LOJTAR SA PËR SOT

Para 1990-ës – por me gjasë edhe më pas – qëllonte që kur të vinte për darkë një mysafir i rëndësishëm, pjatat dhe gotat ia merrje hua komshijes. Ose e kundërta – komshia t’i merrte ty. Vajzat dhe gratë këmbenin mes tyre veshje të çmuara, sidomos formale ose luksi, ndonjëherë edhe burrat (kravatat). Kam dëgjuar që njerëzit jepnin hua edhe macen, për të zgjidhur ndonjë problem akut minjsh. Sende të tjera që mund të ndërronin duar përkohësisht ishin orët e dorës, çadrat, magnetofonët, syzet e diellit, stolitë, pompa e biçikletës, stilografi, kapelat. Shpesh kjo ndodhte në situata kur kërkohej “dukja” – si në rastin e pjatave, piatancave dhe mbulesës së tavolinës; por ndonjëherë e kërkonte edhe thjesht nevoja, p.sh. kur duheshin karrige më tepër, filxhanë kafeje, hekuri i rrobave ose edhe biçikleta. Edhe librat shëtisnin nga një bibliotekë në tjetrën lirisht. Një arsye e fortë (por jo e vetmja) për këtë “komunizëm” të pronës vetjake ishte varfëria e tregut: jo rrallë, nuk e gjeje dot atë që të duhej. Një familje që papritur vihej në zotërim të një dashi të therur, p.sh. kur ia sillnin nga fshati, do t’u kërkonte komshinjve që t’i bënin vend ndonjë cope në frigorifer, për ngrirje. Një herë, në plazh të Durrësit, mbaj mend që u pata dhënë në besë, ca tipave që s’i njihja fare, kitarën – ma kërkuan “për një natë”. Budallallëk, sepse mund ta kishin mbajtur (ishte kitarë rrangalle, gjithsesi); megjithatë, ma kthyen.

Të gjitha këto më erdhën në mendje, kur m’u kujtua sot një gjë e çuditshme, që ndodhte me ekipet e futbollit: huazimi i lojtarëve të mirë, në ndeshje ndërkombëtare. Për shembull, kur Dinamoja kish të luante një ndeshje eliminatore për kupën ballkanike, do të merrte Tit Dibrën nga Tirona – sa për një ndeshje – përfytyroni sikur Interi të marrë Vlahoviçin nga Juventusi, sa për ndeshjen sonte me Realin.

Vëreni autorin e golit të parë, për Dinamon tonë

Nuk e kam të qartë si arrinin ekipet në Shqipëri ta realizonin këtë marifet pa u ndëshkuar nga UEFA: me gjasë, i regjistronin ndërkombëtarisht lojtarët e mirë të skuadrave të tjera si të tyrit, që para se të çelej sezoni futbollistik. Skuadrat e huaja që luanin me ne mbase nuk e kuptonin se ç’bëhej; ose e kishin marrë vesh marifetin, por nuk protestonin, sepse u vinte keq ose gjykonin se nuk ia vlente. Sa për tanët, këta nuk kishin asnjë skrupull: i merrnin lojtarët “borxh” si të ishin piatanca ose servise çaji, për një darkë të vetme, ose e shumta për dy-tre darka. Ashtu lojtarët “hanin” edhe ndonjë rrugë jashtë. Nëse nuk më gabon kujtesa, komentatorët në TV filluan t’i quanin këta lojtarë jo me emrin e tyre, por me një emër tjetër (p.sh. me emrin e parë, jo me mbiemrin), kur zbrisnin në fushë për të luajtur me skuadrën që i kish marrë hua.

Në Shqipëri nuk kish mekanizëm të këmbimit të futbollistëve (a të trajnerëve) – ekipet ndërtoheshin me sportistë që banonin në rrethet përkatëse. Lojtarët e Lokomotivës së Durrësit ishin, me përkufizim, nga Durrësi dhe rrethinat; ata të Traktorit, nga Lushnja, ata të Apollonisë nga Fieri; dhe ky “rrënjëzim” lokal i skuadrave i jepte një aromë të fortë folklorike, për të mos thënë dialektore, kampionatit. Të vetmit ekipe futbolli që mund të zgjidhnin e të merrnin lojtarë “nga rrethet” ishin Partizani dhe deri diku Dinamoja; të cilat asnjëherë nuk u shkëputën nga statusi si ekipe “ministrish” (dhe jo gjeografish, si të tjerat). Partizani përfitonte – herë përkohësisht herë përgjithnjë – nga të rinjtë që bënin shërbimin e detyruar ushtarak, Dinamoja edhe ajo me rrugë të ngjashme. Transferimi arrogant i një lojtari të mirë shoqërohej me pakënaqësi të madhe mes lokalëve – thjesht ngaqë ekipet nga qendra kishin shumë pushtet dhe vinin ta merrnin lojtarin nga fusha e stërvitjes, duke e bërë këtë, si të thuash, fakt të kryer (pa pyetur kënd).

Në Shqipëri nuk kish mekanizëm të këmbimit të futbollistëve – por as kish mundësi një lojtar që ta zgjidhte vetë se me ç’ekip do të luante. Si rregull, një talent futbollistik nga Tepelena ose nga Puka, ose do të luante me ekipin lokal, ose do të shpresonte për një transferim te Partizani ose te Dinamoja, me metodat e njohura. Por nuk është se mund të shkonte vetë, të trokiste në derë dhe të kërkonte që ta provonin: fatin ia vendoste pasaportizimi, i atij vetë ose i familjes. Nga vitet 1970 e këtej u bë punë e mirë kapilare me “klasat sportive” anembanë vendit dhe ashtu u zbuluan një numër talentesh, por këto talente nuk mundën të qarkullonin lirisht mes ekipeve (edhe pse ekipet konkurronin në kampionate, mekanizmi i “konkurrencës” nuk vepronte përtej rrafshit simbolik); mundësia e kalimit te ekipet e privilegjuara të “ministrive” ishte përjashtimi që vërtetonte rregullin, një deus ex machina, që shumë prej të rinjve e ëndërronin. Në vitet 1970, një model tjetër filloi të ndjekë ekipi Shkëndija, me lojtarë që ndiqnin studimet në IKF “Vojo Kushi”.

Me siguri do të ketë pasaktësi në sa kam shkruar më lart; po i sjell gjërat siç i mbaj mend, pa bërë verifikime, meqë nuk synoj historinë e futbollit në Shqipëri, por vetëm të tërheq vëmendjen për një qasje tjetër ndaj pronës dhe marrëdhënies së pronësisë – në kontekstin e shkëmbimit falas të vlerave “të fundme”. Një familje që kish nevojë për një servis çaji prej porcelani, për një mbrëmje të vetme, mund edhe të shkonte dhe ta blinte në dyqan, sikur servise të tilla të shiteshin. Prandaj ishin mungesat në treg që e nxitnin këtë solidaritet shkëmbimesh horizontale. Një ekip yni kish nevojë për një qendërmbrojtës të fortë, por nuk mund të shkonte dhe t’ia blinte një ekipi tjetër – sepse lojtarët nuk ishin “pronësi” e klubeve (në thelb, të gjithë qytetarët ishin “pronësi” e njësisë së pushtetit lokal, sa kohë që nuk ndërronin dot vendbanim lirisht dhe as gjenin dot punë jashtë njësisë administrative). E megjithatë, kur u duhej të përballeshin në një ndeshje ndërkombëtare, mund ta “huazonin” qendërmbrojtësin e fortë nga ekipi tjetër. Qoftë edhe për një herë vetëm.

Në gazetat, dhe jo vetëm ato sportive, shitblerjen e lojtarëve në Perëndim e qesëndisnin, si formë të sofistikuar të skllavërisë; paçka se sportistët në Shqipëri nuk gëzonin asnjë lloj lirie për t’u transferuar me vullnetin e tyre tek ekipi që u pëlqente. Efekt pozitiv ishte që disa lojtarë të rretheve – të “ngecur” në ekipet e tyre – ishin kthyer në heronj lokalë me status të pacenueshëm; kujtoj shkeleshko Brahon e Luftëtarit, Allajn dhe Shtinin e Besës, Majacin e Apollonisë, Bizin dhe Zhegën dhe Ragamin e Vllaznisë, Leshtenin e Lokomotivës, Haxhiun e Flamurtarit; edhe pse ndonjë prej këtyre pat luajtur edhe me ekipet “ministrore” për një kohë të shkurtër.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin