ATA QË KTHEHEN (IV)

Për temën e atyre që kthehen, të dyzuar në pyetjet në thelb të kundërta: kush kthehet dhe ku kthehet, u bë shkas një ndërthurje kujtimesh të miat personale.

Dikur herët në vitet 1990, u zhduk një i afërmi im në Pogradec, Baçi. Njeri me emër të mirë, i martuar, me grua dhe fëmijë të mbarë. Kish dalë në mëngjes për peshkim, dhe nuk u kthye më. Kur e panë që po vonohej, filluan ta kërkonin, dhe ashtu edhe ia gjetën barkën në liqen, por atë jo. Kaluan orë, pastaj ditë, pritën që t’i dilte trupi gjëkundi, por trupi nuk doli. Ata që besonin se ishte mbytur, debatonin me të tjerë, që thoshin se ishte arratisur. Të tjerë sugjeronin se Baçi mbase e kish inskenuar vetë “zhdukjen”, që ta kujtonin të mbytur dhe ta harronin, por përndryshe kish ikur gjëkundi tjetër, për ta filluar jetën nga e para. Familja nuk donin ta përfytyronin mbytjen, por edhe nuk e pranonin dot ikjen. Kuriozët dhe thashethemexhinjtë rrëmuan në jetën private të Baçit dhe të gruas së tij, për të gjetur ndonjë arsye ose të paktën sebep, por të tjerët nuk i lanë që ta tepronin. U tha se edhe se Baçi mund të kish vrarë veten, duke zgjedhur të mbytej në liqen, por edhe duke ua kursyer të vetëve turpin e një pater familias që vetëvritet. U hetuan borxhet që mund të kishte pasur, ndonjë sëmundje që e kish mbajtur të fshehtë, ose edhe ndonjë ndarje tjetër e rëndë, që ky nuk e kish përballuar dot; por pa dobi.

Në fillim të viteve 1990, njerëzit filluan të zhdukeshin pak si shpesh në Shqipëri. Veç atyre që largoheshin, pasi kishin lajmëruar familjarët dhe miqtë, kish të tjerë që një ditë prej ditësh nuk i përgjigjeshin më apelit, dhe zakonisht për djemtë dhe burrat gjithnjë supozohej se kishin emigruar në Greqi ose Itali; ndërsa për vajzat dhe gratë e reja, se i kishin rrëmbyer për t’i çuar zakonisht në Itali dhe për t’i shfrytëzuar si prostituta; ndërsa për fëmijët se i kishin rrëmbyer për t’ua shitur atyre që merren me këtë lloj tregtie mishi. Këto ngjarje të dhimbshme jo rrallë janë përcjellë nga mass mediat, madje edhe përmes emisionesh kushtuar identifikimit të së humburve.

Familja e Baçit dhe krejt farefisi dhe miqësia nuk i kishin instrumentet për ta përballuar zhdukjen. Kur dikush vdes, ndarja me të ikurin ndërmjetësohet nga gjithfarë ritualesh të përcaktuara mirë – nga kësolli te varrimi dhe zia që mbahet e kështu me radhë. Por një person i zhdukur nuk mund të konsiderohet vetvetiu si i vdekur, dhe aq më pak nga familjarët e tij, që janë të fundit që do ta braktisin shpresën. Më ngushëllues mund të jetë përfytyrimi se i zhdukuri ka shkuar të jetojë gjetiu – në mos në botën “tjetër”, të paktën në një vend tjetër. Dhe se një ditë mund të kthehet. Një përfytyrim i tillë do të ishte i preferueshëm, ndaj makthit të hipotezave dhe probabiliteteve, për më keq të mbivendosura.

Vetëm pak vjet më parëm zhdukja e Baçit në liqen do të kish marrë ngjyrime të tjera, më të zymta: në totalitarizëm, dikush që zhdukej, ose do të ish arratisur, ose do ta kishin zhdukur me urdhër. Një djalë kushëri i nënës sime ashtu kish humbur, një ditë prej ditësh, dhe pa u marrë vesh kurrë arsyeja. U dyshua se mund të ishte arratisur, por motrat e tij nuk i prekën (nuk i internuan); u tha se mund ta kishin dërguar “andej” si agjent të fshehtë; u tha se mund ta kishin vrarë. Sërish, dy motrat e kaluan jetën të torturuara nga shpresa se vëllai i tyre mund të ish gjallë dhe se një ditë do të kthehej – por kjo nuk ndodhi.

Por zhdukje të mëdha, si ato në fillimvitet 1990, ishin shenja lajmëruese të një çrregullimi të madh kolektiv – pas një kohe të gjatë, kur popullsia në Shqipëri nuk lejohej të emigronte, tanimë mundësia për ta filluar jetën nga e para, diku gjetiu, ishte bërë realitet. Të gjithë ata që kishin dashur të arratiseshin, por nuk e kishin bërë sepse nuk dinin si, ose ngaqë kishin frikë mos i kapnin në kufi, apo edhe ngaqë nuk donin që për arratisjen e tyre të paguante familja – të gjithë tani mund të iknin, pa pasoja dhe keqardhje. Ashtu mund të vepronin edhe ata të tjerët, që ndiheshin të tepërt, të lënë pas dore, ose viktima të rrethanave.

A mund të ndodhte që të kthehej një ditë Baçi? Cili Baç do të kthehej dhe ku do të kthehej? Ata që e kishin harruar, me harresën e tyre ia kishin ngritur edhe varrin – të tjerët, ata pak që nuk e harronin dot, gjithnjë me më shpesh e zëvendësonin Baçin e gjallë me kujtimin që kishin për të.

Dhe kjo mundësi e lebetitur, për ta cilësuar me një epitet poradecian, më ndillte një kujtim tjetër, këtë herë timin nga fëmijëria. Im gjysh nga nëna e pat lënë Shqipërinë që herët në vitet 1920, për të emigruar në SHBA. Atje e pat marrë edhe gjyshen time Inajet, dhe atje i lindën edhe dy vajzat – nëna ime dhe tezja. Këtë histori e kam sjellë te Katër breza oqean, këtu në Peizazhet; ku kam rrëfyer edhe si gjyshja ime me të bijat erdhën në Shqipëri për një shkëputje të vogël nga NYC, por atje i kapi lufta duke ua bërë të pamundur kthimin – dhe ashtu u nda edhe familja, me babanë që mbeti andej, dhe të tjerët këtej. Pas luftës ishte politika që e pengoi ribashkimin; dhe nëna ime, bashkë me tezen, u detyruan të kalojnë më se 30 vjet të jetës pa e parë babanë e tyre në New York; dhe ky pa i parë të bijat në Tiranë. Në atë kohë veç me letra mund të komunikohej –  telefoni as që vinte në vështrim. Ne fëmijët, motra ime, unë, dhe dy fëmijët e tezes, u rritëm me imazhin e një gjyshi të padukshëm, i cili na shfaqej vetëm në fotografitë, në letra e bisedat mes nesh në familje, dhe në pakot që dërgonte që andej. Prandaj kur morëm vesh që ky gjysh i përtejmë po bëhej gati të kthehej në Shqipëri, për t’u riatdhesuar, menduam më tepër për çfarë gjërash të reja do të na sillte. Nëse për nënën time babai ishte gjithnjë një zgavër e plagë e pambyllshme, ne fëmijët nuk është se ndienim ndonjë “mall” për të.

Atë ditë që do të mbërrinte gjyshi në Tiranë, teksa u nisëm për Rinas, na udhëzuan çfarë të bënim: me t’u shfaqur ai mes të mbërriturve, duhej të suleshim drejt tij me vrap, të bërtisnim “baba! baba!” dhe t’i hidheshim në qafë. Unë më i madhi i kalamajve isha diçka më shumë se 10 vjeç atëherë, dhe me sa mbaj mend, këtë përgatitje e përjetoja si diçka gjimnastikore, përfshi edhe thirrjen “baba! baba!”. Avioni me gjyshin u ul, gjyshi u shfaq te korridori ku dilnin pasagjerët i veshur më mirë se ç’e prisja unë, u takuam me zhurmë të madhe, dhe pastaj javët e para i kaluam me biseda, vajtje-ardhje mysafirësh që unë s’i kisha parë kurrë; dhe dialekt. Jetonte në shtëpi te ne, dhe nga ajo kohë mbaj mend vetëm që nuk po e pranoja dot për gjysh, dhe as e krahasoja dot me gjyshin tjetër, që më kish rritur, dhe që ishte gëzimi im. Por edhe isha tepër i vogël për t’ia kuptuar dramën këtij emigranti të kthyer, që e pa veten të zhytur në një botë të padeshifrueshme për të, si ajo e Tiranës të fillimviteve 1970; herën e fundit e kish vizituar atdhenë në vitet 1930, ku kish kaluar pushimet në Gjirokastër. Punëtor gjithë jetën, njeri i mësuar me gjëra dhe shenja të thjeshta, nuk kish asnjë shans për t’u kthyer vërtet gjëkundi; përveçse te gota e rakisë. Sikurse nuk kisha unë asnjë shans, për të kuptuar dramën tjetër, atë të nënës sime, së cilës i duhej të pajtonte në mendje imazhin e babait që e kish selitur për dekada, me këtë burrë real dhe të alkoolizuar, prani të parehatshme, më shumë i huaj se i familjes, që vërtitej në shtëpi dhe kërkonte t’ia gjente fillin vetes në muhabete gati të pakuptueshme, të spërkatura me gjysma fjalësh anglishte. Nuk jetoi gjatë, dhe kur vdiq pas një agonie të shkurtër, m’u duk sikur këtë vdekje vetëm sa e kish shtyrë me zor, për hir të atyre që e prisnin në Shqipëri; dhe se në fakt e kish sjellë me vete “që andej”. Ardhja e tij ishte më shumë plotësim i vonë i një amaneti për të bijat, dhe ai vetë i futur me zor në rolin e një Konstandini që e kish lënë deri edhe varrin andej tutje përtej; edhe pse tani, që e kam jetuar edhe vetë jetën e imigrantit, jam i bindur se vitet e gjata që kaloi në New York, duke u ngushëlluar me shpresën e kthimit dikur në Shqipëri, i kishin shërbyer që atëherë si varr.

Edhe pse im gjysh u largua nga Shqipëria si emigrant ekonomik dhe ashtu mbeti edhe gjatë viteve të totalitarizmit, ishte politika që nuk i lejoi nënën time dhe tezen të bashkoheshin me të pas Luftës; qoftë edhe për të udhëtuar një herë drejt SHBA-ve dhe për ta vizituar. As ai, si qytetar amerikan, nuk shkelte dot këndej; përveçse për t’u riatdhesuar – me kusht që të hiqte dorë nga shtetësia amerikane dhe privilegjet që ajo i jepte. Pak gjë do të kish ndryshuar sikur të ish vrarë në Luftë (kish luftuar, me ushtrinë amerikane, madje kish zbarkuar në Normandi, në qershor të vitit 1944); ose të ish zhdukur. Po të kish qenë i arratisur politik, mbase familjes sime do t’i duhej të vuante pasojat – siç i vuanin familjet e të larguarve fill pas Luftës, dhe aq më tepër familjet e të arratisurve. Edhe më keq, po të kish qenë në burg, si i dënuar politik. Të gjithë këta, të emigruarit e hershëm, të arratisurit, të zhdukurit dhe të syrgjynosurit në burgje politike dhe internime, ishin njerëz tashmë me prani dhe identitet të pakësuar. Rastet e riatdhesimit, si ai i tim gjyshi, ishin të rralla; dhe ata që ktheheshin ashtu, ktheheshin si zombie nga një hapësirë që përndryshe i përkiste vdekjes.

Të tjerët, që nga ata që e kishin lënë Shqipërinë si kundërshtarë politikë me të mbaruar lufta, dhe të gjithë të tjerët e emigracionit politik, por edhe ata që regjimi i kish mbajtur të mbyllur në burgje dhe në internime, mundën të kthehen vetëm pas 1990-ës; çfarë edhe përkoi me periudhën e rrëmujshme, kur ikën nga Shqipëria një brez i ri emigrantësh. Unë nuk kam qenë atje në ato vite dhe nuk mund të them shumë, për dramën e të gjithë atyre që u kthyen pas vitesh burgu; me sa kam dëgjuar, askush prej tyre nuk u kthye dot gjëkundi, por e shumta gjetën në vete forca dhe motivim, për ta nisur jetën nga e para. Kam lexuar kujtime burgu e internimi dhe letërsi që njëfarësoj rrëfen për jetën prapa hekurave; por nuk kam lexuar gjë, për tmerrin e heshtur të kthimit, te një botë që mungonte, ose e shumta të ikte mes gishtave, si rëra. Mediat kanë folur e shkruar shumë për “kthime pronash” dhe “dëmshpërblime”, por fare pak për pamundësinë e pajtimit të dy botëve, tashmë të dala nga sinkronizimi.

Më ka mbetur në mendje një histori që tregonin në familjen time, për një kthim të tillë, në kontekstin e terrorit politik të pas 1945-ës. Një kushërira jonë, “e bukur yll”, sipas sime mëje, u martua fare e re – gjashtëmbëdhjetë vjeçe, që pa mbaruar ende Lufta II, me një bej të pasur të Shqipërisë së mesme. Nuk pati kohë të gëzojë as martesën, as mirëqenien e sapofituar, sepse me të ardhur në pushtet “këta” ia arrestuan burrin menjëherë, dhe fill pas tij edhe atë vetë. Të shoqin e vunë në torturë, që ky të tregonte ku i kish fshehur “florinjtë”. Nuk tregoi. Thanë se e mbajtën 60 ditë të zhytur në një fuçi me ujë, për ta detyruar të fliste, ku mori edhe një infeksion të keq në kolonën vertebrale, por pa ia thyer dot shpirtin. Ironikisht, e nxorën nga burgu para së shoqes, dhe e para gjë që ky bëri ishte t’i shkonte kushërirës sonë në burg për ta vizituar.

I shoqi – që kish hyrë në qeli i pashëm, i fortë, krenar, atletik, i patrembur – ish katandisur tani në një qenie të kërrusur keqazi nga sëmundja në kurriz, që ecte duke hequr këmbët zvarrë. Dhe kushërira jonë ende në burg aq shumë u tmerrua kur e pa, sa e refuzoi. I tha se nuk e njihte, i kërkoi të mos i shkonte më për ta vizituar. Çfarë do të ketë menduar ky burrë, i cili u bëri ballë torturave dhe poshtërimeve vetëm e vetëm me shpresën që një ditë të kthehej kryelartë tek e shoqja dhe t’i rrëfente për qëndresën e vet njerëzore, i vetëm përballë dhunës profesionale; dhe tani e shoqja, ajo që i kish dhënë zemër në teatrin e përfytyrimit, po i kthente kurrizin? Çfarë do të ketë menduar ajo grua? Dikur edhe ajo e re, e bukur, elegante, por tani mbase e fyer dhe e dhunuar edhe ajo në qeli nga Sigurimi; çfarë do t’i ketë thënë  vallë vetes dhe botës, kur i doli përpara ai version i rrëgjuar i të shoqit? Gratë që e rrëfenin këtë histori, në familjen time, nuk jepnin kurrë shpjegime, mbase ngaqë shpjegimet do të kishin qenë edhe më të ngjethshme se historia vetë.

Kushërira jonë, gjithsesi, nuk foli kurrë për këtë refuzim. Si doli nga burgu, mbeti e mbyllur në heshtjen e vet dhe nuk u martua më. E mbaj mend, në fund të viteve 1980, kur prangat e shtrëngimit politik sikur ishin liruar pak, ajo – e kthyer në Tiranë nga internimi – vinte ndonjëherë te ne, për të ndenjur me time më. Do të ketë qenë në moshë të shtyrë, por ishte ende shumë e bukur. Vetëm se bukuria e saj ishte si e një porcelani të harruar aq gjatë në skuta, sa pluhuri i kish depërtuar thellë në shkëlqim. Unë e pija cigaren atë kohë, dhe ajo kish qejf ta ndizte me mua. Legjenda e bukurisë së saj së dikurshme, të përhershme, merrte trajtat e kaltra të tymit, në gjysmerrësirën e dhomës. Çfarë ishte thyer aq thellë tek ajo, në momentin kur kish refuzuar ta njohë të shoqin? Se ashtu kish thënë – nuk është imi, nuk e njoh. Asnjë shans shëlbimi nuk kish pasur për këtë Odise të burgjeve dhe të terrorit totalitar. Mbase as ai nuk jetoi aq sa t’i gëzonte një ditë paratë që ua pat mohuar torturuesve të tij – me gjasë, jetës së tij, pas së cilës u pat kapur me thonj e me dhëmbë kur numëronte 5,184,000 sekondat që kish kaluar i zhytur në fuçinë me ujë, njërën pas tjetrës, njërën pas tjetrës, iu shkreh zembereku bashkë me jo-në që shqoi me tmerr në sytë e së shoqes.

Nga ai udhëtim burri i kushërirës sonë nuk u kthye dot më. Drama e tij prej zombie nuk bëhet gjë më pak dramë, ngaqë nuk e kuptojmë dot mirë vendimin e së shoqes. E cila nuk është se e refuzoi, ngaqë përfytyronte një të ardhme tjetër për veten – njëlloj si i shoqi, edhe kushërira jonë “e bukur yll” nuk u kthye dot më në jetën që kish pasur. Bukuria e saj mbeti edhe ajo e kapur peng në kohën e shkuar dhe shprehjes “ah, sa e bukur ka qenë.”

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është krijuar me AI.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin