KËSHTU FOLI

Duket sikur i referohen të njëjtit realitet, por foljet flas dhe them ndryshojnë mes tyre, meqë flas shënjon aktin përkatës (të folurit) ndërsa them fokusohet te çfarë përftohet nga ky akt, ose te përmbajtja e çfarë komunikohet nëpërmjet aktit të së folurit. Prandaj edhe ka kuptim të pyesim nëse “foli apo nuk foli kryetari?”, por jo që të pyesim “tha apo nuk tha kryetari?” Në gramatikë, flas është folje zakonisht jokalimtare, ndërsa them kalimtare; çfarë do të thotë se veprimi i së parës nuk ka nevojë të ushtrohet ndaj një kundrine të drejtë, ndërsa veprimi i së dytës po: vetëm tha nuk mjafton; sepse duhet edhe çfarë tha. Kjo në vija të përgjithshme ose të trasha. Sepse përndryshe gjuha ka një prirje për t’i ngatërruar këto dy folje, dhe atributet e njërës t’ia kalojë tjetrës: foli bukur ka kuptim shumë të ngjashëm me e tha bukur; foli mirë i referohet më shumë përmbajtjes së ligjëratës, sesa mënyrës së të folurit ose performancës; ndryshe nga foli shpejt (foli shkurt, foli me përtesë); ndërsa foli ashpër qëndron diku në mes. Kjo vëren edhe për gjuhë të tjera, si anglishtja (speak and say), italishtja (parlare e dire), gjermanishtja (sprechen und sagen).

E megjithatë, një titull shumë i njohur libri, “Kështu foli Zarathustra”, duket se e vë në pikëpyetje këtë dallim elementar; aq më tepër që ndërtimi i ka rezistuar edhe përkthimit: “Also sprach Zarathustra”, “Thus spake Zarathustra”, “Così parlò Zarathustra” etj. Me logjikë, sa kohë që kështu ka të bëjë me mënyrën si bëhet diçka, kështu foli do të duhej t’i referohej mënyrës si është folur: me zë të lartë, me gjeste, me zemërim, si në trans, me ndërprerje, me mallëngjim etj.; mirëpo libri në fjalë sugjeron të kundërtën – që kështu i referohet përmbajtjes së fjalëve të Zarathustrës; prandaj edhe titulli mund të parafrazohej në “Këtë tha Zarathustra”, ose “Çfarë tha Zarathustra”, etj.

Megjithatë, në anglishte “thus spake” është ndërtim arkaik; dhe jo vetëm ngaqë përdor një formë të vjetruar të kohës së shkuar të speak (që përndryshe është spoke), por edhe sepse i referohet thënies “thus spake the Lord”, të anglishtes biblike (kjo del krahas me “thus said the Lord”). Referimi intertekstual, në titullin e librit të Nietzsches (që me gjasë rimerr të njëjtin efekt të gjermanishtes biblike “also sprach”), nuk bëhet thjesht për stil ose për manierizëm: në kontekstin fetar, fjala e profetit (e Zotit, e mesias) ndryshon nga fjala e njeriut të zakonshëm, sepse është fjalë që e sjell realitetin me vete. Për ta thënë ndryshe: performativiteti i profetit e përfshin edhe përmbajtjen e ligjëratës, sepse profeti (njeriu i shenjtë ose vetë Zoti, performon jo vetëm aktin e të folurit, por edhe atë që thuhet). Në kontekstin diskursiv judeo-kristian, fjala e Zotit, e apostujve, e shenjtorëve dhe e profetëve luan gjithnjë rol të posaçëm; aq më tepër po të kemi parasysh se këta i manifestohen publikut nëpërmjet ligjërimit.

Në terma thjesht retorikë, thus spake (ose thus spoke, diferenca nuk është thelbësore) në titullin e librit i përket stilit të lartë (solemn) të regjistrit fetar; sepse kur flet Zarathustra, aktin e të folurit nuk mund ta ndash nga përmbajtja përkatëse. Prandaj “Kështu foli Zarathustra” na tingëllon e pranueshme, si paralajmëruese e përmbajtjes së fjalëve; ndërsa, për të sjellë një shembull çfarëdo, “Kështu foli Ilir Meta” ose do t’i referohet mënyrës së të folurit (duke iu mbajtur goja, ose me entuziazëm, ose me rrokulla), ose do të tingëllojë ironike a qesharake – për shkak të një reference të tërthortë ndaj ligjërimit biblik ose pseudo-biblik. Normale do të ishte: “Ja çfarë tha Ilir Meta”, dhe pastaj të vazhdohej me riprodhimin e ligjëratës përkatëse.

Për të njëjtën arsye, në anglishte “thus spake” ose “thus spoke” përdoret në kontekste ironike – si në titullin e një antologjie me vendime të Gjykatës së Lartë të SHBA-ve, Thus Spake Their Lordships – Quotable Quotes from Supreme Court Case, ose në titullin e një artikulli Thus Spake Angela ku, jo pa një dozë ironie, komentohet një fjalim i rëndësishëm i kancelares Angela Merkel. Në këtë kontekst të fundit, intertekstualiteti ka të bëjë edhe me “gjermanitetin” e Merkelit (njëlloj si të Nietzsche-s), edhe me pushtetin e madh që përcjell, me ligjërimin e saj, kancelarja.

2 Komente

  1. Mendoj se, persa pason me poshte, do e kete menduar kushdo qe e njeh deri diku gjermanishten.
    Fjale per fjale, “also”, ne shqip perkthehet “keshtu pra”, ose “e pra”, ndersa “keshtu” e shqipes ben “so” ne gjermanisht. Nw fjalore te ndryshem ne e gjeme edhe perkthimin “keshtu” dhe “prandaj”, si dhe “medemek”, qe ne gjuhen e perditshme ne fakt nuk u pergjigjet dhe aq “also”-ja gjermane. Ne lidhje me titullin e librit ne fjale, kam pas menduar se kjo mosperputhje duhet te vije ngaqe perkthimi fjale per fjale nuk do i shkonte dhe aq shqipes, (E pra, foli Zarathustra!). Ndonese stilit te Nices dhe permbajtjes se librit mund ti shkonte titulli: “E pra, se fundi fundi foli Zarathustra”, ose me pakta: ” E pra, keshtu foli Zarathustra”, cfare te dyja jane dicka me tjeter nga monotonia shqipe: “Keshtu foli Zarathustra”. Ky titull shqip mendoj se eshte i kuptueshem, i komodshem, i qete dhe pa buje, por ne fakt nuk me duket se i pergjigjet 100 % titullit gjerman, dhe aq me pak atij te Nices. Nejse, problem i madh nuk eshte dhe as libri meriton ndonje vend ne qiell.

    1. Në qoftë se titulli i Nietzsche-s u referohet shkrimeve të shenjta (Biblës), atëherë duhet parë si është ndërtimi i saktë në gjermanishten biblike.

      Por përkthimi i atij libri (dhe i titullit) në shqip besoj se nuk është bërë nga gjermanishtja, por nga anglishtja.

      Thua: “problem i madh nuk është”. Në fakt, problem i madh është kur njerëzit presin që problemet e tyre të mëdha t’ua trajtojnë të tjerët.

      Gjithsesi shkrimi më lart nuk ka të bëjë fare as me librin e Nietzsche-s, as me gjermanishten.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin