SHUMË ZHURMË PËR ASGJË

Albert Doja

Pas miratimit të Vendimit të Këshillit të Ministrave (n° 338, 31 maj 2023) dhe deklaratës për shtyp të Ministres së Arsimit mbi transferimin e instituteve albanologjike në Akademinë e Shkencave u bë e qartë se thirrjet e shumta dhe patetike për solidarizimin kundër “mbylljes” së tyre dhe “pasojat katastrofike” për shkencën shqiptare janë pa vend dhe dezinformuese.

Askush nuk ka pse të alarmohet sepse askush nuk ka vendosur të shkrijë ndonjë ngrehinë të studimeve albanologjike. Vetëm personeli kërkimor-studimor, burimet njerëzore dhe asetet materiale të instituteve albanologjike do t’i bashkohen Akademisë së Shkencave. Asgjë më tepër.

Shpesh, në debatet e nxehta mbi këtë çështje, aktivizmi i një grushti individësh të caktuar pështjellon me kast duke mashtruar opinionet publike dhe shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, duke reduktuar diskutimet dhe duke përfolur disa individë të tjerë, ndonëse as Akademia (ish-Qendra) e Studimeve Albanologjike as Akademia e Shkencave nuk janë pronë e asnjë individi, por janë institucione të Republikës së Shqipërisë.

Në fakt, Qendra e Studimeve Albanologjike ka pasur prej fillimit një status provizor të papërcaktuar mirë në varësi direkte të Ministrisë së Arsimit, çka besoj se duhet të jetë bërë shkas për një akt ligjor të domosdoshëm për rregullimin e instituteve.

Qendra e Studimeve Albanologjike u përftua si pasojë e reformës së Akademisë së Shkencave në vitin 2008, që konsiderohet si reformë e dështuar, pavarësisht dëshirave të mira, sepse veç të tjerave shkatërroi sistemin e kërkimit shkencor në Shqipëri. Pas hyrjes në fuqi të Ligjit të Arsimit të Lartë (n° 80/2015), institutet albanologjike mbetën përsëri të papërcaktuar dhe në mospërputhje me këtë Ligj. Vetëm duke përfituar nga amullia post-zgjedhore e vitit 2017 u krijuan disa akte të dyshimta, si rezultat i të cilave statusi institucional u komplikua edhe më shumë. Vetë studiuesit brenda Instituteve Albanologjike i kanë analizuar me hollësi dhe me kohë këto fakte (shih: http://www.panorama.com.al/qendra-albanologjike-xhufi-ka…/).

Megjithatë, autoriteti i tutelës (Ministria) vazhdimisht ka bërë thirrje dhe nxitje për reflektim dhe zgjidhje institucionale për rregullimin e statusit ligjor, ndërsa pushtetmbajtësit e instituteve albanologjike vazhdimisht kanë refuzuar çdo gjë duke u mbajtur tek inercia e opinioneve që kanë manipuluar, çka ka bërë të domosdoshme zgjidhjen e këtij ngërçi institucional.

Me fjalë të tjera, nëse problemi në këtë rast është vendimmarrja pa konsideruar demokracinë pjesëmarrëse të grupeve të interesit, nga pikëpamja institucionale mund të thuhet se nuk ka pasur partneritet me ndonjë grup interesi ligjërisht të mirënjohur përderisa statusi i tyre ka mbetur i papërcaktuar dhe në mospërputhje me Ligjin. Ndërsa nga pikëpamja e interesit të grupeve të caktuara nuk ka pasur mirëkuptim dhe dialog konstruktiv për të mirën e përbashkët dhe për të mirën publike.

Sigurisht, zgjidhja mund të bëhej me më shumë maturi ose mund të gjendeshin edhe zgjidhje të tjera ndoshta më të mira. Sidoqoftë, larg konsideratave individuale apo lidhur me individë të përveçëm, besoj se kjo zgjidhje është më e mirë se amullia institucionale, madje besoj se është një zgjidhje shumë e mirë që krijon kushte më të mira për të zhvilluar prurjet e mëtejshme dhe vizionin shkencor të studimeve albanologjike.

Nëse kemi besim tek ligjvënësi dhe respektojmë institucionet dhe ligjet në fuqi, ndoshta duhet kujtuar me këtë rast se Akademia e Shkencave është “institucioni publik më i lartë që përfaqëson e mbart vlerat më të mira të shkencës, të kërkimit shkencor, të krijimtarisë dhe të debatit e bashkëveprimit të mendimit shkencor në vend, përmes një bashkësie të zgjedhur shkencëtarësh e krijuesish” (Neni 3, Ligji n° 53/2019).

Çështja e vetme që mund të shtrohej në këtë debat është nëse duhet të mbështesim e të solidarizohemi me status quo të instituteve albanologjike në mospërputhje me Ligjin dhe në varësi politike të dikasterit përkatës e të qeverisë, apo ato mund të transferohen dhe të ushtrojnë funksionet e tyre kërkimore-studimore në kushtet e autonomisë akademike të garantuara nga institucioni më i lartë që përfaqëson e mbart vlerat më të mira të shkencës, të kërkimit shkencor, të krijimtarisë dhe të debatit e bashkëveprimit të mendimit shkencor në vend.

Bashkimi i instituteve albanologjike me Akademinë e Shkencave është në radhë të parë një bashkim i natyrshëm, sepse puna kërkimore-studimore e instituteve albanologjike ka rëndësi strategjike dhe duhet të mbështetet e të përkrahet nga institucioni shkencor më i lartë në vend. Ky bashkim është një ndreqje e gabimeve të dikurshme politike dhe ligjore, por edhe një vlerësim dhe nderim për studiuesit që e meritojnë këtë vlerësim e këtë nderim.

Në fakt, kjo mund të jetë ndoshta edhe çështja më e rëndësishme për t’u diskutuar, kryesisht për sa i takon punës dhe kontributit të deritanishëm të studiuesve albanologë kudo që janë, në Institutet Albanologjike apo në Akademinë e Shkencave, sepse në pjesën më të mirë janë të njëjtët individë, që kryejnë apo kanë kryer të njëjtat funksione dhe japin apo kanë dhënë të njëjtat prurje kërkimore-studimore, si dhe kanë të njëjtat probleme dhe sfida. Çështja qëndron kryesisht tek vizioni, mentaliteti apo botëkuptimi shkencor i studimeve shqiptare, si një fushë specifike dhe strategjike e dijes, për të cilën kam folur më hollësisht gjetiu dhe këtu.

Riorganizimi i studimeve shqiptare në Akademinë e Shkencave duhet të krijojë kushte më të mira për sinergji intelektuale që t’i shërbejnë zhvillimit të mëtejshëm në fushat kërkimore përkatëse, si edhe për qëndrime të menduara më mirë në shumë drejtime të tjera, që për fat të keq në shumë raste dhe vazhdimisht lënë shumë për të dëshiruar.

Me këtë rast, në debatet e shumta nuk janë lënë pa përmendur kundërshtimi i munguar ndaj uzurpimit të Butrintit dhe shkatërrimit të vlerave arkeologjike gjetiu, si dhe interesat e ngushta që një grusht pushtet-mbajtësish në institutet albanologjike përpiqen të mbrojnë me zhurmë mediatike, dezinformim dhe manipulim opinionesh. Por mund të shtohen edhe dështimi total dhe dëmet e pallogaritshme në masterimin dhe doktorimin e brezave të rinj të studiuesve. Në fakt nuk ka si të jetë ndryshe, përderisa të paktën në fushën e antropologjisë që e njoh më mirë askush nga studiuesit nuk është i diplomuar me arsimim përkatës, pa çka se disa prej tyre kanë marrë grada dhe tituj shkencorë të sajuar. Me sa duket prej kësaj rrjedh edhe arroganca foshnjarake dhe damnatio memoriae me të cilat ata trajtojnë dhe injorojnë studiuesit e tjerë që u bëjnë hije. Për më tepër, mbytja antidemokratike e lirisë së mendimeve të ndryshme ka nxitur edhe frymën anti-qytetare që një pjesë e tyre përcjellin shpesh.

Me fjalë të tjera, nëse duhet #saveasa apo #saveiaksa, ato duhen shpëtuar së pari nga një grusht karrieristësh zhurmëmëdhenj brenda vetes.

Me këtë rast u uroj shumicës dërrmuese të studiuesve të instituteve albanologjike punë të mbarë në kuadrin më të mirë mundshëm që ofron Akademia e Shkencave, si dhe bashkëpunim të frytshëm për t’i ngritur studimet shqiptare dhe vizionin e tyre në një nivel edhe më të lartë!

(c) 2023 Albert Doja. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin