BOTA NË XHAM

The limits of my language
are the limits of my world

L. Wittgenstein

Idealisht, gjuha duhet të jetë e tejdukshme: të mos interferojë në çfarë kërkon të thuash ti, apo Tjetri (bota) që të flet ty. Ashtu mund të krahasohet me xhamin e një dritareje, që nuk të pengon të shohësh përjashta.

Por ky krahasim me xhamin fton edhe më tutje për përsiatje. Xhami mund të qëllojë i shtrembër dhe ta deformojë pamjen e botës; mund të jetë me ngjyrë, dha ta ngjyrosë botën; mund të jetë pis, dhe ta pengojë pjesërisht krejt pamjen.

Të gjitha këto, në mënyrën e vet, i bën edhe gjuha; nëse duam që të na shërbejë për të komunikuar, është mirë që të mos jetë as e deformuar, as e ngjyrosur, as e papastër. Bën dallim këtu gjuha poetike, e cila të kërkon ta shohësh dhe ta shijosh – ta krahasojmë me një vetratë kishe.

Ose më thjesht: gjuha poetike është opaleshente: e lejon ndriçimin të kalojë, por të kërkon pastaj të ndalesh dhe ta këqyrësh.

Përndryshe, i fortë vjen tundimi për ta krahasuar xhamin e ngjyrosur me propagandën a ideologjinë; ndërsa papastërtitë me gabimet në gjuhë, pasaktësitë gramatikore, fjalitë e ndërtuara keq ose të cunguara, leksikun e pakuptueshëm nga tjetri. Këto e bëjnë gjuhën të dukshme, duke i dhënë prani të panevojshme, shpesh të padëshiruar, në komunikim.

Këto të gjitha janë afërmendsh. Por lënë jashtë krahasimit një funksion tjetër të xhamit në dritare: ndarjen. Sepse xhami sa lë që të shihet nëpërmes, aq edhe mbron, duke e ndalur një pjesë të mundshme të komunikimit me botën – nuk lë të qarkullojë ajri, as të futet brenda pluhur, insekte, polen, gjethe të thara…

Le ta mendojmë si një filtër selektiv, që lejon të kalojë drita dhe e vë syrin në kontakt me botën përjashta; por njëherazi nuk lejon që të kalojë gjë tjetër. Ose, të paktën e pengon a vonon – për shembull shkëmbimin e temperaturës.

Jemi gjithnjë brenda një krahasimi, por kjo nuk na pengon të pyesim nëse e ka edhe gjuha një funksion të tillë ndarës, mbrojtës, bllokues ndaj botës. Nëse po, atëherë çfarë pengon? Nga çfarë (na) mbron?

Ose më mirë – duke u vendosur si membranë, midis nesh dhe botës, çfarë funksioni përmbush?

Do të thoja: si çdo membranë tjetër, edhe gjuha ndihmon për të krijuar një brenda dhe një jashtë, duke siguruar, njëherazi, që çfarë është brenda të mbetet në komunikim me çfarë është jashtë, por pa u përzier.

Do të thoja: përmes këtij funksioni si filtër ose membranë, gjuha na artikulon si entitete të vetëdijshme, duke na dhënë instrumente të tillë si shifters (unë, ti, ne, ju; vetat e foljes; pronorët; ndajfolje si këtu, atje, tani, nesër), të cilët na mundësojnë të projektojmë subjektin mbi botë.

Na ndihmon të organizojmë hapësirën dhe kohën dhe të gjejmë veten në raport me tjetrin.

Pa këtë funksion ndarës dhe mbrojtës të gjuhës, subjekti nuk do të mund të artikulohej dot; dhe mbase as do të ekzistonte.

Por le të kthehemi për një moment te funksioni filtrues i gjuhës: që ky të mund të realizohet, duhet edhe që diçka të mbetet jashtë, të mos lejohet të hyjë, të mbahet jashtë fushës së vetëdijes.

Dhe ashtu mund të pyesim: çfarë na pengon gjuha që të përjetojmë?

Njëlloj si hapësira dhe koha – të paktën në një univers kantian – edhe gjuha mundëson perceptimin e organizuar dhe të kuptueshëm të realitetit, jo vetëm nëpërmjet komunikimit me Tjetrin, por edhe të menduarit të vetëdijshëm.

Pa gjuhën, realiteti do të kishte formë dhe përmbajtje tjetër, të cilat na janë mohuar.

Për ithtarët e hipotezës Sapir-Whorf dhe ndjekësit e semantikës së përgjithshme, gjuha na e kushtëzon përjetimin e realitetit edhe kur është maksimalisht transparente: jo vetëm duke e mbajtur një pjesë të botës jashtë, por edhe duke u dhënë trajtë gjërave që lejon të hyjnë brenda.

Ose vice-versa që lejon të dalin.

Një shkrimtar i fantashkencës, Bob Shaw, botoi në 1966 një tregim me titull “Light of Other Days”, ku përshkroi idenë (e mrekullueshme) të një lloj xhami të ngadalshëm (slow glass) – dritës i duhen vite, që të kalojë përmes tij.

Për shembull, fletë xhami të ngadalshëm lihen me vite të ekspozuara përballë një skene piktoreske – bie fjala një liqeni në mal, ose bregut të detit; pastaj shiten në treg. Ata që i blejnë dhe i vënë në mur, mund të shijojnë për po aq vite – live – skenat që u sjell drita e ngadalësuar, gjatë kalimit nëpër xham; sepse ky xham që kanë blerë e sjell dritën me vete.

Ideja e Shaw-t mbështetet mbi konstatimin faktik, që drita ngadalësohet, kur kalon nëpër mediume të ndryshme – si në ujë ose një lëng tjetër (në 1998, një fizikan danez arriti ta ngadalësojë dritën deri në rreth 17 metra në sekondë).

Duke e shtyrë spekulimin në skaj, do të thonim që ky xham i dritares jo vetëm që e kushtëzon perceptimin që i bëjmë botës, por edhe i zëvendësohet – duke funksionuar si ekran.

Gjuhën ashtu do ta përfytyronim si një producent të spektaklit që e quajmë “botë” – nëpërmjet manipulimit të fotoneve, elektroneve dhe grimcave të tjera elementare, përjashta dhe brenda nesh, në neuronet.

Me kusht që të ketë akoma kuptim, që të flitet për një jashtë dhe një brenda.

© 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Arti në kopertinë është krijuar me AI.

2 Komente

  1. Për mua, tregimi i Bob Shaw që përmend hyn në dhjetëshen e tregimeve më të bukura që janë shkruar ndonjëherë.

  2. Dikur, si dëgjues i rregullt i muzikës rock, hard rock dhe më lart, më ka qëlluar të përballem me disa tekste heavy metal të përkthyera në italisht. Dhe nga epike transormoheshin në patetike. Gjithashtu, pasi e plotësuam eksperimentin duke përkthyer në anglisht tekste të tipit, ” Një djep në barrikadë “, apo ” Të fortë e kemi Shqipërinë “, dhe morrëm tekste të përshtatshme për të tundur kokën deri në hernie diskale, në ndonjë koncert të ” Manowar “.
    Ndoshta një gjuhë, e cila është formësuar dhe pasuruar në një kontekst të caktuar natyror, ideor, fetar etj, mund të ketë lehtësi, vështirësi apo ndikime në pasqyrimin e informacioneve dhe ideve të ndryshme. E kam vënë re këtë vite më parë, pasi lexova librin “Shqipja Totalitare”, dhe kuptova se sa e vëshirë është të shkruash zyrtarisht në shqip pa rrëshkitur në format parafabrikate të ligjërimit të kohës së xhaxhit.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin