ÇABEJ: TANI KEMI NJË AKADEMI

nga Ardian Vehbiu, Ledio Hala

Teksti i mëposhtëm është marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (Dega Tiranë) në formë të daktilografuar. Përmban një diskutim të Eqrem Çabejt në Asamblenë (e Akademisë së Shkencave?) të datës 27.01.1976, i cili më saktë i ngjan një vizioni se si duhet të funksionojë shkenca, studiuesi dhe Akademia dhe cilat janë në fakt përgjegjësitë e tyre.

Autori i qëndron idesë së një Albanologjie, e cila mbi të gjitha duhet të jetë çështje e vetë shqiptarëve, duke nënvizuar se si tashmë kjo lloj Albanologjie ka hyrë në një proces dialogu a shkëmbimi intelektual me arenën ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, teksa shtron këto argumente, Çabej mbetet i mendimit që studiuesit në Shqipëri kanë më shumë përparësi ndaj studiuesve të huaj, duke qenë se ata zotërojnë materialin vendas.

Ai sugjeron pastaj objektivitet në punë shkencore. Pikërisht për këtë çështje shkruan dhe Seit Mansaku në vitin 2008, duke renditur dy faktorë që mund të ndikojnë studiuesin që t’i shmanget të vërtetës shkencore: ideologjitë politike sunduese dhe ideologjitë nacionaliste[1]. E pikërisht këto dy lloj ideologjish (shpeshherë të kombinuara dhe me njëra-tjetrën) e kushtëzojnë mendimin shkencor, qoftë dhe në ditët e sotme. Kësisoj, me ndryshimin e sistemit politik, ai që do të qëndrojë është vetëm mendimi a studimi krejtësisht objektiv, teksa ai ideologjik do të vjetrohet. Megjithatë ky lloj objektiviteti sipas Çabej nuk do të thotë indiferencë totale, që do të thotë reagim në rastet kur mohohet identiteti, gjuha, historia apo kultura e shqiptarëve.

Më së fundi, Çabej përqëndrohet te funksioni i një Akademie. Duket qartazi nga shtjellimi i tij që funksioni kryesor i një Akademie është të bëjë studimet shqiptare të njohura në botë, si dhe të jetë institucioni që mban gjallë debatin, që informon dhe që informohet mbi shkencën. Sipas tij Akademia ka përgjegjësi ndaj vendit të saj por edhe ndaj botës jashtë. Moskomunikimi dhe „studimi për vetveten“ shihen në këtë rast si regres shkencor.

Po e riprodhojmë më poshtë, për lehtësi leximi (transkriptuar nga L.H.), atë pjesë të materialit që e gjykojmë si me vlerë të posaçme edhe për debatet dhe dilemat e sotme. Të interesuarit mund t’i referohen dokumentit të plotë duke e lexuar origjinalin këtu (klikoni mbi imazhin e dokumentit, për ta hapur të plotë).

Ledio Hala


Diskutim në Asamble datë 27.01.1976

nga Eqrem Çabej

Me rezultatet e veta dija shqiptare ka hyrë tashmë në arenën ndërkombëtare, ku edhe thotë me peshë fjalën e vet. Dijetarët e huaj, sikundër është vënë re edhe nëpër kongrese ku ne kemi marrë pjesë, detyrohen të mbajnë qëndrim. Bile, disa ndër ta, që lidhur me problemet shkencore tonat, kanë shtruar edhe teza arbitrare, kjo qoftë për padije të çështjeve, qoftë për tendencë, tani detyrohen shpesh të frenohen në këtë rrugë të tyre e t’i matin mendimet edhe fjalët. Kështu p.sh. në çështjen e elementeve të përbashkëta që kanë shqipja dhe rumanishtja, gjuhësia shqiptare mbron në parim burimin shqiptar të një pjese të madhe të tyre. Teza e disa dijetarëve rumunë, që thonë se nuk ka pasur ndonjë epërsi kulture të shqiptarëve ndaj rumunëve, e cila të përligjte (të justifikonte) një burim të tillë, nuk është tezë shkencore, as edhe e kundërta nuk mund të provohet që d.m.th të ketë pasur një epërsi kulture të popullit rumun në krahasim me atë të popullit shqiptar. Elemente gjuhësore shtegtojnë nga një gjuhë nga u nisën, e që si të tilla tërheqin vëmendjen e mjedisit shoqëror fqinj, i cili i merr prandaj dhe i bën të tijat.

Ky përparim është një meritë e studimtarëve shqiptarë. Po baza ku janë ushqyer këta është pasuria që buron prej vendit dhe prej popullit tonë. Gjuhësia, arkeologjia, historia, etnografia shqiptare e kanë marrë dhe po e marrin lëndën prej visareve të truallit të vendit. Studimtarët shqiptarë kanë para së gjithave këtë anë të fortë ndaj dijetarëve të huaj, që njohin dhe sundojnë materialin më mirë. Në punë të metodës në studimet tona ne duhet të nisemi nga faktet, e prej andej të ndërtojmë tezat e të bëjmë përgjithësimet përkatëse, jo anasjelltas. Dhe në kërkimet tona nuk do të nisemi nga jashtë e të hyjmë brenda, po do të nisemi nga rrethanat tona. Nuk do të nisemi nga modelet e huaja e t’ua përshtasim këto rrethanave shqiptare, po do të nisemi nga faktet e brendshme. Me këtë rrugë do të përpiqemi edhe të krijojmë një metodë pune tonën, vetjake, jo të bëjmë adaptim metodash të huaja të marra së jashtmi.

Në punën tonë mendoj se duhet të jemi objektivë, të frymëzohemi nga fryma e objektivitetit, të kërkojmë të vërtetën deri në fund. Veçse do të jemi objektivë, po jo indiferentë, sidomos në shqyrtimin e çështjeve që janë me rëndësi njëkohësisht shkencore dhe nacionale. Do të kemi këtu parasysh rolin dhënës të elementit shqiptar ndaj popujve fqinj dhe kulturave e gjuhëve të tyre. Shqiptarët jo vetëm kanë marrë nga fqinjtë e tyre, po edhe u kanë dhënë atyre; dhe aty jo vetëm në fushat e ndryshme të kulturës materiale, po edhe në disa fusha të kulturës shpirtërore. Ka aty ndikime në gjuhë, në kostumet popullore, në muzikë, sidomos në melodi të këngëve, në valet popullore, e në të tjera.

Nuk do të ndalem më gjatë në këtë problematikë. Do të prek vetëm një pikë që ka lidhje me të. Tek ne është kryer më shumë punë nga sa njihet jashtë vendit tonë. Kjo punë nuk njihet sa duhet. Për të dhënë vetëm një shembull, do të kap punën e bibliografisë së gjuhësisë. Në bibliografinë vjetore që sjell revista “Die Sprache “ që botohet në Vjenë numrat me botime shqiptare e të shqipes janë afërsisht dyfish nga ato të armenishtes, një gjuhë me një popullësi te krahasueshme nga numri, me atë të popullit shqiptar. Në bibliografinë vjetore përkundrazi që boton Unesko raporti është gati i anasjelltë; aty ka afërsisht dy herë më shumë numra në fushën armene në krahasim me botimet shqiptare. Nga vjen kjo, si shpjegohet? Revista austriake në fjalë ka ditur të informohet më mirë për punën tonë në fushën gjuhësore. Në lidhje me bibliografinë e Uneskos më anë tjetër ka një informacion të mangët nga ana jonë. Një gjë e tillë mendoj se ndodh, si në gjuhësi, edhe në degët e tjera të informacionit shkencor. Këtu na del detyra e rëndësishme t’i bëjmë të ditur botës punën që bëhet në vendin tonë. Tani kemi një Akademi, e në kohët e fundit një bibliotekë të Akademisë. Mendoj se duhet të formohen komisione që hetojnë se në cilat qendra shkencore ndërkombëtare duhet të dërgohen botimet tona, si në libra, si në revista. Kështu më një anë njihen rezultatet e punës sonë shkencore, më anë tjetër ndihmohet dhe shkëmbimi i mendimit shkencor në shkallë ndërkombëtare. Kjo nuk duhet të kuptohet si një punë reklamimi, po si një detyrë e përgjegjësisë shkencore, ndaj vendit tonë dhe ndaj botës jashtë. Vetëm se në këtë veprimtari duhet të bëhet një punë e organizuar.

Prof. Eqrem Çabej

Referenca: Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (Dega Tiranë), Fondi 508, Dosja 2, Imazhi 16-18, 1976.


Shënime të pas-leximit (A.V.)

Çabej analizon këtu marrëdhënien mes kontributeve vendëse (shqiptare) dhe të huaja, në albanologji, duke i krahasuar këto përtej optikës së thjeshtuar kombëtariste.

Ai vë në dukje se dija vendëse ka arritur rezultate aq domethënëse, sa të huajt që merren me shqipen dhe historinë e saj nuk mund t’i shpërfillin më nëse duan të jenë seriozë; në kuptimin që janë rezultatet e studimit, ato që i kanë bërë vend albanologjisë vendëse në tryezën albanologjike europiane.

Sjell si shembull qëndrimin ndaj burimit të elementeve të përbashkëta mes shqipes dhe rumanishtes, duke përmendur se tani dijetarët rumunë nuk mund të mbrojnë më lirisht tezat e tyre – në thelb të njëanshme – rreth burimit rumin të këtyre elementeve, në bazë të premisës (së paargumentuar) të një epërsie kulturore të rumunëve ndaj shqiptarëve, në kohën kur janë përhapur këto elemente.

Në fakt, autori vetëm për modesti lë jashtë faktin se kanë qenë shtjellimet dhe trajtesat e tij, që e kanë ribalancuar debatin dhe kanë mundësuar që marrëdhëniet gjuhësore rumune-shqiptare të shihen në mënyrë më objektive.

Me interes është edhe pohimi i Çabejt se “Studimtarët shqiptarë kanë para së gjithave këtë anë të fortë ndaj dijetarëve të huaj, që njohin dhe sundojnë materialin më mirë.“ Për fat të keq, personazhi i albanologut të huaj që u përvishet çështjeve të shqipes e të shqiptarëve pa e njohur mirë gjuhën shqipe, dhe që ndonjëherë i afrohet shumë sharlatanit, ende nuk ka dalë nga skena albanologjike botërore. Edhe pse kohët kur shqipja studiohej sikur të ishte fjala për gjuhën e një kulture ende jo-refleksive dhe të pazhvilluar tashmë janë kapërcyer. Falë Çabejt vetë, por edhe e kolegëve të tij në Tiranë dhe në Prishtinë dhe arbëreshë të Italisë, sikurse edhe nxënësve dhe pasardhësve të tij, albanologjia shqipe ka marrë autoritet të padiskutueshëm jo sepse është “jona” përballë asaj tjetrës, “së huajës”, por sepse kërkuesit shqiptarë kanë sjellë në tryezë një kompetencë unike në njohjen dhe sistemimin e materialit burimor.

E njëjta linjë spikat edhe në fjalët e autorit, lidhur me metodën studimore – parimi që duhet të nisemi nga brenda, nga rrethanat tona, nga faktet e brendshme; duke përqafuar kështu një metodë më shumë empirike, se teorike dhe deduktive. Çabej ishte i pari që e zbatoi këtë metodë në studimet e veta etimologjike, duke shënuar një hop cilësor, sa kohë që i dha përparësi lëvizjes nga e njohura tek e panjohura dhe e bëri realitet parimin që shqipja duhet parë si gjuhë dinamike edhe në rrafshin diakronik dhe se shumë fjalë shqipe duhen parë si rezultate procesesh morfologjike (fjalëformimi) që kanë ndodhur në periudha të hershme.

Me vlerë jo vetëm për historinë e albanologjisë, por edhe për dijetarin e sotëm, është vërejtja e Çabejt se duhet “të jemi objektivë po jo indiferentë, sidomos në shqyrtimin e çështjeve që janë me rëndësi njëkohësisht shkencore dhe nacionale”. Mund të supozojmë se ai ishte njëfarësoj i detyruar që ta shprehte – edhe me rrugë eksplicite – besnikërinë e tij ndaj orientimit kombëtarist të albanologjisë shqiptare, në vitet e regjimit Hoxha. Por ky supozim nuk merr parasysh përkushtimin e Çabejt ndaj mbrojtjes së çështjes shqiptare, në mënyrë të pavarur nga manipulimet që do t’ia bënin këtij qëndrimi ideologët e regjimit. Si dijetar me përvojë edhe në debatet e mëdha lidhur me etnogjenezën dhe historinë e gjuhëve dhe të popujve në Ballkan, atij i ish dashur të përplasej, më shumë se një herë, me qëndrimet kombëtariste, në mos haptazi shoviniste, të dijetarëve nga vende të tjera, që minimizonin rolin e shqipes brenda historisë së gjuhëve indo-europiane dhe të lidhjes gjuhësore ballkanike, me synimin për t’i treguar shqiptarët si “mysafirë të paftuar” në Ballkan dhe në Europë, dhe për të provuar kinse inferioritetin e tyre deri edhe racor. Pikërisht në këto rrethana, albanologjisë shqiptare i mbetej barra që të kundërshtonte tezat e pambështetura të ideologëve dhe dijetarëve sidomos nga akademitë fqinje, me argumente të nxjerra nga rezultatet e punës së madhe që po bëhej nga dija në trevat shqiptare. Vështruar nga sot, gati gjysmë shekulli më pas, kuptohet më mirë se ky angazhim objektiv i dijetarëve si Çabej, në favor të një trajtimi të paanshëm dhe pa komplekse superioriteti të çështjes shqiptare nga ana e dijes ndërkombëtare, ka dhënë edhe ai rezultatet e veta.

Ardian Vehbiu

Kopertina: Photo by Chris Lawton on Unsplash


[1] Mansaku, Seit, Objektivitet shkencor dhe qëndrim kombëtar në veprën e Eqrem Çabejt, Studime Albanologjike, Universiteti i Tiranës- Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, 2008, f. 30-36.

Rreth Autorit

Ledio Hala është lektor i shqipes në Universitetin e Regensburgut dhe Universitetin e Mynihut. Ai doktoron në fushën e politikave gjuhësore në Shqipëri. Interesat e tij shkencore janë në gjuhësi sinkronike, filologji të teksteve shqipe të shekullit XIX, si dhe në censurën e letërsisë në Shqipërinë totalitare, temë për të cilën Ledio ka botuar së fundmi dhe një monografi.

Author Archive Page

9 Komente

  1. Mirënjohje autorit dhe AV-së për sjelljen e këtij opinioni sa konçiz, aq edhe të thellë të Çabejt. Vetëm në 3 faqe gjuhëtari, dijetari dhe albanisti i shquar përcakton bindshëm gjendjen dhe perspektivën e studimeve shqiptare të ndërmarra nga studimtarët shqiptarë [sa e bukur kjo fjalë, që jo rrallë sot e shoh të përlyer në trajtën e papërtypshme “shkollarë” – scholars, nga anglishtja], si dhe besimin e tij tek Akademia e Shkencave.

    Shumëkush jo rrallë i referohet shpesh veprës 6- vëllimshe të Çabejt, të botuar nga Rilindja në vitet 1975 – 1986. [Bleu VII u botua më vonë, dhe këtë ia dhurova personalisht Bibliotekës së Harvardit në vitin 2017, pasi një i afërm i imi, Nazmi Alibali, ma dhuroi bujarisht veprën tashmë 7 vëllimshe të plotë].

    Personalisht i pata blerë 6 vëllimet në rrethana të jashtëzakonshme, qysh kur “u importuan” në Tiranë rreth vitit 1982. Sapo kisha mbaruar shkollën e mesme dhe isha në periudhën e stazhit në Fabrikën e Qelqit në Kombinat. Vepra e Çabejt shitej vetëm me autorizim në librarinë e “Librit ndërkombëtar”, diku përballë Akademisë së Shkencave, dhe pranë Bibliotekës Kombëtare të vjetër. Drejtues i librarisë ishte një Aristidh Plaka, që im atë e kishte njohur, dhe para se të na largonin nga Tirana, përmes tij kishte blerë libra të ndryshëm si Petite Larousse Illustre, Webster’s Seventh Collegiate Dictionary, Dizionari Garzanti, etj.

    As vetë s’e kuptova se pse A. Plaka m’i dha mua librat e Çabejt pa më pyetur se kush isha dhe pa më kërkuar fare autorizimin.

    Ato libra për mua u kthyen në një universitet të njëmendtë. I lexova nga fillimi në fund, dhe iu rikthehesha shpesh. Pa fjalë që ato 6 vëllime kontribuan ndjeshëm në formimin tim. Edhe sot u kthehem atyre sa herë që kam mundësi.

    Mbaj mend që, në një vend Çabej i referohej me shumë dashamirësi arkeologut Frano Prendi, si dhe gjetjeve të tij në arkeologji, që mbështesnin tezën apo teorinë e “substratit”, të cilën çuditërisht nuk e dëgjoj të përmendet sot (por mbase jam gabim). Për mendimin tim, Çabej dhe Prendi, dhe ndofta edhe të tjerë, qysh në atë kohë, i dhanë përgjigje të saktë njërës nga dilemat e prejardhjes së shqiptarëve.

    Atëhere më lindi ideja se, ndofta, 6 vëllimet e botuara në Prishtinë duhet të përfshiheshin si burime të domosdoshme referenciale formuese në arsimin shqip, ndofta qysh në nivelin e shkollës së mesme.

    Në atë kohë botoheshin herë pas here edhe Veprat e Enver Hoxhës. Në njërën syresh ishte përfshirë edhe biseda e Hoxhës me Spiro Kondën, një studiues amator nga Korça, për librin e këtij të fundit “Shqiptarët dhe Problemi Pellazgjik”. Mbaj mend se Hoxha e ngrinte shumë lart lart librin e Kondës. Për kuriozitet e huazova këtë të fundit në Bibliotekën Kombëtare. M’u duk një qëmtim a përmbledhje jo-shkencore e shkrimeve apo citimeve nga burime të ndryshme për “pellazgët”.

    Ndërkaq vërejta se Çabej nuk e përmendte fare, për të mos thënë që e injoronte, librin e Kondës. Dhe kjo pavarësisht se Hoxha vetë e kishte propaganduar atë. Kam mendimin se qëndrimi, po themi “indiferent’ i Çabejt në këtë rast, është rast tjetër i objektivitetit dhe rigorozitetit shkencor të pashembullt të tij.

    Çabej fliste edhe me heshtje.

  2. Aty flitet per suksese te medha, po Shqiperia e kohes kishte vetem nje grusht profesionistesh, edhe ata te shkolles sovjetike, Duket si kalimi nga vitorja ne vitorje.
    Qe fjale te vjetra rumune vijne nga shqipja kjo ishte nxjerre me kohe nga shkolla gjermane dhe vetem rumunet e kane kundershtuar. Ketu duket si ta mprehim shpaten per situaten.
    Edhe ajo puna e metodes qe ka nxjerre gjuhesia shqiptare, me te cilen godet perfundime indoeuropianistike, duket me shume si lufte kunder imperializmit, socialimperializmit, revizionizmit dhe monarkofashizmit, sepse asnje metode deri me sot nuk fiton dot ndaj metodes krahasuese.

    Pastaj per cfare nuk shprehet dot metoda krahasuese, normal qe do te behen hipoteza, te cilat ne mungese te shkrimeve me te vjetra se shek 16, as nuk konfirmohen dot, as nuk hidhen dot poshte: cka e ben te pamundur perdorimin e falsifikueshmerise se Poperit, rrjedhimisht kemi te bejme me hipoteza ne kufijte e pseudo-shkences e jo me ndonje metode te hatashme te albanologjise shqiptare.
    Gjithsesi, edhe ai me nje sy eshte mbret ne rrethana te vecanta.

  3. Edhe historiane bien viktima te rishkrimit te historise.

    Kishte cituar historiani Edi Ramen ne 1994 ne facebook, kur ishte rruges per tu bere emigrant. Idhnimin e zhgenjimin e Rames kunder Kadareve e korrifejve te ngjashem. Citati i hatashem tregonte mencurine e guximin e Rames se atehershme. Me beri pershtypje.

    Keshtu qe i falet ketyre te gjuhes te cvarrosen arkivat, e te kthejne permbys, e te citojne po perbyth per fat te keq.

    Cabej dhe Kadare ishin komanduar te luftonin kozmopolitanizmin sovjetik e gjerman. Nderkohe qe njerzit vriteshin e burg per drama e kenge.

    Fjala objektivitet vjen vetem ne kete paragraf. Edhe me nje kushtezim. E nuk behet fjale per objektivitet shkencor. Por per nje tjeter term, partishmeri, qe per Cabej, ca me i zgjuar se ata qe e pergjonin, nuk mund te thosh gje vecse “patriotizem”.

    Cabej: Në punën tonë mendoj se duhet të jemi objektivë, të frymëzohemi nga fryma e objektivitetit, të kërkojmë të vërtetën deri në fund. Veçse do të jemi objektivë, po jo indiferentë, sidomos në shqyrtimin e çështjeve që janë me rëndësi njëkohësisht shkencore dhe nacionale.

    1. objektiviteti si frymezim: Frymezohemi nga fryma e objektivitetit – nese i referohemi “fakteve” si pikenisje? Cfare duhet frymezimi? Frymezimi nuk udheheq verifikimim, por interpretimin. Nuk eshte nje term qe ka te beje me objektivitetin si parim epistemologjik, por motivin. Utilitar te shkences ne kete rast. Ultilitar sikur mendohet qe eshte Albanologjia.

    2. Objektiviteti si kerkim i se vertetes: Cila e vertete? E kujt? E verteta qe krijohet brenda ketyre rrethanave, ne perballje dialektike me ato te vertetat e te tjereve – thote Cabej. Jo objektivitet shkencor!

    3. Kerkimi i se vertetes me qendrim politik: jo indiferente! Per cfare akuzohej Cabej nga ata qe e sulmonin? Per “indiferentizem” – ishte e vetmja akuze qe mund te demtonte Cabej pse angazhonte idiotet e Sigurimit te Shtetit dhe pergjuesit e pallatit.

    4. Objektiviteti si shkence kombetare: shkencore dhe nacionale – thote Cabej.

    Keshtu qe nuk e di – por te kesh gjithe ate ngrehine te mendimit shkencor boteror mbi filozofine e shkences, edhe punen teorike e metodologjike te Cabej, e ne vend ta perballesh kete ne menyre sistematike, rremon ne fjalimet publike kesi gjerash? Kjo Ledio vellai, me duket nje dembelizem intelektual i shemtuar. E gjynah per ata qe i nxisin. Xhanem te merresh me hollesira!

    Po ai qe 18 vjec blinte libra ne vend te akulloreve e arancatave per cupat e lagjes!?

    1. Nastradini kush je? Ta bëj këtë pyetje ngaqë më referohesh me Ledio vëllai dhe thashë mos njihemi. Se unë i preferoj shumë diskutimet kur e di me kë flas.
      Sa për atë që ti ke parashtruar, këtë artikull e kam nxitur unë, dhe këtu ku jam unë nuk ka njeri në botë që të mund të më kontrollojë, apo “t’i nxisë këto gjëra”.
      Nga ana tjetër, nuk është mëtuar artikull shkencor. Ky artikull i shërben diskutimeve të tanishme. Nëse ti e sheh ndryshe, punë për ty. Besoj Peizazhet do ta mirëprisnin një shkrim tëndin për të shprehur gjithë çfarë mendon rreth këtij artikulli të Ardian Vehbiut dhe Ledio Halës. Tung!

    2. Po ai qe 18 vjec blinte libra ne vend te akulloreve e arancatave per cupat e lagjes!?

      Po ja që ai ishte i librave, ti ishe i akulloreve e arançatave, për çupat e lagjes; secili me pasionet e veta.

      1. Gjithsekush te tijen. Ashtu edhe Ledio qe ka zgjedhur te kape keto “low hanging fruits”. Shpresoj te kete marre autorizim paraprak.

        Nje historian i njohur i quan keto “municione” ne nje artikull mbi “Weaponized archives etj..”.

        Arkiva ne fakt ka qene konceptuar ne kohen e regjimit si depo armesh. Ku mbaheshin armet sekrete per ekzekutimin apo rihabilitimin e individeve.

        Keshtu qe Ledio tek rremon nder to mund te gjej lloj-lloj te tilla. Ofensive si pushke, gjyle, granata, apo kenge kushtrimi. Sikur mund gjeje edhe ato defensive: lopate llogoresh, maske kundragazi, materiale ndertimi per bunkere.

        Ne fjalimet publike pra, gjemojne lloj-lloj armesh e zihen pozicione te ndryshme luftarake. E gjithsekush sipas midese zgjedhe te shperndaj arancata apo libra.

        1. Nastradin, atë punën e autorizimit që ka marrë apo jo Ledioja na e lër ne si redaksi që ta ndjekim. Roli i policit vullnetar nuk mirëpritet në këtë faqe.

          Si moderator, të sugjeroj të merresh më pak me Ledion dhe më shumë me temën. Kam përshtypjen se, kur largohesh nga banalitetet juvenile të akulloreve dhe të arançatave, i ke megjithatë ca gjëra me interes për të thënë (ndonjërën mund edhe ta zgjerosh dhe ta bësh shkrim).

          Të gjithë janë të mirëpritur të analizojnë dokumente të arkivit për revistën tonë, me kusht që ta bëjnë mirë – ose të paktën që t’i kenë kuptuar paraprakisht dhe t’i kenë vendosur në kontekstin e nevojshëm.

        2. Nastradin shiko, ato autorizimet paraprake të këshilloj t’i lësh, jo për gjë po nuk dihet në fund se kush vërtet është autorizuar, unë që dal me emër dhe mbiemër apo ti që vazhdon ta fshehësh identitetin tënd. Prandaj, mënyra se si ti shkruan nuk më bën fare përshtypje, përderisa nuk ke identitet. Tani, përsa i përket rrëmimeve, unë rrëmoj dhe argumentoj, arsyetoj, kurse ti rrëmon nëpër rrëmimet e mia dhe kërkon patjetër t’i veshësh atyre gjëra që nuk i mbajnë. Unë të paktën rrëmoj që të gjej e që të arsyetoj. Ti rrëmon ato që kanë rrëmuar të tjerët dhe kërkon t’i banalizosh, por nuk arrin dot se je pa identitet.

  4. Duket sikur Cabej ne kete diskutim perpiqet te ruaje balancen midis objektivitetit te shkencetarit i cili ndjek faktet kudo qe ta cojne por ne te njejten kohe duke mos i shkelur ne kallo Partise e cila me metodologjine e saj te pagabueshme m-l kishte arritur ne konkluzionin se shqiptaret ishin autoktone , me trimat , me te mencmit,me te vjeterit, gjuha shqipe mema e gjithe gjuheve te planetit etj, dhe shkencetareve vecse iu duhej te gjenin faktet .

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin