63. Përkthyer nga gjermanishtja e Paridam von dem Knesebeck, Eda Zari.

[13] Shkëputur nga libri i Fan S. Nolit “Eroica – Das heftige Leben des Ludwig van Beethoven“ – Eroika – Jeta e dhunshme e Ludwig van Beethoven, f.63. Përkthyer nga gjermanishtja, Eda Zari.

Lini një Përgjigje

Këtë e pëlqejnë %d blogues: