RRETH ROMANIT “HOTEL BAHNHOF” TË SHKËLQIM ÇELËS

nga Arb Elo

1.

Është bërë e rëndomtë të shkruash për një libër: është shkruar mjeshtërisht, është risi, është një tjetër vlerë në panteonin e vockël të letërsisë shqiptare që popullohet kësisoj nga gjigantët, kokat e mëdha. I mbaj akoma shumë mirë mend veprat e një kolosi, të cilit i ngritën një përmendore para Muzeut Kombëtar, për ta hequr zvarrë jo më shumë se shtatë vite më vonë, pak a shumë.

Me logjikë fare të thjeshtë, taksistash apo policash, i bie të ketë qenë një palë që e ka vënë dhe një tjetër që mendonte ndryshe. Kështu funksionon edhe puna e të lartpërmendurve: njëri i jep makinës, tjetri paguan. Njëri të vë prangat, tjetri qenkëshe ti. Kjo vlen edhe për marrëdhëniet autor-lexues. Fatmirësisht nuk ndodhin me dhunë. Ndërsa për vete mendoj se puna duhet paguar, megjithëse ish-botuesi im nuk është bërë më i gjallë.

Rëndësi ka që të jenë mirë. Shëndeti na duhet, paçka se vetë mendoj se më të shumtën e punës e bëra unë. Sidoqoftë, mund të më ndihte autori që do të poshtëpërmend për të llogaritur saktësisht marrëdhëniet mes të bardhës e të zezës në një faqe të shtypur. Rastësisht, domethënë nga halli, ka bërë edhe një universitet tjetër në Hamerrdheik për statistikë.

Nuk është bejte kjo Arb.

Mblidh mendjen.

Botuesi ka të drejtë.

Pushkin ka poezi për këtë.

Gjithsesi: nuk e kam fjalën për pushkën.

Por për letërsi.

Është bërë e rëndomtë pra që kur vjen fjala te librat, por jo vetëm tek ata, të pohohet me gojën plot që Filani dhe Fisteku punojnë fort në pararojë të frontit të letrave, sikurse dhe Kuçi, që është autor i shquar, padyshim, ndërsa Maçi, – këtë e ka theksuar posaçërisht Fisteku te revista “Dhjetori”, nr. 21, qenkësh i këtillë, ndërkohë që Filani, kur u pyet ekskluzivisht nga opinionisti Xhan Xhini për krijuesit më të spikatur të kulturës së kohëve që po përjetojmë, nuk kurseu asnjë sipëror për Kuçin në xhenazenë e këtij të fundit.

Mosha ka argumenta fundore, me sa duket. Deri dhe unë nuk ia mora për keq, se me erdhën përsipër si vjellje vajgurore toponimet Shish Tufinë dhe Sharrë.

Uroj të groposemi të gjithë te “Dëshmorët e Kombit”, se ndoshta na mbron Nëna Shqipëri, e cila për çudi më del binjake me Statujën e Lirisë.

E kështu me radhë.

32 vite rresht, qindra tituj, me dhjetëra emra… jo, jo, mijëra tituj, me qindra emra… xhenazetë nuk kanë të mbaruar.

Po kush po do ta dijë vërtet numrin e saktë të vrimave në ujë?

Unë jo njëherë. Mua më dalin e më mjaftojnë emrat e dikurshëm të realizmit-socialist, të cilët nëse i lexoja asokohe dhe i paskësha lexuar gati të tërë, se i lexoja nga indiferentizmi me sadizëm.

Kishin gallatra, po të kishe nge, dhe vetëm kjo nuk na mungonte asokohe, ngeja. Për shpirt donim magnetofona dhe televizorë satelitorë. Bukë nuk është se nuk kishte, por kryekoka nuk përkulej: “Bar do hamë, por – nuk më kujtohet më se kujt – nuk do t’i për(k)ulemi!”

Çështje Herkulash domethënë.

Pas rënies së monizmit u quajtën të fortë. Akoma kështu i quajnë, mirëpo vdekja e kupton gjuhën e shtangës, ndërsa ne, jo të fortët, kuptojmë deri-diku të fortët dhe sëbashku, të fortë ose jo të tillë, nuk e kuptojmë gjuhën e saj, të vdekjes dhe jo të shtangës.

Megjithatë, kjo puna e titanëve të letërsisë real.-soc. ka qenë pakashumë njëlloj si tani.

Njerëz jo të pakulturuar.

Nuk shkruanin keq. Jo të tërë.

Shumica kanë vdekur. Të tjerë shkruajnë akoma.

Tani të lënë të shkruash. Asokohe nuk na linin.

Prandaj tani shkruajnë më mirë.

Kështu thuhet, sorry: shkruhet. Nuk i lexoj dot.

Nuk më lënë punët dhe një lloj përçmimi për këtë skotë.

Lexoj të tjerë, me raste, kuptohet. Se botimi… se…

Doja të dilja te vdekja, por më interferojnë ca tituj të viteve ’70.

Por meqë për të vdekur kemi lexoj herë njërin, herë tjetrin për të marrë vesh ndonjë saktësim, e kam fjalën këtu për vete natyrisht, se nuk mund të flasësh në shumës.

Nuk jam anëtar i Shoqatës së Lexuesve.

As në parti nuk kam qenë pjesëmarrës. As kandidat.

Di të lexoj, mirëpo nuk jam lexuesi me L të madhe.

Siç nuk ka autor me A të madhe dhe as poet me P të madhe.

Kur e dëgjova këtë shprehje të parën herë, mendova se mos kishte dalë ndonjë FYRE.

What the fuck is FYRE?

Për këtë e kam pyetur veten shpesh, ngase kam patur fatin jo të keq ta kem kaluar një pjesë banimi në zonën më elegante dikur të Tiranës, në Brrakë. Dhe pata mbërritur në përfundimin se FYRE ëshë një sarkazëm minoritetesh, e mbetur nga Lufta e Dytë Botërore në përdorim të brendshëm, o për Hitlerin, o për Eva Braunin, ndoshta për ndonjë gjermanofil të anëve tona, meqë Führer në gjermanisht i thonë Udhëheqësit.

Me vete e quaja DULL. Anglisht kjo.

Kujtonin se e kisha fjalën për emrin Dullë.

Se atë fiksim kishte Dulli, kështu thonë.

Prapanicën.

Okej.

Prandaj mora arratinë. As bukë, as magnetofon, as fyre.

Vetëm bar.

Kështu përfunduan përpjekjet për kolektivizimin masiv të popullsisë: në tufëza dhe arëza.

Ndërsa bari ishte pronë kolektive.

Varrezave.

Pas rikthimit në ekonominë e tregut u jap nje shans posaçërisht të vogël në të lexuar për të më tallur partiakëve të dikurshëm që janë ende në këtë botë, sepse nuk ua kam më as ngenë dhe as nuk kam rrëshqitur deri në mazohizëm. Dhe meqë në parti ishte 80 përqind e shqiptarëve ishte edhe kjo diçka fort e rëndomtë.

Edhe 20 përqindëshi që nuk ishte në parti s’na doli gjë.

Lexoj domethënë nganjëherë, por jo aq, sa të lexoj çdo epitaf që shkruhet nga tipa që nuk e NOKËN asokohe që duhet t’ia mbathnin.

NOK vjen nga anglishtja.

Nga “knock out”.

Gallatë kishte dhe ka.

Ndërsa bari aty është akoma.

Dhe të vdekurit.

23.12 ora.

Nëntor.

2023.

Fund.

Boh! Sh.Ç. qenka 61.

56 vetë. E llogarita me internet.

Ç’gjeni qenkam! Dhe sa i ri!

O rapsod!

Ç’melodi?!

Tamam. Atë e di ti.

Ta nis për botim këtë?

Mirë. Gjithmonë gati!

Pa para? Për ideal, pa parti.

Ncuq. Se libri është lirë. Sa bën copa?

Nuk shitet. Nuk ka shtet. Po kopjet?

O kokë e madhe! O kokëlopë!

O bari!

Hm…

O jetë!

Vari torbën! Vërtet?

Po veten ku ta çoj? Po gjuhën?

Tjetër ç’duhet të bëjmë? Të hamë çfarë?

Si t’ia bëjmë me librat që janë vërtet të tillë?

Që janë vërtet të mirë, që janë vërtet shumë të mirë.

Po: që janë vërtet të shkëlqyer, si romani në fjalë, që lexova.

Për ta zvogëluar krijimtarinë e një autori të paktën në ndoca tituj,

në rastin tonë edhe në më pak me kaq: prozë.

272 faqe. Nuk e di se ç’hall kanë patur me bozën, se me letërsinë e kuptoj. Boza është shumë e mirë. Letërsia po, është bërë bozë.

Domethënë prozë. Jo poezi.

Ku gjendet? Këtë pyetje e urrej.

“Hotel Bahnhof” titullohet.

Jo më larg se pardje vura re se është botuar gati dy vite më parë, ndërsa unë qënkam i pari që po shkruaka për të.

Nuk ke ç’bën, mendova.

Shkruaj mbresat e tua dhe as mos e kalo nëpër mend t’i mbushësh mendjen ndokujt që romani në fjalë është një nga p(r)ozat më të mira pas 90-ës.

Natyrisht për lexuesin e tij deri fund, i cili po shkruan këto radhë. Dhe ashtu bëra.

I shkrova.

Të tëra.

2.

Për lexuesin e tij DERI NË FUND.

Ky nuk është lapsus.

Sepse kjo prozë ka një kompozim të çuditshëm.

Gjysma e dytë e plotëson të parën, ndërkohë që gjysma e parë e plotëron të dytën, pasi i ke shkuar deri në fund librit.

Kjo nuk do të thotë aspak që gjysma e parë është e dobët; jo.

Ajo mirëkuptohet prej Narcisit, lexuesit, prej meje.

Me pasqyrimin e vet.

Sepse ajo është pasqyrimi.

Ose ai.

Ajo.

Unë.

Ti.

Ata.

Ato.

Gjuhë e lashtë shqipja.

Në anglisht jane edhe ata, edhe ato: they.

DHE?

Ncuq. Dikur i thonin DHI. Pak a shumë.

Duhet lexuar.

Leximi: Ç’huq!

“Kali i kuq e ka një huq…”

3

Këtu duhet bërë më parë një parantezë mbi personazhin kryesor, JC-ën, si edhe për rrëfyesin objektiv që po e quaj “autori”, ndërsa njeriun që e ka shkruar, atë që quhet rëndom autori, në këtë rast Shkëlqim Çela, po e cilësoj SH.Ç.

Jo më kot.

Sepse JC është në të vërtet Alter Ego-ja i Sh.Ç-ës.

Sepse kjo qasje është mëse e qëllimshme prej këtij të fundit, ndërkohë që “autori”, rrëfimtari, është, as me pak e as më shumë Alter Ego-ja i Perëndisë, të paktën ashtu siç e përfton Sh. Ç. këtë. Thuhet shpesh se një autor është Zot në veprën e tij.

Në rastin në fjalë Sh.Ç., i cili fare mirë mund ta kishte rrëfyer ngjarjen, ta zëmë, në vetën e parë, nga këndvështrimi i unit të tij pra, ka zgjedhur të marrë një avokat shumë më të epërm se vdekatarët e rëndomtë.

Argosin pra, meqënëse po supozoj se JC eshtë në këndvështrimin e tij filozofik për botën materialist.

Ashtu siç e kuptonte materializmin Demokriti, porse ndoshta edhe Karl Marksi, ndonëse gjermani nuk dihet të ketë shkruar ndonjë saktësim të vënies në jetë të vizionit të tij për shoqërinë.

As greku i lashtë.

JC është domethenë i majtë, ka qenë, ndoshta jo më, mëse normale kjo edhe në shoqëritë perëndimore, ku të tillë janë të paktën gjysma e intelektualëve. Të tjerët janë të djathtë.

Po ashtu edhe zgjedhësit, siç dhe politikanët.

Mirëpo JC është jo vetëm i zhgënjyer nga vitet ‘80-‘92, ku i bie të ketë qenë 17-29 vjeç, por kërkon t’i shkojë deri në fund fajit të tij në këtë dehumanizim, i cili gjendet si frazë hyrëse edhe te “Kapitali” i Karlit, Marksit. Gjendet edhe si citim nga JC-ja, si nje aksiomë, për të cilën nuk mund të diskutohet seriozisht, pasi vërtet njerëzit kanë nevojë më së pari të hanë e të vishen, pa të merren me ideologji dhe të venë në kishë.

Vërtet?

Ai e ndien se këtu ka diçka që nuk shkon e ndaj, me sa duket, i duhet një instancë jashtë vetes për të përsiatur mbi këtë e për ta përshkruar absurditetin e kamjes, e cila në rastin e tij reduktohet në një paketë me porosi nga të afërmit e të afërmit e tyre, nga të njohurit e të afërmëve dhe farefisi i tyre nga ana tjetër.

Mendoj se edhe Sh.Ç., shkruesi i romanit në fjalë, nuk e ka vënë re se për të shkolovitur këtë mesele absurdi ai ka thërritur për shahit Alter Ego-n më të përsosur të autorit të mirëfilltë, atë të krijuesit mirëfilli, atë të Zotit pra, por jo atë të besimeve fetare, por atë të së vërtetës. Pasi vetëm Ai e di sa komunist në zemër, sa patriot, etj.; për t’i rënë shkurt: vetëm kjo instancë e di mirëfilli që JC nuk ka qenë spiun, pyetje kjo që ia bën një rumun në Xhan-Xhins, Ja’shtetit, në Austri domethënë, duke i shtuar kësaj insinuate (Mihai, rumuni, e pyet JC-në disa herë) se kjo nuk përbëka ndonjë problem të madh për të dhe JC mund t’ia rrëfejë po ashtu pa problem në paska qenë i tillë. Kjo është e rëndë, por ç’të bësh? Të rrihesh?

JC nuk ka qenë dhe as nuk është spiun e nuk ka asnjë gjasë që ai të ketë qenë apo të bëhet i tillë, sepse ndershmëria është një nga shtyllat ku mbahet integriteti i tij. Tjetra është familja, prindërit më saktë, dhe kjo është mëse njerëzore. Ndërsa trualli ku ai është mbajtur, por mezi po mbahet në kohën që përshkruhet ne roman, është atdheu.

Le të mos harrojmë pa përmendur këtu edhe Ninin, shokun e tij të ngushtë, instancë shumë simpatike, që e komenton gjithë këtë më sipër me një nuancë të fortë humori, pak të thuash stoike, dhe që ka fjalën e fundit në verdiktin njerëzor.

Sh.Ç. e di fare mirë se nuk ka asnjë kuptim të rrish e t’u shpjegosh ca vdekatarëve si Mihai, në rastin më të mirë, domethënë njerëzve në përgjithësi, në rastin më të keq, se çfarë “nuk” është JC. Edhe më pak kuptim ka, në mos asfare, të bësh të tuat apo të shfajësohesh për cilësitë njerëzore të ca të tjerëve, që janë bjerrur e po bjerren pikërisht nga dehumanizimi, si shoku Xhemali.

Ndaj ai ka zgjedhur t’ia mbajë pladoyer-in Argosi në këtë proces vetëdijësimi, ku po akuzon veten për diçka që nuk e ka bërë, duke rrëfyer atë që ka bërë ai dhe shumëkush, (për një rastësi të çuditshme përkojnë deri edhe inicialet me Kafkën që nuk doja të cekja këtu), ndërkohë që krimi që herën e parë nuk është as tentativë, duhet të ndodhë doemos te dytën herë dhe nuk është as arratisje, si Artani bie fjala, që ndoshta nxitohet, por është thjesht ikje, ose me saktë: braktisje e tokës së premtuar, që Shqipëria pa dyshim ka qenë, ishte dhe vazhdon të jetë. Ndoshta edhe do të jetë. Të mesmen te Samiu unë.

Sh.Ç. te Partizani.

Shkollë hesapi.

Pastaj universitet. Unë një.

Dy ai. Më erdhi keq për të.

Si ai, por edhe unë: nga sytë këmbët.

Për të ngrënë bar? No, thanx!

Bye! Ciao Shqipëri!

Dhe ikëm… në rini.

4.

Ndoshta Sh.Ç. do të lektiset nga habia kur të hasë parashtrimin që vijon, – mbase as nuk e ka çuar nëpër mend e as nuk e ka patur fare fjalën aty, – mirëpo një tekst letrar nuk është asnjëherë terësisht vetëm vetëdije. Ne nuk jemi në asnjë çast të ekzistencës sonë në këtë botë 100% esëll. Përderisa na duhet të flemë, duke mbetur sidoqoftë, po them, me të tetën tonë zgjuar, në gjendje të zgjuar, edhe kur shkruajmë dhe shtatë të tetat të ajsbergut tonë janë mbi sipërfaqen e tryezës, pjesa që mbetet komunikon me të pavetëdijshmen, me ëndrrat, përrallat, me vdekjen e pandehmat fetare.

Ndaj në çdo tekst artistik që përmban frymëzim gjenden zona të shkrimit automatik që përdoret nga mediumet në trance, për të komunikuar me botën tjetër. Po vë re këtu se inicialet JC janë po ato të profetit dhe po shënoj se fundi i romanit, ku një mesoburri në një Eden të quajtur Gropovëth, prej të cilit janë larguar banorët, i duhet një Evë, ndoshta jo për të vijuar të qëndrojë, por për të patur edhe ai një alibi për të mosikur, apo edhe për të ikur, çfare rëndësie ka?

Po të krahasosh dhjetë urdhëresat me vlerat që një JC nuk do t’i dyshonte kurrë, gjenden nja 5 a 6 që përkojnë fjalë për fjalë. Po ashtu ka një kapitull në Bibël “Jezui dhe Adami”. Adam nuk do të thotë më shumë se: një njeri, në rastin tonë, njeri në Gropovëth, toponim ky që e përmban si varrin, ashtu edhe një vëth pa veshë.

E di që shkova shumë larg. Megjithatë po citoj një paragraf nga fq. 80: “Magnetofonët e vënë rresht ishin si kryqe të dhënë nga vetë dora e vetë Papës së Romës një besimtari. Televizorët: objekte të prekura nga Krishti. Butësia e mirësjellë e shitëses së re ishte parfum nga Maria Magdalena. JC i pa të gjitha me një përdëllim të pavullnetshëm, çka me siguri e çmeriti shitësen, gjykuar nga ndryshimi i llojit të buzëqeshjes në fytyrën e saj të bukur”.

Një nga shprehjet më të keqkuptuara në dy qindvjeçarët e fundit ka qenë dhe vijon të jetë një fjali e Marksit, e hequr nga konteksti kohor dhe e shitur si nga pasuesit e tij, ashtu edhe nga kundërshtarët, për ateizëm, shprehja: “Feja është opium për popullin.” Në të vërtetë, asokohe opiumi shitej kudo, më së shumti në Kinë, që ishte vënë kësisoj në gjumë nga Anglia, vendi mikpritës ku jetonte klasiku i emigruar. Po të vëresh kontekstin historik, si edhe shkrimin e shkëlqyer “Mbi historinë e të krishterëve të parë”, ku ish-pietisti F. Engel krahason vizionin socialist të bashkëjetesës me komunat e para të krishtere, mbërrin shpejt në dilemën, për të cilën jo vetëm personazhit JC, por edhe krijuesit Sh.Ç. i duhet një instancë objektive më e epërme, AUTORI, i cili është në gjendje të shpërfaqë nga një këndvështrim gjithëpërfshirës, këtë absurditet të çuditshëm midis kamjes dhe skamjes, i cili në thelb është një kontradiktë mes aksiomës që merret si e dhënë qysh në rreshtat e para te “Kapitali” (se njerëzit duhet të kenë ngrënë e të jenë veshur, para se të merren me ide… etj.) dhe – të cituar vetëm përgjysmë – asaj të Jezu Krishtit, që “Njeriu nuk rron vetëm me bukë, por… ” etj.

Vetë libri, sic e shënova, pavarësisht se askush nuk pozicionohet në një nga këto llogore, të cilat, në fund të fundit, bëjne dallimin mes idealizmit dhe materializmit në filozofi, i jep artistikisht, si letërsi po flas, fillimisht më tepër të krishterit që JC është pa e ditur, duke u munduar aq, për të kënaqur sadopak gjithkënd që ka në listën e tij të gjërave që do të sjellë nga Xhan-Xhinsi, për t’ia mohuar edhe këtë flijim në zhgënjimin kur nuk ia lejojnë ta marrë me vete pakon në doganë pa paguar një shumë marramëndëse. Mjeshtëria e Sh.Ç. është këtu për të peshkuar në tërë atë çka ndodhur në këto udhëtime me nota mbase mjaft autobiografike elementë që përmbajnë si të vërtetën, ashtu edhe një metaforë të shpërfaqur në këtë të vërtetë, madje edhe më shumë se kaq: një alegori e fatit të njëriut kësaj ane të botës, botës në të cilën jetojmë. Endjet depresive të JC sa në kryeqytet, sa në qytezën afër tij, sa në fshatra blegtorale në Shqipëri, po ashtu në Austri, aq me tepër që ky është afër mesmoshës, aty te 28 herën e parë, 31, 32 herën e dytë, kur largohet përgjithnjë, mungesa e një bindjeje ose më mirë: humbja e besimit edhe te dashuria për femrën, në një kohë kur edhe ky ideal tradhtohet nga më të shumtët, herë për një vizë jashtë, herë për një leje qëndrimi, e bëjnë këtë të afrohet në zona ekzistencialiste, por sidoqoftë: JC nuk është në asnjë mënyrë një antihero. Ai ngjan paksa me figurën e heroit te “Amerika” të Kafkës, por vetëm kaq: paksa. Sh Ç nuk ka të bëjë fare me Franz K., i cili ishte nëpunës mes dy luftrash planetare.

Sepse JC është me të dyja këmbët në tokë, ai është realist dhe i dhimbsen humanët, ndërsa kafshët ndoshta ca më shumë.

4.

E meqë ndodhemi në mes një krahasimi jo vetëm të tepërt, por edhe të pamundur, mes K.Marksit dhe J. Krishtit (Jo J.C.-së, por atij të lindurit në kohën 0.00. Mesnatë i thonë sot?!), le të shohim një përkatje paksa me spec, ndaj edhe të ngacmuar nga shumë biografë. Për Karlin thuhet se pati në moshën kur të vjen shpirti në majë të hundës nga gruaja, ndoshta edhe dy vajzat, nga femrat pra, – përflitet pra se pati një marrëdhënie jo fort të bujshme me një femër që i ndihte Xhenit në shtëpi. Den Brauni i mëshoi kësaj plage si Thomai në biografinë e Jezuit, i cili, në ungjillin sipas Braunit, paskësh patur fëmijë. Po ashtu e tepërt ngjan kureshtja e treguar në këtë aspekt, pasi nuk ka të bëjë asfare me ideologjite e këtyre figurave mëse historike. Shkruaj “mëse”, pasi K.Marksi dhe kolosët e tjerë të materializmit dialektik u hyjnizuan deri ne ca zona ozoni, ku mendja ka nevojë për oksigjen të shtresave të ulta. Edhe kjo një ngjashmëri me shenjtorët e besimeve dhe ideologjive të tjera fe- dhe jofetare qofshin. Megjithatë, vizioni për familjen dhe biografinë, si ai i komunistave tanë, ashtu edhe ai i familjes së krishtere, është mëse i ngjashëm. Këtë Engelsi nuk e ka vënë re ne shkrimin e lartcituar, pasi në atë kohë, por edhe në vitin 0.00, kishte vetëm tri forma të jetës bashkëshortore, të fatit shoqëror. Ose i/e martuar, ose beqar, ose, ose… për t’i rënë shkurt: gjenden shembuj me prostituta në Dhjatën e vjetër dhe atë të re për këtë çështje.

Mirepo kjo dilemë në dukje patetike, ndoshta erotiko-sentimentale, mbase lirike, ngjan se u mundon goxha të tërë amatorëve të historisë, të ideologjisë, të shenjtërisë, të cilët nuk do të mungonin tani të na përmendnin Frojdin dhe mjekët, paçka se për Jezuin shkruhet se paskësh qenë i tillë, si mjek, ashtu edhe psikiatër, se ç’emër tjetër t’i vësh veprimtarisë së tij me të lodhurit nga jeta, po më vjen t’i quaj. Ndërsa Karli këta i quante “proletariati i zheleve”, lumpenproletariati, dhe mendonte se u duhen shtuar rrogat, duhet të “hanë” ndonjë rrugë jashtë. Ku saktësisht? Në Indi? Sepse ndarja e shoqërisë në tri a katër klasa ta dërgon mendjen drejtpërdrejt te sistemi brahman i kastave, që kishte 9 të tilla. Pak a shumë, se po e citoj nga kujtesa. Për të tjerat: te Fevziu.

Në shkretëtirë? Po. Madje edhe ca më larg. Ja’shtetit. Në Shqipëri.

T’i dërgojmë në Xhan-Xhins, që ta shohin me sytë e tyre Spaçin, që u plaçin sytë.

Mirëpo ka edhe Mathauzen, këtu desha të dal. Këtë temën me erotikë e fshika sa për të dalë, sorry: për t’u futur përsëri ne plaçka, meqë për këtë paskan dalë rrugëngrënësit, apo…? Jo, jo. Se është shumë më e koklavitur kjo çështje e të bërit qejfit shoqerisë… d.m.th.: fjalëkyçi në hapsanën mendore ca më të lart, të qëndisur nga i nënshkruari, unë, dora vetë, është: LUFTA. E Para dhe e Dyta Botërore. Mirepo nuk dihet që Marksi të ketë frymezuar ndonjë luftë, as Jezui. Porse këto kanë ndodhur dhe vijojnë të ndodhin, pak rëndësi ka se në ç’emër të të çfarë besimi dhe ideali, Partie apo përkatësie fetare. Dhe ku është ndryshimi pastaj në paske mbathur zhgun apo uniformë, në qënke paqësor dhe ke rënë në burg pas luftës për këtë dhe paskëshe luftuar për atdhe dhe paske lënë jetën? Ku është dallimi mes një shenjtori dhe një dëshmori, mes një martiri dhe dikujt të rënë theror? Çfarë do të kishe bërë ti, pyeta veten une kur i hodha një batanije vetes – jo, jo: rreshtat më sipër nuk i shkrova cullak, gjithsesi edhe kjo çështje besimi është nga ana tjetër, nga ana e lexuesit të tyre – dhe pyetja shtrohet: të biesh për atdhe në luftën e përbotshme apo paskëtaj ne burg?

“Ku ishe ti Adam?” e pyet në faqen e pestë Perendia Hainrich Bëlin në një nga novelat e tij.

Unë jam në shtëpi, m’u kujtua.

Sh. Ç. është edhe ai në shtëpi të vet.

J.C. gjen një punë të rëndomtë krahu.

Edhe unë kam punuar disa javë fillimisht ashtu, kur erdhëm këtej, mirëpo nuk është se më ngjiti shumë.

Ja, si tani: i këputur në shtrat.

Ndoshta do të kisha rënë në burg po të vazhdonte agjitacion-propaganda. Kjo dihej.

Vetëm një gjë di unë të sigurt nga rrëfimi i Sh.Ç.

Tani? Pas leximit të librit? Se më ndriçoi?

Ncuq. I dalloj menjëherë jospiunët.

Se as vetë nuk kam qenë spiun.

Fillova në profesion pas dy vitesh pune.

Pensionist tani. Kohë për të lexuar.

Dhe për të mirëmenduar epitafin.

Për Gropovëthin tim.

(c) 2023 Arb Elo. Të drejtat janë të autorit.

Bottom of Form

 

15 Komente

  1. dy gezime ne nje mengjes: e para, rrojta te lexoj nje poeme kritike letrare. E dyta, nje meditim per nje liber dhe autor qe meriton vemendjen e kritikes me cilesore qe mund t’i behet prozes shqiptare. Dhe qe s’e ka… pasur.

  2. Me ne fund per Sh.Ç,( kisha filluar te mendoja qe me pelqente vetem mua dhe ne nje fare menyre me miklonte kjo situate)
    E nga Arb Elo, qe ai e adhuron.

  3. Me vjen mire qe lexoj nje kritike qe do ta cilesoja si kritike eksperimentale ku kritika eshte po aq artistike sa vepra ne vezhgim.

  4. Gropovëthin-lexim; që nga Ngjarja-Autor, në lexim shkrim-autor, vjen lexim-ngjarje e jashtme brënda meje.

  5. “Gropovëthin”; liria e jashtme kapur brënda, si shkrim leximi.

  6. Përgëzohem në lexim, me shkrimin e leximit, ofron tendencë leximi libri në referenc.

  7. Gjithë gjëja mbështjell pohimin se ” romani në fjalë është një nga p(r)ozat më të mira pas 90-ës.”
    Pohim thashë? Por ajo (r) pohimit i jep një nuancë tjetër.

  8. Adam nuk do të thotë më shumë se: një njeri, në rastin tonë, NJERI* në Gropovëth, toponim ky që e përmban si varrin, ashtu edhe një vëth pa veshë.

    Ketu duheshin vene dy pika mbi E, sepse nuk kam para te blej nje kompjuter per te qene. Ndoshta “Pas vdekjes”, qe ka qene ekranizim i “Klubi i Selanikut” te Cajupit.

    Por nese Havzi Nela fiton cmim letersie 20 vjet pas vdekjes, c’te thuash? Qe e meritonte apo nuk e meritonte?! T’ia kishin me mire Cajupit. Ose Gjon Buzukut. Ose Bogdanit. Ose prape Te Madhit. Jo DULL-it, mo jo, po Agollit. Burre i mire. Pinte raki.

  9. Ka nje gje me keta vajzat e shtypit, se nuk po dua te godas administratoret. Tjeter gje te thone gojarisht, ndryshe punojne ne terren. Tjeter titull i vene shkrimit, qe nuk kishte kete titull, dhe pastaj te thone: hidhi edhe nje sy: e kam bere mire?!
    Jam gje Migjeni apo Visar Zhiti une? Mesues filloreje?
    Ne kete moshe?
    Ne Gropoveth?!

    1. E ke lënë kot këtu komentin, (1) sepse titullin e vendos redaksia e revistës, duke marrë parasysh edhe gjëra që autori nuk i mendon (meqë nuk ka pse); dhe (2) shkrimi na ka ardhur pikërisht me këtë titull. Titulli është i mirë, deskriptiv, i qashtër. Nuk lë vend për ekuivoke. I bën nder edhe shkrimit edhe revistës.

      1. Kot fare jo. ka nje tregim Arben Dedja qe duhet te kursejme bojen. Pata lene nje shenim me per te, s’po di me ku. Ndaj kam mesuar nga ai tregim dhe kurseva deri edhe titullin. Meqe gjinokastrozizot e lidhin macen pas tavolines. Te shihet avatari per kete dhe une i du macet. Jepuni ore maceve per te ngrene, se jeni fryre e jeni enjtur, sa as Hellenet nuk po ju duan me.

  10. Asgje me ju, se, sic shkrova – üenalltia eshte e jotja. lexo Cajld Haroldin, 37, para se te hysh te shqiptaret e eja te flasim pastaj per Driterone, te cilin nuk ka e shume, ti na e nxore shkrimtar te mire. Se po studioje. Normalisht une nuk shaj. Ndaj kisha kohe qe nuk ia hidhja syte kesaj “reviste”. Ju vazhdoni, se jeni ne pune tuaj, por vetem mua me tregoni arat. As baballaret. Kaq. Se ti po me censuron pra. Ti di fizike, arkitekture, psikanalize… per t’i rene shkurt: cfare nuk dika z:Shyti?
    Kaq ishte dhe gjilpera. Se une rralle hyj ketej. Ka vite tashme.
    Megjithatre, Gezuar Krishtlindjet a posteriori dhe Vitin e Ri de facto. per: De Jure, pyet Albatrosin.
    Ose De Raden.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin