ARKITEKTURA E SHKATËRRIMIT

nga Aristotel Spiro

Titulli origjinal:  ARKITEKTURA E SHKATËRRIMIT TË ARSIMIT KOMBËTAR – Mbi dëmin e teksteve shkollore alternative dhe mbi nevojën e ringritjes së një instituti të studimeve pedagogjike)

 

Në një bisedë specialistësh të gjuhës shqipe u prek ndër të tjera edhe çështja e librave shkollorë të gjuhës.

Nga kjo bisedë kuptova që në arsimin shqiptar ekziston një anarki botimesh të teksteve shkollore alternative, të cilat hartohen kryesisht nga pedagogë të gjuhës shqipe dhe  botohen nga shtëpi botuese që kanë fituar më parë tenderat e ministrisë së arsimit.

Koha e hartimit të tekstit shkon rreth 3-4 muaj dhe grupi i punës duhet ta ketë mbaruar punën para zhvillimit të tenderit. Pra, nëse shtëpia botuese nuk fiton tenderin, grupi i punës nuk i merr lekët.

Sapo përdora përbri fjalëve «pedagog» dhe «gjuhë» fjalët «fitim» dhe «lekë». Në fakt, hartimi dhe botimi i teksteve shkollore është kthyer prej kohësh në një çështje biznesi. Nëse gjithë kjo punë do të shihej medoemos si një çështje biznesi, është e sigurt se ai nuk do të ishte biznes individësh, por një biznes kombëtar me përfitime për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm.

Të kuptohemi: as nuk e imagjinoj që autorët / bashkautorët e teksteve të  mos shpërblehen për punën që kanë bërë.

Por çështja e teksteve shkollore të gjuhës shqipe (dhe e gjithë teksteve shkollore në përgjithësi) nuk mund të fillojë nga hesapet e fitimeve ose të humbjeve ose nga shtëpitë botuese.

Tekstet shkollore janë çështje themelore e arsimit. Edhe pse hartimi dhe botimi i tyre përmban elementin ekonomik e financiar, kjo nuk mund të shërbejë si pikënisje për hartimin dhe botimin e teksteve.

Po ashtu, përdorimi i dy a më shumë teksteve alternative shkollore për të njëjtën lëndë, edhe pse krijon përshtypjen e një gare meritokratike, ku teksti më i mirë do të triumfojë dhe do të përzgjidhet nga drejtuesit e shkollës dhe mësimdhënësit e lëndës dhe do të blihet nga  nxënësit, në të vërtetë është krejt e kundërta. Praktika mësimore e shkollës shqiptare e ka dëshmuar tekstin alternativ si shumë problematik deri në dështim.

Por cilat janë arsyet e këtij dështimi?

A mos është prania e dy a më shumë teksteve në «tregun» arsimor në të njëjtën kohë? Paaftësia e autorëve? Grupet e papërshtatshme të punës? Shtëpitë botuese? Ministria e arsimit?

Për mendimin tim, janë të gjitha së bashku në një raport shpërpjesëtimor, por në analizë të fundit është ministria e arsimit dhe qeveria që mbajnë përgjegjësinë kryesore.

Unë nuk e di se cila është ajo mendje e ndritur që futi idenë e tekstit alternativ në shkollën shqiptare. Çfarë ka pasur parasysh? A e ka Shqipëria komoditetin që të qarkullojnë në treg disa libra alternativë për të njëjtën lëndë? Vetë ideja e ekzistencës së disa teksteve lirisht të përzgjedhshme a nuk e nxit subjektivizmin si në të hartuar ashtu edhe në të përzgjedhur? A nuk e ushqen idenë se librat shkollorë u hartuakan lehtë dhe nga cilido autor qoftë?

Përvoja e deritanishme me tekstet alternative, thënë me delikatesë, nuk vlerësohet si pozitive. Nxënësit nuk e pëlqejnë mësimin e gjuhës shqipe. A e kanë fajin tekstet apo mësuesit? Në radhë të parë tekstet, në radhë të dytë mësuesit dhe në radhë të tretë politikat qeveritare dhe sistemi arsimor.

Tekstet mësimore të gjuhës shqipe hartohen nga grupe pune të pajtuara prej shtëpive të licensuara botuese. Periudha e hartimit të këtyre teksteve zgjat rreth 3-6 muaj. Një garë ankthi zhvillohet në këtë  kohë të shkurtër për të shkruar dhe përfunduar tekstet. Por a mund të hartohet një libër i saktë shkollor brenda një kohe kaq të shkurtër? Krejt e pamundur!

Tani le të vijmë tek autorët. Shumica e teksteve alternative të gjuhës shqipe kanë për autorë pedagogë që japin lëndë të gjuhës shqipe në universitetet shqiptare. Në pamje të parë duket sikur angazhimi i pedagogëve të gjuhës në hartimin e teksteve shkollore të gjuhës shqipe është një garanci për rigorozitetin shkencor të dijeve. Mirëpo, harrohet që hartimi i teksteve të gjuhës për shkollat fillore e nëntëvjeçare, përveç njohjes shkencore të sistemit të shqipes, kërkon edhe njohjen e veçorive psikologjike gjuhësore të çdo moshe, në mënyrë që dijet gjuhësore të përcillen tek nxënësit në mënyrë të kuptueshme, në varësi të këtyre veçorive. Kjo njohje nuk mund të bëhet ex cathedra, nga auditoret universitare, vetëm me dijet e gjuhësisë teorike dhe gramatikës së shqipes, por nevojitet gjithashtu edhe njohja e gjuhësisë së zbatuar, por edhe analiza e teksteve ekzistuese, lipset të shkohet nga njëra shkollë në tjetrën, duke dëgjuar orë mësimi, duke kryer biseda të organizuara me mësuesit. Për hartimin e një teksti shkollor të gjuhës shqipe kërkohen njohuri të thella të gjuhësisë së zbatuar. Këto njohuri merren në shkollë. Nuk jam i sigurt nëse nëpër universitetet shqiptare jepen lëndë mësimore të gjuhësisë së zbatuar që lidhen me tekstet shkollore.

Mund të jesh pedagog shumë i mirë dhe mund t’ua shpjegosh studentëve shumë bukur sistemin gjuhësor. Por kjo nuk do të thotë se je i gatshëm për të hartuar një tekst shkollor për gjuhën shqipe.

Nuk mund të jenë të afta as shtëpitë botuese për të drejtuar mbi baza shkencore hartimin e një teksti të gjuhës shqipe.

Një punë të tillë disa dekada më parë e kryente Instituti i Studimeve Pedagogjike. Ai merrej edhe me përgatitjen e librave shkollorë. Tani ky institut nuk ekziston më. Në një moment të së kaluarës së afërt ky institut u shkri dhe vendin e tij e zunë shtëpitë botuese. Ato vendosin (sigurisht në bazë të programit të miratuar nga ministria e arsimit e Shqipërisë) se si do të jetë struktura e librit dhe vëllimi i njohurive. Mirëpo, a mund ta bëjnë këtë shtëpitë botuese?

Mendimi im është se shtëpitë botuese nuk mund të funksionojnë si institute të studimeve pedagogjike. Po ashtu, punën e institutit të studimeve pedagogjike nuk mund ta kryejë asnjë agjenci administrative kurrikulash.

Kjo situatë e bën më të domosdoshme ringritjen e institutit të studimeve pedagogjike. Ky institut, i cili mund të jetë në varësinë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ose të ministrisë së arsimit, do të zgjidhte me kompetencë shkencore çështje të kurrikulave mësimore dhe do të përzgjidhte njerëz të aftë nga ana profesionale për të hartuar tekstet e reja të gjuhës shqipe, por edhe të lëndëve të tjera. Grupi i autorëve mund të përbëhej edhe nga pedagogë të universitetit, të cilët do të kontrollonin saktësinë shkencore të njohurive të përfshira nëpër tekste. Por autorët e tjerë mund të mos jenë domosdoshmërisht vetëm gjuhëtarë. Përveçse gjuhëtarë, ata duhet të jenë edhe mësues me përvojë në hartimin e teksteve mësimore. Kusht i domosdoshëm është që të njohin me shumë hollësi arsimin parauniversitar, auditorin dhe veçoritë e psikologjisë moshore të nxënësve.

Pas hartimit të tekstit, periudha e të cilit zgjat të paktën një vit,  mirë është që fjalën ta ketë një shtëpi botuese nën varësinë e ministrisë së arsimit, sikundër ka qenë Shtëpia Botuese e Librit Shkollor ose më vonë Shtëpia Botuese «Botem». Është e pamundur që hartuesit e çdo lloj teksti të gjuhës shqipe të kenë gjetur zgjidhjet ideale për paraqitjen e lëndës gjuhësore në tekstet shkollore. Tekstet e prodhuara duhet të jenë fillimisht eksperimentale, në mënyrë që të testohen dhe të kontrollohet zbatimi i tyre nëpër shkolla. Në këtë fazë, e cila zgjat edhe ajo të paktën një vit, mendimi i mësuesve të gjuhës shqipe dhe letërsisë është vendimtar.  Ata do të bëjnë mjaft vërejtje të vlefshme që do të merren parasysh gjatë hartimit të teksteve përfundimtare.

Pasi të jenë marrë parasysh mendimet dhe vërejtjet e mësueve të shkollave fillore e nëntëvjeçare, vetëm atëherë duhet kaluar në botimin e versioneve përfundimtare.

Praktika e derisotme e tekstit alternativ të prodhuar nga grupe pune dhe shtëpi botuese nuk ka sjellë rezultate të kënaqshme. Sipërmarrjet në hartimin e teksteve shkollore në formë tenderash e konkursesh, sado entuziaste qofshin, nuk garantojnë rezultat të sigurt nga pikëpamja pedagogjike.

Ti mund të jesh një pedagog shumë i mirë i gjuhësisë së përgjithshme apo i gjuhës shqipe, i gramatikës, semantikës apo gramatikës historike, mund t’ua shpjegosh këto lëndë shumë saktë studentëve, por kjo nuk jep asnjë siguri se mund të shkruash një tekst shkollor për nxënësit e cikleve shkollore parauniversitare.

Me këtë punë mund të merren ata që kanë studiuar gjuhësi të zbatuar, domethënë që kanë studiuar të mësuarit dhe të nxënët e gjuhës (Language Teaching and Learning); që dinë ç’është gjuhësia trupi gjuhësor (Corpus Linguistics); por duhet të kenë studiuar edhe psikolinguistikë, meqenëse duhet të kenë një qasje shkencore të proceseve njohëse që përfshihen në prodhimin, të kuptuarit dhe përvetësimin e gjuhës, dhe të kenë të qartë se si individët (nxënësit e studentët) e përpunojnë dhe kuptojnë gjuhën; duhet të dinë analizën e ligjërimit (Discourse Analysis) që të jenë në gjendje të shqyrtojnë strukturën dhe organizimin e gjuhës së folur apo të shkruar përtej nivelit të fjalisë; të kuptojnë se si funksionon gjuha në kontekste të ndryshme shoqërore dhe kulturore; po ashtu duhet të dinë edhe pragmatikë, në mënyrë që të kenë të qartë përdorimin e gjuhës në kontekst dhe të kuptojnë se si konteksti ndikon në interpretimin e kuptimit dhe përdorimin e gjuhës në komunikim.

Edhe sikur ky kusht të plotësohej për sa i përket përbërjes së grupeve të autorëve, edhe sikur ta merrnim të mirëqenë që këta bashkautorë janë të përgatitur, gjë për të cilën nuk e vë dorën në zjarr, prapëseprapë futja në valle edhe e shtëpive botuese private krijon me të drejtë mundësinë që i gjithë procesi i hartimit dhe botimit të teksteve shkollore të paragjykohet si gjenerues i korrupsionit.

Asnjë shtëpi botuese nuk mund të zëvendësojë institutin pedagogjik me specialistët e të gjitha lëndëve shkollore, përfshirë edhe specialistët e gjuhësisë së zbatuar.

Shqipëria, që e ka pasur dikur një institut të studimeve pedagogjike dhe një «Revistë pedagogjike», tani ka mbetur pa institut dhe pa revistë. Mbyllja e një institucioni kaq të rëndësishëm mund të konsiderohet si një goditje paralizuese për arsimin kombëtar. Vërtet, cili mund të ketë qenë ai arkitekt i shkatërrimit, që dha urdhër për këtë? Shqipëria ka pasur dikur edhe institute të larta pedagogjike, por ato u kthyen në universitete me iluzionin për të shpëtuar nga snobizimi i institucioneve të metropolit kryeqytetas. Mirëpo, kjo dëshirë për t’u barazuar me njëri-tjetrin i futi universitetet e rretheve në grackën e konkurrimit të pabarabartë me universitetet e kryeqytetit.

Nëse duam tekste shkollore të përgatitura mirë për t’u përdorur në një shkollë kombëtare shqiptare, tri gjëra duhen bërë pa humbur kohë:

1) Le të ringrihet sa më parë instituti i studimeve pedagogjike, që do të kryejë studime, do të studiojë dhe hartojë kurrikulat e cikleve parauniversitare si dhe do të organizojë gjithë punën për hartimin e teksteve shkollore.

2) Le të ringrihet edhe një herë shtëpia botuese e librit shkollor, që do të botojë të gjitha tekstet shkollore.

2) Le t’i japim fund një herë e mirë tekstit alternativ dhe të punojmë për hartimin e një teksti unik për të gjitha shkollat.

© 2024 Aristotel Spiro. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Shënim: Imazhi në kopertinë është krijuar me DALL.E 3.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin