BURRI DHE GOJA

Burrin e dua me gojë. Edhe që të puthë, por kryesisht që të flasë. Dua një burrë pa inhibicione verbale, që është i aftë t’i formulojë ndjesitë, ndjenjat dhe idetë e veta çfarëdo qofshin ato; një burrë që kur i dhemb diçka nuk e mban fshehur brenda, që nuk e shpreh dhimbjen veç me sy e me dinamikë trupore, por sidomos me fjalë; dhe ma shpreh mua gojarisht, jo ditarit të vet apo psikologut. Dua një burrë që dashuritë dhe historitë e veta do dhe di t’i përshkruajë e t’i ndajë pa dert, e që nuk i ruan as si tabu e fshehurina private, as si fishekë rezervë në gjerdanin e jetës; edhe dashurinë, mëdyshjet dhe hamendjet për mua, po ashtu dua t’i dëgjoj në tregime verbale që zgjasin në fazë zgjimi, gjumi dhe ndërmjetësish të paqarta të qenies. Dua një burrë që dashurinë për mua e thotë papushim, në komunikim intim e publikisht, me pëshpërimë e lart, kur e kam afër apo larg, sa herë del e perëndon dielli. Dua një burrë që në një degë të shtrembër peme çfarëdo, gjen e flet njerëzimin dhe fatalitetin e jetës apo gëzimin e të qenit, dhe që e pret dhe e ndërpret veten e vet në verbalizimin e saj, me dinamikën e një gjuhe që ravijëzon idenë në valë fizike ajrore si balet i padukshëm në hapësirën që e ndan prej meje dhe e lidh me mua. Dua një burrë që s’ka turp a frikë nga fëmija brenda vetes e që i jep zë dhe hapësirë asaj fëmije, dhe sidomos që s’ka frikë të ketë frikë; që ndjesinë e vet fëmijënore apo thellësisht filozofike ma tregon mua duke më parë me sy qumështorë, që sheh kompleksitet tek e thjeshta dhe rregull e qartësi tek kompleksja. Dua një burrë që e thotë se i ka bërë lëmsh gjërat, shpjegon pse dhe nis nga e para, që s’ka as turp as frikë nga gabimet e veta dhe që i ndjen dhe i thotë ato pa pezm e hezitim. Një burrë që kërkon, pret ose dëshiron shumë në kokën e vet, por shpreh pak e aspak, nuk është një burrë që më pëlqen. Kokën e vet e pastë sa malet, të pashme e të mençur, komplekse e të ndjeshme, por unë refuzoj të marr me mend se ç’ka në të për veten, botën dhe mua. Akti i shprehjes është për mua akt dashurie më i madh se çdo mendim potencialisht gjenial apo dashuri e thekur që prehet në flashkësinë e mosthënies. Dhe mbetet po aq akt dashurie edhe kur artikulon dhimbje, mospranim, ndarje. Një akt i tillë dashurie i bazuar në aftësinë dhe dëshirën për formulim verbal, është akt respekti ndaj meje e ndaj vetes si prodhues të botës që ndajmë e krijojmë.

***

E kam fjalën për rastet e inhibicioneve verbale që lidhen sidomos me tipare të personalitetit të një individi të veçantë. Asimetritë mes personalitetit të një burri me inhibicione emocionale e verbale, dhe të një gruaje me aftësi shprehëse e formuluese mprehtësisht më superiore sesa partneri, konsiderohen nga shkenca e psikologjisë si shenjë e spikatur për divorc të mundshëm. Një artikull i botuar nga një grup akademikësh të Universiteti të Texasit (Austin) në Journal of personality and social psychology (2003. vol 85, no.6. 1095-1106) paraqet një vazhdë kërkimesh shkencore që pohojnë problemet e krijuara mes çifteve ku gruaja ka personalitet më ekstrovert, zë më të qartë, personalitet më të hapur e turmëkërkues dhe aftësi shprehëse më të forta se ato të burrit. Sido që në kërkimet e referuara në artikull flitet për psikologji të individit dhe jo të grupit, është e pamundur të eliminohen tërësisht tiparet shoqërore të përgjithshme që kalojnë në atë që në fusha të tjera të dijes trajtohet si kulturë dhe ideologji e grupit. “Burrat i shohin keq gratë që flasin shpejt dhe pa shumë hezitim, pra gratë pa pengesa verbale”, konkludon njëri prej tyre. Ndryshe nga ky fokusim, mua më interesojnë sjelljet e grupit, mungesa e aftësisë verbalizuese të burrave në përgjithësi, sidomos kur vjen fjala për emocionet, hapësirat intime apo situatat komplekse të të ndjerit, që janë pjesë e kulturës dominante dhe që shoqëria i gëlltit, i përcjell dhe i përforcon pa njohurinë dhe vetëdijshmërinë që në fakt i ka normat e veta kulturore. Për mua personalisht psikologjia individuale është një kuriozitet i pafund e i bukur, por nuk më dhemb gjëkundi për të. Ajo e grupit nga ana tjetër më duket se mund të na vrasë apo ringjallë si shoqëri, ndaj e shoh si detyrë të kujtdo që të mos e injorojë dhe as ta anashkalojë si diçka që është ashtu si është e s’mund të jetë ndryshe. Ne të gjithë jemi në fakt doktorët e këtyre sëmundjeve të grupit të cilit i takojmë.

***

Të pathënat e penguara të një burri i rëndojnë Mesdheut dhe sidomos Ballkanit e Shqipërisë ende sot, duke e keqësuar komunikimin në përgjithësi, dhe atë mes burrave dhe grave në veçanti. Burri tradicional supozohet të mos shprehë emocione, e sidomos të mos i shprehë ato me fjalë. Një lot i rrallë thuhet se i ka hije, e bën burrin më burrë ndoshta, por duhet të rrjedhë në një faqe të rreshkur stoicizmi e të gurëzuar mosshprehjeje. Më rëndon keq pagojësia e burrave sepse besoj se ka pasoja fatale për shoqërinë: prish lidhje, prish familje, krijon urrejtje dhe armiqësi të vogla e të mëdha që mund të kaloheshin nëpërmjet komunikimit. Komunikimi verbal në të kundërt është ndërtues, qetëson shpirtëra, krijon qartësi në gjendjen e ideve dhe veprimeve, shpëton jetë dhe stabilizon lidhje të vjetra e krijon të reja. Një shoqe italiane nga Lombardia qahej për analfabetizmin emocional të burrit italian dhe paaftësinë që të verbalizojë atë që ndien, për paaftësinë që të komunikojë qoftë edhe me fëmijën e vet të rritur e të larguar, pa ndihmën e një gruaje që i bën ndërmjetësen dhe përkthyesen. E njëjta gjë ndodh me prindin, mikun dhe çfarëdo subjekti me të cilin një situatë tëhuajëzimi mund të jetë krijuar natyrshëm për burrin e përgjithshëm. Çfarë mund të thuhej për burrin shqiptar që i sheh burrat italianë si fjalamanë, shumë më emocionalë e komunikues se veten, dhe me karakteristikën derogative gjithëpërfshirëse “që janë si gratë”. Tek ne burri “i ka fjalët të shkurtra”, “flet një herë” e “s’e ndërron llafin”, ndërsa gruaja është “gjuhëgjatë e mendjeshkurtër”. Burri fjalëpak është (e duhet të jetë) nga natyra, gruaja fjalëpake është e lëvdueshme e “për ta bërë nuse shtëpie”; gruaja e keqe nga ana tjetër, “ka gojë”. Po ashtu aftësia e artikulimit të ideve në fjalë, tek ne merr shpesh nofkën “fjalamanëri”, sido që janë dy tipare të ndryshme. Madje vetë fjala ‘fjalë’ është kthyer në disa përdorime frazeologjike e proverbiale si bartëse kuptimi negativ “bënë fjalë”, “njeri pa fjalë”, “fjala nxjerr fjalën” etj. Tradicionalisht kultura jonë e ka vlerësuar të mosthënët, dhe e ka servirur atë brez pas brezi si tiparin pa të cilin një mashkull bëhet femër, një lloj biologjizimi ky i tiparit kulturor dhe përdorimi derogativ e seksist i tij.

Sa fare pak gra kanë pasur fatin të marrin letra të gjata e të shpeshta dashurie, dhe sa më pak akoma ligjërata dashurie, sepse burrat “sado që të të duan, nga natyra nuk dinë ta thonë atë që ndiejnë”, e sidomos ta thonë në shumë fjalë! Për sa pak gra (fatlume) ato letra e ligjërata dashurie shkruhen e thuhen ditët e para e të nxehta të lidhjes, dhe pastaj harrohen për gjithnjë! Sa gra kënaqen me heshtjen e burrave që duan, madje edhe i ngrenë piedestal paaftësisë për artikulimin e dashurisë (të tipit “nuk thotë se më do, sepse më do vërtet”), sido që digjen për të kundërtën.  Sa gra thonë ende sot “flasim!” për një problem dhe marrin si përgjigje kurrizin, heshtjen, “s’ka gjë për t’u diskutuar këtu!” ose shenjën “pusho!” të burrit. Sa gjëra gruaja i mendon me vete ditë e natë dhe pastaj flet me murin, se burri “nuk do ta bëjë atë muhabet”; dhe këtu nuk flas veç për lidhje dashurore ose martesore: mund të jenë nëna e motra, mund të jenë shoqe e të dashura, mund të jenë gra apo vajza. Gruaja ka një tendencë më të fortë ta diskutojë me njerëzit e afërt atë që e shqetëson dhe ta artikulojë emocionin e vet. Pa dyshim, jo publikisht, por kjo është një çështje tjetër që s’e trajtoj sot. Me këtë s’dua të them që shoqëria jonë si e tërë, pavarësisht nga seksi, nuk vuan pamundësinë e artikulimit verbal. Një shoqëri që punon për t’i dhënë zë publik gruas, duhet të drejtojë vëmendje edhe në dhënien e zërit intim e privat burrit, që në fund të fundit do të thotë në çlirimin e burrit nga presioni shoqëror i të mosthënit si tipar mashkullor. Nuk ka dyshim që një shoqëri e tillë ku burrat kanë gojë jo për të bërtitur apo sharë, por për të thënë qartë e natyrshëm atë që ndiejnë, për t’u shprehur plotësisht e për të komunikuar me botën, është më e mirë se kjo e tanishmja. Dhe pa dyshim do kemi një kolektiv mashkullor më të pafrustruar, më të gëzuar e më gëzimdhënës se ky tani.

Nuk ka komente

  1. Ai “burri” as ne librat romantike nuk ekziston. Good luck finding him!

    ******
    Per cdo studim me disa rezultate, ka te pakten 2-3 studime me rezultate te ndryshme. Jane pak a shume si puna e polleve, varet cfare pyet. Nuk impresionojne njeri dmth.

    ******

    Ky “feminizmi” diletant mua me hap barkun. Shikimi i burrave si thelbi i gjithe problemeve te komunikimit eshte i gabuar qe ne nisje. Burrat dhe grate jane njerez, shume me komplekse ne unikalitetin e gjithsecilit, qe te grumbullohen e gjykohen keshtu en masse.

    PS. Projektimi i problemeve individuale ne plan “social/shkencor” i ben dem argumentit, i cili mezi mbahet edhe ashtu.

  2. LG, komente te tilla, si ky qe ke lene, ka pasur dhe do kete gjithmone, por eshte nga ato lloj komentesh qe nuk ben asgje pervecse me nje te rene te dores perpiqet me kot te rrezoje nje shkrim, nje mendim, nje mund. Edhe cfare se per cdo studim me disa rezultate ka dy tre te tjere me rezultate te kunderta? Po flet per ndonje studim specifik, apo po perpiqesh te thuash ndonje gje te mencur? Ky “feminizmi dilentat” nuk eshte edhe aq diletant sa c’e ben ti, pasi as nuk ia ve fajin vetem burrave (ne fakt komenti jot “good luck te gjesh ate lloj burri” provon se faji nuk eshte vetem i burrave, ne mos gabofsha dhe nuk je femer si c’kam pershtypjen) dhe as nuk i gjen burrat si “thelbi i gjithe problemeve.” Nuk e di cfare argumenti ke lexuar, por behet fjale jo per te gjithe problemet gjinore, por vetem nje problem te vecante, qe duke qene se ka te beje me cfare shoqeria cileson si vecori te burrit dhe cfare te gruas, domosdo qe nuk eshte problem vetem i individit, por shoqeror. Por nejse, pale komenti jot nuk kishte ndermend te kuterbonte kaq shume fodullek, me c’rast te kerkoj te me mirekuptosh.

  3. Ke te drejte LG: s’ka shume burra ashtu. Por une te them me gezim se njoh me shume se pak te tille. Por ashtu si edhe ti, dua qe te kete me shume.
    As mua s’me pelqen diletantizmi. “Feminizem diletant” eshte term i yti. Une s’e kuptoj dhe s’e lidh me veten. Une shkruaj kur me shqeteson dicka. Klasifikimi u takon atyre qe e kane qejf ta bejne.
    Nuk jane burrat “thelbi i gjithe problemeve ne komunikim” (?). Burrat jane pjese e nje problemi qe une diskutoj ne kete shkrim, dhe, sic them edhe une, shume grupe te tjera jane po ashtu problematike.
    Njerezit jane te vecante, por kjo s’do te thote qe problemet nuk mund te grupohen sipas sekseve, klasave, moshave etj. Ndaj diskutimi i tyre “en masse” (:)) ka vlere dhe eshte real. Qofsh me fat e jetofsh ne nje shoqeri me burra e gra si ata qe dua une!

      1. αβ: per ata qe mund ta lexojne si mallkim, eshte aq me shume urim.

        Pastaj pjesa e pare e asaj fjalie e ben fare te qarte qe eshte urim, pa zene me goje edhe pozicionimin e tere shkrimit.

        1. Zonjë, pyetja ishte retorike. Por, meqë denjuat të përgjigjeni, ju them se përgjigja juaj vetëm e zbulon faktin që s’ju ka shkuar aspak në mendje që ndoshta edhe jeni duke mallkuar. Sepse, nuk vihet në dyshim që edhe mund të keni mallkuar – ajo që pyetet është se a jeni e vetëdijshme për këtë punë apo jo?

    1. jam dakord qe dy polet e komunikimit e ndikojne njeri-tjetrin, dhe prodhimi e receptimi varen nga njeri-tjetri. Vetem ka rendesi te mos shihet si “faj” ose “pergjegjesi” e nje grupi ose nje tjetri. Ne shkrim une s’kam dashur t’i ve faj kujt. Dhe besoj se arsyeja e krijimit te ketij modeli burreror eshte sh me e komplikuar sesa mosgjetja e vesheve te pershtatshem per te degjuar.

  4. Gabimi fillon kur shkrimi gjykohet si « feminist ». Është krejt ndryshe. Shkrimi i kalon shtresat e marrëdhënieve sociale, ku notojnë idetë feministe dhe hyn në thellësinë e marrëdhënieve shpirtërore, ku çdo përpjekje për klasifikim nuk ka dhënë asnjë rezultat. Madje nuk di të jenë bërë sprova sociologjike. Që nga Epi i Gilgameshit kjo temë ka qenë domen i letërsisë.
    Po filloj me te kundërtën e asaj që mund të mendohet. M. Hasllëk, në fillim të shekullit të kaluar, diku mbi malet e Pukës gjeti gra që thonin se ishin të kënaqura kur burrat i rrihnin në mes të fshatit. Kjo ishte shenjë se ato ekzistonin për burrat e tyre, se kishin një lidhje të thellë me njëri tjetrin dhe se e rrahura në mes të fshatit zëvendësonte pikërisht atë mungesën e gojës, për të cilën flet Presja (këtë e them unë), pra bënte që burri të fliste publikisht për lidhjen e thellë që kishte me gruan e tij. Thënë ndryshe, ato komunikonin intensivisht me njëri tjetrin, anipse në një formë pak të çuditshme.
    Nëse mund të ketë vërejtje për këtë shkrim, ai është se pas një paraqitje të detajuar dhe “inventarit” brilant të një gjendjeje të caktuar marrëdhëniesh, shkrimi mbyllet, pra mbyllet aty ku duhej të fillonte pjesa më interesante (flas me rezervën e mos daljes së një pjese të dytë në ditët e ardhshme).
    Atëherë, vërtet, pse ndodh kështu? Mendoj se punët shkojnë shumë larg. Mungesa e “gojës” nga ana e shumë burrave, është, për mendimin tim, shprehje e në arketipi të lashtë. Eshtë shprehje e nevojës për krijimin e një personazhi, i një maskë që ai e ka trashëguar,por edhe e pasuron vazhdimisht për të ruajtur dhe siguruar supremacinë e tij të dyshimtë, trashëgiminë e tij. Frika ekzistenciale e burrit është autenticiteti i trashëgimisë së tij biologjike.
    Ai, në këtë rast, është hipokrit i dyfishtë, i pëlqejnë gratë e të tjerëve, por do të sigurohet për zotërimin e gruas së tij. Këtu hyn në punë maska e arketipit të burrit: një burë i fortë flet pak dhe mbi të gjitha nuk shpreh atë që ndjen. Kjo, si rregull, duhet t’i ngjallë frikë gruas. Shpërthimet emocionale dhe mallëngjimet e tepruara, janë si një një krisur në mur ku duken dobësitë e tij. E pra këto dobësi mund të ndikojnë që gruas t’i lindin në kokë ide “diabolike”. Ç’duhet bërë? Asgjë më shumë se sa paraqitja e vetes si një mur betoni, pa asnjë krisje, fjalëpaktë e pa emocion. Dikur thuhej se riti i natës së parë të martesës fillonte me therjen e një maceje nga ana e burrit, si shenjë se çfarë e priste gruan po ta tradhtonte.
    Më ka tërhequr gjithnjë vëmendjen fakti se shumë burra me maitresse-at e tyre janë shumë më të hapur, e “lëshojnë” veten, flasin shumë, qeshin në mënyrë të shpërpjesëtuar, nuk shqetësohen për dobësitë që shfaqin, duke i lumturuar kështu më fort të dashurat e tyre se sa gratë. Arsyeja është e thjeshtë. Trashëgiminë ai tashmë e ka të siguruar (ose mendon se e ka) në anën tjetër të barrikadës. Me “tjetrën” ndjen nevojën urgjente të prehjes, të shfaqjes së “dobësive”, por edhe të të treguarit i sinqertë herë pas here, kupton se ndihet më mirë kur ka thënë me zë të lartë ato që ndjen, tha.

    1. Nuk e di pse, Lyss. Hamendja jote se ajo sjellje i ka sherbyer burrit si maske qe projekton force ndaj gruas se vet, eshte logjike. Edhe une besoj se arsyeja s’ka si te mos lidhet me aftesine per te kontrolluar. Ndoshta jo vetem ne raport me gruan, por per te siguruar dhe perpetualizuar me mire pozicionin e vet ne shoqeri. Burrat dhe grate bashke jane percjelles te se njejtes kulture. Po pse mungesa e shprehjes se emocionit dhe e mosverbalizimit te ndjenjes (ose deshira per t’u paraqitur si “mur betoni”) te jape efektin e forces. Dhe meqenese eshte burri ai qe duhet te jete bartes i forces dhe i dominances (ne nje shoqeri organizuar si e jona) kete tipar duhet ta pervetesoje ai dhe jo gruaja? Une besoj se niveli ne te cilin e merr ti idene time (pra gjetjen e pseve mijeravjecare te sjelljes) eshte i mrekullueshem dhe duhet eksploruar filozofikisht e shkencerisht. Por une nuk kam pergjigje, dhe nuk besoj se per ndryshimin e gjendjes qe kemi sot, te jete i domosdoshem. Mendoj se per te ndryshuar ate qe kemi duhet 1. te jemi ne gjendje te shohim qarte ate qe kemi. 2. te jemi te pakenaqur me te 3.te bejme te gjithe perpjekje per ta ndryshuar. Te dish arsyet si dhe pse eshte krijuar nje tipar i fuqishem kulturor si ky, pa dyshim qe ndihmon. Por ndryshimi mund te nise edhe thjesht duke kuptuar se nje komunikim me i hapur e me i plote eshte ne te mire te gjitheve dhe se bota eshte e ndryshueshme. Optimizmi im thyhet kur degjoj qe shpesh besohet se mosshprehja e emocioneve dhe mosverbalizimi i gjendjes konsiderohen tipare biologjike mashkullore. Aq me keq, si tipare per t’u admiruar e kerkuar. Dhe deshira per komunikim me te hapur e me te ekuilibruar ne shoqeri shihet si deshire per t’i bere burrat si gra ose grate si burra. Ne kete pike them une se shpresa per ndryshim vjen e zvogelohet.

    2. Mungesa e “gojës” nga ana e shumë burrave, është, për mendimin tim, shprehje e në arketipi të lashtë.

      Eshte aq i lashte sa s’ta pret mendja. Shiko kete grafik kabalistik ketu. http://upload.wikimedia.org/wikipedia/en/thumb/d/d5/Ktreewnames.png/192px-Ktreewnames.png

      Ky eshte perfaqsimi grafik i Krijuesit (10 rrathet perfaqsojne 10 frymet/shfryrjet e para te Big Bang-ut (tzimtzum ne hebraisht).

      Nje kolone eshte femerore, nje eshte mashkullore. Nuk takohen dot te dyja ne menyre te drejtperdrejte. Ne kete shkrim te Presjes, ngrihet ‘Hesedi’ (mshira, dashuria) ti bjere ‘gev(b)urrah’ (qe perfaqson ‘vete-permbajtjen’ dhe ‘gjykimin’)

      Keshtu qe ‘good luck’. Shkrimi shkon kunder llogjikes te natyres kur thote

      Një shoqëri që punon për t’i dhënë zë publik gruas, duhet të drejtojë vëmendje edhe në dhënien e zërit intim e privat burrit, që në fund të fundit do të thotë në çlirimin e burrit nga presioni shoqëror i të mosthënit si tipar mashkullor

      Arketipi qe permend Lyss eshte ‘gevurah’, dhe si arketipi i Presjes ‘hesed’-i jane pjese e Zotit..po te mos i shkoj ne mend askujt se mund ti perputhe me njeri tjerin.

  5. Shkrimi ngjan me projeksione ëndrrash në realitet. Realiteti është ai që është dhe dëshirat janë ato që janë; pa harruar se dëshirat lindin e influencohen nga realiteti, që është substrat mbi të cilin rriten.

    Feminizmi i njëfarë lloji, nga kërkesa për të drejta të barabarta – “femrat si meshkuj” – , po degjeneron në kërkesa të tipit “meshkujt si femra”. Tip revanshi.
    Kjo më duket mua është fryma që mban në këmbë dhe që del prej këtij shkrimi.

  6. Interesante t’i shohesh komentet, se si gjithkush e fut mendimin e Presjes ne kallepin e interpretimit te vet e pak i referohet asaj se çka dashur te thote Presja e cila, modestisht bukur, flet ne veten e pare me gjithe te drejten e njeriut qe shpreh mendimin veç te vetin. Gjithkush flet per tekstin e Presjes por ne fakt sheh pervojat e veta duke e perkthyer opinionin e Presjes ne filtrin e jetes se vet dhe duke u larguar keshtu nga Presja.
    Siç e lexoj une, pa i shpetuar natyrisht filtrit te siperpermendur, ky teskt vetem tekst “feminist” nuk eshte, ai eshte padyshim shprehje e nje mendjeje pjellore siç eshte Femra, ne nje kuptim shume me te larte se thjesht femra. Dhe po keshtu siç e lexoj une, Presja s’flet fare per bashkeshorte e per te dashura, siç thote Lyss-i. Ajo flet per Burrin dhe Gruan, ne kuptimin gati biblik, si dy qenie te afta per te krijuar ate raportin e eperm njerezor, pa pasur rendesi fare nese jane te lidhur prej institucionit apo prej nje ndjenje ne daçi dhe te jashteligjshme.

    1. Se nuk mund ta kuptosh kurre nje fenomen pa e dekompozuar ne elementet e tij. Burre e grua ne kuptimin biblik? Dakord. Po kur? Para se te hanin mollen apo pasi e hengren dhe i kthyen kurrizin njeri tjetrin dhe nuk komunikonin me?

      1. Thashe “GATI” biblik… E ç’rendesi ka nese e hengren apo s’e hengren mollen apo dardhen dhe kur e hengren e ne ç’pozicion ishin kur e hengren…!l Pse duhet ta materializojme argumentin ne lartesine e milingones..
        Per te tjerat Presja jep nje pergjigje shume te bukur e te plote me poshte.

  7. Lulian,

    Nuk e mendova qe do dukej fodull komenti, duke e pare me sy me te kujdesshem, them se mund te kesh te drejte. Kerkoj ndjese nese dikush eshte fyer nga toni i komentit. Desha ne fakt ti bie shkurt.

    Pak me gjate tani, megjithese ne parim nuk jam dakord me premisen “burrat/grate jane/bejne…..” Eshte shume pergjithsuese, dhe me kend te ngushte veshtrimi qe ne nisje. Duke u nisur nga eksperienca thjeshte personale, nga gjithe burrat qe kam njohur, shqiptare apo te huaj, homo- dhe heteroseksuale ( perfshire edhe Totozanin qe u morr si shembull ketu) nuk nxjerr dot asnje perfundim se si jane burrat. Kam pare burra qe nuk u pushon goja, kam pare burra qe duan dy dite te mendohen pa ti pergjigjen nje argumenti, kam pare burra qe tremben nga elokuenca e femrave, kam pare burra qe nuk impresionohen fare nga elokuenca….njerzit jane kaq komplekse, dhe sa me shume kohe kalon, dhe sa me shume njerez njoh, aq me pak me duket se mund ti kuptoj.

    Tani, une mund te ulem ne kafene me shoqe dhe te biem dakord per momentin, per shembull, “qe gjithe burrat e kane mendjen tek seksi” apo sic shkruan Presja ” qe gjithe burrat jane pa goje” por kjo nuk e ben te vertete pohimin. E respektoj shume mundimin dhe pasionin e shkrimit, por thjesht s’jam dakord me pergjithesimin apo stereotipizimin e “burrave”. Dhe lista e atributeve qe duhet te kete “burri ideal” bashke me gjithe te keqiat qe i ka sjelle grave mungesa e ketyre atributeve, e shpallur nga llogorja tjeter eshte feministe me perkufizim.

  8. ‘Kengetari i Dashurise’, sic e quajne greket Janis Parios, ka nja dy vargje tek ‘Dashuria ime Ti’ :

    “Dhe nene, dhe moter dhe dashuria ime Ti : cfare tjeter te kerkoj jeta ime nga ti ?!”

    Nuk shtoj gje me shume nga poeti pasi ka folur dhe me ndjenjat e mia…

    Kur jam martuar, nena ime e mira, pa ditur ‘paudhesite’ e mia, me porositi qe , mos prit qe burri te te thote te dua, eshte fjale e zorshme, nuk ja nxe goja po jo shpirti…; edhe pse i dashuri e bashkeshorti ( e shihni cfare fjale perdorim ?!) ishte lodhur sipas meje duke me theksuar faktin se sa shume me donte, madje duke thurrur dhe ‘bejte’, por ku t’a dinte e ndritura…Ajo kishte eksperiencen e vet…

    Meqe jam femer, me dy femije, me tim shoq, qe e dua e mesa kuptoj me do fort, (sepse nuk kemi kandar ne jeten e perbashket se kush i fal me teper kujt ),duke bashkebiseduar me mikesha e te pranishme rastesore nuk kam arritur te ‘perktheje’ ne rrenje ‘gojen’ e ‘burrit’ qe ndryshon sipas kushteve ‘atmosferike’; te tjera lecit me dashnore e prostituta e te tjera me ate qe ndan jatakun. Dhe me rri si shpata e Demokleut pyetja “Mos kemi faj dhe ne ?!’…

    Pse clirohet nga disa ‘pranga’ te nenlekures, pse i zberthehet goja pa pire, pse behet me ‘recitativ’…para dashnores a prostitutes ?! (Keni vene re sesi prostitutat krenohen se ne u plotesojme kenaqesite burrave tuaj ,ato qe u deficitoni ju ?!). Mos kemi gabime dhe ne ?!…Pse ‘burri’ clirohet, i zberthehet ‘goja’ me dashnore e prostituta?! Pse i shqyen telat me gjemba te shpirtit para tyre ?!Pse nuk ‘cingunoset’, pse nuk ‘rrudhoset’, pse nuk ‘vetburgoset’ para tyre ?!…Mos valle faji eshte yni, qe nuk u ofrojme atyre dhe dashurise ato qe ofrojne ata apo qe shkembejme me njeri tjetrin, pavaresisht plus minuseve qe nuk barazohen dot kurre ?! Pse ?! Pse ka siklet qe te ofrojme pa cipe ato qe ofrojne dashnoret a prostitutat ?! Pse duhet qe t’i therrasim mendjes kur na mungon dicka a na ikin nga foleza ?!…

    Nga ana ime thone ‘ priftin e gjetem, por ke do te varrosim ?’

    Le te reagojme dhe ne qe ‘burrit’ t’i vije ‘goja’ qe ia kane marre ‘sirenat’…

    1. Kur po shkruaja po kerkoja me mendje nese dija raste kolektivesh ku burri ishte emocional, shprehes, “fjalaman”. Ndoshta antropologet e etnografet kane hasur grupe te izoluara ku verehen marredhenie te ndryshme nga ato tipiket ne boten me te njohur e te studiuar nga ne. Nuk gjeta, por mund te kete. Per efekt studimi, do ishte interesante te shihej se cfare ndryshonte ne grupe te tilla dhe cilat dinamika marredheniesh ose sjelljeje percaktonin nje efekt te ndryshem nga ai tipiku.

      Sjellja e botes se prostitutes nga Anna, besoj se eshte nje perpjekje e ngjashme me ate timen qe kerkova nese ka situata qe sistematikisht pergenjeshtrojne ate qe them une ne shkrim. Per mua te thuash qe ndoshta eshte gruaja qe nuk di ta beje burrin te flase, as nuk e shpjegon dhe as nuk e zgjidh problemin. Por ajo, sic thote edhe Anna, eshte nje hamendje, dhe ajo arsyetimin e saj e shoqeron vazhdimisht me “mos ndoshta…?”. Ia vlen ta mendojme, them une, dhe vete-refleksioni per situata te mundshme nuk ben kurre dem. Vetem duhet te kemi kujdes te mos i ngaterrojme gjerat.

      E para gje eshte qe une nuk e kam fjalen ne shkrim vec per burrin si bashkeshort ose dashnor, por ne nje shumesi me te gjere funksionesh, dhe tipin e sjelljes se burrit qe trajtoj, e shoh si persistent ne lidhje me te gjitha ato funksione. Por tani po shkruaj vetem per sferen e vogel te marredhenieve “gojore” te burrit me partneren e vet seksuale tek e cila Anna duket se fokusohet ne pergjigjen e vet.

      Dashnorja ose e dashura jane karaktere qe une personalisht i shoh si cliruese, jo sepse bejne ndonje magji qe bashkeshortja nuk e ben dot ose s’do ta beje, por sepse ato jane raste kur komunikimi eshte me i thjeshte e i papengese sepse dy komunikuesit jane te dashuruar me njeri-tjetrin. Di rastin e nje burri qe eshte pergjithesisht i turpshem dhe flet pak me miq e shoke, sido qe ka nje mendje shume te bukur e te mprehte, por me gruan e vet (qellon qe ajo eshte bashkeshorte por mund te kish pasur funksione te tjera) shkrihet e s’i pushon goja per ore te tera. Arsyeja eshte shume e thjeshte: te dy ende e duan dhe ia pelqejne mendjen njeri-tjetrit, sido qe te martuar prej sh kohe. Pra i gjithe ky arsyetim nuk e zgjidh problemin qe une ngre. Nese eshte “renia jashte dashurie” e ciftit problemi, pse gruaja vazhdon te kerkoje rruge komunikimi dhe burri jo? Pastaj prania ose mungesa e dashurise nuk me rezulton si kriteri qe i ben burrat ne nje cift normalisht “te shprehen” ose jo.

      Nese dashnoren une e shoh si funksion po aq te bukur ne jete sa edhe bashkeshorten (pra pa asnje paragjykim dhe si zhvillim te natyrshem dhe jo-abuziv – dhe po ashtu shoh versionin mashkullor, sido qe nuk po perqendrohem ketu), prostituten e shoh si produkt skllaverues te mashkullit me para’, pra te nje shoqerie ku burri eshte dyfish dominues, dhe prostituten si skllave te disa-fishte dhe kurre si pjesemarrese te lire e te ndergjegjshme ne tregun e punes (sido qe e di se ka tendenca te tilla ne shkencat e sotme). Aftesia psikoanalizuese e prostitutes qe duhet te beje pese grosh me shume, e varfera, ndaj edhe ia ben muhabetin klientit ashtu si e do ai, nderkohe qe ndihet e perdhunuar, e padinjitet, e qelbur se jashtmi e se brendshmi, dhe do donte t’ia priste koqet atij qe i ka hipur persiper dhe qe qellon te mbaje ere apo te kete probleme te tjera, por e ka gojen te hapur dhe flet, por s’e ben dot se i duhen ato pese grosh qe do fitoje prej tij… pra, ky model nuk eshte ai qe une do ta sugjeroja si zgjidhje per te zgjidhur shprehshmerine e burrave ne pergjithesi. Rastet kur mes klientit dhe prostitutes krijohet nje komunikim i bukur njerezor jane pak, shpesh te romantizuara ne letersi dhe filma, por une nuk do mbeshtetesha ne ta per te pergjithesuar. Pastaj ne fund te fundit, ato jane raste kur dy komunikuesit jane te dashuruar, dhe kalojne automatikisht ne grupin me siper, pra ate te dashnoreve.
      Pergjithesisht me shume dashuri mes partnereve e permireson komunikimin them une. Gjithashtu sic them ne pergjigje me lart, dy polet e komunikimit e ndikojne njeri-tjetrin, dhe shoqeria ndryshon si e tere, por shperndarja e pergjithshme e padepertueshmerise dhe mosshprehjes nder burra, nuk ka si arsye ekzistence shekullore as mungesen e vesheve, as te dashurise dhe as te paaftesise pervazive femerore qe t’i hape gojen burrit te vet. Pra kjo nuk do te thote se burri s’flet e s’shpreh emocione ngaqe gruaja s’e do, s’e degjon sa duhet, apo s’i hap kanale komunikimi. Eshte sikur te thuash qe gruaja, kjo dominuese mijeravjecare e shoqerise sone, i paska mbyllur “gojshmerine” burrit per qellimet e veta (?), dhe tani qahet qe i ka mbetur burri pa goje.

  9. Shoh nje lidhje ne dukje aksidentale, por ndoshta te brendeshme midis shkrimit te Presjes dhe Pishakut. Shoqeria njerezore ka arritur deri ketu sipas nje procesi te supozuar evolutiv. Por teknologjia dhe zhvillimi ekonomik po eksploron territore te tilla ku gjinia femrore po perjeton nje pozicion te “enpowered”, qe nuk ka mundur ta gezoj me pare.

    Gjithnje po behet me mbizoteruese idea, duke filluar ne kampuset universitare, sidomos ne rradhet e femrave indipendente, te lira nga vargojne e varesise ekonomike, qe marredhenien me gjinine tjeter ta shohim jo me si nje marredhenie domosdoshmerisht emocionale, por thjesht si gratifikim i kenaqesise dhe nevojes seksuale, duke njesuar dhe karakterizuar veten, gjinine, me mendimin mbizoterues qe ” men are dogs”, qe do translatohet ne shprehjen qe femrat “women are bitches”.

    Cfare mund te ndodhe ne nje te ardhme mijevjecare? Shoqeria njerezore t’i perngjasoje gjithnje e me shume organizimit social te bleteve. Roli i mashkujve i pare deri vone si kryesisht “bread winner” do te humbase, sic edhe po ndodh.

    Ne krye te shoqerise per shume shkaqe do te vendosen femrat e forta, qe te udheheqin kolonine. Ato do te jene edhe vazhdueset e races. Tek bletet, Mbreteresha prodhon e vetme te gjithe pasardhesit. Femrat e tjera jane sterile, nuk riprodhohen, vecse jane punetore te zelleshme. Dihet si “bletet punetore”.

    Meshkujt e kolonise nuk punojne, roli i tyre eshte kthyer ne dicka pa vlere, nuk prodhojne asgje. Vetem disa prej tyre zgjidhen nga Mbreteresha per kopulim me te per riprodhimin e bleteve e reja, gje qe ben te mundur vazhdimesine e kolonise.

    Nderrohen stinet, vjen vjeshta, bletet femra sebashku perserisin ritualin e pervitshem, i hedhin, i perzene meshkujt, qe jo vetem jane te padobishem, por edhe konsumojne rezervat ushqimore te kolonise gjate periudhes te dimrit. Fundi i meshkujve eshte vdekja. Cfare fati i pret meshkujt e mjere!

    Logjika e mbijetese dhe vazhdimesise ne nje koloni bletesh nuk eshte emocionale, eshte ekonomike. Pyetja qe mund te behet: A do t’i ngjaje shoqeria njerezore kolonise te bleteve?

  10. Megjithse e frymezuar nga statistika te mendosh qe burrat kane veshtire te shprehin emocionet e grate jo, mbetet klishe. Eshte pak rremuje te kuptosh se per c’lloj shtrese te shoqerise flasim, me c’nivel edukimi, flitet per tabu apo jo, etj. Ka grupe burrash ku e folura eshte mrekulli dhe shprehja e ndjenjave pa tabu, ashtu sic ka grupe grash ku shprehja e ndjenjave perfaqesohet me fjlaet e embla : te prefte zoti diten ishallah! Ne kohen e prinderve te mij, oratoria mesohej ne shkolle, im ate ka pasur nje terheqje te jashtezakonshme nga nje lende e tille. Te ishte kjo aresyeja qe cdo gje e shprehte me mire se motrat?
    Me duket e cuditshme qe nje grua shqiptare (dhe ketu une zbraz klishene time) te vuaje nga memeclleku i burrave te vendit! Une militoj per nje burre(qenie) pa goje por te ndjeshem ndaj ndjeshmerise se tjetrit. Respekti ndaj atij qe eshte i hapur(extraverti), eshte disi ndryshe ndaj atij qe eshte i mbyllur(introverti).
    Nuk di si kane evoluar gjerat ne Shqiperi po burrat vec pa goje s’ishin ne ate vend. Sa kepusnin pislleqe per kofshet e bjondes qe kalonte me biciklete, gjuhen e brunes qe lepinte akulloren, gjoksin e adoleshentes qe sapo guxonte te rritej? Apo te te qellonte nje e nxire diku ne krahe a ne kofshe ne plazh, e beje dot xhiron me rroba banje pa degjuar epshe e dufe te shperthenin lirshem nga gojet e burrave?Te mosekqkuptohemi, une nuk flas per te gjitha femrat shqiptare, per ate pjese qe e kane jetuar keq si une. Ti mendon vertet presje se grate shpreheshin e shprehen lirshem ne ate vend? te gjitha grate kane endrra romantike e burrat erotike? Te gjitha grate bluajne ide fisnike e burrat perverse? Edhe ky eshte nje pergjithsim disi banal, ngurtesuar nga normat e shoqerise, se djem qe u shkruanin poezira te dashurave, ose kopjonin fjali te bukura nga romanet kishte plot. Ka nje batute ne nje film freng, LOL me duket: nous les hommes on couche tous avec des salopes, vous les meufs avec des hommes nobles et délicats.
    Kjo sa per anen gjinore bazike. Sa per faktin se burrat ne pergjithesi e kane gojen te lidhur, nuk di nga ta kap. S’kam pare asnje diference midis burrave e grave, shefi flet pavaresisht nga seksi. Tubimet zgjaten gjithnje pa fund, gra a burra t’i drejtojne. Une personalisht e dua burrin, shef apo jo pa goje e me ndjenje, shprehjen te larmishme dhe sidomos origjinale, kursesi banale. Do ta ndieja veten si prifti qe pret rrefenjat me nje burre apo grua qe te hap cdo pale te barkut. Me irriton perdorimi i nje lloj metode standart te njeriu, qe pranon veten si qenie me ndergjegjje.Jemi ne kerkim te njeriut standart dhe kjo eshte varferi.
    Teper banale fjala, gjerat qe shprehen mistershem nen vellon e shikimit apo prekjes jane me terheqese. Me duket gjithashtu me delikate e me respektuese ndaj tjetrit te mbledhesh dokumentat e t’i rregullosh me qetesi ne cante me nje buzeqeshje se sa te thuash me pasion per te dhejeten here se ideja ime ishte ajo qe thashe e nuk do te nderroj mendim. (Laberi quhete toka ku ma ka renure koka!) Fjalet jane shpesh kohe e humbur eshte mendimi im qe Frojdi s’mund ta hallakase.

    Kush nuk e ka degjuar paralelizmin korrozif mbi kancerin e gojes se Frojdit dhe sherimin me ane te fjales?

  11. E nis tejet personalisht në paragrafin e parë për të thënë në të dytin se ajo që të intereson në këtë mes është dinamika – dhe mirëqenia – kolektive e jo aq fort ajo individuale. Po të lë mënjanë mundësinë që po kërkon zgjidhje shoqërore për një hall personal, ajo që mund të duket si kontradiktë këtu, në fakt është shprehje e një ligjësie elementare të cilës nuk i shmangesh dot, që nga ana tjetër do të thotë se sa më shumë ta respektosh aq më shumë shanse ke për zgjidhje. Kjo ligjësi është ndërthurja dhe depërtueshmëria midis individuales dhe shoqërores, ashtu që çdo dinamikë individuale ka fijet e veta kolektive dhe dinamika kolektive është një total dinamikash individuale. Eshtë e detyrueshme që kjo ligjësi të merret parasysh dhe të aplikohet në një trajtim të këtij lloj kuadri që është teorik dhe i përqendruar në të kuptuarit e fenomenit. (Përndryshe nëse problemi është personal dhe praktik, sa më thjesht të mendojë njeriu aq më mirë është.) Fundja edhe shkrimi yt vazhdon pikërisht në këtë luginë të analizës kontekstuale (shoqërore, historike) për një tipologji individuale (sepse çfarëdo që të jetë ekuacioni, në fund të fundit ekspresiviteti i burrit mbetet çështje individuale). Por unë nuk jam dakord me këndvështrimin tënd në këtë rrafsh, prandaj në vijim do rrekem të bëj kritikën përkatëse duke ofruar këndvështrimin tim si mundësi.
    Së pari premisat e tua janë të gabuara, ose të paktën të nxituara. Paragrafi i tretë, që merret me kontekstualizimin konkret të çështjes, nis me një zbritje gjeografike Mesdhe, Ballkan, Shqipëri, në kuadrin historik të traditës. Nuk jam i sigurt se është i drejtë ky kontekstualizim, qoftë në raport të këtij kuadri me ç’mbetet jashtë tij gjeografikisht, qoftë brenda raportit tresh në fjalë. Vështirë të thuash se gjithandej nëpër Mesdhe burri edukohet me stoicizëm vetëmohues. Ndër turq e arabë që unë i njoh, nuk ka gjë të tillë. Po ashtu, ajo që thotë shoqja jote për burrat italianë, a nuk tregon se sa relative mund të jenë vlerësimet gjeografike dhe se problemi, në njëfarë mase të paktën, mund të jetë edhe problem perceptimi? Kjo thjesht për të të tërhequr vëmendjen se pikënisjet e tua nuk janë aq të mirëqena. Nga ana tjetër Shqipëria është temë më vete që jo domosdoshmërisht duhet lidhur me Mesdheun apo me Ballkanin. Deri diku jam dakord me ty përsa i përket tipologjisë së burrit shqiptar, por relativisht e jo thelbësisht. Megjithatë, ajo që ngatërron shumë gjëra dhe që pikërisht prandaj mbart potencialin për t’i sqaruar, është kontekstualizimi historik. “Burri tradicional” thua ti, por tiparet e burrit tradicional që jep, pa qenë nevoja t’i analizosh thellë, duket që janë përfundime të një vëzhgimi ose përshtypjeje sipërfaqësore, për të mos thënë paragjykuese. Për oponencë të shpejtë mund të themi se kultura tradicionale letrare, e prodhuar kryesisht nga burrëria, (vjershat, këngët etj.) është në përgjithësi më e kulluar dhe më e ngrohtë, më e thjeshtë e më e shpenguar se ajo moderne. Gama e ndjenjave të shprehura që na vijnë nga tradita është më e gjerë se ajo moderne, tek e cila, fjala vjen, lirizmi fëminor është gjë fort e rrallë dhe e cila është më e pasur vetëm në kompleksitet e cerebralitet. Nëse do të vinim më konkretisht tek marrëdhëniet intime bashkëshortore (meqë të tilla kanë qenë si rregull), zakonisht njerëzit e epokës posttradicionale kanë për to një perceptim e përfytyrim aspak eksitues. Kjo, përveç ndjenjës së të huajës që ngjall, në përgjithësi e pavarësisht opinionit për të, ideja e martesës tek brezi ynë, ndodh edhe për shkak të mungesës së materialeve të detajuara në lidhje me to (a nuk quhen intime pra?), që përveç pamundësisë teknologjike, është vërtet pasojë edhe e një mungese ekspresiviteti intim në publik. Shprehja publikisht e ndjenjave intime ka qenë vërtet e papëlqyeshme dhe problematike. Në fotot apo pikturat bashkëshortore të brezave që i përkasin traditës, spikat një seriozitet bashkëshortor, përtej atij individual që po ashtu ka qenë një vlerë e stimuluar (e kundërta ndodh sot). Gjithsesi besoj se kjo pikë nuk ka shumë nevojë për argumentim. Edhe sot e kësaj dite, ndonëse e rralluar si hapësirat pyjore të një vendi në zhvillim, ka njëfarë etike publike që e kundërshton shprehjen e intimitetit aty ku nuk është më intim. Ama është shumë e çuditshme pse një gjë e tillë priret të merret si tregues varfërie në marrëdhëniet e komunikimin ndërgjinor/bashkëshortor kur në fakt, me pak analizim e përfytyrim, por edhe me fakte, i bie të jetë krejt e kundërta. Marrëdhëniet e qëndrueshme, përkushtimi, mbështetja reciproke, respekti etj. që në përgjithësi kanë rrezatuar publikisht martesat e asokohshme, në fakt a nuk janë reflektim i një bote të pasur intime? Dikush mund të thotë se ky peisazh ka qenë i lidhur ngushtë me kushtet, domethënë pamundësitë, ekonomike, kulturore, sociale etj. por do ishte e vështirë të besosh që e gjitha ka qenë një falsitet i imponuar. Përveç kësaj, mjafton të vëzhgojmë estetikën tradicionale, të sendeve por edhe të komunikimit, e ngërthyer me nevojën dhe prakticitetin, që përkundër kushteve supozueshëm më të vështira ekonomike e teknologjike, nuk i kursehej kostoja e lartë. A është vallë e tepërt të thuash se ajo estetikë, aq e hollë e erotike, është shprehje e një intimiteti të pasur deri edhe përtej imagjinatës sonë? Me njohjen dhe opinionin tim për këto punë mund të pohoj se shqiptarët tradicionalisht vërtet kanë qenë relativisht më të ngurtë e më të vrazhdë në marrëdhëniet ndërgjinore e në artikulimin e tyre, megjithatë i gjithë ky kuadër patjetër që vlen edhe për shqiptarët, e ca më tepër akoma për të tjerë popuj disi më pranë ekuilibrit ideal. Kjo përsa i përket traditës jo absolutisht, por në raport me atë që jemi ne sot.
    Po ashtu, paralelisht pak a shumë e njëjta gjë vlen edhe për heshtjen apo ekonominë e folurit si vlerë tradicionale dhe antivlerë moderne. Pa e parë të nevojshme ta argumentoj këtë si më lart, më mjafton të kujtoj se kjo vlerë, me të drejtë apo jo (për mua me të drejtë) lidhet me thellësinë shpirtërore, mendore e emocionale, me karakterin e fortë, me moralin e mirë dhe me pëlqyeshmërinë e bukurinë e për rrjedhojë, me aurën erotike të njeriut. Por nuk janë vetëm këto vlerat tradicionale që shfaqen të përmbysura në perceptimin modern. Në nivele të ndryshme, të tilla janë turpi, përkoria, modestia, vetëveçimi, mosdyshimi, besnikëria (jo bashkëshortore), ndershmëria në dëm të interesit vetjak, respekti ndaj prindërve, ndaj pleqve etj. Ku është problemi atëherë? Problemi per mua është tek moderniteti dhe perceptimet që ai stimulon. Me këtë folje të fundit në vetën e tretë njëjës, ndiej nevojën të theksoj se me modernitet nuk kam parasysh diçka abstrakte e të zhveshur prej përgjegjësisë morale, siç priret të jenë apo të bëhen terma të tillë (një tjetër është “sistemi”). Me modernitet para së gjithash kam parasysh, krahas shumë të ligash të tjera karakteristike për kohën, edhe mashtrimin si dukuri të përhapur (e tashmë në masë të madhe të pavetëdijshme) që ngrihet si re mbi kryet tona në avuj të padukshëm votash, lodrash kineze për kalamajtë, shprehjesh publike dashurie etj. e që na bie si një shi vetëmashtrimi prej filmash, mitingjesh, kazinosh etj. Meqë përmendëm filmat, e ke menduar se një burrë mund të mos thotë “të dua”, ose të mos jetë i çlirët në shprehjen e ndjenjave në përgjithësi, për shkak të mbiimpresionimit nga skenat kinematografike të ngjashme që ka parë, çka ndoshta e bën të ndihet si legen në shprehje që presupozohet të përmbajnë sinqeritet, ndërkohë që ti ndoshta pikërisht prandaj e kërkon me ngulm (sepse të gjithë kështu bëjnë)?
    Shkurt: nëse ka një problem shoqëror, politik, gjeografik a historik që lidhet me paaftësinë shprehëse verbale të burrave, ai duhet kërkuar në modernitet së pari e për më thellë mbase edhe në traditë kurse gjeografikisht besoj se në të gjithë botën tonë globale, ku më pak e ku më shumë. Unë vetë besoj se kjo paaftësi ekziston vërtet si fenomen, në nivele përtej dallimeve të natyrshme dhe normale gjinore që mund të nënkuptojnë një gjë të tillë. Besoj se ky fenomen ka të bëjë me dukurinë e thyerjes së theksuar të personalitetit mashkullor në kontekstin shumëdimensional modern, si pjesë e një fenomenologjie mjaft më të gjerë në sferën e ekuilibrave gjinorë të distortuar. Po me çfarë lidhet kjo konkretisht? Kjo lidhet pikërisht me shpërthimin e intimitetit dhe shenjtërisë familjare. Shkolla, TV-ja, rruga, himni kombëtar, futbolli, taksat etj., secili një kapitull më vete, të gjitha këto janë prodhuese të individit më shumë se prindërit (madje edhe nëpërmjet këtyre të fundit të cilët po ashtu kanë kaluar nëpër të njëjtin proçes). Në aspektin gjinor po ashtu individët modernë janë produkte të pornografisë, të drejtpërdrejtë a të tërthortë, edhe ky kapitull më vete. Duke dalë aty ku do të dilja po t’i argumentoja të gjithë këta kapituj e të tjerë akoma, por duke mos i argumentuar për arsye ekonomike, por edhe sepse nuk e shoh të domosdoshme, them se marrëdhëniet ndërgjinore në epokën tonë janë deformuar rëndë e kanë përfunduar në një jin-jang grotesk, jo më me atë lakimin harmonik, por me qindra nyje abuzimi, neverie, perversiteti, zhvlerësimi, mashtrimi, urrejtjeje etj. Në gjithë këtë mishmash, po të veçojmë ekspresivitetin verbal, besoj se në këto kushte ky i fundit priret të dëmtohet më shumë tek burrat se tek gratë dhe në përgjithësi, në deformimin që pësojnë rolet gjinore, janë meshkujt ata që priren t’u ngjajnë më shumë femrave se sa e kundërta dhe kjo ndodh sepse e gjithë fenomenologjia e mësipërme, si përmbysje e rendeve dhe ekuilibrave të natyrshëm, shoqërohet me një tendencë të fortë matriarkalizmi, gjithashtu histori më vete.
    Përtej të gjitha këtyre, çështja në thelb mbetet individuale. Të gjitha këto janë ndikime, shumë të forta e pa dyshim për t’u marrë në konsideratë. Shumica e njerëzve mbeten deri në vdekje produkte të mjedisit, për gjëra shumë më të mëdha se sa ekspresiviteti verbal, por ama edhe kjo vendoset diku në individualitetin e thellë, në zemër apo në ndërgjegje, po të shprehemi me nocione më tradicionale, po aty ku njeriu si individ mbart edhe potencialin për të qenë diçka përtej ndikimit mjedisor. Ky për mua personalisht është një terren që më duket më interesant se ai i psikologjisë shoqërore, prandaj dhe më tërhoqi hyrja si shprehje e prirjeve dhe kërkesave indivuduale të një femre lidhur me një aspekt të preferencës mashkullore. Megjithatë u përgjigja për pjesën tjetër sepse ajo ndjell përgjigje.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin