Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Muzikë / Totalitarizëm

PLACE ODDITY

David Bowie nuk ka qenë kurrë ndër të preferuarit e mi, ndoshta edhe ngaqë muzika e tij, në Italinë e viteve 1970, nuk e arriti dot popullaritetin e, të themi, një Elton John-i. Por një këngë e tij, që e pata regjistruar dikur rastësisht, në radio, më pat mbetur në mendje: Space Oddity, të cilën për shumë kohë e pata njohur me titullin e sajuar “Ground control to Major Tom”. Vit pas viti, teksa edhe ia kuptoja më mirë fjalët, filloi të më dukej gjithnjë e më e trishtuar, dhe të më shoqërohej në përfytyrim me pamjen e një astronauti që lundron, tashmë i humbur, në hapësirën kozmike.

Bowie e nxori në treg Space Oddity njëkohësisht me zbritjen e njeriut të parë në Hënë, në verë të vitit 1969; edhe pse këngën e pat shkruar nën influencën – dhe mahnitjen – e filmit A Space Odyssey të Stanley Kubrick (vëreni edhe ngjashmërinë tingullore mes dy titujve). Tre vjet më vonë, në 1972, Elton John do të arrinte sukses të jashtëzakonshëm me Rocket Man, një këngë me temë të ngjashme, por pa tmerrin kozmik të Space Oddity

M’u kujtuan të gjitha këto sonte, gjatë një koncerti tribut ndaj këngëtarit anglez, të trumbetistit italian Paolo Fresu dhe të grupit të drejtuar prej tij, në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë – shfaqje që ata vetë e kanë quajtur “Heroes”, me titullin e një kënge tjetër të njohur të Bowie-t.

Kam gjithnjë siklet, kur shkoj tek ai teatër, madje edhe tani që e kanë përtërirë; vendet të imponohen me hijen e tyre, dhe aq më tepër të ndodh kjo me sallën ku është luajtur jo vetëm historia e muzikës klasike dhe baletit dhe muzikës së lehtë në Shqipëri, por edhe është shpalosur historia politike, me disa Kongrese të PPSH-së.

Koncerti i Fresu-t, një muzikant jazz nga më të mëdhenjtë në Itali dhe jo vetëm, dhe veçanërisht performanca skenike e këngëtares Petra Magoni, ia theksuan rock-ut të Bowie-t përmasën kozmike, hapësirat që vetëm drita mund t’i përshkojë dhe galaktikat si varre heronjsh ndëryjorë. Por vendi ku u mbajt, që për mua e ruan sado të lehtë duhmën prej tempulli tashmë të braktisur të totalitarizmit, e pati një ndikim gati astral, në psikadelitë e zërit të Magoni-t, në vezullimet ndonjëherë malefike të tunxhit, në stroboskopinë e projektorëve, që do të kishin verbuar deri edhe Enver Hoxhën.

M’u përhi Festivali i 11-të, ndoshta ngaqë Bowie-n në Teatrin e Operës dhe të Baletit e kishin sjellë italianët; mendova se ne atëherë nuk guxonim të shkonim deri tek ekstravaganca e rock-ut britanik, por donim vetëm t’i ngjanim Sanremo-s. M’u kujtua trajektorja e fantazisë sime prej fëmije, të ushqyer nga programi Apollo dhe dritëhijet e truallit të Hënës, dhe pastaj të zhvendosur nga një program i RAI-t në tjetrin, deri në momentin kur RAI-n nuk e patëm më. Gjykova se, megjithëse e patëm kaluar rininë me veshin te radioja, nuk patëm kuptuar asgjë nga rock-u, njëlloj si njerëzimi sot nuk kupton asgjë nga sinjalet e jashtëtokësorëve, që mbërrijnë prej largësive të papërfytyrueshme.

Pyeta veten: është vallë e mundur t’i mbash tërësisht veçan duartrokitjet që sonte përshëndetën Fresu-n dhe grupin e tij, nga duartrokitjet e zjarrta të delegatëve dje në Kongresin e V, në Kongresin VI, në Kongresin VII, në Kongresin VIII…? Çfarë janë 20, 30 a 50 vjet, në krahasim me kohën që i duhet dritës për t’u hedhur nga njëri yll tek tjetri?

Pjesën e fundit të skaletës, Let’s dance (një këngë e Bowie-t që nuk më ka pëlqyer kurrë), e kishin transformuar në një lloj baleti të ndërkryer dritash – për ta shndërruar sallën e teatrit në një hangar anijeje-diskotekë, të humbur edhe ajo në kozmos, drifting nga një epokë historike tej tjetra. Mendova që ajo dhunë fotonike do të kish qenë edhe ndëshkimi perfekt, për një kujtesë aq obsesive sa imja, që s’po e kish për gjë ta shpërdoronte përjetimin e muzikës, me reminishenca ovacionesh dhe shallesh pionieri.

Ja që ia behu pastaj një encore, dhe pikërisht Heroes, që të më ngushëllonte – me bindjen se edhe të kujtosh është një lloj heroizmi i llojit të vet, edhe altruist edhe intim.

(c) 2023 Ardian Vehbiu & Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin