PRIMUM NON NOCERE

E themeluar në vitin 1713, Akademia Mbretërore Spanjolle (Real Academia Española) e ka parë veten si garante të përdorimit “korrekt” të spanjishtes dhe mbikëqyrëse të ndryshimeve në gjuhë.

Një nga akuzat, ndaj së cilës i është dashur të mbrohet fort vitet e fundit, ka të bëjë me të ashtuquajturin “inkluzivitet”, që në rastin e spanjishtes standard do të ishte hapja e rregullave të gjuhës ndaj diversiteteve gjithfarësh.

Rreth 500 milion vetë e kanë spanjishten gjuhë amtare anembanë botës, por prej këtyre më pak se 10% jetojnë në Spanjë – edhe pse institucionet e këtij shteti ruajnë kontroll të shpërpjesëtuar mbi mënyrën si mësohet dhe kodifikohet spanjishtja.

Një autor që shkruan dhe botohet në spanjishte, ka avantazhin e padiskutueshëm që libri i tij potencialisht mund të ketë qindra milionë lexues – dhe ky avantazh varet jo pak nga zotësia e institucioneve si Akademia Mbretërore Spanjolle për ta mbajtur spanjishten të njësuar, përballë prirjeve centrifugale.

Kësaj spanjishteje të njësuar i detyrohet edhe suksesi i pashembullt i letërsisë latino-amerikane gjatë shekullit XX.

Roli i Akademisë është që të kujdeset jo vetëm për të shmangur ndryshimet e panevojshme, por edhe për të mundësuar që ato ndryshime që nuk shmangen dot, të pasqyrohen në rregullat e të gjitha “spanjishteve” lokale.

Një përpjekje për “dekolonizimin” simbolik të spanjishtes së folur në Amerikën Latine erdhi tani së fundi nga një gazetar argjentinas, Martín Caparrós, i cili propozoi – në mars të këtij viti – që gjuha të ri-pagëzohej me emrin “Ñamericano”, për t’u distancuar nga prejardhja e vet koloniale.

Caparrós ka shkruar edhe një libër në 2021, për folësit e spanjishtes në Amerikën Latine, të cilin e ka titulluar “Ñamerica”.

“Shkronja ñ është një arketip, që e modifikon idenë e “amerikanishtes” për ta bërë tonën,” tha ai.

Kryetari i Akademisë Mbretërore e shpërfilli këtë propozim si një lloj batute; njëlloj siç ka shpërfillur institucioni i tij, në të shkuarën, përpjekjet për ta bërë spanjishten më inkluzive, duke modifikuar mënyrën si shprehet në atë gjuhë gjinia.

Ishte propozuar, për shembull, që të zëvendësoheshin niño “djalë” dhe niña “vajzë” me neologjizmin niñe, me kuptimin “fëmijë”.

Për gramatikanin ndryshime të tilla, nga lart, duken të pamundura – dhe një institucion mbikëqyrës konservator si Akademia Mbretërore nuk mundet veçse t’i refuzojë.

Spanjishtja është nga ato gjuhë që, si shqipja, e ka kategorinë gramatikore të gjinisë të rrënjosur në sistemin emëror. Megjithatë, shqipja ka ndonjë fjalë si fëmijë, që do t’i përgjigjej së propozuarës niñe të spanjishtes – meqë fëmijë në shqipe, të paktën në njëjës, i pranon të dy gjinitë: fëmijë i bukur dhe fëmijë e bukur.

Çuditërisht, në shumës fëmijë pranon vetëm mbiemra të gjinisë mashkullore: fëmijë të vegjël dhe jo fëmijë të vogla.

Me intuitë, shumë shqipfolës e trajtojnë njëjësin fëmijë si të gjinisë femërore: është fëmijë shumë e urtë mund të thuhet edhe për një djalë; dhe kjo kryesisht ngaqë fëmijë – fëmija lakohet sipas paradigmës së gjinisë femërore.

Fjalë të tjera të shqipes, si bebe dhe foshnjë janë gramatikisht të gjinisë femërore, por mund të përdoren lirisht edhe për fëmijë meshkuj.

Njëlloj sillet edhe italishtja creatura, e cila i përket gramatikisht gjinisë femërore, por mund të përdoret me të dy gjinitë (biologjike). Njëlloj si për fëmijë, foshnjë dhe bebe, ideja është se në këto raste seksi i qenies së referuar nuk ka rëndësi, ose të paktën nuk ka aq rëndësi sa ç’ka përkatësia në gjini si kategori gramatikore.

Shembulli i shqipes fëmijë, që del në gjininë gramatikore femërore në njëjës dhe në gjininë mashkullore në shumës, por që mund të përdoret lirisht me fëmijët e të dy sekseve, tregon se gjuha jo gjithnjë i bindet logjikës, edhe pse gjithnjë ka logjikën e vet.

Ajo që ka ndodhur me shqipen fëmijë nuk është se ndjek ndonjë rregullsi të caktuar – kam përshtypjen se kjo fjalë është e vetmja në shqipe që ndërron gjininë nga femërorja në mashkullore, kur kalon nga njëjësi në shumës.

Megjithatë, folësit vështirë se ndiejnë ndonjë anomali, kur e përdorin; dhe as kam vënë re ndonjëherë dikë që të përpiqet ta përdorë fjalën në gjininë femërore në shumës (“fëmijë të bukura” do të perceptohej menjëherë si gabim).

Por njëlloj më duket e pamundur që dikush, sado me autoritet dhe sado me të drejtë, të përpiqet të futë në shqipe një fjalë tjetër, që të sillet në këtë mënyrë, pra si sillet fëmijë. Folësit do ta refuzonin menjëherë.

Dhe ky refuzim, shumë më i prerë se në rastin e ndonjë neologjizmi çfarëdo, ka të bëjë me atë se propozimi ka të bëjë me pranimin në kod të një forme të parregullt.

Kjo ndoshta shpjegon edhe rezistencën e vetvetishme ndaj formave të tilla simbolike si Ñamerica ose niñe; që përveçse neologjizma, janë edhe të parregullta. Spanjishtja nuk formon fjalë të reja me parashtesën ñ- dhe as forma të gjinisë asnjanëse me prapashtesën -e.

Akademia Mbretërore njëlloj ka refuzuar edhe propozime ekskluzivisht grafike, për të shprehur neutralitetin gjinor në gjuhë, të tilla si: l@s alumn@s, që do përfaqësonte njëlloj los alumnos dhe las alumnas.

Arsyetimi në këto raste ka qenë i ngjashëm me atë që do të sillnim për shqipen: forma të tilla si nxënësit, studentët, mësuesit nuk u referohen vetëm personave të gjinisë mashkullore, por janë pranuar – me konvencion gramatikor – si përfaqësuese të së dyja gjinive, për shkak të asaj që e quajnë “ekonomi shprehëse”.

Si në spanjishte, ashtu edhe në shqipe, askush nuk pengohet t’i përdorë të dyja gjinitë, nëse këtë e kërkon situata, si në rastin e formulës zonja dhe zotërinj (¡Señoras y Señores!).

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Shënim: disa nga të dhënat në këtë shkrim janë nxjerrë nga Spanish Royal Academy rejects changing language to anti-colonial ‘Ñamericano’

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin