BALTA SI METAFORË

Shënime për romanin “Balta” të shkrimtarit Kristos Armando Gezos

nga Ilir Yzeiri

Kristos Armando Gezos është me origjinë nga Himara dhe, së bashku me familjen, emigroi në Greqi kur ishte vetëm 4 vjeç. Sot ai jeton në Athinë dhe është një nga shkrimtarët e rinj më të famshëm në shtetin fqinj. Dy romanet e tij, “Balta” (2014) dhe “Gjilpëra humbi” (2021), janë çmuar si një ngjarje në letërsinë greke, ndërsa në vitin 2013,  me vëllimin poetik “Frikëra të papërmbushura”, ai ka fituar “Çmimin kombëtar të autorit të ri” (2013). Para disa kohësh, në Tiranë u promovua romani i tij “Balta” përkthyer me mjeshtëri nga një tjetër autore e kulturës ballkanike, Eleana Zhako, e cila ka bërë një punë të lavdërueshme për të afruar letërsinë greke dhe atë shqiptare me anë përkthimesh dinjitoze nga greqishtja në shqip, por edhe nga shqipja në greqisht. Për këtë ndihmesë, Eleana do të meritonte një trajtim të posaçëm, por edhe një vlerësim më të madh, sidomos nga ato institucione që kanë në dorë të financojnë dhe të nxisin njohjen dhe përafrimin e kulturave bashkëkohore mes popujve fqinjë. Eleana këtë punë po e bën me shumë dinjitet.  Po le të kthehemi te libri i Kristos Armando Gezos.

Cilido lexues që do të ndeshej me profilin e veçantë të një autori si Gezos, i cili ka lindur në Himarë, jeton në Greqi, pra që ka një identitet të përzier greko-shqiptar, do të shtyhej të gjente në vepër klishetë e rëndomta ballkanike me narrativën patetike të origjinës dhe përkatësisë, ndërtuar ato mbi stereotipitë e kundërvënies së unit dhe tjetrit të ndryshëm, në mënyrë që të ushqente deri në lodhje dramën që nuk mbaron, e cila shfaq akt pas akti konfliktin se çfarë është ai vend i origjinës: grek apo shqiptar. Gezos është shkrimtar me përmasa europiane, sepse në romanin e tij i ka rrafshuar të gjitha klishetë dhe stereotipitë që ndërtojnë narrativat tradicionaliste greko-shqiptare dhe ka vënë në qendër të rrëfimit të tij njeriun ballkanik që ushqehet me dilemat, vuajtjet, dramat, konfliktet e pasiguritë ekzistenciale, atë të famshmen dilemë hamletiane “to be or not to be” që sjell jeta si emigrant jo vetëm në kuptimin praktik, por edhe në kuptimin filozofik. Menjëherë të vjen ndërmend Kamyja, me të cilin ai ngjan shumë. Personazhi i tij është i huaj në një botë që përcaktohet nga ankthi i ekzistencës. Romani nuk ka subjekt në kuptimin klasik. Ai është një rrëfim gati si në një gjysmëndërr që autori ia bën vetes ose një personazhi tjetër. I ndërtuar mbi asociacionin e brendshëm ligjërimor, libri ndërtohet mbi një sërë takimesh dhe zhvendosjesh që shkrihen mes asaj që është reale dhe asaj që është në nënvetëdije. Alter-egoja e tij vishet me petkat e disa personazheve dhe, mes tyre, ai gjen mundësinë që të zhvillojë një dialog gati surreal mes egos së tij dhe alter-egos. Romani nis me vazhdimin e një dialogu të këputur me vetveten. Autori përfytyron momentin kur do të kthehet në shtëpi pas një mungese të gjatë për të festuar ditëlindjen e tij dhe do t’i kërkojë nënës dhe motrës, Genës, që të ulen në tryezë si dikur. Mirëpo ky detaj i trokitjes në derë zgjerohet në përfytyrim dhe autori e fsheh alteregon e tij pas një veteje tjetër, pas postierit ose njërit prej atyre lajmëtarëve që reklamojnë mallra apo produkte dhe të vijnë në shtëpi. Pastaj në rrëfim futen copëra meditimesh, dialogë të munguar që nuk i kemi bërë në kohën e duhur dhe i bëjmë atëherë kur na kujtohet një detaj. Tani personazhi ynë shfaqet si shitës reklamash dhe troket në një derë për të reklamuar një produkt, por aty, me asociacion, kujtohet menjëherë për kohën kur u zhvendos në Athinë dhe vitet e mundimit të krizës me veten, koha kur lexonte Dostojevskin apo ato herët në mëngjes kur i damllosur nga pija, dilte në ballkon për të vjellë me duart shtrënguar në dërrasat e parmakëve në ballkon. Heroi që rrëfen, është një i ri në krizë të thellë ekzistenciale. Gjithë ajo që jeton e sheh, është një botë që duhet dekonstruktuar. Ky lloj rrëfimi niçean të kujton atë ngasjen për të paraqitur dilemën dioniziake të kaosit përballë pamjes së gënjeshtërt të rregullit apolonian. Në fillim trupi dekonstruktohet dhe Gezos është mjeshtër në vizatimin e njeriut më së shumti si produkt fiziologjik me mbetje biologjike Dhe vjen çasti që ai vizaton njollat që i ka lënë në nënvetëdije Himara, vendlindja e tij. I shenjuar nga patosi tragjik dhe i trazuar gjithnjë nga tisi sarkastik i rrëfimit,  ai, krahas imazhit të bukur të Himarës lart në kodër dhe të shtëpisë mes pemëve, kujton se “ja atje mes pemëve dhiste gjyshi” (f. 38). Pastaj ai vetë dhe alteregoja e tij zbresin në Athinë, në metro dhe aty i kujtohet Majakovski dhe vetëvrasja e tij. Ka gjetur edhe pistoletën me të cilën do të vrasë babain. Më tej ai rrëfen me mjeshtëri topikat moderne të jetës në metropol. Ja ankthi ekzistencial:

“Çdo lloj socializimi im kthehet në një rrjetë që më ngërthen çdo gjymtyrë dhe më detyron të bie me fytyrë përdhe e të thyej gjysmë duzinë dhëmbësh, teksa përpiqem të eci; flas me kokën fshehur pas një mburoje të tejdukshme, duke pritur në çdo sekondë të më ngulet një thikë ndërmjet syve, ndihem vazhdimisht sikur i jam borxhli gjithë botës që duron ekzistencën time dhe nuk më dërrmon si ndonjë mizë…Intelektualisht, e di, nuk jam burrë i shëmtuar, por sentimentalisht e pikturoj veten si një bisht fshese me një kovë të ndryshkur mbi të.” (57).

Pastaj, pritja:

“Dhe përse të vijë, ç’arsye ka? Ti do të vije po të ishe në vendin e saj? Ç’të të them, s’mund ta di, asnjëherë s’kam mundur të hamendësoj si do sillesha “nëse” e “sikur” madje gjithnjë kam qenë më keq me “nëse” e “sikur” nga ç’jam me “çfarë” e “tani” … Po të gjithë ata që të thonë: shih pak detin, dëgjo zogjtë si bëjnë ciu-ciu, jeta është e bukur -dhe buzëqeshje- e ke për të parë që gjithçka do të rregullohet etj., etj. Kanë shprehur ndonjëherë habi ose neveri për dhimbjet që ndien dikush kur vjen vërdallë me kokën gjysmë të ngrënë nga një një protezë e mprehtë… ” (64).

Takimi:

Në përshkrimin e kësaj topike autori aktualizon edhe zërin e tij të brendshëm, pra ndodhet aty vetë i dytë. Zërin e brendshëm e shënjon me italik. Ashtu po e ruaj edhe unë këtu.

“Je dobësuar shumë, Kush? Unë? Ku e pe? Barku im varet si komardare e deformuar “Jugo Zastava”

E pashë. Duket. Nuk ha?

Po, na sillni këtë, edhe këtë, faleminderit! Heshtje e tendosur, lugati i përjetshëm. Në çaste të tilla të duhet një çekiç i vogël, si ato që ndodhen në dritaret e autobusëve, që t’i thyejnë në rast emergjence. Si e bëra këtë?

Ha, si t’ia bëj që të mos ha. Më thuaj me shkollën si shkon? Pyetje e mrekullueshme, zgjedhje fantastike.

Më kanë mbetur ende pak provime, shpresoj t’i mbaroj deri në pranverë. Gjithnjë zgjidhja më e keqe në çorbën e alternativave të disponueshme, por edhe çfarë talenti të zbulosh idiotësinë menjëherë pasi e ke nxjerrë nga goja.

Dhe më pas çfarë mendon të bësh? Ndonjë master?

Mundet. Nuk kam lule, por pistoletë, e do?” ( f. 68)

Kjo përhumbje mbështjell si me mjegull takimin me të dashurën dhe ti nuk e kupton dot nëse ai është vërtet me të dashurën në shtrat apo ato janë përjetimet e alteregos së tij, sepse rrëfimi është i tillë që ti duhet ta ndjekësh ashtu si linjat dhe ngjyrat që treten në një pikturë impresioniste ku nuk ka forma, por vetëm vezullime ngjyrash. Në këtë atmosferë hidhen herë pas herë edhe sentenca që karakterizojnë ankthin ekzistencial apo që i japin kuptimin e munguar vdekjes. Kuptimi i jetës: “të bëj një vrasje” (73) “Shkruesi- fara më e keqe që zvarritet në kurbet” (74) . Autoironia dhe vetëshkatërrimi janë elemente të stilit unik  të Gezos. Mirëpo, nëpër to hidhen edhe të vërteta historike si ajo për diktaturën në Shqipëri apo ajo që lidhet me zhgënjimin etnik përmes fatit të emigrantit:

“… atëherë dëgjonim emrin Greqi e qanim, na rrëmbusheshin sytë, na rastiste ndonjë radio dhe vinim të dëgjonim lajmet në greqisht e na rridhnin lotët, e kishim Greqinë si parajsë, ndaj dhe flisnim vetëm greqisht në shtëpi, që të ngjanim si grekët, thoshim do shkojmë atje për bukën e gojës e do të na mbajnë si vëllezër, po ku ta dinim të vërtetën e shkretë, tani tata yt s’do t’u shohë bojën, njonjo[1] u thotë dhe i shan gjithë ditën.”(f.83)

Ashtu, në dialog herë me veten e herë me personazhe imagjinare në një stol parku, fjala vjen, ai vizaton si në pikturë gjendje dhe tregon se çfarë kuptimi ka jeta në tokë:

“Ej, ti aty në stol, me “Heineken” në dorë, nuk më thua të të pyes diçka, je i lumtur? Urdhëro? Asgjë, asgjë më fal, ca gjëra të miat. Si më pa ashtu! Sidoqoftë, lumturia është në vetvete një fjalë idiote, idiote, debile e kaqole, si ty… Mos u shqetësoni, nuk do e ndieni fare praninë time, do përdor një gazetë si për batanije e do fle qetë, pa ndjerë betonin e qytetit të mpikset rreth qafës sime, pa ndjerë shkopinjtë prej çeliku të më shpojnë brinjët… Athina, djepi im foshnjor, Athina, qivuri im i përjetshëm. Çfarë qivuri thua? Futmëni në një thes patatesh dhe hidhmëni në det, digjmëni, vendoseni hirin tim në një pjatëz dhe hidhjani qenve të ngopen ose varrosmëni në një varrezë me thimjanë e kryqe, që të më ndezin ndonjë qiri shamizezat, nuk më intereson, pse mendoni që do të më interesonte?” (f. 87)

Më tej, ai futet në lëkurën e lypësit dhe kjo lojë për ta fshehur alteregon herë pas here në personazhe që shënjojnë qytetin modern, shkëputet sidomos atëherë kur ai vetë kridhet në të shkuarën e tij dhe kujtimet që vijnë në formë malli tragjik, e shtrëngojnë në grykë autorin. Historia e gjyshit dhe një fëmijë i vdekur, lindur me vuajtje. Vuajtjet e babait për shkak të gjyshit. Vrasja e gjyshit dhe babai i tij ose djali i të vrarit. Sëmundja e të çmendurit. Kjo tragjedi familjare që shënjon jetën e babait dhe ngjiz dhimbjen për të, dhimbje që kthehet në një akt çmendurie, sepse babai merr përsipër të shënjohet si e keqja që duhet shmangur, si e shkuara që duhet vrarë, dhe djali që merr në sy të kryejë vrasjen por edhet të vetëvritet. Pastaj vjen Athina, qyteti “i zhubravitur nga asfalti që shkelin autobusët”. Vetëm ndonjëherë më të rrallë kujtohet si cili është. Në një dialog që nuk dihet se me cilin e zhvillon, ai thotë: “nuk kam lindur në Greqi, kam lindur në një fshat në Shqipëri apo Vorjo Epir, siç i thonë… ” (112). Vini re këtu se me çfarë shkujdesjeje e shqipton stilemën që mban gjallë urrejtjen “Vorio Epir”. Më tej futet në lëkurën e të dashuruarit, por edhe aty e dekonstrukton atë dhe e barazon me asgjënë. I kujtohet “bisha” brenda nesh dhe Ifigjenia e Sofokliut. Dhe ashtu, pa e vënë re, ai e ngjit lexuesin thellë në kohë duke i kujtuar gabimin fatal me mollën. Më tej duket sikur zgjohet nga gjendja e dyfishtë dhe romani merr pamjen e thrillerit, vdekja, babai, vrasja dhe emigrimi. I ashpër me racizmin dhe, në fund, duke u futur në lëkurën e vëllait i dërrmon të gjitha klishetë moderne të identitetit dhe e çon unin e tij drejt vdekjes së pashmangshme. Në dialogun imagjinar me motrën ai thotë:

Do të të pyes diçka, nëse të kujtohet: a e mban mend fotografinë që kishim në sallon? Shtatë kukulla të vendosura mbi shkallët e gurta të shtëpisë – nuk e mora vesh kurrë se kush e bëri foton a ndoshta më ke thënë e s’më kujtohet; dhe kryesisht nuk kuptoj, ende nuk kuptoj: përse u fotografuan para se të nisen për Greqi? Sikur pozuan para se t’i shpinin drejt togës së pushkatimit, sikur ta dinin që nisja ose largimi ishte fillimi i një shfarosjeje të pashmangshme e të paralajmëruar: unë në qendër të fotografisë mbi gjunjët e tij, me gishtërinjtë e duarve të kapërthyera rreth një torbe të mishtë/kockore, që deformohej nga përjetimi i ardhshëm i dhimbjes, sytë hapur, më të mëdhenj nga ç’janë tani, veshur me një kostum me vija, që më bënte të ngjaj si një i vdekur i parakohshëm, me një arkivol sa një kuti e madhe këpucësh -ju me fytyra pa sy, hundë, gojë, vesh e flokë, me bardhësinë absolute të papërcaktueshmërisë, unë një vorbull prej qymyri në fytyrë, sikur merrja vesh në moshën katër vjeçare, dhe çuditërisht fotografia është me ngjyra, por duhet të ishte bardh e zi e me kokrriza dhe sigurisht që unë kështu e imagjinoj-të kujtohet? Ajo fotografi, motër, është grimca e parë e ndryshkut mbi hekur. Është fotografia që duhet të vihet në varrin e çdokujt prej nesh. (f. 141)

Këtu vdes edhe uni i heroit.

© 2023 Ilir Yzeiri. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


[1]  Ka kuptimin “të leshtë”

Rreth Autorit

Prof. dr. Ilir Yzeiri ështe pedagog i letërsisë shqipe të realizmit socialist dhe i komunikimit në Universitetin A. Xhuvani në Elbasan. Jeton prej vitesh në Tiranë dhe është gjithashtu një nga gazetarët e njohur të vendit. Ka botuar librat “Poetika” (Tiranë, 2000), “KADARE, AGOLLI, ARAPI- figuracioni në poezinë e viteve '60” (Tiranë, 2011). Ndërsa libri i tij i fundit “Semiopragmatika e realizmit socialist” ( Tiranë, 2013) është pjesa e parë e një serie me studime për realizmin socialist në Shqipëri. Pjesa e dytë e kësaj serie doli në janar të vitit 2020 me titullin “Si erdhi realizmi socialist në Shqipëri”, Botime ÇABEJ . Po në janar të vitit 2020 ai ka botuar edhe monografinë “Erosi & Thanatosi në mjerim – Një vështrim semiologjik për romanin Lumi i vdekur të Jakov Xoxës.”

Author Archive Page

1 Koment

  1. Meqe po pres te dentisti. Prezantimi i librit eshte ndjelles, … perkthimi shume i rrjedhshem dhe i natyrshem … por nuk jam i
    bindur per ate tezen e alter-egos. Ndersa me duket sikur recensenti vetekundershtohet kur thote qe nuk eshte rrefim emigranti. Apo pengohet ne konkluzionin se i ka shmangur “stereotypet … ne narrativat tradicionaliste” – se me poshte optika e recensentit fokusohet te episodi periferik me Vorio Epirin.

    Krahasimi me Kamy? Shkrimtar evropian? Jane shume kategorizime te pergjithshme e mund te jene te gjitha te verteta edhe pse nuk ndihmojne ne klasifikimin/renditjen e librit.

    Kuptohet qe keto te miat jane ca hollesira koti, per te treguar qe e kam lexuar tekstin. Por edhe pse i pelqejne teper mejdanit, sidomos kur jane te autorizuara nga familjaret deri ne brezin e peste.

    Mua mu duk se eshte nga ato rrefime montazhi e kaleidoskopik, ku me shume se jeta a perjetimi i autorit, synohet te perpunohet pervoja mergimtare kolektive me gjithe kompleksitetin e saj.

    Pra, nuk rrefehet nje shumendimensionalitet i egos (nga brenda jashte, divergence), por individualizimi i nje dukurie mbareshoqerore sic eshte mergimi (nga jashte brenda, convergence), ku njerezit jane te dy- e trezuar e -qyteruar. Per ta kuptuar kete do te zgjateshim e humbur ne hollesira te teknikes optike. Por meqe per kete nuk ka te prekur, jemi te lire ta injorojme.

    Per te vazhduar me brockullat: trajtimi gjeografik ka si funksion te theksoje pasojat e dukurise se konfuzionit social shkaktuar nga shkulja e komuniteteve si radhiqe.

    Duke reflektuar mbi keta rrenjeshkulur, vepra sugjeron nje ridimensionalitet te hapesires. Manifestuar ne kete rast me identitetet e te dy- apo tre-shtresezuar te familieve te shperngulura qe ne vend te koskave kane lene portretet familjare te magjepsin (haunt) shtepite.

    Sedimentet kujtimore e identitare hapen si pete (petka) lakrori gjate perjetimeve shumekendeshe te disa momenteve. Nese do ta ri-interpretonim episodin me postierin si nje zhvendosje ne rol te autorit dhe jo ne ngjarje.

    Sipas ketij interpretimi eshte sikur edhe librat e tjere nga diaspora. Edhe pse si rrefimi, edhe interpretimi, mund te jete teknikisht me te sofistikuara.

    Po lexoja nje fare Xhaviti qe vjershon nga Londra. Ky nuk pretendon se ka shpikur estetiken e dhimbjes, apo ndonje teori mbi te. Thjeshte i buron shpirti. Si ujet e Skraparit. Shpirt i kulluar nder dhimbjesh londineze. Large kercitjes se genshtenjave ne oxhakun e vjeter rrenuar nga vitet dhe bloza.

    Ndaj me Xhavitin jo vetem Londren, por edhe dashurine per vjershen. Ate te qashtren. Zhurmemadhen. Dashuria nuk peshperitet – thote Xhaviti. Keshtu e shpall dashurine e tij per Skraparin. Dhe uzinen e armeve. Edhe pse ishte i pari qe i vuri dinamitin bunkerit. Ne fshat e njohin per piroman. Se nuk la gemushe e peme pa shkrumbuar.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin