NEVOJA PËR PENDESË

nga Gentiana Minga

Në një nga intervistat dhënë për Studion e hapur të Eni Vasilit, më 10 prill 2018, Simon Mirakaj kujton një çast prej Ferrit të tij, kur një plak lumjan ulur mbi një gur, me një zë të bukur, ia merr këngës “ I hypa vaporit”. Për Simon Mirakaj kjo ishte një dëshmi prekëse sesi “njeriu mundohet të adoptohet edhe në ato kushte, me e tregu veten se asht njeri”. Nuk kishte sesi kjo mos të më kujtonte një fragment tek “ Se questo è un uomo” të Primo Levit, ku autori rrëfen një nga ditët e fundit të mbijetesës së tij në Aushvic. Aty përshkruan tre qenie të tilla që sapo kanë tërhequr zvarrë një tra hekuri gjigand e me një tas në dorë çapiten për të marrë racionin e drekës një kilometër larg. Njërit prej tyre, pikërisht Levit, numrit 174 517, një Untermensch, për herë të parë, befas, i vijnë në mënd vargjet e Këngës 26, të Ferrit. Vihet kështu t’i shqiptojë ngadalë duke iu druajtur kujtesës së vet. Tjetri, ai që e dëgjon me kërshëri, është francezi Pikolo. Ndërsa mbajnë pra të tre rrokur pas kraharorit tasin bosh e shkojnë duke u lëkundur drejt kazanit të madh të supës me veshjen e tyre mjerane me viza, Pikolo i kërkon Levit t’i recitojë diçka. Ca fjalë, ashtu, shpejt e shpejt. Ja kërkon këtë me një farë pasioni. Dheu që shkelin mban erë katran e numrit 174 514 i vijnë ndërmend vargjet e Uliksit. Mrekullohet ngase është hera e parë që ndihet sërish njeri e, ndërsa bën kujdes të mos ngatërrohet me sapllaket e veta prej druri, rreket po me të njëjtin kujdes të përkthejë drejt për së drejti të tërë këngën. Për çudi ai e përshkruan këtë mëngjes si më të mrekullueshmin e jetës së vet. Një shpresë i lind në zemër se kushedi, ndoshta poezia, kujtimi i të bukurës, mund ta ruante atë si qenie njerëzore deri në fund të fundit. Thur kënaqshëm një strofë e vihet në gjetje të fjalëve më të përshtatshme në frëngjisht, derisa arrin të thotë vetëm :

Ma tej s’mund të kalohej pa qenë zok

Kur kanë mbërritur fare pranë kazanit të madh e janë gati në krye të radhës, prej gjuhës së ngjethët i rrëshqet vargu kobzi:

kapak mbi kokën tonë ra gjithë ai det.

 Përkthimi i vargjeve të Dantes është i Pashko Gjeçit e i shkon përshtat përshkrimit të çdo ferri, prej të cilit, porsi plaku lumjan që ulur mbi gur veç mund ta këndojë ëndrrën e tij për t’i hipur vaporit, askush s’mund të ikte pa qenë zog.

Njohja me dëshmi të tilla, kujtime të burgut, prej kampeve të përqendrimit, prej skëterrave të llojllojshme, të kahershme, të vjetra, të sotme, o paralele, për sa mund të shkaktojnë plagë të thella e zhgënjime të hidhura mbi dinamikat sesi njerëzimi cytet vazhdimisht për të mbytur vetveten, mbetet padyshim një akt i domosdoshëm kujtese e respekti për ata që jetën ua morën a ua sakatuan për qindra arsye të paarsyeshme bashkëkombësit e tyre, apo më saktë Ne, shqiptarët e tjerë për 45 vjet. Brezat e prindërve, brezat e gjyshërve, ata më me fat apo me fat të keq relativ. Shumë prej të cilëve të bindur e stoikë, të tjerë në mënyrë të pavetëdijshme, të tjerë të tulatur, të tjerë për burracakëri a për rehati. Ne, të pa prekurit, të pastrit a të pastruarit, që përçmonim e u frigoheshim të prekurve, siç e thotë shumë bukur në një intervistë të tij Agron Tufa kur kujton fëmijërinë me shokët e klasës. E kush prej nesh nuk ka patur në klasë së paku një të prekur? Në lagje? Në punë? Viktimat e diktaturave janë njerëz shumëfish të tradhtuar. Nga gjëma e hidhur që u ra për pjesë e që nuk patën mundësi ta ndryshonin, nga turpi për mizoritë që u shtrënguan të pësojnë e të shohin tek e pësonin të tjerët pa bërë dot zë, akoma edhe më të tradhtuar ndihen ata, ngase kanë shkuar apo shkojnë drejt vdekjes të lënduar e në harresë, jashtë librave të historisë, jashtë kujtesës e ndërgjegjes së popullit të tyre. Ca vite më pas do të jetë sikur të mos kenë ekzistuar kurrë. Më 2019-ën, me iniciativën e Organizatës së Luftës kundër Antisemitizmit në Zvicër, Ulrich Gantz e Barbara Brix, fëmijë të funksionarëve të lartë nazistë, së bashku me Yvonne Cossu e Jean-Michel Gaussot, fëmijë të viktimave naziste, vendosën të organizojnë takime në shkolla të ndryshme të Luisanne-s e Friburgut, ku bashkëbiseduan me shkollarët mbi rëndësinë e kujtesës historike, të distancimit të domosdoshëm publik e në mënyrë të prerë nga diktaturat. Në tetor të 2021-it, Michela Marzano, filozofe e shkrimtare italiane, gazetare e të përditshmes Repubblica, rrëfen vuajtjen që e kishte kapluar për vite me radhë prej një ndjenje të fortë të fajit pasi kishte zbuluar të kaluarën fashiste të gjyshit nga ana e të jatit. Anëtar i bindur i partisë fashiste, kishte marrë pjesë në mënyrë aktive në dërgimin e shumë hebrenjve e antifashistëve në kampet e përqendrimit. Në një libër të botuar së fundmi nga shtëpia botuese Rizzoli, Stirpe e vergogna, cilëson rëndësinë e domosdoshme që kishte pas viteve 40, depurimi, defashtizimi i strukturave publike nga funksionarë drejtpërdrejt të lidhur më diktaturën fashiste. Me habi ajo kishte vënë re sesi, pas 75 vitesh, vetëm 3% e këtij procesi ishte çuar deri në fund, gjë që shpjegonte situatën në të cilën gjendet sot Italia, ku vërehet një rizgjim domethënës i grupeve me ngjyresa të forta antisemite e naziste. Sipas Marzanos, faji i italianëve nuk ishte vetëm privat, por edhe e pa diskutim kolektiv. Sikundër në Itali, Gjermani, Kinë e të tjera vende, edhe në Shqipëri, njerëzit që u hapën gropën njerëzve të tjerë shpesh ishin nga fqinjët në radhë për të blerë qumështin, mësuesja që u ledhatonte kokën, mjeku që u kontrollonte bajamet, ishte shoku i bankës a shoqja e pallatit. Kolegia e punës, kushërira e dytë apo e tretë.

Ishte një ëndërr që e mundonte Primo Levin teksa mblidhte kockat e tij në krevatin që e ndante me një tjetër fatzi. Në atë ëndërr e shihte veten të rikthyer në shtëpi, rrethuar nga miqtë. Pranë ka motrën e familjarët e, në “këtë kënaqësi depërtuese, fizike” ai rreket t’u rrëfejë tmerrin që ka kaluar. Pas një farë kohe që jep e merr me zemrën që i përpëlitet vë re se asnjë prej tyre nuk po ia vë më veshin. Miqtë e familjarët llafosen mes tyre e një çast edhe e motra ngrihet e shkon pa e përshëndetur. Prej këtij makthi Levi zgjohej i tronditur në terrin e fjetores së kampit. Pak më vonë do të merrte vesh se ky ishte makthi i të gjithëve, pra, që do vinte një ditë kur ata ndoshta do të ktheheshin gjallë në shtëpi. Që me të mbërritur, në jerm të papra, do të viheshin të rrëfenin fije për pe gjëmën që u kishte ngjarë. Por ja që sikurse i ndodhte edhe Levit, kurrkush prej atyre që dëgjonin nuk tregonte ndonjë lloj interesi. E thuajse për të tërë, kjo ëndërr e përzishme këputej në mes kur ende pa gdhirë britnin sirenat e kampit.

Në fakt, pas çlirimit të kampeve të shfarosjes, ndërsa të internuarit me zhelet në trup u nisën për në shtëpitë e tyre, kush në këmbë e kush mbi trena, më 4 korrik të 1946-ës, në qytetin polak Kielce, 40 hebrenj polakë u masakruan dhe 80 të tjerë u plagosën. Të gjithë i kishin mbijetuar Holokaustit. Sipas një thashethemnaje shpërndarë në zonë e s’u mor vesh prej kujt “disa hebrenj kishin rrëmbyer një fëmijë për t’i pirë gjakun”. Hebrenjtë e parë që u zbritën trenave në stacionin hekurudhor të Kielces u morën zvarrë e u ekzekutuan mu para hundës së policisë që vëzhgonte indiferente.

Pas rënies së diktaturës së komunizmit, një nga mijëra të persekutuarit politikë, pas më shumë se dy dekada burg për Agjitacion e Propagandë, një ditë prej ditësh, i telefonon një zyre të Ministrisë së Drejtësisë për të ditur nëse e kur do t’u jepej shpërblimi që u takonte me ligj. I përgjigjet një zonjë që i kërkon emrin. “Daut Gumeni” ia kthen zotëria. “Hala nuk paskeni ngordhur ju?” ju plas tjetra nga ana tjetër e telefonit. Daut Gumeni zemërthyer ul telefonin. Zonja ishte një zyrtare e institucionit të Ministrisë së Drejtësisë.

Më prill 2019-ës, në një intervistë për Top channel, Agron Tufa, atëherë Drejtor i Institutit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, ngre zërin për “praninë e tejngopjen e Instituteve tona të pavarura e të varura të administratës me ish-sigurims të ish-diktaturës. 519 të tyre vetëm në Policinë e shtetit.” Më dhjetor të të njëjtit vit Agron Tufa detyrohet të japë dorëheqjen dhe të largohet përfundimisht nga Shqipëria.

Ka periudha të vitit, që shpesh përkojnë me afrimin apo fill pas ditës së kujtimit të Holokaustit, ku filloj të rilexoj kujtimet e të mbijetuarve të kampeve të shfarosjes gjatë Luftës së dytë botërore për të përfunduar me ridëgjimin e intervistave të të mbijetuarve të diktaturës komuniste në Shqipëri. Kjo më pas shndërrohet në një rit, javë të tëra, muaj të tërë ku orë pa orë gërmoj faqe pa fund, e kur orë e orë dhimbjet e stomakut e sëmbimet e egra në zemër bëhen të padurueshme. E po aq edhe ndjenja e fajit shoqazi me një velitje të përzishme.

Shqipëria ka të drejtë të kryelartësohet me ditën e 27 janarit, meqë ishte vërtet nga të paktët vende që nuk i dorëzuan hebrenjtë. Por ka gjithashtu ende një domosdoshmëri urgjente për dekomunistizimin e strukturave publike e shtetërore. Ka një domosdoshmëri urgjente për një rishkrim të historisë së realizmit socialist. E meqenëse bëhet fjalë për një periudhë prej më shumë se katër dekada, në të cilën 30% e popullsisë u burgos, u syrgjynos, u ther, u dhunua, u përçudnua, u çmerit, u nëpërkëmb nga një diktaturë që u mbajt gjallë në mënyrë direkte apo indirekte nga 70%-shi tjetër i popullsisë, hamendësoj që Shqipëria të ketë nevojë urgjente për pendesë kolektive e distancim kolektiv. Fatalisht, edhe sot, asnjë prej këtij 70%-i nuk mund t’i përvidhet këtij procesi katartik. Në një Shqipëri të vogël me fise të mëdha, për fat të keq, asnjë prej nesh nuk mund të vërë shpirtin në paqe. Askush prej nesh nuk mund të jetë plotësisht i sigurt që dikush prej të dashurve tanë apo vetë ne të mos i kemi shërbyer në një mënyrë apo tjetër, me zor apo pa zor, mbarëvajtjes së kësaj mbretërie rrëqethëse. Shprehja “Ashtu ishte koha” që të kall datën as nuk ia shlyen njollën popullit tonë e as nuk ia kuron plagët. Uroj për kë këtë proces nuk e ka konsideruar kurrë, të mund ta nisë me hapa të vegjël e të pabujshëm. Gjithkush në formën që i përshtatet më shumë. Dikush me vetveten, dikush me familjarët e miqtë, dikush me viktimat në qofshin gjallë ose me pasardhësit e tyre. Një telefonatë me ish shoqen/shokun e klasës, një bisedë me fqinjin, me kolegun apo vartësin, me nxënësit e një shkolle. Një letër private e sinqertë, në emër të… e për shpirt të

“Kushdo është hebre i një tjetri” shkruan Primo Levi te libri “Se non ora quando”. Unë e besoj. Mbase viktimat e diktaturës komuniste ishin hebrenjtë tanë.

(c) 2022 Genta Minga. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin