HALETË E NJË EPOKE HERONJSH

Artan Fuga nxjerr një status, ku kërkon një vështrim më “njerëzor” ndaj Skënderbeut, përfshi këtu edhe jetën e tij të përditshme dhe private, që ende i mungon historiografisë.

Statusi mori dhenë, pasi ia botoi edhe TemA.

Atje lexohen pyetje për Skënderbeun si këto më poshtë:

Ku i merrte robat? I blinte në Itali, ja bënin në familje shërbëtoret, i a dhuronin, i prodhonin artizanët vendas? Cfarë vishte si të brendshme, çorape, këpucë – opinga -?

Cilit Zot i besonte? Kulturën fetare e kishte verbale apo edhe lexonte? Cfarë lexonte? E pranonte natyrën hyjnore – njerëzore të Krishtit? C’mendonte për të shenjtën Mari?

Kush e vizitonte si mjek? Cfarë sëmundjesh ka kaluar, kush e mjekonte?

Cfarë ushqimesh hante ai dhe familja? Cfarë mishi, si e bënin bukën, ku e gatuanin, hanin perime, fruta?

Me çfarë hante? Me duar, me lugë, lugë druri, bronxi, hekuri, me çfarë lënde ishin bërë pjatat? hante vetëm, apo me familjen?

Kush e qethte dhe kush e rruante? Berberi? Vetë? Sa herë lahej në javë a muaj? Me çfarë solucioni?

Flinte vetëm? Apo me bashkëshorten?

Edhe ato që ka shkruar Fuga, edhe reagimet e pritshme ndaj statusit dëshmojnë që figura e Skënderbeut, në vetëdijen e sotme publike, është ikonizuar.

Për shumë prej nesh, të kërkosh nëse ka pasur apo jo të dashur Skënderbeu, është njëlloj si të pyesësh nëse ka apo jo të dashur statuja e Skënderbeut te sheshi.

Skënderbeu “njeri” nuk i intereson fare historiografisë kombëtariste dhe kjo ka të bëjë me metodat që ndiqet sot e kësaj dite, nga historianët.

Më duket krejt legjitime kureshtja, si në statusin e Fugës, për jetën e përditshme të arbërve gjatë shekullit të Skënderbeut.

Por unë nuk besoj se këto të dhëna të jetës së përditshme duhen lidhur detyrimisht me një figurë tashmë të ikonizuar.

Nga Skënderbeu duhet të na interesojë ÇFARË BËNTE NDRYSHE prej të tjerëve, përfshi këtu edhe arbërit bashkëkohës, si shquhej dhe pse, si e krijonte historinë duke vepruar – jo çfarë bënte ngjashëm me dhjetëra mijëra të tjerë.

Çdo historian, kur shkruan një “histori të Skënderbeut”, vetvetiu e redukton jetën e plotë të protagonistit në jetë të kufizuar, të thjeshtuar, drejtvizore – duke e narrativizuar.

Se çfarë hante Skënderbeu për darkë nuk është pjesë e kësaj narrative. Me gjasë, nuk ka ndikuar në ato vendime dhe veprime të tij, për të cilat ai ka mbetur në vëmendje të botës.

Por publiku sot, të cilit i serviret me bujë kjo narrativë nga Mesjeta, ka të drejtë të kërkojë të dijë diçka më tepër nga jeta e përditshme në atë kohë – e prijësve si Skënderbeu, dhe e njerëzve të thjeshtë: ushtarëve, bujqve, zejtarëve.

Është mangësi e historiografisë, që kufizohet me bëmat e mbretërve dhe prijësve; por në rastin tonë, kjo mangësi mbase kushtëzohet edhe nga varfëria e të dhënave në dispozicion.

Ne nuk kemi gjetur deri as varret e atyre dhjetëra mijëra arbërve dhe turqve osmanë, që me gjasë kanë mbetur të vrarë gjatë çerekshekullit skënderbejan.

Më shumë flitet për varre të ilirëve, se varre të arbërve të Mesjetës.

Arkeologjia nuk ka treguar dot bindshëm si jetohej në Mesjetë – dhe as çfarë tregtonin njerëzit, çfarë hanin, si jetonin, e kështu me radhë.

Kur të dalin ndonjëherë këto gjëra në dritë – nëse do të dalin – nuk ka nevojë që t’ia atribuojmë narrativës së Skënderbeut, për t’i rrëfyer.

Gjithsesi, jemi shumë larg këtij ndërrimi të paradigmës historiografike – ne ende nuk dimë të flasim për jetën e përditshme në kohën e Mbretërisë, e jo më për më herët.

Aq sa edhe vetë historia politike – që është legjitime në vetvete – vjen e sheshohet, kur mbetet e pashoqëruar nga vëmendja për histori të tjera.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

1 Koment

  1. Disa studime te thelluara per ate periudhe do te hidhnin drite dhe mbi ate qe mundohen serbet prej shekujsh ta erresojne. trashegimine arberore-shqiptare ne trevat mbareshqiptare dhe kosove.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin