RENDE DHE FRAGMENTE TË TURPIT

Shënim: Ky shkrim u nis fillimisht si prezantim i përkthimit të sapobotuar të Nichanian-it. Për arsye vendi, po e botojmë veçmas. Megjithatë, dy tekstet janë menduar për t’u lexuar sa është e mundur së bashku.



për Krenar Zejnon

Dhe mjerimi mirfilli ndien tradhti
– Migjeni

Ndjenja e turpit është një nga shtysat
më të fuqishme të filozofisë.
Ne nuk jemi përgjegjës për
viktimat, por përpara viktimave.
– Deleuze/Guattari

Turpi është ndjesi (por a është vërtet ndjesi?) e çuditshme : një përmbledhje paradoksesh. Sa përvojë individuale absolute (secili nga ne e di se është i pashqitshëm nga turpi i jetuar), aq dhe konstante antropologjike, pothuaj element përkufizues i njerëzores. Deri aty sa ideja (dhe jo aq shembulli) e dikujt që nuk e ka njohur kurrë turpin do t’ishte një nga përkufizimet më të sakta të çnjerëzores.

Fakt empirik – vështirë ta ndash ndjesinë e turpit nga skena në të cilën u pat jetuar – por edhe transhendental i mbërjes-subjekt, skemë universale, ngjarje (pa dëshmitar) që duhet të ketë pas ndodhur një herë, në një dikur absolute, para se ne të ishim vetja, qoftë edhe në formën e lamtumirës së dhënë lakuriqësisë. Në strukturimin e subjektit, miti i gjenezës konkurron (dhe përmbledh) njëherësh, « stadin » e pasqyrës dhe « kompleksin » e Edipit.

Përvojë (?) e kudogjendur, turpi është nga njëra anë i parrëfyeshëm, sekret absolut, por dhe objekt abolut i rrëfimit. Aq sa është « komun », po aq ka diçka të rrëshqitshme : nëse përshkrimet letrare janë disi të bollshme[1], turpi gjithmonë ka qenë refraktar ndaj teorisë. Ndër afektet, ndjenjat, emocionet, prirjet, shtysat, dispozitat, dhe të tjera « karaktere » me të cilat është marrë tradita e psiko-filozofisë, turpi duket të jetë i fundit, diku në hije dhe vështirësisht i dalluar nga sjelljet morale apo ekzigjencat e edukimit. Për shekuj të tërë mund të themi, në vazhdën e Nietzsches, turpi – sikundër dhe faji – kanë qenë zonat e errëta, kontinentet e paeksploruara të filozofisë.

Intim turpi, më intim, më i brendshëm edhe se vetë dëshira, e megjithatë politik, social, transidividual, pothuaj kriter. Ndaj dhe shekulli xx, shekulli i katastrofave dhe prodhimit masiv të viktimave dhe të mbijetuarve, ishte në njëfarë mënyre dhe shekulli i shpërthimit letrar dhe konceptual të turpit. Dhe shekulli i rivendikimit pozitiv të tij. Turpi është shpesh e vetmja gjë që i mbetet viktimës pas kalimit në duart e xhelatit : gjurma e pambarimtë e këtij kalimi. Dhe përvetësimi i kësaj mbetjeje, i këtij honi, është nganjëherë e vetmja forcë. Lindja e njëkohshme e psikanalizës dhe fenomenologjisë në fillim të shekullit duket sikur përgatiste më në fund parakushtet për rrokjen teorike të turpit. Historia e dhunës politike mori përsipër ta furnizonte teorinë me « fakte », madje të shpikte lloje të reja faktesh.

Nëse trupi është nyje paradoskesh, kjo vjen nga struktura fondamentale që implikon ai : ajo e dyzimit të subjektit, e dyzimit të ndodhur nëpër subjekt. Në formë të përgjithshme, dhe brutale, ai mund të përshkruhet si situata ku subjekti është dëshmitar i kalimit, rënies, mohimit të vetes në objekt. Për shkaqe nga më të ndryshmet. Nga vetja (faj) ose të tjerët (dhunë). Por duhet të mbetet minimalisht aq subjekt sa ta vëzhgojë dhe dëshmojë këtë rënie, dhe të ketë turp për të. Turpi është kështu dëshmi e të dyjave : dhe e « katandisjes » në objekt, dhe e mbijetesës së subjektit, sado minimal.

Por, ky dyzim bën shpesh që selia e turpit të jetë e zhvendosur : tjetërkund akti i turpshëm – skena e objektifikimit (qoftë dhe të vetes) –, tjetërkund ndjenja e turpit – reagimi i subjektit, kundërreagimi madje, në emër të subjektit – qëndresë e skuqur. Ekziston turpi nga, dhe turpi për. Nga ku dhe shprehjet që ndryshe duken pa kuptim : S’ke turp ! Urdhëresat enigmatike : Turp të të vijë ! Përkufizimet paradoksale, ku njeriu që nuk e njeh turpin është pikërisht ai që kryen akte te turpshme, dhe « na turpëron të gjithëve ».

Ndoshta mospërkitja e skenës me selinë është rasti më i shpeshtë. I tillë të paktën duket të jetë në fushën socio-politike, dhe më shumë akomë në përvojën (?) shqiptare. A nuk mund të përkufizohet nga kjo pikëpamje hapësira publike shqiptare si një nga vendet më absolute, më ekstreme të shpërndarjes së përmbysur të turpit dhe së turpshmes ? Ku ato s’janë asnjëherë në vend të vet ? Ku, masivisht dhe në mënyrë konstante, ndjenja e turpit dhe aktet e turpshme nuk përkojnë kurrë, nuk bien kurrë në të njëjtat zona, në të njëjtat pozita sociale ? A ka motiv më të vazhdueshëm të përjetimit individual, kolektiv, identitar, etnik shqiptar sesa njollosja e përsëritur me turpin e të tjerëve, e tanëve, dhe para së gjithash e atyre që, « pa pikën e turpit », vijojnë – me çdo kusht, me çdo çmim – të na rrinë në krye ? Neve na vjen turp, jo atyre, për shëmtinë e ulur këmbëkryq në Parlament ; neve na vjen turp, jo atij, për përbuzjen që Kryeministri u bëri grave të partisë së vet në 8 mars, kur të tjera më në fund demonstronin në shesh ; neve na vjen turp, jo atyre, kur arrestohet për të disatën herë Albin Kurti, kur « tanët » vrasin sheshit në 21 janar në Tiranë, dhe kur « ndërkombëtarët » vrasin sheshit në 10 shkurt në Prishtinë[2] ; ne turpërohemi për Gërdecin buzë Tiranës ku nuk shkelëm kurrë ; ne kemi turp, që mbetëm përherë kokëpalarë, jo ata që në dy breza bënë sparkatën nga « baraka a Nushajve » te dasmat në palazzi-t shumëyjëshe të Firences[3]. Ne na vjen turp për gratë dhe vajzat e përdhunuara në Kosovë gjatë luftës, dhe gjatë paqes anembanë, dhe për turpin e tyre të mbytur që shoqëria jonë e nderit s’diti kurrë ta nderojë.

Një nga konstantet më të qëndrueshme pra të përjetimit politik shqiptar është ky lloj konvertimi, « i ndyrë » do të thonim me fjalët e Nichanianit më poshtë, i përvojës historike të popullit në element të turpshëm. S’do shumë mend, as pathos, për të vënë re se masa e dramës, tragjedisë, deri dhe gjëmës, ka qenë e konsiderueshme te shqiptarët gjatë tërë shekullit : një luftë civile njëshekullore, një kërdi politike e skajshme, një varfëri shpesh ekstreme, një emigracion masiv i pareshtur e deri te lufta e fundit në Kosovë dhe gjenocidi i mbetur pjesërisht në tentativë. Por shqiptarët duket sikur s’kanë punë më urgjente sesa të mohojnë në çdo përmasë të mundshme vetë mundësinë dhe dinjitetin e arkivës së kësaj krusme popullore – se që ta ngrenë e ta mbledhin jo e jo. Dhe ne na vjen turp nga çiftimi « jashtë shtetit » i Zef Pllumit me Berlusconin[4] ; dhe viktimave të kampit të Tepelenës, përtej turpit që bart çdo viktimë, u vjen turp për përdorimin që u bëhet, për uzurpimin e hapësirës publike me buçimat e tifozëve të ndeshjes së horrorit Aushvic-Tepelenë : barazimi në xhep, fitorja në trastë.

Por, si shpesh, Kosova, me ekstremitetin e ngjarjeve të veta, është edhe në këtë rast laborator më i kthjellët. Nëse statusi i përvojës së viktimave të komunizmit, për t’i intensifikuar kuptimësinë, vlen të radhitet me refleksionet e atyre të dalë nga Gulagu dhe kampet naziste (ose të mbetur në to), ai i përvojës (? edhe një herë) pasgjenocidare dhe paslufte në Kosovë, ndoshta jehon më afër me atë të të mbijetuarve të gjenocidit të pësuar nga armenët, për arsye se, në të dy rastet, në shkallë të ndryshme, kemi të bëjmë me negacionizëm shtetëror nga ana e autorëve të gjenocidit. Turqia dhe Serbia, në një identitet dhe vëllazëri kështu të papritur, nuk e kanë njohur dhe pranuar (reconnaître) realitetin e ngjarjeve të ndodhura, ose cilësimin e tyre. Gjenocidi, thotë Nichanian, nuk është fakt, madje as shkatërrimi sistematik i fakteve, por shkatërrim i faktësisë së faktit. Është një goditje definitive në statusin e së vërtetës. Dhe kjo goditje prek tërthorazi viktimën, që duhet të provojë, dhe riprovojë, të sjellë pambarimisht prova, për të tjerët, për të tretët, se fakti ka ndodhur – nën shikimin plot qesëndi të autorëve të faktit të mohuar. Skenë e tmershme e Nichanianit (por skena e tmerrshme është vetë objekti i refleksioneve të tij – mbijetimi është një skenë e tmerrshme) : Xhelati i thotë viktimës : « Ke prova ? Vërtetoje po deshe ! » Distopia e një Becketti katil, në vendin e dëshmive : « Dështove ? Provoje prapë. Dështo prapë. Dështo më bukur. » Si i thonë « dështo më bukur » në serbisht ?

Dhe ne, për hir të kësaj poetike shtetërore të mbrapshtë, të këtij skepticizmi paramilitar që na vjen si zgërdheshje e dyshimit postmodern për të vërtetën, kemi 20 vjet që provojmë, ose që provojmë të provojmë vërtetësinë e faktit. Ne, poperianët e dështuar ; ne, që dëshminë e kemi dështim – dhe turp. Ne që dëshmojmë për të tjerët, sapo vërejmë se ka ndonjë dyshim diku (dmth përditë, kudo), dhe dështojmë përherë, keq e më keq, sepse nuk kemi filluar të dëgjojmë veten dhe tanët. Nichaniani është i rreptë – dhe rigoroz – kur thotë se arkivimi i dëshmisë është vetë turpi. Kur arkivimi shihet si rezervat provash. Në Kosovë, në mungesë të plotë të arkivimit, ka mbetur vetëm turpi pa arkiv[5]. Dhe ca statuja heronjsh.

 

Rastësia marramendëse e gjuhës bën që në shqip fjala turp të jetë pothuaj e padallueshme nga fjala trup. Dhe subjekti folës (që është dhe subjekti i turpit – cf. Agamben) joshet nga clinamen-i sovran i shenjuesve. A nuk është trupi një nga vendet, skenat, një nga rastet më të shpeshta të turpit – si te turpi i parë, ai i zbulimit të lakuriqësisë së trupit, që deri asokohe ishte natyrë e pafajësi ? A do të kishim turp po mos të kishim trup ? Më tej akoma, po të mos kishte (apo ishte ?) viktima këtë trup të dhunueshëm, të përdhunueshëm, të vrashëm, të (sh)përdorshëm, të shitshëm, të poshtërueshëm deri në pafundësi, s’do të kishte rast të binte viktimë, e as të zhytej kësisoj në turp – me trupin e rënë nga vend i jetimit në gjë të bartur, gjë-të-tjetrit.

Por, nuk është trupi që është turp, te tërë skenat më sipër. Është mohimi i tij, në shkallë të parë, të dytë, të tretë, dialektik apo i vrazhdë. Përkundrazi madje, afirmimi i trupit, afirmimi kolektiv, publik, kokëfortë i tij, është via regis e daljes definitive nga vorbulla e turpit. Një popull që afirmohet me trup, në shesh, nuk ka kurrë turp, edhe kur e vrasin, edhe kur trupat qëllojnë të bien. Por kur janë bashkë amà.

Në luftën e Kosovës, skena absolute (dhe absolutisht e errët) e mohimit të trupit, skena që vazhdon e ripërsëritet çdo ditë, sa herë që dështojmë të dëshmojmë vërtetësinë e faktit, tash e 20 vjet, honi i shqenësimit që është dhe « kundërshtimi radikal i çdo kundërshtimi të mundshëm të faktit », dëftesa e panegociueshme e gjenocidit në aktin e vet ontologjik fondamental, është ekzistenca e të zhdukurve. Qenia kokëfortë, dhe e pazgjidhur, e kësaj mosqenieje. Aty, te ky mohim radikal trupash (sepse trupi radikalisht i mohuar nuk është trupi i vrarë, as ai i torturuar e dhunuar, por trupi i zhdukur, i fshirë nga qenia), lidhet nyja (disa do thonë se bëhet komb) e një subjektivimi të ri, rreth figurës së një turpi radikal. Duhet të zhytemi në turpin e familjarëve të të pagjeturve, sepse aty turpi është kushtetues. Radikal do të thotë themelues, hiperbolik, si në rastin e Dekartit. « Ne nuk sjellim prova », por themelojmë subjektivitetin tonë, dhe trupa të rinj politikë, mbi këto themele paqena.

Për një çast, u duk se historia po kthehej me kokën lart. Vitin e kaluar, pak para 20-vjetorit të luftës (fillimit ose mbarimit të saj, çlirimit ose gjenocidit) rrugët e Tiranës u mbushën me trupat e paparë të studentëve, që dukej sikur, në kuptimin e mirë të fjalës, nuk e kishin njohur ndonjëherë turpin e prindërve të tyre, kukulur nën vetullat e rrudhura të qeverisë. Ogur i mirë. Së shpejti, për 20-vjetor, do rritej dhe sensibiliteti për viktimat e luftës, të vrarët, të dhunuarit e përdhunuarat, të djegurit, të mbijetuarit, të ikurit… dhe të zhdukurit. Koka e historisë dhe e jona do rrinte ende lart, teksa do mblidhnim me ngulm, me drojë, me takt dhe pa kënaqësi të dyshimtë, dëshmitë e panumërta, për t’ia thënë së pari vetes. Për të kundruar në to peizazhin tonë të brendshëm.

Por, ëndrra nuk zgjati : në vitin e 20-vjetorit, me një shtrëngim duarsh përmbi honin e të zhdukurve, në rrugët tashmë të zbrazura e vendin pa opozitë, Dodiku i Republika Srpska dhe Vuçiçi i Republikës së Serbisë u pritën zyrtarisht në Tiranë. Në vitin e 20-vjetorit, Haradinaj u thirr për herë të tretë në Hagë (sa herë e thirri Zoti Abrahamin ?), me gjasë për të dëshmuar edhe një herë vërtetësinë e faktit, si i akuzuar ! Konvertimi i ndyrë vazhdon ! Aty ku koha u duk se na premtonte trupa të rinj me bollëk dhe daljen nga tuneli i turpit të dëshmisë dështake, mbetëm sërish me mungesën e pazëshme të të zhdukurve dhe me turpin e thirrjes nën akuzë. Jo më : Provo ! por : Shfajësohu ! Historia e ktheu prapë kokën poshtë, si zakonisht. Dhe ne bashkë me të. Kështu, të paktën, nuk duket skuqja.

 

Skenë e tmerrshme : Fryma Objektive e Qytetërimit (FOQ-i) endet me sytë e fryrë kuturu nëpër Europë, duke cekur tek-tuk ndonjë popull, në tym :

– Po ti kush je more qerrata, se s’të shoh mirë ?

– Populli i Kosovës, Zonjë. Përshëndetje Zonjë !

– Ah, ti je viktima e fundit në Europë e një gjenocidi të mbetur pjesërisht në tentativë ?

– Hm, po Zonjë, po s’ka problem.

– S’ke turp !

 

(c) Orgest Azizi, Paris, korrik 2019

 


[1] Shih, Jean-Pierre Martin, Le livre des hontes, bot. Seuil, coll. Fiction & Cie, Paris, 2006.

[2] https://www.vetevendosje.org/category/rasti-i-10-shkurtit/

[3] https://www.youtube.com/watch?v=_bhdzv6Xv2Y

[4] https://rreth.wordpress.com/2014/03/13/vdis-vetem-per-me-u-tradhtue-ose-zef-pllumi-ne-lampeduza/

[5] Nuk mund të thellohemi këtu, por na duket se mungon një refleksion i thellë mbi filozofinë e arkivës, si dhe mbi filozofinë e turpit si parakushte për trajtimin e përvojës historike shqiptare. Ndërkohë që, të gjithë e dimë (ne, subjektet e turpit) se sa e turpshme është tërë afera e « dosjeve » në Shqipëri. Qoftë dhe vetëm për kaq… Një trajtim fillestar në shqip, të mbetur disi në stad embrionar dhe si premisë metodologjike për punën me arkivin « e diktaturës » e kam gjetur në esenë e Elidor Mëhillit : https://peizazhe.com/2016/06/03/arkivat-dhe-zhvarrosja-e-diktatures/

10 Komente

  1. Nga estë më të bukura filozofike që kam lexuar. Shkruar me nerv, mençuri e standard të lartë intelektual. Punë e tilla nuk të lënë indiferent, ndonëse është fjala për një fushë, ku pa fare turp, pranoj se jam amator i vjetër që në mungesë të literaturës përkatëse, lexoja dikur vëllimin e 34 (po qe se nuk gaboj) të veprave të Leninit, ku përmblidheshin fletoret e tij filozofike, e vetmja mundësi ku mund të mësoje diçka nga mendimi i filozofëve paramarksistë.
    Pra, i armatosur me këto fletore modeste mendoj se turpi është edhe çështje pikëvështrimi, kulture por edhe interpretimi.
    Pikëvështrimi, p.sh. në rastin kur pushtimin e Trojës (e di që shkova ca larg), në daç e paraqit si dëshirë të Menelaut për të larë turpin që i bëri ai pinjolli i Priamit duke i marrë nusen nga shtrati, në daç, dhe këtë e kam lexuar jo vetëm te filozofët marksist, si rezultat të zgjerimit e fuqizimit të qytet shteteve greke, që e shihnin si mundësi të vetme ekzistence ekspansionit e tyre. Si fillim luftërash imperialiste po deshët.

    Ajo që më tërhoqi më shumë vëmendje në këtë ese ishte neveria e thelle a autorit për një akt, atë të pritjes në Tiranë dhe shtrëngimin e duarve “mbi honin e të zhdukurve” me Dodikun e Republika Srpska dhe Vuçiçin Republikës së Serbisë.
    Eshtë një pikë për të cilën mund të flitet shumë, por nuk është rasti. Gjithsesi unë nuk besoj se Dodiku erdhi (shkoi) në Tiranë si përfaqësues i kriminelëve të njohur e të ndëshkuar në Hagë të Republika Serpska-s dhe as Vuçiçi si përfaqësues të klikës së Milosheviçit. Për mua, nëse kjo është e vërtetë, se nuk di shumë ç’bëhet andej, ky nuk është një akti turpshëm, por një akt vizioni perspektiv të politikës, në Ballkan, veçori aspak dalluese e asaj ane të Evropës, deri tani.

    Marrëdhëniet franko-gjermane na e ndriçojnë më mirë një akt të tillë. Në fillim të viteve ’60 De Gaulle priti kancelarin Konrad Adenauer, duke ngjallur zemërimin jo vetëm të popullit francez por edhe të shokëve të tij të luftës. Oradour-sur-Glane nxirrte akoma tym (autori me sa kuptoj jeton në Francë dhe e di se për çfarë po flas) dhe situata u bë aq e rëndë sa gjenerali u detyrua te mos e presë kancelarin në Elysée, pallatin presidencial, po në shtëpinë e tij private, në Colombey-les-deux-églises. Shtoj nga kujtesa ime, se kur e kam vizituar këtë shtëpi, aty kam mësuar se edhe shërbëtorët e familjes së tij, refuzuan t’i shtronin tryezën. Gjeneral, i thanë, po deshe që “bochi” të hajë këtu, servirja vetë pulën. Aq e madhe ishte urrejtja ndaj gjermanëve.
    Dhe tani imagjinoni gjithë atë gjeneral të gjatë, që ngrihet , pret pulën dhe i mbush pjatën kancelarit të Gjermanisë.
    E pra, sot të gjithë janë të mendimit se në rast se Evropa vazhdon të jetë në paqë dhe motori franko-gjerman është promotori i saj, kjo i detyrohet edhe asaj se gjenerali e “hëngri turpin me bukë” (mbase si garniture anash pules), por me kete hodhi urat e të ardhmes evropiane përtej çdo ndjenje turpi dhe urrejtjeje.
    Gjithsesi, i shpreh urimet e mia autorit të esesë. Se vetëm aty ku sheh se ka mendim, aty ke dëshirë të diskutosh.

  2. Nuk besoj asnje grime tek krahasimi franko-gjerman apo tek paqja ne Europe prej marreveshjes mes tyre. Paqja ne Europe ka qene çeshtje Amerike – B. Sovjetik gjate luftes se ftohte dhe çështje amerikane keto 30 vjet. Askush nuk ben dot lufte ne Perendim pa lejen e Amerikes, per faktin e thjeshte se Amerika do te percaktonte ne cdo rast fituesin. Nje nga kushtet qe Roma vendoste ne kohen e vet ishte qe humbesi nuk kishte te drejte te bente lufte pa lejen e Romes.
    Vendet e Natos e kane humbur ne thelb sovranitetin per shpalljen e luftes ne Europe. Askush nuk shpall dot lufte pa lejen e Amerikes.

    Marredheniet mes shqiptareve dhe serbeve apo shqeve kufitare jane si marredheniet mes dy paleve qe kane mbivendosje tokash e kane 25 vjet gjyqeve pa zgjidhur gje.
    Shqiptaret, me perjashtim te te pakteve qe duhen per syrin e keq, besojne se shqete jane emigrante ne tokat e te pareve. Shqete na ana e tyre kane bere çdo perpjekje te mundshme qe bota te besoje se shqiptaret jane emigrante ne tokat e shqeve.
    Kosova nuk eshte Alsase-Lorena, por vetem nje hallke ne zinxhirin e mbivendosjes se tokave,

    Perplasja shqiptaro-shqeje nuk ka te beje me çështje hegjemonie e kufiri te mbrojtshem si ajo franko-gjermane, por ka te beje me diçka shume konkrete si toka e bukes dhe burimi i ujit dhe me vetedijet kombetare perkatese.
    Per ate franko-gjermane mjafton Amerika qe u heq hegjemonine dhe nevojen e nje kufiri te mbrojtshem, kurse per ate shqiptaro-shqeje duhen shkaterruar vetedijet kombetare perkatese, duhet gjetur nje formule per mbivendosjen dhe duhet rritur mireqenia e popujve . Pra eshte nje mision i pamundur.

    Persa i takon turpit, shqiptaret e kane ngrene turpin me buke dhe goten me vere prapa, sa here qe eshte paraqitur nevoja. Per fat te keq, jemi mesuar me nje histori masakrash, spastrimesh etnike e asimilimesh: jemi plot me muhaxhire, podgoriçane, çamë, kosovare e dibrane, me çame ortodokse e arvanite te asimiluar, me 100 mije a me shume shqiptare ortodokse te maqedonizuar, me nje numer edhe me te madh shqiptaresh te bosnjakezuar ne Sanxhak e Mal te Zi, saqe ka material per te ndertuar edhe nje enciklopedi te masakrave, spastrimeve etnike dhe asimilimeve.
    Ska njeri turp jo, as filozofikisht nuk ka njeri turp, na eshte trashur cipa.

  3. “Kosova nuk eshte Alsase-Lorena, por vetem nje hallke ne zinxhirin e mbivendosjes se tokave,”… Kete ne fakt nuk e thashe as une. Por kam pershtypjen se as autori nuk e sjell problemin ne kete prizem, çfare eshte e imja dhe çfare e jotja. Behet nje prerje pas nje masakre qe ka ndodhur (lufta ne ish Jugosllavi) dhe cili eshte roli i pushtetarve pas kesaj, çfare te ardhme u ofrojne popujve te tyre. Une rastin franko gjerman,nuk e solla dhe as nuk e diskutonte njeri per territoret e Alzase-Lorens, por çfare te ardhme kane keto dy popuj pas asaj masakre qe kishte ndodhur. Ketu, ne kete veshtrim rasti Ballkanik afrohet si dy pika uji me me ate franko-gjerman.
    Per mua, nuk druaj te them (edhe pse nuk e dija rastin e vizites qe permendet ne ese), politika e krereve ballkanike ne kete rast ka qene me vizion dhe ne lartesine e duhur. Mendoj se politika ka per qellim te ngrihet mbi kete sofren e”turpit” dhe te ofroje zgjidhje te pamundura, aty ku te tjeret shohin vetem zjarr e gjak.

    1. Se çfare thote ne thelb autori, kam pershtypjen se jam nga te paktet qe e ka kuptuar. Kjo ese filozofike duket si e porositur nga Vetevendosja, sepse hedh uje ne teorine e re te Vetendosjes per ta kthyer çështjen kombetare ne çështje te te drejtave te njeriut. Pas 100 vjetesh qe pala legaliste e shihte zgjidhjen tek e drejta nderkombetare, tashme po perpunohet prej gjenive te Vetevendosjes teoria e legalitetit brenda te drejtave te njeriut.
      Eshte edhe qesharake ne fakt qe Vetevendosje te buroje nga legaliteti nderkombetar i te drejtes se popujve per sovranitet, pra vetevendosja e popujve dhe tashme te kaloje ne qasje humaniste. Me mire ti ndryshojne emrin partise, ta kthejne ne Bashkimi per te Drejtat e Njeriut, ose PBDNJ Kosove.

      Po te perpiqem mund edhe te bej nje replike me natyre filozofike, po nuk kam nerva per sterhollime dhe çeplendisje intelektuale.

      Politikanet nuk kane per detyre te ofrojne zgjidhje te pamundura, por zgjidhje te mundshme, zgjidhje qe kane gjasa teorike te ndodhin gjate nje mandati qeverises ose te pakten gjate jetes se tyre. Utopite i ofrojne intelektualet, politikanet zakonisht i perdorin per qellime praktike te politikes se dites.

      E dime shume mire se as Vucici, as Rama e as dreqi me te birin, nuk kane ndonje plan praktik per ndonje zgjidhje afatgjate te problemit, ulen e perrallisin qe ti bejne qejfin Brukselit, i cili nga ana e tij nuk ka asnje plan praktik per zgjidhje afatgjate te problemit, po i hedh barren e moszgjerimit ne Ballkan politikaneve ballkanike, qe ta terezisin ata nje zgjidhje dhe pastaj krahperkrah dhe lumturisht te ulen ne poltronat e Brukselit, i cili shperndan lumturine europiane.

      Si gjithnje ata mashtrojne, te mashtruarit duartrokasin, asgje e re nga fronti i perendimit.

      Mirepo problemi nuk mbulohet nga gjethja europianiste e fikut dhe as nuk zgjidhet brenda kuadrit te te drejtave te njeriut, se ta zeme minimalisht ne Greqi qe eshte shtet i BE-se, shqiptaret ortodokse duhet te kishin te drejte te njiheshin si pakica, perkatesisht çamet e lebrit ortodokse ( ne baze nendialekti te toskerishtes) do te ishin pakica te mirefillta etnike ne Epir, ndersa arvaniteve tu njihej e drejta si pakice etno-gjuhesore ( ne baze nedialekti te toskerishtes).

      Prandaj une si realist e kam te veshtire te pertyp gjera te tilla edhe kur thuhen bukur. Duhen fakte, jo sterhollime, se kjo nuk eshte çeshtje shkolle filozofike dhe as katedrash universitare.

  4. D.I.me dole jashte fushe ketu me kete Vetvendosjen. Jo se nuk e kam ndeshur aty ketu kete emer, por qe te kuptoj se çfare eshte, cfare perfaqeson dhe nese ka pika te aferta a te largeta me idete qe shpreh Orgest Azizi, ne esene ne fjale, kjo gati me krijon ate gjenden shpirterore te atyre te djelave kur na ngrinin te shkonim per ujitje ullinjsh rreze Dajtit Me nje fjale, sikur te kishim mundesi t’i kalonim anash, do ta benim me qejf.

      1. Me polli belaja si i thone dhe u desh ta kerkoja autorin ne google, se po filloja te dyshoja te vetja.
        Urdhero
        http://www.gazetadita.al/thirrja-e-29-intelektualeve-nga-shqiperia-per-kosoven-votoni-vetevendosjen-jemi-me-ju/

        Mes emrave i Orgest Azizit dhe Krenar Zejnos, pa harruar Ferajn e Sulstaroven qe jane shefat e sotem te VV Tirane.
        Po ashtu gjendet edhe nje video ku autori ka dhene leksion per shkollen e VV-se apo pjesemarrje ne seminar te organizuar nga VV-ja.

        Ne pergjithesi nuk me eshte e nevojshme te kerkoj autoret ne google, sepse me mjaftojne pak fjali te lexuara per ta kategorizuar.

        1. Me sa kuptova nga ajo qe pashe ketu e pak te tutje, te lene pershtypjen se jane diçka midis Zhizhekut dhe Sheshelit (ne origjine edhe ky jepte leksione shkencash poitike), por disi te holluar me uje dhe ne nivel xhepi per nga formati. Sot, keta (dhe se ç’qënka nje Organizate ne Tirane) te bejne te qeshesh (edhe pse me zor sepse jane déjà vu), por duke luajtur me ca akorde te veçanta, te tilla ide ne vitet ’20 te shekullit te shkuar tingellonin si çlirimtare dhe u bene matrica e asaj çka kishte prodhur me te keqe mendja njerzore.

        2. Neomarksizmi ne Europe eshte trendy ose cool ne fakultetet e filozofise dhe deri diku sociologjise. Duket se ka zene rrenje edhe ne mjediset akademike ne Shqiperi, si trashegimi e nacional-komunizmit. Teza ne fjale eshte dinake, do i jepja 9+ ne dinakeri, sepse eshte zhvillim i konceptit te bashkimit te shqiptareve ne BE, faljes se gjaqeve, te drejtat e njeriut, per nje ballkan ne paqe e harmoni. Kete mund ta kishin zhvilluar ata te shkolles liberale qe ne vitet 90 ose te pakten pas lufterave ne Kosove e Maqedoni, se tingellon si e tyrja. Meqe teza ngeli jetime e kane marre neomarksistet e VV-se dhe po e zhvillojne. Keta te VV Tirane me siguri do bejne nje parti qe do sherbeje si paterice e Rames, nese do i duhet, si ata te Organizates dje dhe sot, por nderkohe po shohin edhe per forcimin e simpatise ne rrethe te caktuara shoqerise civile, te cilat ndryshe nga te tjera syresh, nuk e shohin Kosoven sikur te jete diku afer Afganistanit. Megjithate, heperhe eshte dicka trendy e cool ne mjedise akademike, e pademshme, perpos per dijen filozofike e sociale. Po perditesohet Instituti marksist-leninist i Nexhmijes. Gjithsesi besoj se vendi ka nevoje edhe per nje parti etike te liberaleve edhe per nje parti Vetevendosja Tirane.

Lini një Përgjigje

Këtë e pëlqejnë %d blogues: