LENINI STATUJË E GJALLË

Këto ditë kur u kujtua – dhe nga disa u kremtua – 100-vjetori i vdekjes së Leninit, pakkush e përmendi edhe një 100-vjetor tjetër, të pandashëm nga i pari: atë të “balsamimit” të mbetjeve trupore të liderit të revolucionit të Tetorit, me synim ekspozimin e tyre në një hapësirë publike të posaçme: mauzoleun e Leninit.

Aleksej Jurchak, i cili i ka kushtuar disa punime të veçanta atij eventi dhe reperkusioneve të tij, citon një deputet të Dumës ruse të tanishme, i cili pat pyetur se çfarë dhe sa ka mbetur pikërisht nga trupi, tek objekti që u tregohet vizitorëve: sa, në kuptimin sa për qind. Ai deputeti pat thënë diçka si dhjetë për qind; disa kalkulime të tjera e ngrenë përqindjen në shtatëmbëdhjetë – por kjo prapë nuk arrin ta largojë nga mendja krahasimin me anijen e Tezeut.

Fakt është që diçka po ruhet që prej një shekulli në zemër të Rusisë; diçka që njerëzit, duke shkurtuar shumë qarqe të gjuhës dhe të arsyes, vazhdojnë ta quajnë “Lenini”.

Që para se lideri të vdiste, gjatë muajve kur u kuptua qartë se dita fatale po afrohej, çështja se si do të veprohej jo vetëm me trupin e të vdekurit, por edhe me eventin e vdekjes së tij, u bë e rendit të ditës, për regjimin bolshevik; që, në çdo rast, nuk ishte gati – madje as ideologjikisht – që të përballej me këtë lloj sfide.

Si mund të ndahej me sa më pak dëm e pasojë vdekja biologjike e Leninit, nga mbijetesa e pushtetit sovjetik, që ishte identifikuar me të?

Studiuesja Nina Tumarkin shkruan se idesë së pavdekësisë së Leninit i duhej gjetur vend brenda leninizmit, dhe më gjerë, marksizmit – dhe se, të paktën në fillim, pavdekësia kolektive (“Lenini rron mes nesh”) i bënte jehonë deifikimit të njerëzimit kolektiv, të kremtuar prej zot-ndërtuesve bolshevikë.

Por, në kontekstin social të Rusisë, kësaj pavdekësie i duhej të bënte llogaritë me fenë ortodokse si të tillë, por edhe të përthyer në mendësinë popullore – në trajtën e dualitetit mes njeriut Iliç dhe të pavdekshmit Lenin, një njëfarësoj rimerrte dualitetin tradicional mes Jesuit dhe Krishtit.

Kur bashkëpunëtorët e Leninit, përfshi këtu edhe Stalinin dhe Trockin, e diskutuan mes tyre se çfarë do të bënin dhe si do të reagonin ndaj vdekjes së njeriut që i kish mbledhur bashkë, Stalini – që vinte nga një kulturë seminariste-ortodokse – u pat shprehur në favor të ruajtjes së trupit, duke thënë se kjo përkonte me besimin tradicional të popullit rus, dhe raportin tradicional me trupat e shenjtëve, që “nuk prishen”; dhe ashtu ndjenjat fetare të rusëve do të kanalizoheshin drejt mbështetjes së regjimit të ri.

Trocki, nga ana e vet, e quante balsamimin “delir kripto-fetar”, dhe ishte kategorikisht kundër. Që ky qëndrim ishte në minorancë, këtë mbase edhe e dëshmoi ajo që Trockin u kujdesën që ta mbajtën larg ceremonive dhe riteve që shoqëruan vdekjen.

Edhe Krupskaja, e shoqja e Leninit, ishte kategorikisht kundër idesë që trupi i liderit bolshevik të ruhej për t’iu treguar “masave punonjëse” në amshim.

Mes arsyeve që çuan te vendimi i pazakonshëm, për ta ruajtur kufomën mbi dhé, Tumarkin përmend traditën popullore ruse-ortodokse për trupat e njerëzve të shenjtë dhe raportin e tyre me besimtarët; ndikimin, mes liderëve bolshevikë, të filozofisë së çështjes së përbashkët (Filosofiya Obshchago Dela) të teologut dhe filozofit Nikolai Fjodorov, që e kërkonte shëlbimin e njeriut te ringjallja fizike e mishit; dhe peshën në vendim-marrje të Zot-ndërtuesve, mes të cilëve veçanërisht lideri bolshevik Leonid Krasin, që e mbështeti më fort se të tjerët projektin.

Çuditërisht, ndikim të fortë në vendim – të paktën psikologjik – pati edhe zbulimi aksidental në Egjipt, para diçka më tepër se një viti, i varrit të faraonit Tutankhamen dhe, në veçanti, i mumjes së tij të ruajtur mrekullisht për mijëra vjet.

Nga ana tjetër, në mënyrë të pavarur nga diskutimet sekrete mes kupolës bolshevike, administrata në Kremlin filloi të përgatitej fill pas vdekjes së Leninit për varrimin e tij rutinë; dhe me atë rast, dr. Abrikosovi, që ishte në krye të punëve, e balsamosi trupin sipas rregullave, duke ia hequr organet e brendshme, për ta ruajtur vetëm 6 ditët e nevojshme. Më pas, u mor një vendim tjetër, për ta shtyrë afatin e ruajtjes në 40 ditë – disa studiuesve nuk u ka shpëtuar domethënia e këtij afati të dytë, brenda ritualit ortodoks të vdekjes. Është shkruar se Abrikosovi kish shprehur shqetësimin se mos autopsia standard, e ndërmarrë prej tij në kuadrin e përgatitjeve për varrim, do ta dëmtonte në mos komprometonte krejt projektin e ruajtjes afatgjatë.

I ftuar që në krye për të dhënë mendime për fatin e kufomës, Krasini propozoi që trupin ta ngrinin – me shpresën se një ditë shkenca do të ishte në gjendje që ta ringjallte Leninin fizikisht. Kjo mundësi e ringjalljes nuk duhet parë si thjesht produkt i imagjinatës tejet produktive të një bolsheviku – prej kohësh në vetëdijen kolektive të klasës intelektuale ruse qarkullonte ideja e mundësisë reale për ringjalljen e të vdekurve.

Nëse Dostojevski e besonte këtë me zemër, të tjerë e kishin vënë në themel të një doktrine gjysmë-mistike, që më pas do të dominonte shkencën sovjetike gjatë shekullit XX: kozmizmit.

Te kozmizmi do të kthehem në pjesën e dytë të kësaj eseje.

Ata që e vendosën që Lenini të “balsamosej”, ende nuk e kishin të qartë teknologjinë që do të përdorej për ta ruajtur trupin; por dijetarët, që e morën përsipër ta realizojnë ruajtjen, nuk është se synonin përgatitjen e trupit si relike shenjti, dhe as mumifikimin.

Grupi i punës që do të mirëmbante trupin e Leninit në vite u quajt “Komisioni për përjetësimin e kujtimit të Leninit” – në rusishte, Komissiia po uvekovecheniiu. Jurçaku vëren se rusishtja uvekovechenie do të thotë, literalisht, “mbajtja prezent për shekujt e ardhshëm” dhe nuk i referohet, as tërthorazi, ndonjë “pavdekësie”; kundrejt anglishtes immortalization, ai parapëlqen termin eternalization, që mund ta japim në shqip si përjetësim.

Jurçaku kujdeset ta vëjë në dukje që, me kalimin e viteve, u bë kujdes i madh që të konservohej jo aq trupi fizik, si përbërje qelizore autentike, sa forma e trupit, të cilën anatomo-patologu rus Lopukhin e ka quajtur “statujë e gjallë”. Me filozofin frëng Michael Serres do të thoshim: trupi si statujë, ose statuja e trupit.

Jurçaku gjen ngjashmëri me praktikën – e njohur në historinë e monarkëve të Europës Perëndimore – për të ndërtuar shembëlltyra (effigies) të mbretërve dhe fisnikëve të tjerë të vdekur, si kopje relativisht të sakta të trupave përkatës. Këto shembëlltyra, të cilat i sajonin me dru, dyllë, allçi dhe kashtë, dhe i vishnin me rroba autentike, nuk e kishin dhe as e synonin soliditetin e statujave, por vetëm pretendonin ngjashmërinë: fytyrat e tyre nuk ishin veçse maskat që u merreshin të vdekurve.

Funksioni që ka shembëlltyra, gjatë ritualeve që shoqërojnë dhe sanksionojnë ndarjen me të vdekurin, është që të jetë mëkëmbëse e kufomës; shndërrimi i trupit të Leninit, në shembëlltyrë të liderit, kishte edhe ai funksion që ta përfaqësonte liderin, si kryefjalë të fjalisë: Lenini nuk vdes kurrë – ose si simbol i përjetësisë.

Nëse virtyti i shembëlltyrës në Mesjetë ishte që të mos “prishej” derisa trupi i të vdekurit të kallej në dhe, trupi i Leninit, i përgatitur dhe i trajtuar shkencërisht, do ta përmbushte këtë rol ai vetë, duke u dyzuar.

Në fakt, që prej vdekjes së Leninit në 1924, një ekip specialistësh me burime të mëdha materiale dhe njerëzore në dispozicion, ka punuar pa ndërprerje, për ta “mbajtur gjallë” trupin e Leninit – një lojë fjalësh, që mund të shërbejë si hyrje në argumentin e kufirit që ndan jetën nga jo-jeta, në rrethana të tilla.

Arkivat e Laboratorit të Mauzoleut (sot i njohur si “Qendra për kërkimin shkencor dhe metodat mësimore në teknologjitë biokimike”), që është marrë me mirëmbajtjen e trupit dhe përgatitjen e tij pothuajse të përditshme për ekspozim, dëshmojnë se një pjesë e madhe e indeve biologjike origjinale janë zëvendësuar, dora-dorës, me materiale të tjera, më të përshtatshme për të siguruar “freskinë” e pamjes.

Jurçak, që ka shfletuar raportet teknike të atij instituti, vëren se atje flitet deri edhe për “sëmundje” të trupit të ruajtur; çfarë parakupton – dhe jo krejt metaforikisht – një farë jete që ka vazhduar përbri vdekjes.

Ndryshe nga ç’ndodh rëndom me reliket, përfshi këtu ato të shenjtëve por jo vetëm, e rëndësishme për autoritetet sovjetike ishte mbijetesa e formës së Leninit, që do të shërbente – në rrjedhë të viteve – si enë ku të ruhej trashëgimia e tij e pavdekshme. Për Jurçakun, kjo trashëgimi e pavdekshme nuk ishte veçse Partia.

Prandaj edhe ajo që ndodhi me trupin e Leninit nuk mund dhe nuk duhet të ndahet, nga produksioni ideologjik që i parapriu dhe e shoqëroi Revolucionin e Tetorit, deri në “mumifikimin” e tij prej Stalinit.

Përmenda më lart se një nga bolshevikët e kupolës, Leonid Krasini, kish sugjeruar që trupin e liderit ta ngrinin në akull, në pritje që mjekësia – në të ardhmen – të gjente rrugën për ta kthyer në jetë. Krasini njihej si god-builder, ithtar i një ideologjie (богостроительство) të përqafuar nga disa prej bolshevikëve të hershëm dhe që mbështeste krijimin e një feje të re, të themeluar mbi botëkuptimin komunist, të pajtueshëm me shkencën.

Veç Krasinit, edhe Lunaçarski, Bogdanovi dhe Gorki e simpatizonin “zot-ndërtimin”; por Lenini iu kundërvu këtyre me vendosmëri të madhe.

Zot-ndërtuesit kishin pika takimi me kozmistët – ithtarët e Nikolai Fjodorovit, i cili besonte se esenca e thellë e krishterimit është bashkimi i të gjallëve me të vdekurit në liturgji; dhe se vetëm nëpërmjet ringjalljes (fizike) do të mund të realizohet vëllazërimi i vërtetë i krishterë.

Fjodorovi kish shkruar: “toka është e përbërë nga hiri i të parëve tanë, dhe do të shërbejë si material për ringjalljen.”

Edhe Leonid Krasini, ai që në krye këshilloi krio-preservimin (ruajtjen me ngrirje) të trupit të Leninit, pat thënë në një fjalim mortor në 1921: “jam i sigurt se do të vijë një ditë kur, duke u nisur nga elementet e jetës së një personi, ky do të mund të (ri)krijohet fizikisht. Dhe ashtu njerëzimi… do të mund të ringjallë personazhet historike që kanë luftuar për çlirimin e tij.”

Në fakt, kur e pa se propozimi i tij për ruajtjen e Leninit në temperatura nën zero nuk u mbështet prej kolegëve, Krasini sugjeroi që ai të paktën të mbahej i zhytur në një lëng të posaçëm – duke rindërtuar, simbolikisht, habitatin e fëmijës së palindur, në lëng amniotik.

Njëfarësoj, ky sugjerim i dytë u realizua; aq sa ruajtja e trupit të Leninit, më shumë në kohë se në materialitet, dhe nga një transformim biokimik në tjetrin, u mundësua vetëm nga përdorimi i këtyre “lëngjeve” (glicerinë, kolagjen, acide yndyrore) që e mbajtën “gjallë” imazhin biologjik të Leninit, edhe pasi atje pushoi së vepruari çdo lloj metabolizmi.

Në thelb e kundërt me teknologjinë e prodhimit dhe të ruajtjes së relikeve (fetare), arritja e shkencës sovjetike, për ta mbajtur trupin e liderit në dispozicion të masave punonjëse ishte një lloj fitoreje me rëndësi të jashtëzakonshme e kozmistëve – ose të gjithë atyre që besonin se lufta kundër vdekjes tashmë kish hyrë në një fazë të re, të shënjuar nga optimizmi.

Nëse Lenini nuk e siguroi dot përjetësinë fizikisht, të paktën trupi i tij i “mbijetoi” vdekjes dhe vazhdon, sot e kësaj dite, një lloj “jete” të vetën sado të dobët.

Natyrisht, në bodrumet e fshehta të mauzoleut ka dhoma ku ekspertët vijnë në kontakt me trupin e Leninit në lakuriqësinë e tij vdekëtare – sa kohë që e pastrojnë, ia meremetojnë lëkurën me procedura kozmetike të stërholluara, ia mbajnë kyçet të lëvizshme dhe të përkulshme, i ndërrojnë rrobat me të reja dhe ia lyejnë pjesët e dukshme të fytyrës dhe të duarve me kremra fotozhenike; këta nuk janë veçse personeli punonjës i një spektakli të pamjes, i cili përndryshe konsumohet në sallën kryesore të ndërtesës.

Tek e fundit, edhe me liderët gjallë e shëndoshë, populli – të paktën në regjimet totalitare – nuk merrte dot kontakt tjetër me ta, përtej pamjes; e cila, edhe si pamje, shpesh ndërmjetësohej nga sozitë, fotografitë, pllakatet, pikturat, skulpturat, riprodhimi i zërit dhe pastaj i fytyrës në radio në film dhe në TV, dhe sot nga deep fake-s të inteligjencës artificiale. Të paktën Lenini në mauzole nuk pretendon pavdekësinë, por vetëm përjetësinë – duke i kumtuar çdo vizitori të njëjtin mesazh elementar: “ja ku jam, edhe i vdekur edhe i gjallë.”

(vijon këtu)

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Shënim: Imazhi në kopertinë është krijuar me Midjourney.


Bibliografi:

Nina Tumarkin, Lenin Lives! The Lenin Cult in Soviet Russia, Harvard University Press, 1983.

John Gray, The Immortalization Commission: Science and the Strange Quest to Cheat Death, Farrar, Straus and Giroux, 2012.

Michel Eltchaninoff, Lenin ha camminato sulla Luna, La folle storia dei cosmisti e dei transumanisti russi, Treccani 2023.

Anya Bernstein, The Future of Immortality, Princeton University Press, 2019.

Alexei Yurchak, “Bodies of Lenin: The Hidden Science of Communist Sovereignty”, Representations, Vol. 129, No. 1 (Winter 2015), ff. 116-157.

Alexei Yurchak, “Communist Proteins: Lenin’s Skin, Astrobiology, and the Origin of Life”, Kritika Vol. 20, Issue 4.

Alexei Yurchak, Нетленность формы. Ленинизм и материальноcтьмавзолейного тела, Academia.edu.

Ilya Zbarsky, Samuel Hutchinson, Lenin’s Embalmers, Harvill Pr. 1999.

Nikolai Krementsov. Revolutionary Experiments: The Quest for Immortality in Bolshevik Science and Fiction Oxford/New York: Oxford University Press, 2014.

Michel Serres, Statues: The Second Book of Foundations, Bloomsbury Academic, 2015.

 

1 Koment

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin