TRASHËGIMIA E KADAVRËS

(pjesa e parë këtu)

Nëse operacioni për “përjetësimin” e trupit të Leninit u ndërmor mbi baza fund e krye shkencore, shkenca sovjetike e viteve të para të Revolucionit të Tetorit ishte fort e ndikuar nga kozmizmi – siç e dëshmon, mes të tjerash, edhe preokupimi i pashembullt, i dijes dhe i kulturës, me çështjet e pavdekësisë dhe rinimit fiziologjik.

Në zemër të këtyre preokupimeve qëndronte statusi metafizik i vdekjes, përballë ideologjisë komuniste.

“Të vdekur të të gjitha vendeve, bashkohuni!” lexohej në një manifest kozmist, në Petrogradin e vitit 1920.

Ashtu siç u kristalizua në ato vite, kozmizmi i ruajti disa ngjashmëri me marksizmin dhe avant-gardën europiane, duke synuar jo thjesht të kuptuarit e botës, por edhe transformimin e saj. Ati shpirtëror i kozmizmit, Fjodorovi, pat shkruar se ishte detyrim etik i njeriut që të kujdesej jo vetëm për të sëmurët, por edhe të kuronte vdekjen vetë, nëpërmjet shkencës dhe teknologjisë; dhe njerëzit, tashmë të çliruar nga vdekja, do të gjenin hapësirë për të jetuar duke pushtuar kozmosin. Ringjallja, thoshte ai, është “triumfi i plotë i ligjit moral mbi domosdoshmërinë fizike.”

Në vitet 1920, të ashtuquajturit “biokozmistë” u rebeluan ndaj vdekjes, duke i ripërcaktuar kështu të drejtat themelore të njeriut: “(1) e drejta për të ekzistuar (pavdekësia, ringjallja, rinimi); dhe (2) e drejta për të qarkulluar lirisht në kozmos”.

Edhe pse Stalini e goditi ashpër kozmizmin duke ia likuiduar autorët përfaqësues, ka megjithatë ndonjë sovietolog që mendon se kjo ideologji vazhdoi të frymëzojë dhe të mbështetë politikën, shkencën, teknologjinë dhe artin sovjetik, të paktën deri në fund të shekullit XX.

Mes biokozmistëve të orëve të para, vend të veçantë zinte Aleksandër Bogdanovi, filozof dhe revolucionar bolshevik bashkëkohës i Leninit, por edhe mjek madje shkrimtar i fantashkencës. Ngaqë mosmarrëveshjet dhe konfliktet brenda bolshevikëve e nxorën disi mënjanë, Bogdanovi pati më shumë kohë t’i kushtohej mjekësisë dhe eksperimenteve në fushën e tij të preferuar, hematologji – ku ai eksploroi idenë se transfuzionet e gjakut drejt subjekteve të moshuar nga subjekte në moshë të re, mund të luanin rol në rinimin (rejuvenation) dhe zgjatjen e jetës; dhe se, me kalimin e kohës, një sistem politik dhe social komunist do të lejonte transfuzione gjaku të rregullta dhe rutinë (“kolektivizmi fiziologjik”), duke e “normalizuar” gjakun kolektiv të popullsisë. Këtë ide ai e vuri në punë edhe në romanin e vet fantashkencor, Ylli i kuq (Красная звезда), të ambientuar në Mars. Një transfuzion gjaku, ku Bogdanovi mori gjak nga një student 21-vjeçar, u bë shkas për vdekjen e tij të parakohshme në vitin 1928. Romani Proletkult, i autorit italian kolektiv Wu Ming (që mund të shkarkohet falas këtu), jep një ide për humusin ku gjëllinin ide të tilla dhe klimën politike që rrethonte laboratorin hematologjik të Bogdanovit.

Edhe Leonid Krasin, bolsheviku që pat ngulur këmbë për ruajtjen (“përjetësimin”) e trupit të Leninit dhe që besonte se ashtu Leninin shkenca edhe mund ta ringjallte dikur, pat kërkuar që të trajtohej me një transfuzion terapeutik nga Bogdanovi, por ky i kish këshilluar të mjekohej ndryshe.

Nën frymëzimin difuz prej kozmizmit, Rusia e viteve 1920, mes shumë gjërave të tjera, u bë edhe laborator i kërkimit shkencor për zgjatjen e jetës, rinimit dhe, ndoshta përjetësinë. Një rus i natyralizuar francez, dr. Sergei Voronov, pat bërë ato vite emër me teorinë se plakja e njeriut mund të ndalej nëpërmjet transplantimit, në njerëz, të testikujve të majmunit. Voronovi, që e kreu transplantimin e parë në 1920, pretendoi se ashtu mund të kuronte senilitetin dhe skizofreninë, gjithë duke zgjatur jetën dhe duke fuqizuar seksualitetin e subjekteve, meshkuj dhe femra. Deri nga mesi i viteve 1920, së paku 300 vetë i ishin nënshtruar kësaj procedure të “rejuvenimit”; ky numër arriti 1000 në 1927. I njëjti Voronov e provoi dorën me transplantime të tjera, përfshi ato të një vezoreje njerëzore te majmuni; dhe një përpjekje për të lënë shtatzënë një majmun(e) nëpërmjet injektimit të spermës njerëzore. Këto transplantime, në një atmosferë bioetikisht shumë të relaksuar, gjetën një truall tejet pjellor në laboratorët sovjetikë.

Këtë atmosferë e gjen rëndom në letërsinë fantashkencore sovjetike të atyre viteve, me autorë ndonjëherë të dorës së parë, si Mikhail Bulgakov-i, autor i novelave Vezët fatale dhe Zemra e qenit. Te kjo e fundit, protagonisti, profesor Preobrazhenski, sjell një qen rrugësh në shtëpinë e vet dhe transplanton, në trupin e kafshës, gjëndrën pituitare dhe testikujt prej kufomës së një krimineli ordiner; duke krijuar kështu një hibrid grotesk, qen-njeri, Sharikovin, i cili krijon probleme të jashtëzakonshme në pallat dhe gjetiu.

Tema e eksperimenteve mjekësore, me rezultate të frikshme, thuhet se i referohet gjithnjë Frankenstein-it; në letërsinë angleze atë e pat lëvruar H.G. Wells-i, mes të tjerash edhe te The Island of Doctor Moreau, një roman ku protagonisti, dr. Moreau-ja, krijon qenie hibride njerëz-kafshë nëpërmjet viviseksionit. Edhe shkrimtari rus Aleksandër Beljajev (të cilin lexuesi shqip e njeh nga romani Shitësi i ajrit) pat trajtuar tema të eksperimentimit fiziologjik dhe të hibridizimit, me vepra të tilla si Koka e profesorit Dowell dhe Njeriu amfib.

Një nga motivet e eksperimentimit mjekësor, në fantashkencën e hershme sovjetike, ishte që të përgatitej njeriu për të jetuar në mjedise të ndryshme nga ai i Tokës – të tilla si ato në planete të tjera. Për shembull, një njeri i modifikuar në mënyrë të tillë që të mund të jetonte nën ujë, duke marrë frymë me verza si të peshkut, do të ishte i përshtatshëm për të kolonizuar Venusin, një planet që në atë kohë kujtohej si i mbuluar nga oqeani (një temë të ngjashme e trajton filmi The Titan në Netflix). Përhapja e njerëzimit në kozmos dhe kolonizimi i planeteve të tjera rridhte vetvetiu nga lufta për të mposhtur vdekjen – tek e fundit, të gjallëve të shtuar e të shumëfishuar u duhej gjetur vend gjetiu.

Por kolonizimi i hapësirës kozmike kërkonte edhe teknologji të mjeteve udhëtuese; dhe këtu sërish shfaqet, në vijën e parë të kërkuesve, kozmisti Konstandin Ciolkovski, i njohur si babai i fluturimit në hapësirë dhe i pari që formuloi teorinë e raketës; vepra e tij, me titull Eksplorimi i hapësirës kozmike nëpërmjet pajisjeve raketë (Исследование мировых пространств реактивными приборами) shërbeu si bazë për zhvillimin e teknologjisë së raketave gjatë shekullit XX. Përtej inxhinierisë së raketave, Ciolkovski u mor edhe me filozofi dhe, në një vepër të tijën, elaboroi idenë se njeriu një ditë do të kolonizonte Rrugën e Qumështit – në pajtim të plotë me preceptet e kozmizmit.

Kur Ciolkovski e bëri të njohur mendimin e vet inxhinierik, teknologjia ishte ende larg ndërtimit të një anijeje të tillë, që të arrinte hapësirën kozmike. Këtë sovjetikët do ta arrinin vetëm në fund të viteve 1950, gjithnjë mbi bazën e parimeve të formuluara prej Ciolkovskit. Popullarizimi i satelitit të parë artificial, Sputnikut, dhe pastaj i fluturimit të parë në orbitë prej Gagarinit, e risollën në vëmendje të publikut fantazinë e mrekullueshme të udhëtimit kozmik. Fantashkenca sovjetike, që edhe ajo u ripërtërit në ato vite, iu rikthye ndonjëherë edhe më hapur se në vitet 1920, ideve dhe idealeve të (bio)kozmizmit, ku triumfi i komunizmit në shkallë planetare do të shoqërohej edhe me mposhtjen e – të paktën – plakjes. Mes autorëve sovjetikë vizionarë, në këtë zhanër, meriton vëmendje të veçantë Ivan Jefremovi, një roman i të cilit, Mjegullnaja e Andromedës, u përkthye në shqip dhe u lexua jo pak, në vitet 1960-1980. Ne që e lexonim me pasion dhe hipnotizoheshim nga simfonitë futuriste të kompozuara prej Jefremovit, e dallonim me intuitë që ai autor nuk kish shumëçka të përbashkët me Si u kalit çeliku dhe Donin e qetë; por pa e kuptuar nënshtratin kozmist të filozofisë së veprës. Me kozmizmin kanë afruar edhe Tarkovskin e filmave Solaris dhe Stalker, të cilët ende mbahen si kryevepra të art filmit dhe, në përgjithësi, të kinemasë (thuhet që, nëpërmjet Tarkovskit, ndikimi filtroi deri te Stanley Kubrick, i 2001: A Space Odyssey).

Paralelisht me vizionin optimist të shkencës dhe të teknologjisë sovjetike, si të kthyera me fytyrë nga e ardhmja dhe triumfi i njerëzimit ndaj së keqes, u zhvillua – veçanërisht në kulturën perëndimore gjatë Luftës së Ftohtë – ideja për Moskën si Perandori të së Keqes dhe hapësirë politike ku njeriu ishte viktima e parë e etjes së tërbuar për pushtet. Edhe pse Bashkimi Sovjetik dhe SHBA-të ndoqën rrugë të ngjashme të zhvillimit teknologjik, përfshi këtu edhe ndërtimin e armëve atomike dhe pushtimin e hapësirës rreth Tokës, ideja se përtej “perdes së hekurt” bëheshin gjëra të frikshme vazhdoi të ushqente kulturën amerikane, veçanërisht tabloidët, letërsinë fantashkencore dhe Hollywood-in. Të panumërta janë romanet, tregimet fantashkencore dhe filmat, ku bëhet fjalë për laboratorë klandestinë, super-sekretë, në zemër të Siberisë, ku eksperimentohet lirisht me njeriun. Nëse kozmizmi kërkonte, mes të tjerash, zgjatjen e jetës, rinimin dhe mposhtjen e vdekjes, ana e tij e errët kish të bënte me armët biologjike dhe sofistikimin e teknologjive të vdekjes në masë. Brezit tim do t’i kujtohet aventura e Fox Moulder-it të X-Files, në një laborator të tillë sovjetik ku ruhej “vaji i zi”, një virus jashtëtokësor, kundër të cilit “rusët” kishin zhvilluar një vaksinë; imazhi i vajit të zi do të kthehet pastaj edhe në disa skena kruciale të filmit Prometheus, të Ridley Scott; gjithsesi ideja e qendrave eksperimentale sekrete, ushtarake, ku projektohet “fundi i botës” është kthyer tashmë në klishe të fantashkencës amerikane, që ka mbetur gjallë edhe pas fundit të Luftës së Ftohtë; duke e kthyer, si të thuash, kozmizmin kokëposhtë.

Nga një laborator rus – trashëgim okult i periudhës sovjetike – vjen edhe protagonisti i romanit Strange Bodies, të Marcel Theroux; ku rimerren disa nga temat e dashura të kozmizmit, eksperimentalizmit mjekësor dhe jetës së përjetshme. Romanin e rrëfen në vetë të parë një Nicholas Slopen, profesor i letërsisë angleze, edhe pse tashmë ligjërisht i vdekur. Vetëdijen e tij, subjektin e tij individual, ia kanë transferuar një trupi tjetër, të një ish-krimineli rus, atje ku gjëra të tilla janë ende të mundshme: në thellësitë e Siberisë letrare post-sovjetike. Natyrisht, ka një kabalë që e organizon të gjithë këtë, me synim biznesin përrallor të jetës së përjetshme. Madje një nga organizatorët e transferimit të unit dëgjohet të përmendë fjalët Общее дело, anglisht “the common task”, të cilat çojnë te Fyodorovi dhe kozmistët. Vetëm se mafiozët në roman nuk kërkojnë përjetësimin e mishit – por vetëm të subjektit, duke e transferuar këtë në një trup tjetër, nëse ai origjinal nuk “mban” më. Dhe kjo teknologji e transferimit na zhvendos vetvetiu drejt një filozofie në thelb të kundërt me Fyodorovin dhe kozmizmin, por që edhe ajo e kërkon pavdekësinë: transhumanizmi, që predikon evolucionin e njeriut përtej kufizimeve fizike dhe mendore të tanishme, nëpërmjet mundësive që ofron shkenca dhe teknologjia. Trupi i ri, ku u strehua Nick Slopen-i në roman, njihet në topologjinë e fantashkencës si sleeve (që nga popullarizimi i termit në romanin Altered Carbon, nga Richard K. Morgan); dhe çdo sleeve e përmban një cortical stack, ose pajisjen ku është depozituar informacioni për subjektin. Ideja e Theroux-së është se subjekti mund të kodifikohet në një memorie silikoni duke përdorur gjithçka që ai ka thënë dhe shkruar në jetën e vet – te “uni” arrihet nëpërmjet logos-it. Përndryshe, fantashkenca e ka shndërruar tashmë në klishe “ngarkimin” dhe “shkarkimin” e vetëdijes në një çip computerik.

Një episod i serialit Black Mirror të Netflix (White Christmas) eksploron pasojat e frikshme të burgimit të vetëdijes në një hapësirë kompjuterike virtuale; ku përjetësia, në krejt tmerrin e vet, mund të arrihet edhe thjesht duke ngadalësuar, në pafundësi, “orën e brendshme” të kompjuterit, në krahasim me atë të jashtmen. Natyrisht, në rrënjë të transhumanizmit është shpresa se shkenca dhe teknologjia mund të përdoren për t’i shpëtuar vdekjes; dhe pikërisht nëpërmjet arritjes së asaj që transhumanistët e quajnë “singularitet”, kur kapaciteti i kompjuterit të rritet aq sa të lejojë ngarkimin e vetëdijes në silikon.

Transhumanizmi dhe transhendentalizmi (Ray Kurzweil) janë kundërfigura amerikane (Perëndimore) e kozmizmit dhe misticizmit rus; edhe pse kozmizmi e lidhte amshimin me pushtimin e hapësirës yjore, ndërsa transhumanizmi e mban shpresën te momenti i singularitetit, ose kur inteligjenca artificiale do të fillojë të mendojë, të gjykojë dhe të veprojë në mënyra të pakuptueshme prej nesh. Në fakt të dyja këto doktrina, edhe pse të bazuara në shkencë dhe teknologji, nuk janë veçse forma të fesë, të cilat nuk duhet dhe nuk mund të nxirren nga konteksti i shpresave që i ushqen.

* * *

Njëqind vjet kanë kaluar, që nga momenti kur një grusht bolshevikësh vendosën që t’ia ruajnë përjetësisht trupin (sleeve) liderit të tyre të vdekur, Leninit, nëpërmjet një eksperimenti nga suksesi i të cilit, simbolikisht, do të varej edhe suksesi i idesë leniniste dhe, në analizë të fundit, fati i komunizmit në Bashkimin Sovjetik dhe në botë.

Sot Bashkimi Sovjetik nuk ekziston më, dhe shkenca sovjetike i ka mbyllur dyert e laboratorëve. Mes rrënojave të atij qytetërimi, duhet numëruar edhe çfarë ka mbetur prej kufomës së Leninit – një strukturë mikse, një kombinim i një kabineti taksidermist dhe një muzeu të futurizmit, ende i mirëmbajtur nga një ekip i mbetur anash historisë.

Që nga dimri i largët i vitit 1941-1942, kur Stalini urdhëroi që trupi i Leninit të largohej nga Moska dhe të transferohej diku në Ural, që të mos lejohej të binte në duart e nazistëve, u përhap edhe një dyshim se gjatë transferimit kufoma ishte dëmtuar në mënyrë të pariparueshme, dhe se, pas Luftës II Botërore, në Mauzole ishte ekspozuar një kukull gome, e mbushur me glicerinë.

Ky thashethem është përgënjeshtruar disa herë; por kurrkush s’është lejuar ndonjëherë të verifikojë autenticitetin e objektit që i tregohet sot e kësaj dite publikut, në Moskë – teksa besueshmëria e autoritetit që e mundëson këtë ekspozim shtetëror ka ardhur duke rënë. Sa i vërtetë është “Lenini” që u tregohet sot vizitorëve? Çfarë ka përtej fytyrës dhe duarve, çfarë fshihet nën kostumin e tij të ngrirë, çfarë e mbush hapësirën ku strehohet figura e tij?

Në rrethana normale, këtyre pyetjeve nuk u jepet dot përgjigje. Tek e fundit, edhe sikur të mos ekzistonte ai dyshim fare, sërish nuk do të ishte lehtë të sqarohej se çfarë u ka mbijetuar, dekadë pas dekade, rrëgjimeve të njëpasnjëshme të indeve biologjike të trupit, që nuk komunikojnë më as me botën, as mes tyre. Mjekët, biokimistët, biologët dhe farmakologët kanë luftuar me thonj e me dhëmbë për të ruajtur diçka, por edhe ata vetë sot e kanë të vështirë të thonë se çfarë pikërisht, përtej një emri, një tradite dhe një konvencioni.

Ilia Zbarski, djali i Boris Zbarskit – një nga mjekët që u mor që në fillim me përgatitjen dhe mirëmbajtjen e kufomës së liderit të tetorit – tregon, në librin e tij me kujtime, si me dhjetëra specialistë punonin, me kohë të plotë, në laboratorin bashkëngjitur mauzoleut, për ta mbajtur në gjendje optimale trupin. Dhe secilit nga këta specialistë, shkruan ai, i ishte vënë një kufomë në dispozicion, mbi të cilën të eksperimentonte lirisht. Identiteti i këtyre kadavrave mbetej i panjohur – administratat e burgjeve politike, spitaleve psikiatrike dhe azileve sovjetike do të kenë qenë më se të gatshme që t’ia dhuronin institucionit që kujdesej për krye-kadavrën e Revolucionit të Tetorit.

“Edhe sot,” shkruan Zbarski në 1997, “ka ende një lloj muzeu sekret të trupave të tillë të paemër në laborator. Shumica e tyre mbahen në enë qelqi të mbuluara, por disa janë harruar prej vitesh, varur pezull në banjat e tyre “balsamike”, me flokët që u notojnë si alga. Është një pamje pa shoqe në botë.”

Ende nuk e shpjegoj dot pse ky imazh m’u duk i denjë për ta vendosur në mbyllje të kësaj eseje; më kujtoi skllevërit që i varrosnin, në Egjiptin e lashtë, bashkë me të zotët e tyre, në Piramidat; më kujtoi milionat e viktimave të regjimit totalitar që instaloi Lenini dhe u ushqye për kaq e kaq vjet, nga leninizmi; mendova se nga të gjitha kombinimet e mundshme, ajo lloj shoqërie do të ishte edhe më e përshtatshmja, për një të vdekur të pakallur, qoftë ky edhe vetë Lenini, të cilit të vdekur të tjerë ashtu vazhduan t’i japin ditë nga vdekjet e tyre.

(fund)

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Shënim: Imazhi në kopertinë është krijuar me DALL.E 3


Bibliografi:

Nina Tumarkin, Lenin Lives! The Lenin Cult in Soviet Russia, Harvard University Press, 1983.

John Gray, The Immortalization Commission: Science and the Strange Quest to Cheat Death, Farrar, Straus and Giroux, 2012.

Michel Eltchaninoff, Lenin ha camminato sulla Luna, La folle storia dei cosmisti e dei transumanisti russi, Treccani 2023.

Anya Bernstein, The Future of Immortality, Princeton University Press, 2019.

Alexei Yurchak, “Bodies of Lenin: The Hidden Science of Communist Sovereignty”, Representations, Vol. 129, No. 1 (Winter 2015), ff. 116-157.

Alexei Yurchak, “Communist Proteins: Lenin’s Skin, Astrobiology, and the Origin of Life”, Kritika Vol. 20, Issue 4.

Alexei Yurchak, Нетленность формы. Ленинизм и материальноcтьмавзолейного тела, Academia.edu.

Ilya Zbarsky, Samuel Hutchinson, Lenin’s Embalmers, Harvill Pr. 1999.

Nikolai Krementsov. Revolutionary Experiments: The Quest for Immortality in Bolshevik Science and Fiction Oxford/New York: Oxford University Press, 2014.

Michel Serres, Statues: The Second Book of Foundations, Bloomsbury Academic, 2015.

 

4 Komente

  1. Është interesante rrëshqitja e totalitarizmave laikë të shekullit XX në njëfarë neo-faraonizmi (njehsimi i Zotit ose fesë me pushtetin politik). Që nga moralizmi bigot që bërtiste komunizmi deri tek tentativat për të ndërhyrë në biologji (me gjenetikë tek nazistët dhe me manipulim tek komunistët). Në fund të fundit në këtë botë nuk ka asgjë të re.
    Mendoj se kjo vjen natyrshëm. Ashtu si mendimi fetar e trajton njeriun si krijesë të Zotit, dhe si rrjedhim relativisht të përkryer, pra ka ç’ka, nuk mund të bëhet më mirë se sa e bëri Ai dhe si rrjedhim manipulimi është të paktën i pa këshillueshëm, mendimi evolucionist që e trajton si rezultat të një numri manipulimesh rastësore fatlume, e bën manipulimin e programuar profesionalisht të paktën të këshillueshëm.

    Gjurmë të këtyre tendencave filozofike, fatkeqësisht gjen sa të duash edhe në ligjërimin e sotëm psikologjik, seksual dhe sidomos sociologjik.

  2. Ishte edhe një kirurg, Vladimir Demichov, që bënte eksperimente në fushën e transplanteve (ky transplantonte koka). Në youtube gjenden filmime të kohës, me doktorin që bredh nëpër oborr me një qen me dy kokë. Vjen një moment që kokat fillojnë të zihen mes tyre (për ushqimin). Pazzesco, thonë italianët

  3. Përgëzime për shkrimin shumë interesant dhe veçanërisht për paragrafin e fundit që karakterin kanibalesk të idhujtarisë totalitare e rrok e na i përcjell përmes një imazhi të vetëm drithërues. Dialektikën hegeliane po më sjell ndër mend balsamimi i Leninit, kjo sintezë makabre e anës së errët e mistike të komunizmit rus (trashëgimia moskovite) dhe e utopizmit shkencist e frymës avangardiste. Dy fakte të tjera që do rrinin natyrshëm mes morisë së të dhënave që sillni janë studimi i thelluar që iu bë trurit të Leninit, për të gjetur aty dëshmi konkrete e provën anatomike të gjenisë së tij, dhe përpjekjet e biologut Ilia Ivanov për të krijuar një qenie hibride njeri-shimpanze. Për saktësim, nëse “thuhet që, nëpërmjet Tarkovskit, ndikimi [i kozmizmit] filtroi deri te Stanley Kubrick, i 2001: A Space Odyssey”, atëherë thuhet kështu gabim, pasi “Solaris” i Tarkovskit (filmi i tij i parë fantastiko-shkencor) doli në 1971 ndërsa “2001” e Kubrikut në 1968.

    1. Falemnderit! Edhe për korrigjimin – në fakt, Kubrick-un e përmend Eltchaninoff-i në librin e cituar, kur përmend një intervistë që ky i ka dhënë revistës Playboy dhe ka thënë mes të tjerash që, për vitin 2001, parashikon se zbulimi më i madh do të ishte mposhtja e pleqërisë… Eltchaninoff-i pyet mos vallë edhe 2001: A Space Odyssey, mund të ketë qenë film kozmist, dhe pastaj shton se Arthur C. Clarke, autor i romanit përkatës, ishte influencuar nga Ciolkovski. Në të njëjtin libër, lexoj se Tarkovski-n e kishin zgjedhur që të realizonte filmin Solaris që në 1966; dhe se në film ka elemente “kozmiste”. Po aty përmendet një historian, Michael Hagemeister, që thotë se “kozmizmi shërbeu si ideologji kombëtare për programin hapësinor sovjetik”, në një kontekst ku bën pjesë – me diferencat e duhura – edhe filmi i Kubrick-ut. Natyrisht, e kam interpretuar gabim lidhjen mes dy regjisorëve; sepse sikurse ma vë ti në dukje, ndikimi kozmist te Kubrick-u, edhe në pastë ndodhur, nuk mund t’i detyrohet Tarkovskit.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin