KATËR BREZA OQEAN

Gjyshi im Adil, nga Gjirokastra, u nis për kurbet në vitin 1921. Në databazën e emigracionit të Fondacionit Ellis Island, e gjen të shënuar si nga “Argurocastro, Albania”, të moshës 15 vjeçe. Ngaqë shqiptarët ende nuk ishin përfshirë në “listën e racave ose të popujve” që përdorej për të identifikuar se ç’janë këta që zbarkojnë në Amerikë, kombësia e tij përcaktohet si “kroate”; si kroatë dalin edhe të gjithë gjirokastritët e tjerë që udhëtojnë në anije (Muharem Zvero, Esat Latif, Hassan Rathic (?),Hassan Duro). Gjithnjë sipas dokumenteve të konsultueshme në linjë, Adil Aliko u natyralizua si amerikan më datë 11 gusht 1926.

Imperator, më pas e ri-pagëzuar Berengaria

Im gjysh e kapërceu Atlantikun me anijen Berengaria. E pagëzuar më parë si Imperator, kjo anije e lëshuar në det në Hamburg, më 23 maj 1912, ose vetëm 5 javë pas katastrofës së Titanikut u mbajt për pak kohë si më e madhja në botë, derisa ia kaloi një “kolege” në 1914 (rekorde të tilla janë gjithnjë të destinuara për arkivat). Luftën I Botërore, Imperatori e dimëroi i ankoruar në Hamburg, por pastaj, fill pas armëpushimit, u sekuestrua nga amerikanët për t’u përdorur si anije transporti për ushtarët që ktheheshin në atdhe. Amerikanët pastaj ia kaluan kompanisë britanike të udhëtimeve Cunard Line, me ç’rast iu ndërrua edhe emri në Berengaria, për nder të mbretëreshës Berengaria, gruas së Rikard Zemërluanit. Arsyeja për këtë ripagëzim kaq dramatik ishte se, njëlloj si mbretëresha në fjalë nuk shkeli kurrë në tokat që sundonte, edhe anija në fjalë nuk do të kthehej më kurrë në Gjermani, vendi ku ishte ndërtuar. Berengarian do ta lidhte me Titanikun edhe një faktoid tjetër: crash-i i Wall Street-it në 1929 e kapi në mes të Atlantikut: shumë pasagjerë që ishin imbarkuar në Angli si milionerë, zbritën në New York varfanjakë, ose të goditur nga ajsbergu financiar.

Në atë kohë shqiptarët që mërgonin në SHBA e bënin një ndalesë të parë (jo rrallë të shoqëruar nga ndalesa të dyta dhe të treta) gjetiu; nuk di ku e ka bërë ndalesën e parë im gjysh (manifesti i Berengarias e regjistron si të imbarkuar në Cherbourg, France), por kemi në shtëpi një fotografi nga një udhëtim i tij i mëvonshëm, me gjithë gjyshen time dhe dy vajzat, të nxjerrë në Napoli. Ky do të ketë qenë një udhëtim i vitit 1938, kur im gjysh ishte kthyer në Shqipëri për të marrë familjen, e cila gjendej atje “me pushime”; ka të dhëna edhe për një hyrje të tij në vitin 1937, pas udhëtimit kur e shoqëroi familjen për në Gjirokastër. Gjithnjë sipas regjistrave të Ellis Island, Adili ka mbërritur si pasagjer civil në “Amerikë” pesë herë: në 1921 si emigrant rishtas; në fillim të vitit 1932, me gjasë pasi kish shkuar në Shqipëri për të festuar në dasmën e së motrës në Gjirokastër (me anijen Saturnia të Cosulich Societa Triestina di Navigazione, së cilës i pat hipur në Napoli; dhe që aso kohe mbahej si më e bukura dhe më elegantja e anijeve transoqeanike); në 1934 fill pasi u martua, këtë herë së bashku me nusen e vet, gjyshen time të ardhshme Inajetin; në 1937 pasi kish shoqëruar familjen për një vizitë në atdhe dhe në 1938; pasi kish shkuar në Shqipëri për t’i sjellë gruan dhe dy vajzat në New York. Këto vajtje-ardhje sfilitëse me vaporë transoqeanikë janë ndonjëherë të pakuptueshme; dhe tani që i mendoj, po më duken si të nxitura më shumë nga halli dhe limontia e papunësisë gjatë Depresionit të Madh, se nga qejfi e nga dëshira për ta shijuar oqeanin; përfshi këtu edhe gëzimin e martesës, ku si honey moon do të ketë shërbyer vetë kohëzgjatja e udhëtimit. Por lundrimet e shpeshta drejt atdheut duket edhe sikur sfidojnë, me kryeneçësinë e imigrantit provincial, distancën gjithnjë e në rritje mes vendeve dhe familjarëve, të shkaktuar e të thelluar nga mërgimi: Gjirokastra ishte deti Sargasso, për këto ngjala të pa-karar nga Shqipëria.

Im gjysh do të udhëtonte sërish përmes Atlantikut në 1944, këtë herë i veshur ushtar amerikan dhe drejt Anglisë, nga ku do të merrte pjesë në zbarkimin historik të aleatëve në Normandi (duke kaluar detin sërish me anije); dhe pikërisht në Arromanches-les-Bains në qershor të asaj vere, në një plazh të njohur me emrin e koduar Gold Beach. Njëzet e shtatë vjet më vonë, im atë që aso kohe specializohej në psikiatri në Paris, gjatë një udhëtimi pune në Caen (Calvados), gjeti kohën për ta shëtitur me këmbë atë buzë deti heroike, nga ku na dërgoi edhe një kartolinë (vetë emri Arromanches se ç’ka një diçka prej zinxhirësh djagaçi a të një marshi që nuk kap mirë, ndoshta për shkak të vibrimit të motorizuar të gojës gjatë shqiptimit). Gjithsesi, në atë kohë im gjysh ish riatdhesuar tashmë në Shqipëri; madje edhe kish vdekur, pas një viti e ca në limbin e dekompresimit politik dhe social aq të sikletshëm. Ashtu edhe nuk arriti të ngazëllehej sado pak nga ky kalim simbolik i stafetës së gjeografisë, i ekzekutuar me zellin karakteristik (gati burokratik) të dhëndrit.

Në fakt, pas udhëtimit të saj të parë drejt Shqipërisë në vitin 1937, gjyshja ime – që me sa duket nuk po mësohej dot me jetën në New York pas martesës dhe as me sintaksën e “inglishtes” – u kthye në Shqipëri prapë, në vitin 1939, bashkë me dy vajzat dhe e pashoqëruar; por këtë herë ngeci atje flutur e papërfillshme në pezhishkën e historisë, meqë e kapi Lufta II Botërore në Gjirokastër. Dhe nuk e pa dot më të shoqin, as dy vajzat e saj babanë e tyre, ngaqë udhëtimi i tyre drejt New York, pas çlirimit dhe vendosjes së regjimit hoxhist në Shqipëri, nuk do të lejohej më nga autoritetet. Kjo, në një klimë politike të paranojës, kur regjimi mbase kish vërtet frikë se anglo-amerikanët do të zbarkonin në brigjet tona njëlloj si para dy vjetësh në brigjet e Normandisë dhe im gjysh mund të ishte nga të parët, tashmë veteran i këtyre zbarkimeve, që do t’ia behte duke vringëllirë karabinën M2, në plazhin e Llamanit a të Divjakës (pak si Xhevdet Mustafa vite më pas). Adili mbeti pa familjen e vet, dhe familja pa Adil, dhe të dy vajzat e tij u rritën vetëm me letrat dhe me pakot e babait të tyre (gjëra që vijnë zakonisht nga kurbeti). Njëfarësoj, edhe unë që shkruaj tani jam nënprodukt krejt i rastësishëm i këtij krimi të gjendjes civile.

Për jetën e tim gjyshi në New York, pas kthimit nga Lufta, unë di shumë pak: punoi ca kohë në një fabrikë syzesh, pastaj me kursimet bleu një bar të vogël në Upper East Side, Manhattan. Një foto e zverdhur që na ka mbetur, e tregon të qeshur dhe të shpenguar, me llërët përveshur, pas një banaku prej druri të latuar, me një laryshi alkooli në sfond. Thuhet se jetonte në Lower East Side. Para se të ri-atdhesohej, kaloi ca muaj në Florida, si çdo amerikan tjetër i mirë nga East Coast. Edhe në Tiranë nuk duroi dot gjatë: përkundrazi, gjithnjë e më fort po i pëlqente të rrinte me miq, farefis e të njohur të lashtë në Gjirokastër, për t’u dëndur me raki dhe për të kënduar energjikisht labçe: këto koncerte impromptu i regjistronte live me një magnetofon të rëndë me bobina, të cilin e kish blerë në Itali. E pat bërë zakon edhe që t’i dëgjonte pastaj këto regjistrime me orë të tëra – duke i shtuar kështu jetës së vet post-amerikane një kolonë zanore që do t’ia kish pasur zili edhe vetë Radio Tirana Zëri i së Vërtetës. Me gjithë stërvitjet që na kishin bërë, nuk arrija dot të lidhesha me të. I mësuar një jetë me fantazinë primordiale të “gjyshit në Amerikë” për mirë e për keq, ardhjen e tij nga larg dhe shfaqjen e tij aq prozaike në jetën tonë e përjetova si një aksident të pagjasë, si një coda gati të panevojshme të një trajektoreje me gjeometri të prishur nga fataliteti.

Ndryshe nga gjyshi im, që e kish lënë Shqipërinë që i vogël, nga im atë që ish larguar edhe ai i fare i ri, me vapor modest nga Durrësi drejt Odesës, për të vazhduar pastaj rrugën drejt Moskës ku do të studionte mjekësi, dhe nga ime më, që deri edhe kish lindur në një kontinent tjetër – në New York – dhe e kish kaluar një pjesë të fëmijërisë së hershme në lundrim, unë u largova për herë të parë nga atdheu në shtator të vitit 1987, ose në moshë relativisht “të shtyrë” (28 vjeç). Fati e deshi që daljen fillestare nga Shqipëria ta bëja edhe unë me det: aso kohe, rruga më e lirë për Itali ishte nëpërmjet tragetit Durrës-Trieste. Udhëtuam me tragetin Tiepolo, të shoqërisë së lundrimit Adriatica; ishim jo më shumë se 10-15 veta, studentë, post-universitarë dhe shoferë kamionësh, të mbyllur në një hangar metalik kumbues që mua më dukej (dhe më binte erë) si kryqëzimi midis një uzine auto-kombajnash fringo të re dhe një frigoriferi të kamufluar si hotel. Po të kish qenë holandez trageti, do ta kisha quajtur fluturues. Si për ta thyer akullin (ose xhamin prej akulli që më ndante prej tij), u kuturisa të porosit një “espresso” të shërbyer me kupëz prej letre te bari përndryshe i braktisur, por arkëtari pak skeptik nuk kish të më kthente kusur për kartëmonedhën fringo të re dhe kundërmuese prej 50-mijë lirash, të paradhënies nga fondet e Ministrisë së Arsimit. Nga ai udhëtim i parë aq transhendental mbaj mend sidomos pamjet e bardheme të bregdetit dalmat, që më rrëshqisnin anash si në jerm. Nuk e dija atëherë dhe e kam marrë vesh rastësisht tani, që fare pranë Triestes gjendej (dhe ende është aty) karkasa e anijes Rex me të cilën patën udhëtuar disa herë edhe gjyshi, edhe familja e tij; dhe që u mbyt nga bombat e një skuadroni të RAF-it. Përkundrazi, trageti im i parë Tiepolo, pasi i ra me vite Adriatikut kryq e tërthor, paska përfunduar i shitur te një kompani arabe në 1993 për të shërbyer mirë dhe ndershëm në Detin e Kuq, derisa e demoluan në vitin 2004.

Kur u vendos linja e transportit detar Durrës-Trieste dikur në vitet 1980 dhe ambasadori i parë i Adriatica-s pritej të hynte në ujërat tona territoriale, qarkulloi në Durrës një thashethem, sipas të cilit kalata ku do të ankorohej trageti ish rrethuar dhe fortifikuar natën fshehurazi me tanke, nga frika se mos që andej mund të dilte një çetë pushtuesish të rreptë hipur në mjete të motorizuara (Arromanches), njëlloj siç dolën grekët e Uliksit nga barku i Kalit të Trojës, në poemën e Homerit. Tek e fundit, mitet kanë prirje të përsëriten mu atëherë kur s’e pret dhe ateatdhe çdo zbarkim, sado paqësor, e ka potencialin të shndërrohet, sa hap e mbyll sytë, në pushtim. Vallë nuk e hodhën në dorë Amerikën e shekullit XIX emigrantët që aq përulësisht zbarkonin në Ellis Island, pavarësisht nga radhët poshtëruese në zyrat e regjistrimeve dhe në pavijonet e karantinës? Kështu u tha se e mbajtën në grykë të topit edhe tragetin – që fare mirë mund të ketë qenë edhe Tiepolo-ja – derisa ky e hapi portën e hangarit dhe shkarkoi një masë të madhe ajri të kripur të Adriatikut në port, të përzier me tymrat e kamionëve… E gjithë kjo, vetëm pak vjet para se porti i Durrësit të kthehej ai vetë në zonë përqendrimi për “trupat” e zbarkimit nga këtej detit; trupat që në 1991 do ta kapërcenin Otranton me anijet e tyre të improvizuara, për t’i kthyer brigjet italiane përballë në një Normandi të konflikteve të reja në kapërcyell të shekujve!

Rex

Megjithë disa peripeci të pashmangshme Tiranë-Romë e kthim, me ndërrimin e orës gjeopolitike në 1990 do të përfundoja edhe unë në Napoli, njëlloj si topthi në një roulette të trukuar. Duke ripërshkuar me ngadalësim itinerarin e tim gjyshi, jetova në atë qytet gjashtë vjet, para se të merrja rrugën më tej drejt Perëndimit dhe New York-ut, siç ma kishin shkruar yjet, edhe unë me familjen, njëlloj si gjysh Adili më herët. Për të drejtën (privilegjin) e emigrimit në SHBA i detyrohesha vendlindjes së sime mëje, dhe certifikatës së saj origjinale të lindjes, me shenjat e shputave të këmbëve prej bebeje, por edhe përpjekjeve të saj titanik-e për të fituar kohën e humbur. Sakaq të dy prindët e mi u thirrën të paraqiteshin në konsullatën e përgjithshme amerikane në Napoli për formalitete dhe intervista; gjatë njërës prej këtyre, kur unë përktheja, mbaj mend se nëpunësja e konsullatës e pyeti time më nëse i kujtohej emri i anijes me të cilën ajo kish udhëtuar drejt Amerikës, në vitin 1938; dhe u habita pak, kur kjo u përgjigj pa ngurruar as edhe një grimë, madje me entuziazmin e nxënësit që e di mësimin përmendsh: Rex! Në fakt, që kjo bisedë po konsumohej në Napoli, që paskësh qenë porta e SHBA-ve për të gjithë ne, duhej të më kish habitur edhe më.

Vajza ime, e lindur në Tiranë në 11 gusht (që është edhe data e natyralizimit amerikan të gjyshit Adil), u largua që andej për në Napoli fare e vogël, diçka më shumë se 1 vjeçe; dhe ishte më pak se 7 vjeçe kur morëm të gjithë Boeing-un 747 të Alitalia-s, edhe ai një lloj anijeje transoqeanike në llojin e vet, për t’u bartur në New York, në shkurt të vitit 1996. (Ende nuk e kisha lënë cigaren dhe mbaj mend që ta kem kaluar një pjesë të fluturimit te seksioni ku lejohej duhani dhe ku atmosfera ishte më festive se në seksionin “vietato fumare”. Kjo ishte hera ime e parë, por jo e fundit, kur e kaloja Atlantikun me Alitalia-n; dhe sa herë që hipi te një avion i kësaj linje, bindem se italianët në udhëtime kaq të largëta dhe emblematike ende s’e kanë shlyer pamjen prej kombi emigrantësh.) Pas fëmijërisë së hershme të kaluar në familjaritetin gregar të Napolit, vajza ime e pati shumë traumatik impaktin me jetën në Bronx – sepse pikërisht në Bronx e përfunduam zbarkimin tonë, si shumë shqiptarë të ikur nga sytë këmbët të asaj periudhe; të strehuar në një pallat që ishte modeli në miniaturë i shqiptarisë ballkanike të shekullit XX. Por nga ajo kohë kanë kaluar më se 20 vjet tani; dhe Bronx-i vetë është po aq kujtim për të gjithë ne sa edhe Napoli (unë ende shkoj në Bronx ndonjëherë, sepse tek ajo lagje më kanë mbetur edhe dentistja e besuar, edhe specialisti i taksave – në zyrën e të cilit, tanto per cambiare, gjen një poster të madh të transoqeanikut Cristoforo Colombo: anija që ia ka sjellë në Ellis Island prindërit).

Faksimile nga manifesti i anijes Rex, me të cilën mbërritën në Ellis Island gjyshja ime dhe dy vajzat, në kthim nga një vizitë e shpejtë në atdhe.

Viti 1990 ishte për mua – dhe pjesërisht edhe për time bijë – viti i ndarjes së madhe: unë lashë pas në Shqipëri një botë ende shumë të dashur të rinisë sime, miq e të afërm, zakone dhe mbresa, itinerare dhe shpresa; ndërsa ajo, pa e ditur, u transplantua në një jetë përtej, ku do t’i mungonte një gjysmë e familjes. Ndoshta këtu e ka zanafillën edhe ideja e saj e tanishme, për të rrëmuar në arkivat e Ellis Island-it dhe për të gjetur aty gjurmë të vjetra të familjes dhe të fisit nga i cili edhe ajo rrjedh dhe që tani kanë mbetur si shënime në regjistra, data nisjesh dhe mbërritjesh dhe emra që ndonjëherë tingëllojnë çuditshëm. Në fakt ishte ime bijë që i qëmtoi e para këto të dhëna për emigrimin e gjyshit tim Adil, të cilin ajo nuk e ka njohur kurrë meqë jetuan në dy kohë të shkëputura, dhe të gjyshes sime, të cilën sigurisht e pat parë me sytë prej bebeje në Tiranë, por që nuk e mban mend. Paradoksalisht, edhe vetë pranëvënia e emrave të familjes sonë me gjithfarë italianësh dhe gjitonia e rindërtuar në labirintet e klasëve të treta të anijeve dhe më pas në lagjet e New York-ut, do të shërbente për ta çuar atë sado pak prapa në fëmijëri, kur bota e saj ishte e rrethuar me Napoli dhe Mesdhe dhe dialekt napolitan. Të thuash që na u desh të gjithëve të vinim këtu, të zbarkonim me radhë në një breg kaq të largët, për të marrë vesh nga vinim dhe për t’u rilidhur me të parët nga të cilët, përndryshe, na ka mbetur aq pak.

Gati një shekull ka kaluar, që kur gjysh Adili 15-vjeçar u largua nga qyteti i tij i lindjes, Gjirokastra, për të kapërcyer oqeanin dhe për t’u vendosur në New York. Një shekull dhe katër breza të familjes. Dy stërmbesat e brezit të katërt, Flavia dhe Bianka, e soditin sa herë të duan Ellis Island-in nga dritaret e apartamenteve të tyre; madje ndërtesa ku jeton Flavia në Lower Manhattan është aq e moshuar, sa me siguri do t’i jetë shfaqur gjysh Adilit si pjesë e siluetës së Manhattan-it të poshtëm, kur është afruar dhe pastaj kur ka zbritur nga Berengaria në ishullin Ellis dhe e ka parë metropolin përballë t’i ngrihej në këmbë, siç e pat parë e i qe dukur Louis-Ferdinand Céline-it pak a shumë në të njëjtën periudhë.

Më lart rendita një numër përkimesh, koincidencash dhe gati rregullsish; nuk di nëse ka ndonjë logjikë që u nënvendoset. Ka qenë fati i shqiptarëve, gjatë shekullit XX, që të largohen nga vendlindja; 45 vjet mbyllje totalitare u duk sikur e penguan këtë, por në të vërtetë vetëm sa e bënë ikjen e mëpastajme edhe më dramatike. Që në historitë e familjes sime shfaqen kaq shpesh edhe Napoli, edhe anijet e mëdha të pasagjerëve, edhe udhëtimet me det, kjo mund të shpjegohet, por vështirë se mund të kuptohet: Italia ka shërbyer ndoshta si një nga portat e Shqipërisë për të dalë në botë, por lidhjet tona si shqiptarë me Napolin, po të duam, i kërkojmë deri edhe pesë shekuj më parë, në kohën e Skënderbeut, në mos më herët. Edhe arbëreshët, të larguar me anije dhe të ngulitur në Italinë e Jugut e patën Napolin si stacion të emancipimit dhe të kulturës: kur pata shkuar një herë te Galleria Umberto me prof. Italo Fortinon, ky më tha se aty e kish zakon të pinte kafenë De Rada, kur e vizitonte qytetin ndonjëherë në pleqëri. E përfytyrova poetin e Milosaos si një nga dy figurat anonime që bisedojnë të ngrirë pezull në qiell, në një tablo të Magritte-it. Kushedi disa prej nesh nuk mund t’i largohen Shqipërisë, pa kaluar në purgatorin e Napolit – dhe në qoftë kështu, do të ndihesha i privilegjiuar.

Por ky graf enigmatik itineraresh ujore, transatlantikësh dhe tragetesh, kapërcimesh dhe lëniesh pas shënjon edhe një të vërtetë tjetër, më të thellë: atë të fatalitetit gjeografik, ose gjeografisë së përbashkët si kusht a si premisë për atë udhëtim në kohë që është narrativa familjare. Ndoshta jo të gjitha familjet fshehin në historinë e tyre rregullsi të tilla; ndoshta disa familje i fshehin aq mirë, sa të mos ua zbulojë kush; ndoshta poshtë çdo rrëfimi të shpluhurosur gjenden të tjerë, që nuk duhen trazuar. E megjithatë, imazhi i distiluar i emigrimit tonë ka poezinë e vet: një udhëtim natën në det, një port që përvijohet ulët në horizont si kandil deti antedeluvian i hedhur nga vala në rërë – herë Napoli, herë New York-u, herë kombinimi i tyre magjik. Unë këtë imazh vetëm sa e pikturova, por nuk them dot se arrita ta kuptoj.

(c) 2018, Peizazhe të fjalës. Ndalohet riprodhimi pa lejen e një administratori të faqes.

5 Komente

  1. Rrallë – dhe për qëllime të mëdha – historia e madhe merret me historitë e vogla të njerëzve (shkrimtarët, ndoshta, merren më shumë). Gjithë këto hollësi (që mund të jenë të përbashkëta edhe për të tjerë) dalin në sipërfaqe sidomos kur njerëzit kanë probleme pronash apo të drejte qytetarie. Edhe në u ultë dikush për t’i mbledhur dokumentet e mbetura, në rastin më të mirë ato kthehen në një arkiv familjar me fat të papërcaktuar. Mikrohistoria, historia individuale, historia e njeriut të zakonshëm që nuk i ofron gjë “kombit” apo ndonjë ideali, ajo prej së cilës prodhohet kolektivja dhe madhorja, është pothuaj gjithmonë e panjohur. Veç një historie apo poezie familjare, siç thotë autori në paragrafin e fundit, për mua kjo rrëfenjë del matanë qarkut të familjes së vogël me gjeografi të madhe, dhe më flet në gjysmën e tij për realitetin pak të njohur të emigrimit gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX dhe gjysmës së parë të shek. XX, dhe në gjysmën tjetër për valën e re të emigracionit pas nëntëdhjetave, më shumë dhe më nga afër të njohur. Mirëpo, përsëri, duke mbetur tek historia e vogël, vetjake, njëfarësoj shpjegon pse-të e vogla të fateve të mëdha njerëzore, ato “pse” që i ka gjithsecili në xhepat e së shkuarës, por s’ka kohë t’i shfletojë e të merret gjatë me to.

    Meqë jemi tek Gjirokastra dhe kurbeti, kujtoj rastet çuditërisht të shumta të grave që mbeteshin vetëm – fshat e qytet – kur burrat u iknin në kurbet, zakonisht në dy Amerikat apo në Stamboll. Rastet që rastësisht më ka kapur syri lidhen me komunitetin ortodoks të krahinës së Gjirokastrës (Adilin nuk ka shance ta gjej aty). Në aktet e mbajtura prej autoriteteve lokale kishtare shpesh shënohet se gratë e mbetura vejusha kërkonin leje të martoheshin sërish, ose vejushat me burrat gjallë (por në kurbet) kërkonin divorc. Ca më pak herë akuzohen për kurorëshkelje (ato me burrat gjallë). Ajo që ka për t’i mbetur historisë së madhe kanë për të qenë statistikat e vejanisë, divorceve, kurorëshkeljeve, martesave të dyta, treta, etj., por historia individuale ka për të mbetur ngahera mister, pa historitë e vogla si kjo e mësipërmja.

    Duke pasur në mendje ato copëza historish emigracioni të dikurshëm e të sotshëm që më kanë kaluar para syve, kjo rrëfenjë më tërhoqi dhe më mbajti lidhur.

  2. Asnjehere s’kam mundur te lexoj gjate ne telefon. Dua ekran te madh, ne mos leter fare. Por kete lexim s’e ndalova dot, sido qe trupi me shtynte ta nderprisja. Nuk jane faktet (qe gjithsesi jane aq me interes), por lidhjet e tyre, perseritjet fatlume e tragjike, fluturimet imagjinare dhe reale qe cuditerisht duket sikur te kishin zene prite gjekundi apo kishin piketuar gjithe rruget e jetes sate… qe ende ka plot te takoje e te cuditet. Ndoshta edhe te Flavias a femijeve te saj.
    Ke te drejte kur thua qe perkimet si nje shpjegim thellesor kane ate te fatalitetit gjeografik; ai eshte nje lloj determinizmi material, te themi. Por ai eshte faktor per cdo banues te botes. Ka me shume lidhje e koincidenca ne sa tregon; qe e bejne te pazakonte spiralin e historive te familjes sate; do thoja qe kjo eshte shpesh tipike per shqiptaret dhe ca kombesi me histori te ngjashme. Per mua ka nje fatalitet edhe me te madh social e historik (tragjik) tonin, qe bashke me ate gjeografik prodhojne rezultate narrative si keto te kater brezave qe tregon ti. Ndoshta edhe paepshmeri (resilience) , ndoshta edhe faktore psikologjike odiseiane, qe ti i ke shkruar ne “Sende qe sillte deti” e tjeterkund. Nuk e them me deshiren dhe as ndjesine e viktimizimit masiv ate te faktoreve determinues sociale e historike, por si nje situate reale qe i ka ndjekur pa pushim shqiptaret nga fundet e viteve 1800 deri sot e ne vazhdim. Madje ne copa te shkeputura, lidhen edhe me vitet e mergimeve arbereshe qe ti permend. Besoj qe faktori politik, ajo e mospasjes se nje shteti te afte e te ndershem gjate e pas Turqise, po ashtu. Ne driten e gjithe ketij lemshi shkaqesh e pasojash, une i bashkohem interpretimit tend poetik ne fund te shkrimit. Qe as une s’e kuptoj, por e ndiej mire.

    Vura re si eshte shkruar ne faksimile emri i vendit nga vinte Inajeti: Albany! (buzeqeshje) Mund te justifikohet qe aso kohe, burokratja a burokrati i vogel as e kish degjuar kurre Albania. Por ne vitin 2000, kur lindi vajza ime e dyte, pas disa javesh kur morem certifikaten e lindjes, pame se vendlindja e se emes ishte shkruar Alabama. Nje siklet qe na kerkoi udhetime e para qe ta ndreqnim. se nuk donim kurrsesi te kishim te benim me kultura skllaveruese. (qeshje)

  3. Esht nji rrefim shpaloses te rropullive te qytetit,tejet i guximshem dhe pa dorashka.Im ungj Uka, nga ana e babait, mesoi permendesh, Lahuten e Malsis, mandej mesoi Italishten, duke kuvenduar me italianet pushtues, mbasi kishte mbaruar shkollen e xhandarmerise, te mbretnise. Uka u dhe’tret si bashpuntor i ltalianve, ne Aushvic.Un pershkruaj te njejtin itenerar, te Ukes ndersa kthehem, mbas dhjete vjetsh shtegtimesh, nga Bolzano ne Bari.Uka shpetoi nga bombardimet e aleateve, ne kampin e perqendrimit. Uka ndersa shtegonte, midis Austrise, degjon nji ze qe kerkon ndihme. Turret si njeri i Kanunit, ne qilar zbulon nje njeri te paralizuar, ne karroce ndersa dridhej s purteka. Paramendo nji trup asht e rropulli, ndersa te tere kohen, e qendrimit ne kamp, ushqehej me patate molla te arta te ziera. E mberthen me gjith karroce, dhe e hyp ne dhomen e ngrenies, perbri shkalleve, “Hail Hitler” i pergjigjet ne shenje falenderimi. Uka e merr ne krah e puth ne balle, dhe e vertit tatpjet shkalleve, nga e kishte marrë. Uka mberrin ne Bari ku kerkohej, krahe pune dhe perparesi, kishin ishburgosurit, per ne Amerike. “Per fe’ e atme” Uka shmang udhen e” Shejtanit”, dhe sos ne katund. Uk nga humbe tere kete kohe, i than vendasit “Isha ne Gjermani, ltalishten e dija, thash te mesoj edhe gjuhen e vendasve, te cilen e zoteroj mirfilltazi”. Lajmerohet Uka qe hapte kanale vaditese, qe Malsia te behej si Mesdheu, se e kerkojne. Ishin forcat e sigurimit te shtetit, qe e akuzonin per bashkpunim me nazifashistet. Uka turret tek oda e burrave, rrok çifteline, dhe sajon ne moment nje kenge per partine, ndersa ia behen sigurimsat, qe ngelen te habitur, dhe u larguan pasi nuk gjeten, gjurme kunderpartiake. Uka thirret pastaj, nga kryetari i rrethit prej Skrapari, si njeri asocial qe nuk kontribon, ne ndertimin e socializmit. Uka perfiton nje pension te mire per tere jeten. Uka dhe Kryetari zbulojne se jane miq per kok. Uka mbasi mbaroi dyvjeçaren e shkolles se gjandarmerise, ne kohe te Mbretrise, e derguan me sherbim ne Malesine e Koprences, ne rrethin e Skraparit. Uka kap nje pinjoll te shtepise se kryetarit, me arme ndersa ruante dhite. Uka e fal nuk e dergon ne burg, dhe shperblehet mbas dekadave te tera. Hyseni gjyshi im me perçe’(flok te kruspullosura si gjarper ne maje te kokes, apo ne boç te kres) i thot tim eti, Sokolit edhe ai me perce’ “Lere kraben e çobanit, hiq perçen dhe sherbeju njerzve, ji i dobishem per ata”. Im at 33 vjeç ndoqi, Fakultetin e Mjeksise, shto specializimin per kirurgji te pergjithshme, prane Spitalit Ushtarak. Punoi me Maksut Drasen, Spiro Dede, lsmail Feta etc, mjek te nderuar. Sokolit sikurse Ukes, i ndodhi nje “ pabesi”, e thirri mjeku personal, i Ramiz Alise nese donte te rrinte ne Tirane. Strehim perfshire te tera, i merrte persiper Partia. Sokoli ndoqi shembullin e Ukes “Kam deshire ti sherbej atdheut ne vendlindje”. Dy here i dhane urdherin e larte te komunistit, si medalje perkushtimi te rralle, ua futi motrave kinse ato e meritojne, jane te denja per kete titull te pashembullt. Ua Sokoli flijon vetveten, per motrat duke dhene nje shembull, se si zakonet prapanike patriakale, shkermoqen pa çare koken, per te miren e Partise. Vetkuptohet ne ishim familje, qe shifnim Radio-Televizion-Prishtina. Emisione kulturore artistike shkencore, Anglo-Amerikane te dubluara ne shqip, perfshire filmat-sportin e Jugosllavise dhe te Europes Perendimore, kuptohet me nje fare perzgjedhje te luhatshme te lehte. Sokoli u flijua ne sallen e operacionit, ne 97-98 perfshire luften e Kosoves, me mbi 300 operacione kirurgjikale, brenda nje viti. Ishmesuesi S.Berisha, nuk u kujtua kurre per te. Kosova i dha pension dhe e shpalli Veteran Lufte. Une dhe ime ame si kryeinfermiere e Pediatrise, u abonuam asaj kohe mungese, te babait dhe burrit, ne biblioteken e qytezes se Tropojes, ku lexonim libra kinez vietnamez, dhe ndiqnim kampionatin boteror, te futbollit duke vene oren ne zile,te kallur mbas Danimarkes se vllezerve Olsen.

  4. Titull domethenes! Shkrim interesant! Aq, sa edhe kujtimi mbi dy njerez-emigrante te humbur te fisit tim, ne fillim te shkrimit, u harrua me leximin e metejshem.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin