KTHIMI NË LETËRSINË TRANSNACIONALE TË BALLKANIT

Raport nga Belfjore Qose

Leksioni me temën “Uliksi 2.0? Kthimi në Ballkan në letërsinë e sotme transnacionale” (Ullysses 2.0? The Return in today’s transnational literature), u mbajt në Universitetin DePaul në Chicago,  nga Prof. Dr. Christian Voss dhe Dr. Belfjore Qose, me ftesë të drejtuesit të Programit të Studimeve Shqiptare Dr. Gazmend Kapllani. Leksioni i hapur i përvitshëm “Hiddai “Eddie” Bregu (The Hidai “Eddie” Bregu Annual Lecture in Albanian Studies), u mbajt më 15 prill 2023.

Ky leksion preku disa prej çështjeve novatore që lidhen me letërsinë e diasporës së vendeve të Ballkanit sot, duke analizuar tiparet, kontekstin dhe natyrën e veçantë të fenomenit të letërsisë transnacionale, e cila përqendrohet tek autorë vepra e të cilëve vendoset apo reflekton dy a më shumë realitete sociale, kulturore, politike, letrare etj. Natyra e ndërmjetme e identitetit letrar të shkrimtarit bashkëkohor që jeton mes dy realiteteve dhe që përcjell në krijimtarinë e tij në mënyrë origjinale bashkëpjesëmarrjen aktive në këto realitete të ndryshme, ishin në fokus të këtij leksioni. Mbi të gjitha, vendosja e këtij fenomeni në kontekstin që ka prodhuar një letërsi të tillë, duke njohur dinamikat dhe ngjarjet më të rëndësishme të kohës dhe mënyrën si ato përthyhen në kulturë, ishte një pikë ku lektorët u ndalën në veçanti. Kjo, pasi konteksti i vendeve të ndryshme të Ballkanit është krejt unik dhe këtu qëndron origjinaliteti i letërsisë transnacionale të këtij rajoni, krahasuar me le të themi letërsinë transnacionale amerikano-latine etj.

Pse kthimi? Një nga motivet më të rëndësishme të kësaj letërsie është kthimi në vendin e origjinës, por nga Uliksi (2.0) bashkëkohor nuk duhet të presim të njëjtat ndjesi dhe vlera, si në periudhën klasike. Uliksi modern tregon historinë e tjetërsimit dhe të vetmisë së tij, si në vendin e ri pritës (racizmi, diskriminimi), ashtu edhe në vendin e origjinës (patriarkati, mizogjinia, homofobia) dhe personalizon “hapësirën e tretë” hibride, paradigmën ndërkulturore të të qenit “ndërmjet”. Indiferenca antiheroike për kombëtarinë, shpesh sfidon narrativën zotëruese patriotike të letërsive ballkanike. Raporti me atdheun dhe vendlindjen, përthyhet në forma nga më të larmishmet, që nga ftohtësia dhe indiferenca ndaj tij, deri tek identifikimi si vendi i traumës, formësues i personalitetit dhe vendimtar në gjendjen shpirtërore të personazheve.

Në leksionin e tij, të mbajtur online profesor Christian Voss (Profesor dhe Përgjegjës i Departamentit të Studimeve Sllavo-Jugore në Universitetin Humboldt, Berlin) u ndal tek konceptet kryesore të transnacionalizmit, në realitetin e vendeve të ish Jugosllavisë, duke trajtuar dukuri letrare dhe kulturore të njohura të kohës, si edhe duke u ndalur tek gjashtë autorë dhe vepra letrare konkrete. Konteksti kulturor dhe ideologjik i së kaluarës, ku bashkimi dhe bashkekzistenca përbënin vlerat më të propaganduara të kohës, do të sfidohen nga letërsia bashkëkohore e këtyre vendeve. Letërsia e diasporës së vendeve të ish Jugosllavisë, sipas prof. Ch. Voss, luan një rol të rëndësishëm në shoqëritë e pas konflikteve (pas ’90-ës), duke dekonstruktuar narrativat e eksluzivitetit të viktimizimit, stereotipet për Islamin, oksidentalizimin njëherësh me viktimizimin ballkanik etj. Leksioni u ndal tek figura e të kthyerit dhe e udhëtarit, si antihero, i cili ekspozon traumat e përjetuara në fëmijërinë apo rininë e kaluar në Ballkan, tëhuajësimin nga vendi i tij, vetminë dhe mungesën e suksesit në perëndim, konkurrencën e vuajtjes mes diasporës dhe atdheut, për shembull ky makth i kthimit në vendlindje trajtohet tek romani “Vëllai” i David Albaharit. Duke trajtuar autorë si Aleksandar Hemon (Bosnje/Sh.B.A.), Bekim Sejranović (Bosnje/Norvegji), Lana Bastašić (Bosnje/Europë), Miroslav Penkov (Bullgari/Sh.B.A), Goran Vojnović (Slloveni) dhe Rumena Bužarovska (Maqedonia e Veriut), prof. Ch. Voss u ndal sa në temat kryesore, por edhe në teknikat narrative, mjetet dhe teknikat letrare që realizojnë paraqitjen e këtyre temave, si ndryshimi i perspektivës, apo perspektiva e shumëfishtë, konceptualizimi topografik i të qenit ndërmjet, kapërcimet në kohë dhe hapësirë gjatë rrëfimit, ironia, grotesku, parodia etj.

Ndërsa Dr. Belfjore Qose (pedagoge në Universitetin e Tiranës, Departamenti i Letërsisë) në leksionin e saj para audiencës së DePaul, analizoi rastin e Letërsisë Shqiptare Transnacionale të autorëve të diasporës. Vështrimi i saj u vendos në planin paradigmatik, teksa u analizua raporti i veçantë që Shqipëria ka pasur me diasporën e saj, si ndikuese në ngjarjet më të rëndësishme kombëtare, si formësuese e identitetit kombëtar dhe si emancipuese e kulturës dhe artit në vend. Për të kaluar në kontributin e autorëve të ekzilit (Camaj, Pipa), si dhe në perceptimin që autorët e letërsisë shqipe të Kosovës kishin për Shqipërinë e izoluar gjatë periudhës së diktaturës. Tek autorët bashkëkohorë Dr. Qose analizoi shtresëzimet kuptimore dhe raportin mes reales dhe përftytyrimit personal të atdheut, ku një prej faktorëve ndikues në shformimin e imazhit të tij sipas dëshirave personale, është ngatërrimi i kthimit në kohë me kthimin në hapësirë. Përthyerja e atdheut tek figurat prindërore, tek vendlindja si mikrokozmos, e çliron temën e atdheut nga glorifikimi, duke e subjektivizuar prizmin me të cilin çdo individ krijon raportin e tij personal me të. Bie fjala, shumica e personazheve të autorëve të prozës shqipe të diasporës, kthehen të detyruar për të ndjekur ritualet e varrosjes së babait, pas marrjes së lajmit se babai ka ndërruar jetë. Kësisoj nis reflektimi për të kaluarën, përballja me kthimin (i cili rezulton të jetë më i vështirë dhe kërkon më shumë kurajë se ikja) dhe restaurimi i marrëdhënieve të shkëputura më njerëzit. Kjo traumë tejkalohet nëpërmjet shërbimit vetëmohues në rastin e “Të murosurave” të Lindita Arapit, si fantazmagori e simbolizuar në rastin e “Macja ime Jugosllavia” të Pajtim Statovcit dhe si analizë racionale dhe tolerante e familjes dhe qytetit në rastin e “I keqi i vetes” të Gazmend Kapllanit. Zërat femërorë të kësaj letërsie, si O. Vorpsi, L. Arapi, E. Dones, japin një kontribut të veçantë në rishikimin e ekzistencialist të femërores, ku përballja me realitetin gati ‘distopik’ të së kaluarës, ndryshon trajektoren e zhvillimit të raportit me veten.

Sfida që letërsia transnacionale e Ballkanit i bën konceptit të kufijve në letërsi, zgjerimi i raporteve ndërvepruese dhe sublimuese të realitetit me artin, hapja ndaj idesë së identitetit fluid, si dhe përkatësia si nocion kompleks dhe jo statik; janë disa prej temave të kësaj letërsie që meritojnë të shqyrtohen më në thellësi. Vetë lajmi i fundit që autori bullgar Georgi Gospodinov fitoi çmimin prestigjioz International Booker Prize 2023, tregon se letërsia ballkanike dëshmon potencialin se ideja qendër-periferi dhe sistemet në letërsi nuk ekzistojnë si të tilla, por përkufizohen nga vetë veprat e autorëve, të cilët me vlerat e tyre zënë vend në Letërsinë Botërore. Gospodinov-i, si shumë autorë të tjerë bashkëkohës shkruan dhe jeton në mobilitetin që ofrojnë rezidencat letrare, më së shumti jeton në Gjermani dhe Bullgari, duke përforcuar lëvizjen si gjendje permanente të artistit dhe të individit të kohës sonë.

(P.S. Leksionet u pasuan nga diskutime komplekse dhe pyetje interesante që çliruan mjaft tema me interes për studime të ardhshme, si dhe rritën shkallën e diseminimit të studimeve për letërsinë e diasporës së Ballkanit, para një audience me formim kulturor dhe interesa të larmishme.)

(c) 2023 Belfjore Qose. Të gjitha të drejtat janë të autores.

Rreth Autorit

Belfjore Qose është pedagoge në Departamentin e Letërsisë, Universiteti i Tiranës. Është doktore shkencash në studime letrare, autore e një sërë punimesh shkencore në fushë të studimeve për letërsinë shqipe dhe atë botërore, për autorë si K. Trebeshina, M. Camaj, I. Kadare, M. Bullgakov, D. H. Lawrence, N. Kazantzaki etj. Krijimtaria letrare zë një pjesë të rëndësishme të veprimtarisë se saj, ku veçojmë librat “Aurat e natës” dhe “Dritë”.

Author Archive Page

1 Koment

  1. Jetojme ne nje kohe emigrimi te pashembiullt, qe mund te perkufizohet lirisht si aksident historik, po aq aksident sa edhe koha e komunizmit, keshtu qe veshtire se gjesend do i mbijetoje kohes. Prandaj edhe letersia eshte ceshtje konsumi intelektual brenda kesaj kohe te humbur.

    Uliksi i pafat ishte pararendesi i kolonizimeve dhe perhapjes se qyteterimit ne Europe, cka perben thelbin e historise se Europes, keshtu qe krahasimi me trishtimin e perfaqesuesve te aksidentit te sotem historik, eshte nje teprim letrar, ne kufijte e mungeses se plote te seriorizitetit.

    Shqiptaret kane nevoje sot, sikunder dje ne komunizem, te dalin nga ngerci i aksidentit historik, jo per nje realizem post-socialist. qe i ngerthen ne nje realitet te trishte, nga i cili nuk dine si te dalin.
    Normalisht edhe kopjet e shitura jane ato qe jane, ai edhe komentet xhanem.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin