ARVANITËT SHQIP FLISNIN, POR SHQIPTARË S’QENË (II)

nga Eda Derhemi

(pjesa e dytë)

‘Shkljerishtë’ tek Tsitsipis dhe Kazazis

Tek Tsitsipis hasa për herë të parë konceptin “shkljerishtë” që ai e trajton disa herë, sido që jo për nga etimologjia, por në përdorime të gjalla të kohës së tij. Tsitsipis sqaron se emri që arvanitët përdorin më shpesh për gjuhën e vet është ai me prapashtesën greke për gjuhët, pra si arvanitiká. Me këtë emër (por pa theks) ka hyrë kjo gjuhë edhe në listimin e gjuhëve në rrezik, kryer prej disa institucionesh ndërkombëtare. Por në ditët e Tsitsipis,[i] sipas librit të tij themelor botuar më 1998, ai e ka hasur natyrshëm emrin për gjuhën edhe në formën ‘arvanite’, kur folësit e tij komunikonin në arvanitisht. Unë, gjatë viteve të punës me ta, emrin për gjuhën e kam hasur vetëm si arvanitika,  që është forma greke për shqipen e arvanitëve, kudo ku kam qenë, sido që folësit reagojnë kuptimësisht ndaj të dy formave, pra edhe nëse përdor formën, sot të pjesshme, ‘arvanite’. Kështu, pyetja “Flet arvanitika?” ose “Flet arvanite?”, merr të njëjtën përgjigje: “Fljas arvanitika!”. Për gjuhën dominante të vendit, greqishten, Tsitsipis na thotë se ndër arvanitët ai has normalisht ‘eleniká’ ose formën e shqipëruar ‘lëniká’. Por, sipas tij, haset më rrallë edhe forma ‘shkljerishtë’ që përdoret nga arvanitisht-folësit për t’iu referuar greqishtes (f. 9). Fatkeqësisht, këtë formë që Tsitsipis e has pa shumë vështirësi në vitet ’80 kur ka kryer ekspeditat e veta, unë – siç e them më poshtë – e kam hasur shumë rrallë pas vitit 2011, kur ishte hera e para që zbrita në Greqi me arsyen që të njihem me zonat arvanite[ii]. Tsitsipis po aty raporton se termi ‘arbërisht’ është duke humbur ndër arvanitët e Greqisë. Në fakt, këtë term unë s’e kam gjetur të gjallë në asnjë nga zonat ku kam bredhur, por kam gjetur ende gjallë termin ‘arbërorë’ (në kuptimin arvanitë) në lagjet e jashtme të Athinës ku vazhdojnë të jetojnë arvanitë. Termi ka nevojë për kërkim të mëtejshëm.

Fjalën ‘shkljerishtë’ e has sot më shpesh ndër plaka (e më pak ndër pleq?) mbi 80 vjeç. Dhe veç si një mbeturinë e një fjalë që përdorej dikur, shpesh edhe me kuptim të harruar a ngatërruar. Ato ngaherë vrasin mendjen “të këtonen”, se është një fjalë që tashmë nuk përdoret; dhe thonë me bindje “nuk e thomi nani.

Tsitsipis (f. 15) sjell shembuj prej Kazazis[iii], një tjetër gjuhëtar që për fat na sjell të dhëna të çmuara për arvanitishten dhe na ka lënë të dhëna me vlerë sociolinguistike, i cili na njeh me përdorimet e “shkljerishtë” në fshatin Sofikó gjatë fundit të viteve ’70. Konsultantët (këshilluesit në studim ose folësit nga merreshin të dhënat) e Kazazisit, jo vetëm që përdorin ‘shkljerishtë’ me kuptimin ‘greqisht’, por krijojnë edhe çerdhe fjalëformuese prej saj. Pleqtë thonë se për të rinjtë që donin të dukeshin si më të sofistikuar duke folur greqisht dhe jo arvanitisht me moshatarët e vet, thuhej se ishin “të shkljerishtuarë”, pra, të greqizuar, me konotacionet e shtuara “të rinj të lehtë” a “që shesin mend”. Dhe për përdorimin mjaft të madh të shprehjes dhe të sjelljes[iv] gjuhësore, dëshmojnë edhe vajza të reja nga i njëjti fshat që thonë se për to ishte turp të flisnin në greqisht mes tyre – brenda komunitetit, se kjo do të thoshte të doje të dukeshe, dhe ndaj binte në sy për keq.

Fatkeqësisht (apo fatmirësisht), nuk është kjo gjendja e arvanitishtes sot nëpër fshatra apo “komunitete” në cepa qytetesh (të Athinës, sidomos) apo edhe ‘katunde’. Ka humbur fjala, ka humbur komuniteti folës, që ish ende i gjallë brenda të rriturve dhe pleqve në vitet 60-70 të shekullit të kaluar, kur bashkësia e folësve ishte ende bashkë nëpër katunde, ose sapo kish kaluar në zona më të urbanizuara. Por, ajo dëshmon ekzistencën e qartë të një grupi të dallueshëm arvanit, dhe të faktit se arvanitët vetë-identifikoheshin si të tillë e të ndryshëm nga grekët, deri fare vonë. Në këtë pikë, duhet thënë ‘të ndryshëm nga greqisht-folësit’. Duhet thënë edhe se origjina e fjalës ‘shkljerishtë’ nuk diskutohet as nga Tsitsipis e as nga Kazazis. Unë e kam ndjekur përdorimin e fjalës në zona të ndryshme, që të vëzhgoj përbërësit e saj kuptimorë: si lidhej ajo me greqishten e sidomos me greqishtfolësin. I pari fakt që dua të ve në dukje, është një rikuptimësim i fjalës, pas gjetjeve dëshmuar prej studiuesve më sipër, si pasojë e një lëvizjeje masive të arvanitëve drejt përdorimit të greqishtes (dhe braktisjes së arvanitishtes) që prej viteve ’60, i forcuar në vitet ’70. Sido që ka shqiptarë, arvanitas e grekë joarvanitas që fajësojnë emigrantët shqiptarë të pas 1990-ës, ky është një mit që kundërshtohet lehtë nga faktet në terren: koha kur vërehet ndërprerja e transmetimit gjuhësor mes brezave folës. Si edhe e shpjegoj më tej, rikuptimësimi i fjalës ‘shkljerishtë’ është kryer teksa rritet frekuenca e termit ‘elinj’ për grekët si edhe ‘eleniká’ apo ‘lëniká’ për greqishten.

Të dhëna aktuale diskursive për tipare mëvetësie etnike dhe kundërvëniesh semantike

Jam me tri gra në Livadhjá (Livadeia). Livadhjaja është kryeqendra e Viotisë (Boeotia), rreth 100km në veri të Athinës. Njëra, Sultana, është 75 vjeç dhe e takoj për herë të parë. Dy konsultantet e tjera i njoh prej shumë vjetësh, Maria është 92 vjeç, ndërsa Pagona 89. Më thonë: Nuk e kemi gjegjur ‘arbër’, ‘arbërisht’, ‘arbërore’. Nuk e dimë ç’isht. U them -ca katunde arvanjite e kanë ende. Më shpjegojnë me mprehtësinë metalinguistike që dallon gjithë dy-gjuhësorët e pashkolluar: Kate katund i thonë jetër. Nuk i thonë gjithë si na! Pastaj dalin në shtegun që e përsërisin gjithë arvanjitët kudo qofshin: Neve nani allvanojët nuk i katallavëm. Neve nani me ata na Allvanjija kshiuonemi elenjika. Keshëm një grua na Allvanjija për njimjet (11) vitra, natë e ditë bërda, kur im tatë dhe mëma bërën shpi. Fjasën shumë mirë elenjika. E dinë. Xunë mirë fare elenjika.-(Sulltana)

I pyes për fjalën ‘shkljerishtë’ dhe variantet e saj. Pohojnë me kokë, por picërrojnë sytë, sikur ia kërkojnë me mend kuptimin. Sultana nxiton të përgjigjet teksa dy të tjerat vazhdojnë të vrasin mendjen. Është e qartë që fjala u kujton diçka të trejave. Shkljeri i thonë i fortë. E thomi për njeri i fortë – thotë e para Sultana. Pagona ndërhyn me mosbesim: atë o thotë?! Po rri moj Sultana! Se isht jetër lex! Maria thotë: shkljerishtë e thomi për elenjika! …Po e kemi harruar nani. Nuk e thomi nani. U them se në Sofikó një grua e vjetër më tha se ‘shkljerishtë’ e thonë për ‘një grua moderne’. E pyeta atë sofikote në gruaja moderne, pra shkljerishtëja, do ishte greke apo arvanjite. ‘Të dija’, më tha ajo. E pyeta në e thoshin veç për gra, apo edhe për burra modernë. Më tha ‘jo për burra’. U thashë edhe se Lula që ka tavernën në Zeriq, e mban mend fjalën, por edhe ajo thotë që ka kuptimin që s’ishtë arvanjitika. Edhe na e thomi ‘shkljerishtë’, shton Pagona. Shkljerishtë isht ‘joarvanjite’, elenjika! Ama e thomi vetëm për gluhën, jo për kozmin. I kam pyetur më parë si thonë për kozmin. ‘Elinj’, thomi – më janë përgjigjur. U them që kur kam folur me arvanjitë në lagjet rreth Athinës, dhe edhe ata e përdorin ‘shkljerishtë’ për gjuhën dhe jo për njerëzit. Pagona, një grua shumë e mprehtë, nis prapë avazin e moskuptimit të shqipes, dhe kallëzon: Edhe ne me allvanojtë nuk kshinoisemi mirë. Na thish një allvano: tata im ka gjashtë çuna! – dhe tregon gjashtë me gishta, e qesh fort. Maria qesh edhe ajo dhe ndërhyn t’i shpjegojë Sultanës që e ka arvanitishtet disi më të mangët: gjashtë djelm. Çuna ua thonë meshkujve. Më kanë treguar edhe në një tjetër bisedë se ‘çuni’ në arvanjitisht i thonë organit seksual të burrit. Qeshin të treja fort. Pagona vazhdon: “E i tha im vua allvanojit: e si bën tata it me gjashtë çuna?! Na, na një kemi, e nuk boresjëm ta kumandarjëm! Dhe u shkrimë më pas, edhe unë bashkë me to, sido që e kam dëgjuar 6-7 herë historinë e gjasht çunave të tatës.

I pyeta nëse grekët përreth e njihnin fjalën shkljerishtë. Jo, tha Pagona. Na e xumë elenjika, ata s’e xunë gluhën tonë – me një nënqeshje e ngritje vetullash triumfuese, që sikur thoshte me shaka se ata donin, po s’mundën, dhe se ne jemi superiorë. Kur më shpjegonin sharjet që Livadhjotasit përdornin për arvanjitët (do shkruaj për to në pjesën e tretë), i pyes: po pse ju shanin kaq shumë? Po Pagona më shpjegon: Se jeshmë të hoj. Jeshmë na katundi (që shpesh e asimilojnë në “katudi”). Vejëm mandile në krie. Ata na thojën ‘mojshe’. Na shajën e thojën elenjika: “erdhën mojshet”! Na thojën ‘mojshe’ se ne flisjëm “moj Maria!”, “moj Sultana!”, “moj Vasiliqi!” Nuk thojëm ‘kalé’ si ato.   Të vërehen këtu kundërvëniet e shpeshta mes “ne” dhe “ato/ata” që shoqërojnë gjithnjë përgjigjet kur flitet për dallime në gjuhë, natyrë e zakone. Por nëpër biseda, siç do shihet në pjesën e tretë, kundërvëniet nuk janë mes arvanitëve si bashkësi, me grekët si bashkësi, por mes arvanjitëve në katundet përreth me Livadhjesat apo Livadhjotët, pra me banorët grekë të horave ku ndodhi takimi masiv dhe i pashmangshëm me ‘tjetrin’. Unë, kur shkruaj përkujdesem që të mos formësoj një kundërvënie etnike mes arvanjitëve dhe grekëve, sepse arvanjitët vetë këtë kundërvënie nuk e pranojnë, por anekdotat e tyre flasin për një kundërvënie të qartë praktike mes tiparesh të ndryshme të etnicitetit, që edhe pse nuk u zhvilluan subjektivisht e politikisht në kuptimin që analizoj në pjesën e parë të shkrimit, kanë qenë të pranishme dhe madje fort më të fuqishme se sot.

Sotir Kurrunji nga Thespié në Vioti, reagon pa ngurrim ndaj fjalës ‘shkljerishtë’: shkljerishtë ësht kur nuk ësht arvanjit; kur ësht elenjika. Edhe ai flet për gjuhën, jo njerëzit. E pyes për moshën. Sa më bën ti? – ma kthen. 75, iu përgjigja unë. krenar më thotë: Nëntëdhjet edhe di jam! A ka që fljasën shkljerishtë në Thespie, e pyes. Shumë kanë vatur krotofiu. Nuk janë më. Ç’është ‘krotofiu’ e pyes. Krotofiu ësht ku e qerrjën kur vdes njéri. – më përgjigjet. Ah, varreza, them unë. E pyes: a i thoni ‘varr’ në arvanjitika? A si nuk e thomi?! – ma kthen vrikthi me një buzëqeshje po aq krenare. Gjithë në katund fljitjën arvanjitika; gjithë katundi! Ama nonjë që nuk flisëj, i thoshëm: nuk duam shkljerishtë të na fljasësh! Duam arvanjitika! Po ishin burra a gra ata që flisjën shkljerishtë, i them. Edhe burra edhe gra, thotë. Po më shumë gra. … Kur e ndërron gluhën arvanjite, e bën shkljerishtë, më shpjegon. ‘Shkljerë’ nuk e njeh.

Në fragmentet më lart, si dhe në situata të tjera më pak interesante nga ana diskursive, duket qartësisht kundërvënia mes arvanitishtes dhe shkljerishtës. Kjo e fundit del si greqisht në kuptimin më të qenësishëm. Por është me interes të vërehet se sa herë flitet për greqishten, arvanitët përdorin rregullisht ‘elenjika’. Kurrë nuk më ka ndodhur, në asnjë prej një duzine fshatrash që kam vizituar, ta has fjalën shkljerishte, pa pyetur posaçërisht për të. Shpesh më thonë se nuk e kanë dëgjuar. 50 e 60-vjeçarët, ata që janë rritur me papujtë dhe kanë një farë gjuhe, nuk e njohin. Më të rinjtë, që as nuk flasin arvanjitika, jo e jo. E gjej fjalën, veç ndër pleq, që, normalisht, para se të përgjigjen, kërkojnë në mjegullën e kujtesës këtë fjalë që u tingëllon e njohur. Në disa prej bisedave më lart, ndihet një rikuptimësim i fjalës ‘shkljerishtë’: ajo në mënyrë implicite del me kuptimin ‘arvanjitë që kthejnë gjuhën nga arvanjitika në elenjika’. Besoj kuptimin e fjalës ‘shkljerë’ si ‘grekë’ ta ketë marrë prej kohësh tashmë fjala ‘elinj’ që del rregullisht ndër arvanjitë, dhe domosdo ‘elenjika’ për gjuhën greke. Pleqtë e intervistuar të gjithë pohojnë edhe pa u pyetur se nuk e përdorin: “nani nuk e thomi shkljerishtë”. Kuptimi i gruas që tha se fjala do të thoshte ‘grua moderne’, nuk më duket pa lidhje me kuptimet që na jep Kazazi, Trudgill dhe Tsitsipis, pra një njeri që donte të dukej si jo-fshatar, jo-arvanjit, grek. Dua të kërkoj edhe më tej si del kjo fjalë nëpër Greqi sot. Për tani mjaftohem të shoh në të një element që mbështet hipotezën se arvanitët pas gjasash e kanë dalluar shumë më qartësisht veten prej greqishtfolësit, si me fjalë për popullsinë, si me fjalë për gjuhën (demonym dhe glossonym) që kanë gjetur aty ku shkuan. Është krejt logjike që, kur nuk flisnin aspak greqisht, sido që besimi fetar ishte si ai i rrethinave, të përdorej shkljerë e shkljerishtë jo për qytetarin në raport me fshatarin (ata vetë), por me grekun.

Të kujtojmë që shumica e të intervistuarve të të gjitha moshave thonë se deri në vitet 1950 banorët e katundeve arvanite flitnin normalisht me njëri-tjetrin arvanitisht. Sot, edhe pse gjithë të vjetrit e dinë gjuhën, nuk e flasin më kurrë mes tyre. Arvanitishtja është kthyer në gjuhë që ekziston vetëm në mendjen e ish-folësve, një rimarrje komike e ideve të Chomsky-t për gjuhën. Të kujtojmë edhe se, nga dëshmitë e arvanitëve, gjyshërit e atyre që sot janë në të pesëdhjetat, e flisnin keq greqishten, ndërsa të atyre që sot janë në të tetëdhjetat, nuk dinin asnjë fjalë greqisht, sipas të thënave të arvanitëve në zona të ndryshme. Në dy raste të palidhura, njëri në Korinth dhe tjetri në Askri, më kanë kallëzuar për gjyshër pleq me Alzheimer’s që e kanë humbur greqishten, dhe sot reagojnë apo u përgjigjen vetëm pyetjeve bërë në arvanitisht.  Është po ashtu e kuptueshme që teksa popullsia nisi të mësojë masivisht greqisht, termat ‘elinj’ dhe ‘elenjika’ u normalizuan, ndërsa ‘shkljerë’ e ‘shkljerishtë’ u harruan. Kujtohen më lehtë ato përdorime që lidheshin me bashkë-fshatarë që kishin qejf të dukeshin, që bënin sikur s’qenë arvanitë, që donin të kalonin vijën ndarëse gjuhësore, pra përdorime disi më të markuara, me një emocionalitet dhe konotacione më të forta. Bashkë me to, njerëzit janë përzier e njësuar në sipërfaqe, por gjurmët e një ndarjeje të fortë të dikurshme, dhe madje kundërshtare, janë ende gjallë. Nuk ngulmoj të them se të përkiturit e arvanjitëve ish etnicitet. Por nëse atë grek e quajmë etnicitet, tjetrën ndjesi të përkituri në një tjetër grup që paraqitet si kundërshtues, me gjuhë e zakone ndryshe, që shihen shtrembët me njëri-tjetrin, me martesa që normalisht nuk përziehen, unë do preferoja ta trajtoja në mënyrë simetrike, edhe pse lidhja e arvanitëve me një tokë të imagjinuar të të parëve nuk ishte. Qartësisht nuk kemi dy raca të ndryshme; nuk kemi as dy fe të ndryshme. Por kemi dy njësi shumë të ndryshme dikur, dhe shumë më pak të tilla sot.

Fjalën ‘shqip’ e dinë, por thonë se e kanë xënë na allvanojtë. Normalisht shqipes i referohen si ‘gluha e allvanojve’. Ësht e rëdë si e flasën allvanojtë! Nuk i katallavëm. E kam dëgjuar në shumë zona që shqipes t’i referohen si gjuhë “e rëndë” duke folur figurativisht për peshë të mënyrës si tingëllon, e jo për vështirësinë. Veç Jani, një plak zeriqot i mençur, me një kuriozitet të paparë për gjithçka, e adhuronte shqipen, edhe pse nuk e thoshte. Por më krenohej sa herë e takoja që kish ardhur disa herë në Shqipëri, që kish mësuar të fliste si ne, që na e dinte madje edhe historinë dhe gjithë kundërshtitë politike me shtetin grek. Jani vdiq me Covid para dy dimrash në moshën 84-vjeçare. Të rinjtë janë tërësisht të imunizuar si nga dëshira për ta mësuar, si nga ajo për t’u identifikuar me gjuhën e papujve e jajave të veta. Normalisht largohen sikur t’u flitet për një sëmundje; e megjithatë, e kanë më të lehtë të identifikohen me gjuhën se me të qenët arvanitë. Bëjën se e zborën, më thotë Lula, 70 vjecare për moshatarët e vet. Ama e dinë. Nuk harronet gluha e mëmës.

‘Shkljerishtë’ në studimin e B. Demirajt

Trajtimin historik më të plotë fjalës ‘shkljerë’ e ‘shkljerishtë’, duke ia ndjekur rrugëtimin hapësinor aq sa edhe fonetik dhe funksional nëpër Ballkane dhe Itali, ia ka bërë B. Demiraj në “Shqiptar dhe shqa – Histori popujsh përmes dy emrave etnikë”[v]. Analiza metodike e dokumentimit historik të fjalës ‘shqa’ mbështet sa përfundoj unë më lart për etnicitetin në rrëgjim të arvanitëve në Greqi. Për çfarëdo përfundimi të sotëm lidhur me fjalën ‘shkljerë’, kapitulli “Shqau ndër shqiptarë – një studim etno-linguistik[vi]” (po aty, f. 159-197), është bazë e domosdoshme reflektimi. Demiraj analizon dokumentimin e fjalës si edhe gjendjen e saj nëpër raportime të ndryshme prej hapësirave shqipfolëse në dy dialektet e shqipes brenda territorit të pandërprerë shqipfolës, si edhe arbëreshëve të Italisë dhe atyre të Greqisë. Analiza është gjithëpërfshirëse në raportimet historike, por nuk përfshin gjendjen aktuale të përdorimeve, duke mos qenë ky qëllim i studimit. Fokusi është në përdorimet historike dhe kombinime metodike ndërdisiplinore. Demiraj me analiza të imëta ligjësish të fonetikës historike saktëson origjinën dhe periudhën e hyrjes së termit në shqip (“faza e fundit e ndikimit latin në shqipe… aty rreth shek. VI-VII” f. 183), vijëzon kalimet etno-gjuhësore nga ‘sllav’ në ‘shklje’ e ‘shqa’, në format mashkullore e ato femërore, si edhe ndryshimet kuptimore që ajo pëson, teksa grupet e shqipfolësve (arbër, e më vonë shqiptarë) zhvillohen në trevat origjinale, apo zhvendosen nëpër Ballkane e Mesdhe (rrëgjimin gradual në popullsitë e larguara nga territoret qendrore shqipfolëse, të përbërësit kuptimor ‘skllav’ dhe ‘sllav’ dhe mbijetesën e semave që dëshmojnë ‘ndryshim prej nesh’).

Ai nënvizon tiparet e përkundërta shënjuar si ‘tjetër’ në semantikën e shënjuesit ‘shqa’ (referuar sllavëve) ndër shqiptarët brenda zonës së pandërprerë shqipfolëse: si tjetër prejardhje; tjetër gjuhë; tjetër traditë zakonore; tjetër besim; tjetër traditë shkrimore. Të gjitha këto tipare-kushte veç dy të fundmeve, plotësohen nga mbetjet e  pakëta të përdorimeve të fjalës mes arvanjitëve sot. Besimi nuk i ka ndarë arvanitët prej grekëve, dhe këtij tipari i është mëshuar me forcë të tepruar, dhe është konsideruar gur themeltar për faktin që arvanitët nuk janë pakicë, si nga ideologjitë nacionaliste të shtetit-komb, si nga elita greke, qoftë edhe ajo akademike moderne, duke u përvetësuar e përbrendësuar edhe prej vetë arvanitëve. Mospasja e shkrimit dhe pamundësia e futjes së tij pas 1800-ës, i ka lënë indiferentë ndaj tij, madje është kthyer në arsye për ta shpërfillur gjuhën e vet, si ndodh në shumë pakica gjuhësore që s’e kanë shkruar gjuhën e tyre. Vërtet arbëreshi i zakonshëm nuk e shkruan arbërishten, por tradita e shkrimit të saj prej elitës prej shekujsh, si edhe e gjuhës së shkruar shqipe brenda territoreve ballkanike, është një element shumë i pranishëm në vetëdijen e arbëreshëve. Demiraj, siç shpjegova më lart, e gjen krijimin e termit në zonën ku shqiptarë (në kuptimin shqipfolës të para fazës së shtetit-komb) e sllavë të hershëm që zbritën nëpër Ballkan, u takuan para shekullit të nëntë. Më pas, termi u kuptimësua si ‘grek/jo-arvanit’, në diasporën arvanite në Greqi (apo ajo që Greqia ishte para 1820-ës), dhe si ‘jo-arbëresh’, në diasporën arbëreshe në Italinë e Jugut. (Po aty, f. 186)

Ato fakte për termin ‘shkljerishtë’ që gjenden sot ende të gjalla mes arvanitëve, dëshmojnë se kuptimi pas shndërrimit konceptual “shqa=joshqiptar” në përfundim të tezës së Demirajt, jetoi për shekuj mes arvanitëve si shenjues për fqinjin jo-arvanit.

Vijon…

© 2023 Eda Derhemi. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[i] Tsitsipis, Lukas. 1998. A linguistic anthropology of praxis and language shift – Arvanitika (Albanian) and Greek in contact. Oxford University Press.

[ii] Sido që ky punim nuk parashtrohet si artikull akademik, por i paraqitet një audience më të gjerë, disa shënime metodologjike janë të nevojshme për lexuesin. Para vitit 2011 kam ndenjur në Greqi si turiste, dhe arvanitët i kisha hasur vetëm rastësisht, ndoshta me një tërheqje njerëzore dhe profesionale, por që nuk qe formuar ende si qëllim studimi. Dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit të ri, vija rrallë dhe rrija pak. Vitet e fundit të tij dhe këto tre vjet të dekadës së dytë, kam mundur t’i shpeshtoj ardhjet e të rri ca më gjatë. Kjo më ka lejuar të vërej edhe ndryshime prej 2011 apo 2012, që dallohen vetëm më studime kohëgjata. Më ka lejuar edhe të shoh dallime në gjendjen e gjuhës dhe të sjelljes së folësve të saj. Me të gjithë arvanitët unë flas toskërisht me modifikime dialektore që nuk është e vështirë t’ia bëj shqipes. Shpesh i kthehem pyetjes apo përgjigjes nëse ndiej që ka diçka që nuk është krejt e qartë. Grup-mosha themelore me të cilën komunikoj janë ata mbi 70 e 80 vjeç. Por sa herë jam, intervistoj grupe të rinjsh vetëm për të hetuar ideologjitë dhe sjelljet gjuhësore të tyre. Më të rinjtë që ende mund të kenë një farë gjuhe ekzistuese, janë në të pesëdhjetat. Por janë të rrallë në numër ata që ende e njohin. Katundet kryesore ku kam bredhur kanë qenë rreth Athinës, disa të tjerë në krahinën e Viotisë, si dhe disa katunde dhe ishur në Peloponez.

[iii] Kazazis, Kostas. 1976. “Greek and Arvanitika in Corinthia”, in Balcanistica: Oçasional papers in Southeast European Studies. K. E. Naylor (Eds.)

[iv] Language attitudes

[v] Demiraj, Bardhyl. 2014. Shqiptar dhe shqa – Histori popujsh përmes dy emrave etnikë. Naimi: Tiranë.

[vi] Këtu paraqes disa copëza marrë nga punimi, për t’u paraqitur lexuesve llojin e kërkimit kryer nga Demiraj: “…ndërtimi mocional çam. shklirë f. (fjalë përçmuese për një) “femër që kryen marrëdhënie seksuale jashtë martese; grua e e përdalë” ? *”(grua) sllave”19, dhe b) fjalë të prejardhura, të regjistruara për toskërishten jugore, të tilla si: shqerëzohem fol. “humbas nderin; më prishet nderi; më pëlcet cipa”, shqerëzim m. “të rënë nga nderi; të plasur cipa e turpit, imoralitet” etj” fq 5

…tek arvanitasit e Greqisë ky etnik është në përdorim sot e gjithë ditën, por me të ata dallojnë fqinjët e tyre grekë. Këtë rrethanë e vëren së pari gjuhëtari slloven Franz MIKLOSICH (1870 33, duke iu referuar REINHOLD-it 1855 [Leksiku] 31: shkla), kur shkruan, se: “të bie në sy fakti, që shqiptarët e Greqisë me të njëjtën fjalë emërtojnë grekët.”22; khs.: arv[anitishte] e Gr[eqisë] shkla,-u ~ sh. shkle,-të “grek njëgjuhësh [= që flet vetëm greqisht]; jo-arvanit” (SASSE 1991 107) pranë shklja,- u dhe skla,-u “id.” (JOCHALAS 2002 615) – p. 6

 

Rreth Autorit

Eda Derhemi jeton e punon në Champaign-Urbana të ShBA-ve. Pasi punoi si pedagoge e gjuhësisë në Universitetin e Tiranës (1985-1990), ajo emigroi në Itali, e më pas në ShBA. Përfundoi një Master (Linguistics) dhe një PhD (Communications) në Universitetin e Illinoisit në Urbana-Champaign, ku, prej shumë vjetësh, punon si pedagoge me fokus kurse për gjendjen sociolinguistike në Itali, Mesdhe dhe Europë. Pas doktoratës, ka kryer dy herë kërkime post-doktorale 1-vjecare: në Kosovë mbështetur prej IREX, dhe në Tiranë mbështetur prej Fulbright. Puna e saj shkencore është ndërdisiplinore dhe ndërthur gjuhësinë me etnicitetin, politikën, ligjin, dhe kulturën. Pakicat gjuhësore dhe rrezikimi i ekzistencës së gjuhëve minoritare në Europë, sidomos gjendja e arbërishtes dhe arvanitishtes, janë qendrore në punën e saj. Mbetet shumë e lidhur me shqipen dhe Shqipërinë, sido që ka mbi 30 vjet që nuk është banuese e përhershme në Tiranë. Gjyshja e saj nga Tirana (nona), dhe Tirona e Vjetër me zakonet e veta i janë vazhdimisht në mendje. https://www.routledge.com/Endangered-Languages-in-the-21st-Century/Derhemi-Moseley/p/book/9781032196749

Author Archive Page

1 Koment

  1. Me aq sa na sqarohet ne shkrim, fjales “Shkljerishte” ,ndoshta i shkon per shtat fjala moderne “snobiste”.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin