Vëzhgime të dukurive gjuhësore në tekstet e gjuhës dhe letërsisë në vitet `70
nga Natasha Shuteriqi Poroçani
Së pari, duhet të pohojmë se në ndryshim nga vitet paraardhëse, në tekstet e gjuhës dhe letërsisë së kësaj periudhe çdo material është shkruar duke respektuar krejtësisht normën letrare.
Standardi bëhet objekt i punës kërkim ore modeste të nxënësit. Aftësimi i tij në saktësinë e përdorimit sintaksor të fjalisë, trajtohet e thellohet më shumë në kapituj të cilët përfshijnë mirëfilli Shenjat e pikësimit. Shenjat e pikësimit duke qenë mjete të rëndësishme të gjuhës së shkruar të normuar, trajtohen gjerësisht, mbështetur, sidomos te intonacioni.
Lexoni me intonacionin e duhur fjalitë dhe vini në dukje ç’shenjë pikësimi ka në fund të tyre; ç’lloj fjalish janë sipas synimit të thënies.
1. Le të buçasë në Kongresin tuaj zëri i vajzave tona luftëtare, le të shprehen fuqishëm mendimi dhe vendosmëria e tyre për të çuar përpara çështjen e re4volucionit dhe ndërtimit tonë socialist! 7. -Ç’ke në këtë valixhe kaq te rëndë?-e pyeti Skënderi-Libra.-Libra, hë! (Gjuha II, Ushtrimi 215, f. 211).
Përdorimi i shenjave të pikësimit lidhet gramatikisht me kuptimin. Mungesa e shenjave të pikësimit në një fjali mund ta bëjë të paqartë kuptimin e fjalisë, ose më keq akoma mund ta ndryshojë atë. (po aty, f. 207). Kjo zgjedhje metodike synon kompetencën e përdorimit të tyre dhe saktëson njohuri mbi karakterin e përgjithshëm dhe të detyrueshëm të shenjave të pikësimit për këdo që shkruan. Kjo vëmendje reflektohet edhe te detyrat e shtëpisë, në të cilat ushtrimet me karakter krijues, synojnë nxitjen e interesit të nxënësve për të bërë vëzhgime e korrigjime gjuhësore në tekstet shkollore që përdorin, në të gjitha shkrimet që afishohen në shkollë, për gjuhën që përdoret nga vetë nxënësit e mësuesit në procesin mësimor etj.[i]
Vëzhgime në tekstin Letërsia e huaj (pjesa e parë)
Nga tekstet e letërsisë, i vetmi që mund të përcaktohet si burim i strukturave që synojnë të realizojnë kërkesa disi gjuhësore, është Letërsia e huaj (pjesa e parë)[ii] në të cilin, analizat gjuhësore përfshihen në rubrikën Studim teksti dhe detyra. Kjo rubrikë është një lloj i veçantë i aparatit pedagogjik, ku ushtrimet me gojë e me shkrim përqendrohen deri diku në integrimin e pyetjeve të gjuhës me të letërsisë. Me synimin se sa dhe në ç’mënyrë këto rubrika i qasen kategorive themelore që e aftësojnë nxënësin si përdorues i saktë i gjuhës, gjykojmë që nuk ka një plan të studiuar për të përcaktuar shkencërisht këtë integrim, për ta parë gjuhën si pjesë të letërsisë. Për më tepër politizimi i skajshëm i teksteve e ka shmangur vëmendjen nga ky objektiv i rëndësishëm.
Proces i të folurit në tekste ka më shumë karakteristika të tipit të përshkrimit objektiv, në ndonjë rast edhe krahasues:
Pasi të keni lexuar fragmentin e romanit “Nëna”,”Pavli në gjyq”, bëni një krahasim të dy shkrimtarëve: Maksim Gorki dhe Xhek London dhe personazheve të tyre: Pavël Vllasovit dhe Ernest Everhardit ( Letërsia e huaj, pyetja 4, f. 282).
Si pjesë e procesit të të folurit janë edhe kërkesat që i referohen ritregimit dhe përmbledhjes. Ritregimi është riprodhim objektiv duke iu përmbajtur fjalorit të personazhit:
Tregoni gjatë kësaj skene se zemërimi, mëria e Akilit është barbare (Letërsia e huaj, pyetja 6, f. 32).
Kërkesat e rubrikave që lidhen me të folurit këmbëngulin më shumë te evidentimi i dukurive letrare.
Për sa i përket përmbledhjes, si një nga instrumentet që lidhet jo vetëm me përdorimin e gjuhës, por sidomos me të kuptuarit, e gjemë tepër të cunguar.
Tregoni forcën dhe vërtetësinë jetësore të këtij përgjithësimi artistik që i ka bërë Bajroni Shqipërisë nëpërmjet fjalëve të heroit të tij [(v10-18) Letërsia e huaj, pyetja 1, f. 177]
Edhe në ato raste kur kërkohet një përmbledhje e mirëfilltë, ajo nuk përqendrohet te pikat kyçe të pjesës dhe te mjetet gjuhësore që do aktivizohen për realizimin e saj (si koherenca apo elemente të kohezionit), por thjeshtëzohet në fjali përmbledhëse për secilin nga pikat kompozicionale:
Dalloni katër momentet kryesore të pjesës dhe tregoni në mënyrë të përmbledhur se si në çdonjërin prej tyre Balzaku nënvizon karakterin e urryer të Grandesë duke vënë përballë sjelljen e Grandesë me atë të personazheve të tjera. (Letërsia e huaj, pyetja 1, f. 228)
Elementet të analizës së tekstit (Thënia, kuptimi, interpretimi)
Këto elemente bazë të komentit letrar, janë lidhje e drejtpërdrejtë më gjuhën e teksteve. Në procesin mësimor komenti letrar bëhej nga mësuesi i cili kombinonte pyetjet e teksteve me interpretime subjektive. Në disa prej kërkesave të fragmenteve kërkohet nga nxënësi interpretim i thënieve duke e lidhur atë me përmbajtjen e veprës apo me kontekstin letrar e gjuhësor të saj. P.sh.:
Ç’kuptojmë me fjalët: “…Këtë rrobë të ndriçme duhet ta mbajmë tani? Ç’tregon përgjigj e Makbethit: “Po ne na daltë keq?” Ç’kuptojmë me fjalët:” Do ta kesh atë që e quan stoli të jetës” V51-54 (Letërsia e huaj, pyetja3/5/9, f. 54).
Thënia është më shumë në fokus të aparatit pedagogjik. Vërehen tentativa për ta parë si produkt të kontekstit bisedimor:
Ç’kuptim ka shprehja: Ç’u bë nuk zhbëhet dot.”? (f. 64). Në ç’pjesë të tragjedisë Makbethi përsërit gati të njëjtin mendim? (Letërsia e huaj, pyetja 7/8, f. 82).
Nuk mungojnë edhe sqarimet e poshtëshënuara në fragmente të cilat qartësojnë kryesisht kontekstin për ta bërë më të qartë kuptimin e frazës: “….Fjalën “s’është gjë” ne e kemi nënvizuar edhe më parë. Kjo fjalë që përsëritet kaq shpesh të kujton atë “pa prikë” në gojën e koprracit të Molierit, Harpagonit. Në komedi ky automatizëm quhet me emrin përsëritje e komikes.( Letërsia e huaj, f. 225).
Analiza e thënies është vështruar skematikisht e lidhur me idenë. Duket sikur kërkesa e kufizon interpretimin e lirë të nxënësit, po e çon atë drejt asaj skeme interpretimi të parapërgatitur nga testi:
Pse thotë Balzaku për koprracin…”edhe vdekja e këtij njeriu u përputh pikë për pikë me jetën e tij?”. Vini re forcën e epitetit “I babëzitur”. Përse e thërret Grandeja të bijën kur po jep shpirt? (Letërsia e huaj, pyetja 3, f. 239)
Gjuha është vënë krejtësisht në shërbim të letërsisë dhe jo të aftësimit të nxënësit si një shqipfolës i formave të bukura të të shprehurit, ku bën pjesë edhe gjuha e tekstit letrar.
Gjuha e tekstit si mjeti themelor i ndërtimit të figurave stilistikore.
Nëse ka një hapësirë ku mund të flitet gjerë për prani të ngjyrimit kuptimor si bartës i një kuptimi të veçantë në tekst, ky është trajtimi i figurave letrare dhe kuptimeve të posaçme që ato marrin në kontekste të caktuara. Në tekstin që ne po shqyrtojmë e gjejmë në çdo rubrikë që analizon fragmentin. Studimi i tekstit varion nga katër deri në dymbëdhjetë kërkesa, ku dy prej tyre i referohen figurave të stilistikës.
Frazeologjitë, duke qenë të ngarkuara me kuptimin e situatës shpesh vendosen në qendër të studimit. Gjeni frazeologjitë e përdoruara në këtë skenë dhe tregoni si tingëllojnë ato në gojën e personazheve. Çfarë na zbulojnë këto frazeologji? (Letërsia e huaj, pyetja 6, f. 108).
Gama e figurave të stilistikës trajtohet bashkë me kuptimin që ato fitojnë dhe përçojnë në kontekstin ku përdoren. Ç’rol luajnë elementet fantastike, hiperbolizmat në paraqitjen e njerëzve dhe të ndjenjave të tyre? (Letërsia e huaj, pyetja 18, f. 66)
Më vonë, pas viteve ’90 këto instrumente metodike do të zgjerohen, por në këtë fazë ky tip aparati ishte i thatë dhe zbatim mekanik i njohurive kryesisht letrare, të marra në mësimet përkatëse.
Teksti i Teorisë së e letërsisë[iii] dhe raporti i tij me mjetet gjuhësore
Paraprakisht duhet të pohojmë se “Teoria e letërsisë”, krahasuar me tekstet e mëparshme shton një kapitull të tërë, i cili paracakton frymën ideologjike të saj. Është fjala për kapitullin Letërsia si formë e ideologjisë dhe si art i fjalës. (f. 3-46)
Në përmbajtjen e tij, kapitulli Figurat letrare dhe figurat poetike (f. 47-68) i trajton të gjitha figurat letrare njëra pas tjetrës pa i grupuar ato, në ndryshim nga teksti i viteve ’80-të, i cili i grupon sipas kritereve të përcaktuara figurat e stilistikës.
Kapitulli Njohuri për vjershërimin (f. 69-99) është i detajuar, ndryshe nga teksti i viteve ’80-të i cili është më i koncentruar, duke pasur në vëmendje ilustrimin kryesisht, përballë teorisë. Gjithashtu ai i ka shmangur ngarkesat e tepërta me informacion që paraqet ky tekst.
Këtu kemi informacione që shkojnë përtej interesave dhe synimit të vetë lëndës. p.sh. trajtohen liritë poetike të autorëve (f. 96), apo vargjet e huazuara (f. 87093), të cilat ose nuk janë në fokus të objektivave të lëndës, ose përbëjnë raste të izoluara në letërsinë shqipe.
Shumë analitik paraqiten kapitujt Analiza e veprës letrare (f.100-133) dhe Gjinitë letrare (f. 134-174), krahasuar me të njëjtin tekst të viteve ’80-të. Përmbajtja e tyre tepër teorike, e ka dëmtuar prakticitetin e lëndës, duke e lënë krejt pas dore punë për edukimin e nxënësit me vlerat estetike dhe gjuhësore.
Ndërsa Antologjia e letërsisë shqiptare e vitit 1976, ka në përmbajtje të saj vetëm fragmente, por të pa pajisura me asnjë aparat pedagogjik apo pyetje që të orientojnë nxënësin drejt komentit.
Ndërsa në Kosovë në këtë periudhë, me sa duket kishte një frymë më konkrete në drejtim të aftësimit gjuhësor të nxënësit. Detyra kryesore e planeve mësimore ishte sigurimi i përvetësimit sistematik të gramatikës normative të gjuhës së sotme letrare shqipe dhe përvetësimi i ligjshmërisë së saj; zhvillimi i kulturës gjuhësore të të shprehurit me gojë e me shkrim të nxënësve.[iv] Po ashtu specifikisht, mësimi i gjuhës shqipe dhe letërsisë ka si objektiv kryesor aftësimin e nxënësit në të shprehurit e drejtë dhe bukur. (po aty, f. 54) Gjithashtu në programe mësimdhënia e gjuhës shqipe shihet si proces individual dhe kreativ i domosdoshëm si përkitazi me personalitetin e nxënësit, ashtu dhe të arsimtarit.(po aty f. 54)
Pavarësisht boshtit ideologjik që nuk mungon edhe këtu, në programe ndeshim një rubrikë krejt të veçantë të emërtuar Kulturë gjuhe, e cila shtrihet në tri fusha: të shprehurit me gojë, të shprehurit me shkrim dhe hartime shkollore. Në fushën e parë kemi lidhje të fortë mes gjuhës dhe letërsisë, duke qenë se kategori të tilla si artikulimi, diksioni, theksimi, pushimi (gramatikor, logjik, psikik) sugjerohen të përdoren vetëm në tekste të mirëfillta letrare.
(vijon)
© 2024 Natasha Shuteriqi Poroçani. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
[i] Prog vitit ’79, f. 2.
[ii] Shiko: Rexhepi & Baroni, Letërsia e huaj për shkollat e mesme, SHBLSH, Tiranë, 1972
[iii] A. Kallulli, M. Vyshka, Njohuri mbi teorinë e letërsisë, Tiranë, 1977
[iv] Planet dhe programet mësimore për shkollat fillore e të mesme, NASTAVN PLANOVI I PROGRAMI ZA OSNOVNE ISREDNJE SKOLE, Enti i teksteve dhe mjeteve mësimore i krahinës socialiste autonome të Kosovës, Prishtinë 1974, f. 47