PRIJËSI, LIGJI DHE ARBITRARITETI

– diskutim –

Eseja “Zëvendësimi i monumenteve dhe konstantja e autoritarizmit”, nga Artan R. Hoxha dhe Robert C. Austin, e pasur me analiza, shtigje debati dhe spunto gjithfarësh, më bëri të mendoj për imazhin kolektiv të leaderit politik, në traditën tonë kombëtare.

Kërkimi i të përbashkëtave mes Zogut dhe Enverit është pjellor jo vetëm në vetvete, si pjesë e një tipologjie të udhëheqësisë politike tradicionale mes shqiptarëve, por edhe për të identifikuar pastaj më qartë të veçantat mes tyre, ato që i ndajnë, dhe që njëfarësoj integrohen edhe në karakteristikat që ndajnë periudhat përkatëse.

Këtu mendova se shqiptarët, tradicionalisht, e kanë përfytyruar leaderin si burim të arbitraritetit, ose të vetmin person të autorizuar që të marrë vendime në bazë të gjykimit të vet, interesit dhe intuitës, duke shpërfillur ligjin që i ka imponuar pjesës tjetër të shoqërisë. Dhe ky përfytyrim bie ndesh me atë, më modern, të leaderit si garant të ligjit, ose njeriu që kujdeset ose mban përgjegjësi për ligjshmërinë.

Mund ta quaja folklorik imazhin e leaderit që ofron arbitraritet, duke u dhënë zgjidhje të gjitha çështjeve të bllokuara për shkak të ligjit, shto këtu edhe “padrejtësitë” që vijnë nga ligji dhe zbatimi i tij. Duke qenë i lirë ndaj detyrimit që sjell me vete ligji, ky lloj leaderi i jep shpresë kujtdo se mund të mbrohet dhe të shpëtojë nga e keqja që i vjen prej Tjetrit, përfshi këtu edhe strukturat politike dhe sociale shtrënguese.

(Shih këtu edhe çfarë ka thënë Montesquieu për klemencën e monarkëve dhe të princave)

Ai leader që vepron arbitrarisht si leader, do të fitojë gjithnjë admirimin e shtetasve, me kusht që këtë arbitraritet të mos e përdorë për të ushtruar dhunë. Edhe Zogu edhe Enveri arritën të projektojnë imazhin e “prijësit” njerëzor, i cili është këndi i tretë i një trekëndëshi që ka (nën)shtetasit dhe shtetin si dy këndet e tjera. Ky lloj “prijësi” e drejton shtetin duke qëndruar jashtë tij, dhe – të paktën në imagjinarin kolektiv – është i baraslarguar nga shteti dhe nga “populli”.

Paradoksalisht, kjo e mundëson shtetin të funksionojë njëfarësoj, edhe në ato rrethana kur ligji është aq i keq (si në sistemet autoritare dhe totalitare), sa veç mund t’i bllokojë punët; leaderi e anashkalon ligjin, duke përdorur arsyen dhe bon sens-in, për të zhbllokuar.

Përkundrazi, imazhi i një leaderi modern, që lehtëson dhe garanton sundimin e ligjit (shtetit ligjor) ende nuk ka zënë vend mes nesh; për të njëjtën arsye që ne ende e shohim ligjin si një sistem që në thelb kufizon lirinë individuale dhe mund të veprojë kundër nesh në çdo moment. Ai leader që garanton zbatimin sistematik të këtij ligji, të perceptuar prej nesh si në thelb “armiqësor”, nuk mund të ketë admirimin e qytetarëve. E shumta, do të këqyret si zbatues i bindur, dhe gjithnjë do të ketë njerëz që do të vihen të kërkojnë se cila fuqi madhore ia lëviz fijet (konspiracizmi).

I vështruar si burim arbitrariteti, leaderi do të gëzojë – të paktën në sytë e (nën)shtetasve – privilegjet e individit më të lirë brenda grupit (shoqërisë, shtetit si bashkësi nënshtetasish ose qytetarësh); përkundrazi, si mbikëqyrës dhe garant i zbatimit të ligjit, leaderi do të shihet si individi më pak i lirë, meqë në rolin e mbikëqyrësit dhe të garantit ai nuk ka në dispozicion veçse një hapësirë minimale për të improvizuar, dhe aq më pak për të kultivuar despotizmin ose vese të tjera të qortueshme.

Në një kuptim, edhe Zogu edhe Enveri ishin krijesa të një regjimi politik të rrënjosur në traditën – otomane – të pushtetit, përfshi këtu edhe shtetin ligjor, mes shqiptarëve; të një mënyre të së bërit politikë që duket sikur vjen vetvetiu, të një teknike në dukje të natyrshme të ushtrimit të pushtetit, por që reflekton, në shumë anë, mënyrën si është ushtruar pushteti në struktura më të vogla, nga familja te fisi, fshati dhe krahina. Edhe pse si Zogu, ashtu edhe Enveri, u përpoqën të modernizonin me rrugë të ndryshme, historia e tyre si leaderë politikë mund të shkruhet e tëra edhe si një konflikt mes arbitrariteteve. Kjo nuk habit, sa kohë që sot e kësaj dite një masë e madhe qytetarësh, në Shqipëri, i shohin politikanë si Berisha dhe Rama si virtuozë të arbitraritetit, politikanë aq të fuqishëm, sa mund të ofrojnë zgjidhje duke anashkaluar ose shpërfillur ligjin.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

1 Koment

  1. Do ta lidhja disi kete arbitraritet edhe me konceptin e “perandorise zero” qe keni ofruar me heret. Deri diku liderat tane e kane fituar e projektuar legjitimitetin si te ardhur nga lart dhe keshtu autoriteti i tyre eshte ne emer te nje perandorie imagjinare. Keta jane agjente te saj dhe vetem fale arbitraritetit prodhojne sadopak pushtet.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin