nga Aristotel Spiro
Titulli origjinal: SHANSI I HUMBUR I 50-VJETORIT TË DREJTSHKRIMIT OSE MBI PARIMET DREJTSHKRIMORE DHE DEMONË TË TJERË
Perdja ra, dritat u fikën dhe festimet e 50-vjetorit të Kongresit morën fund. Mbi 100 referate e kumtesa u mbajtën në Prishtinë, Tetovë, Ulqin e Tiranë.
Mendime mjaft interesante u dëgjuan dhe propozime të ndryshme u bënë. Por përfundimi praktik? Zero. Asnjë institucion nuk ndihet i aftë për të hartuar një rezolutë në lidhje me gjendjen e sotme dhe problemet e drejtshkrimit shqip. As Këshilli Ndërakademik i Gjuhës Shqipe, as akademitë veç e veç, përfshirë Akademinë e Studimeve Albanologjike, nuk dolën me ndonjë përmbledhje përfundimesh të qarta për perspektivat e drejtshkrimit shqip. Në një kuptim, është i shfajësueshëm kryeministri i Republikës së Shqipërisë, i cili shpall inferioritetin e kohës së vet përballë asaj që favorizoi gjuhëtarët shqiptarë për të kodifikuar shqipen standarde dhe formuluar rregullat e drejtshkrimit shqip. Por meqenëse i njëjti kryeministër ndihet i pafuqishëm për të drejtuar një proces rishikimi të shëndetshëm të drejtshkrimit, edhe pse i fuqishëm politikisht për të vendosur, e ka më të lehtë të përdorë një gjuhë ofenduese dhe përulëse en bloc gjithë gjuhëtarët e sotëm.
Në fakt, ligjërata për drejtshkrimin ka mbetur po aty ku ishte. Me një përjashtim, i cili konsiston në diskutimin mbi parimet e drejtshkrimit të shqipes standarde.
Në disa artikuj në shtypin shkencor dhe në shkrime e intervista në shtypin e përditshëm, si dhe në një libër sprove studimore autori i këtij shkrimi ka hedhur dhe mbrojtur tezën se parimi themelor i drejtshkrimit të shqipes është parimi fonologjik, ndërsa parimi i ashtuquajtur morfologjik nuk ekziston në gjuhën shqipe.
Ai konsideron se diskutimi mbi parimin themelor të drejtshkrimit ka rëndësi të jashtëzakonshme: është i bindur se nuk ka vetëm rëndësi teorike, por ka sidomos rëndësi praktike. Shumë diskutime që janë bërë e bëhen për të ndërhyrë e për të ndryshuar drejtshkrimin, pavarësisht nga argumentet sistematike gjuhësore të përdorura, duket sikur nuk bindin. Jo gjithmonë sistematiciteti mund të përbëjë argument për të shfajësuar një ndryshim drejtshkrimor. Një rast vibrues është edhe përdorimi «Europë» në dëm të «Evropë», që e rekomandon si përjashtim nga rregulli «Drejtshkrimi i gjuhës shqipe» (1973). Dy dhjetëvjeçarët e fundit vërehet një prirje për të braktisur shqiptimin «Evropë» dhe për të parapëlqyer shqiptimin «Europë», të cilën disa gjuhëtarë e mbështetin teorikisht me anë të sistematicitetit; domethënë, ka disa fjalë të tjera të njohura në shqip me temën {euro-}, si Euro, Eurosocialist, Eurobond, që imponojnë shqiptimin «Europë» dhe jo «Evropë». Mirëpo, fjalë me temë «Europë» kanë qenë përdorur edhe gjatë periudhës 1972-1992, që mund të quhet «periudha komuniste» e standardit shqip (Euroazi, Eurovizion, Eurokomunizëm, eurokomunist etj.). Po ashtu, kriteri i dendurisë së përdorimit të një forme nuk është gjithmonë i mjaftueshëm për të përligjur një ndryshim në drejtshkrim. Përemrat pronorë yt, ynë, sate realizohen nga shumica dërrmuese e përdoruesve si *jot, *jonë, *tënde (shoku jot, ekipi jonë, vajzës tënde), por këto nuk përbëjnë argument që të njihen si forma normative që të mund të mënjanojnë format e rregulllta yt, ynë, sate. Rasti i shqiptimit «Europë», dëshmon se si një përdorim që vjen nga një regjistër i ulët ligjërimor mëton të kthehet në normë e të zëvendësojë trajtën normative «Evropë», duke u shfajësuar me argumentin e pamjaftueshëm të sistematueshmërisë. Kështu, një elitë e vetëshpallur kërkon t’i imponojë gjithë pjesës tjetër, përfshirë shqipfolësit në Kosovë e në vise të tjera jashtë Shqipërisë shprehitë e veta gjuhësore.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për rastet e përdorimit a të mospërdorimit të [ë]/<ë>-së së patheksuar apo për përdorimin e gabuar të pronorit «tënde» në dëm të femërorit të saktë «sate».
Në këto kushte, del e nevojshme të kuptojmë se cili parim përshkon drejtshkrimin shqip. Mendimi im është se parimet nuk janë produkt marrëveshjeje ose kompromisi midis gjuhëtarëve (Çeliku 1995 (2014): 209). Ato veprojnë objektivisht dhe shpjegojnë logjikën e marrëdhënieve midis tingujve (fonemave, foneve) të gjuhës dhe grafemave (shkronjave) të saj. Drejtshkrimi i shqipes është relativisht shumë i ri dhe, ashtu si (drejt)shkrimi i çdo gjuhe alfabetike në fillimet e veta, mbështetet në përkatësinë e përdykahshme (biunivoke) të tingujve (fonemave apo realizimeve të tyre sistematike fonetike) me grafemat (shkronjat apo kombinimet minimale grafematike, kur sistemi fonetik është më i pasur nga fonetika e alfabetit të huazuar).
Me alfabetizimin e gjuhëve të pashkruara, sistemi i tyre fonetik dhe gjuhësor në përgjithësi «disiplinohet». Ky disiplinim mësohet në shkollë, si pjesë e edukimit të gjithanshëm të njeriut. Njeriu quhet i «mësuar», për arsye se di shkrim e këndim. Një njeri i edukuar në fillimet e formimit të ndërgjegjes kombëtare shqiptare, por edhe para saj, quhej «njeri me gramë», domethënë «njeri me shkronja» (gramë ‘shkronjë’ < gr. γράμμα). Marrëdhënia është e përdykahshme: me të dëgjuar një fjalë, me aftësitë analitike fonetike që ka fituar përdoruesi i gjuhës është në gjendje që ta përfytyrojë atë grafikisht dhe ta shkruajë në një hapësirë reale ose virtuale (në një letër me penë a në një mur me bojë ose në kompjuter). Fjalët e gjuhës janë imazhe tingullore që perceptohen si vijimësi tingujsh, por edhe si tërësi fonetike, sikundër janë edhe vijimësi shkronjash dhe njëkohësisht tërësi figurative grafike të lidhura me kuptime në një mënyrë arbitrare, sikundër thotë edhe Saussure-i (1931: 100). Sado të jetë kritikuar Saussure-i se këtë marrëdhënie e vendos në favor të fonetikës / gjuhës së folur, thelbi i saj mbetet megjithatë i drejtë. Është e vërtetë se me alfabetizimin e shoqërisë shkrimi ndikon në shqiptimin e fjalëve, gjë që vërehet edhe në rastin e gjuhës shqipe, por përparësia e fonetikës është e pranishme në çdo rast, sepse simbolet grafike, grafemat nuk janë shenja të rastësishme, por janë simbole të një marrëveshjeje përkatësore me vlerën fonetike përkatëse, të vendosur gjatë procesit të nxënies së sistemit shkrimor. Kjo vlen jo vetëm për shkrimet alfabetike, por edhe për shkrimet logografike silabike, siç është rasti i gjuhës kineze, koreane etj.
Kjo marrëdhënie nuk paraqitet si e dhënë një herë e përgjithmonë, domethënë imazhi fonetik nuk prodhon automatikisht një imazh grafematik, sikundër imazhi grafematik nuk e udhëheq imazhin fonetik. Shembulli i gjuhëve me traditë të lashtë drejtshkrimore, ku përkatësia e përdykahshme fonemë / realizim fonetik : grafemë nuk vërtetohet gjithmonë (për shembull, në greqishte, frëngjishte, anglishte, gjermanishte) dëshmon se përdoruesit e gjuhës, edhe kur përdorin shkrimin, kanë parasysh gjithmonë si pikë referimi sistemin fonologjik. Shkrimi, sistemi grafematik ekziston vetëm për këtë arsye, për t’u përdorur si një sistem ndihmës në mënyrë që të arrihet tek «gjuha e folur». Pavarësisht fuqisë së madhe të anës grafematike, e cila kontribuon në ruajtjen e një norme fonetike (Vehbiu 2014) dhe gjuhësore në përgjithësi, vendin e parë e ruan gjithsesi ana fonetike e gjuhës, e cila ose konfirmohet ose kontestohet nëpërmjet shkrimit, në varësi të shkallës së alfabetizimit dhe/ose ndjenjës së pavarur fonetike të përdoruesve të gjuhës. Në rastet kur kjo kontestohet, del i nevojshëm modifikimi i shkrimit. Imazhet fonetike nuk përputhen plotësisht me imazhet grafike, të cilat sugjerojnë një fonetikë të ndryshme. Kërkesat për ndryshime drejtshkrimore burojnë nga mospërputhja e kësaj ndjesie: domethënë, shkrimi nuk i përgjigjet ndjenjës fonetike të përdoruesve dhe jo «fonetika nuk i përgjigjet shkrimit». Pra, njerëzit nuk flasin «sipas shkrimit», as shkruajnë duke ndjekur «performancën tingullore», por sipas një përkatësie të përdykashme që vendoset midis sistemit grafematik dhe atij fonologjik, i cili pajton përfytyrimin që kanë përdoruesit e gjuhës për sistemin fonologjik dhe atij grafematik. Sistemi grafematik, grafemat janë në radhë të parë pasqyrim i «tingullit» të perceptuar në mendjen e përdoruesit, i cili ka një projeksion tingullor dhe një projeksion paralel shkrimor. Është kjo situatë që nuk na lejon ta quajmë shkrimin e një gjuhe alfabetike thjesht shkrim fonetik, sikundër është quajtur në kuptimin më të gjerë në mjaft studime gjuhësore (dhe jo vetëm për gjuhën shqipe), por ta quajmë quajmë shkrim fonologjik. Edhe parimi që përshkon shkrimin dhe drejtshkrimin e gjuhëve në përgjithësi dhe të gjuhëve alfabetike në veçanti, ku bën pjesë edhe shqipja, është parimi fonologjik.
Së këndejmi rrjedh se përcaktimi i parimit themelor të drejtshkrimit shqip si parim fonetik nuk është i saktë. Nuk është i saktë as përcaktimi i këtij parimi si fonematik. Sepse shkrimi i gjuhës shqipe, sikundër i gjuhëve të tjera, nuk është as transkriptim fonetik, as transkriptim fonematik. Shkrimi përbën një sistem të veçantë, që ka pavarësi relative nga sistemi fonologjik. Sistemi grafematik përbëhet nga shkronjat dhe shenjat e tjera grafematike ndihmëse, të cilat, të kombinuara me një mënyrë të veçantë me njëra-tjetrën shërbejnë për të paraqitur ligjërimin e gjallë. Me paraqitjen e tyre, grafemat janë të afta që të na çojnë përsëri si fonetikisht ashtu edhe kuptimisht tek fjalitë fonetike të formuluara ose të shqiptuara. Nëpërmjet shkrimit zbulojmë përbërjen fonematike dhe realizimet fonetike të çdo segmenti ligjërimor.
Karakteri fonologjik i shkrimit dhe drejtshkrimit provohet me qëndrueshmërinë e tij. Paraqitja grafematike e një fjale është përgjithësisht e njëjtë në të gjitha situatat, në të gjitha tekstet. Leximi i saj, përkundrazi, mund të ndryshojë nga njëri përdorues tek tjetri. Në këtë paraqitje grafematike dhe në leximet e pafundme që ajo ofron përmblidhet karakteri fonologjik i drejtshkrimit. Grafemat, shkronjat nënkuptojnë në përgjithësi fonemat, por ndonjëherë edhe realizimet fonetike të fonemave, ndërsa leximi i tyre zbulon dhe konfirmon anën fonetike të drejtshkrimit.
Këto janë arsye që shkrimin dhe drejtshkrimin e shqipes, ashtu si të gjuhëve të tjera, ta cilësojmë si shkrim fonologjik, ndërsa parimin drejtshkrimor që e përshkon ta përcaktojmë si parim fonologjik.
Ky është edhe parimi themelor i drejtshkrimit të shqipes.
Në drejtshkrimin shqip veprojnë edhe parime të tjera dytësore, të cilat shërbejnë për të interpretuar një numër më të vogël ortogramash. Një ndër ta është parimi tradicional historik. Me kalimin e kohës sistemi fonetik i gjuhës evoluon, ndodhin ndryshime fonetike në pjesë të ndryshme të sistemit gjuhësor, por shkrimi mbetet i pandryshuar, për shkak të karakterit të tij konservator. I njëjti shkrim që më parë lexohej në një mënyrë të caktuar tani lexohet ndryshe.
Sidoqoftë, në gjuhën shqipe karakteri tradicional historik i drejtshkrimit është shumë i dobët. Drejtshkrimi i saj nuk ka atë moshë të madhe që të ketë shkaktuar mospërputhje midis shqiptimit fillestar (të kohës kur u vendosën rregullat e drejtshkrimit) me shqiptimin e sotëm. Mund të flitet për veprim të parimit tradicional historik në rastin e ortogramave devijuese para Kongresit të Drejtshkrimit. Do të ishte megjithatë më e saktë të flitej për parim tradicional historik të shkrimit shqip dhe jo të drejtshkrimit, sepse këto ortograma tani janë të vjetruara dhe nuk përdoren më.
Përcaktimi i saktë i parimit themelor të drejtshkrimit të gjuhës shqipe ka rëndësi shumë të madhe për të kuptuar mënyrën se si ai funksionon. Analiza që i bëhet marrëdhënies së sistemit fonetik me sistemin grafematik, ballafaquar me formulimet e Kongresit të Drejtshkrimit dhe shkrimeve të botuara pas tij dëshmojnë se ky formulim është në rastin më të mirë i paqartë. Mirëpo, kjo paqartësi në perceptimin e parimit themelor të drejtshkrimit nxit një ligjëratë të gabuar, e cila përfshin propozime arbitrare për ndryshime në drejtshkrimin e shqipes. Gjuhëtarët, por edhe një pjesë akademikësh e njerëz të kulturës, krijojnë iluzionin e gabuar se kanë të drejtë të ndryshojnë drejtshkrimin ose të propozojnë ndryshime në drejtshkrim. Në fakt, veç detyrimeve, nuk kanë asnjë të drejtë më shumë mbi gjuhën shqipe se përdoruesit e tjerë.
Përcaktimi i saktë i parimit themelor të drejtshkrimit shqip si parimi fonologjik ka rëndësi pikërisht për këtë arsye: për ta mbrojtur drejtshkrimin nga ndryshimet arbitrare të cilitdo autoritet shkencor e kulturor dhe për ta futur diskutimin në një rrugë teorike dhe praktike të shëndetshme.
Përndryshe, do të riciklohet vazhdimisht e njëjta ligjëratë e pafrytshme me propozime përherë të kontestuara, siç e provuan së fundi veprimtaritë nderuese me rastin e 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, që ishin një tjetër shans i humbur.
(c) 2023 Aristotel Spiro. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
REFERENCA BIBLIOGRAFIKE:
Çeliku 1995 (2014) = Çeliku, Mehmet. Probleme të diskutueshme rreth drejtshkrimit të gjuhës shqipe, 1973. Në: Mehmet Çeliku, Çështje të gjuhës standarde. Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Tiranë 2014. 206-210.
Saussure 1931 = Saussure, Ferdinand de. 1931. Cours de linguistique générale. 3e édition. Publié par Charles Bally et Albert Sechehaye avec la collaboration de Albert Riedlinger. Paris: Payot.
Vehbiu 2014 = Vehbiu, Ardian. 2014. Të flasësh me drejtshkrim. Në: Peizazhe të fjalës. 2 qershor 2014 (https://peizazhe.com/2014/06/02/te-flasesh-me-drejtshkrim/). Vizituar së fundi më 29.01.2023.