NDËRKOHË ROMANI PASKA VDEKUR

Përmes një eseje të botuar në numrin e tetorit 2018 të Harper’s Magazine (The Printed Word in Peril), shkrimtari Will Self hulumton, mes shumë të tjerash, fatin e romanit në epokën e Homo Virtualis, siç e quan ai.

Dhe e bën këtë, duke thirrur në ndihmë konceptin e skeuomorf-it, me prejardhje nga semiotika e dizajnit.

Sipas një përkufizimi të pranuar, skeuomorf është çdo objekt ose karakteristikë që imiton dizajnin e një artifakti të ngjashëm, të prodhuar nga një material tjetër.

I formuluar nga një H. Colley March në 1998, nga dy tema të greqishtes së vjetër, skéuos (enë ose vegël) dhe morphḗ (formë), ky term u referohet para së gjithash anakronizmave të qëllimshme në dizajn – nga qirinjtë elektrikë dhe veturat me panele vinili që simulojnë teksturën e drurit, lëkura artificiale (pleather), frutat plastike dhe lulet prej letre a prej pëlhure, linoleumi që duket si parket dërrase, etj. janë skeuomorfe.[1] Ndryshe nga objektet fake, skeumorfet nuk synojnë ta gënjejnë përdoruesin, por vetëm t’i japin një “aromë” të shtuar objektit.

Skeuomorfet zakonisht lulëzojnë në periudha ndërrimesh të paradigmës teknologjike – siç është kjo e sotmja, sa i përket teknologjisë kompjuterike dhe virtualizimit. Për shembull, ndërfaqja grafike e një aplikacioni për të mbajtur shënime në telefon mund të ketë pamjen e një blloku shënimesh me vija; ose një aplikacion për radio mund të duket si një aparat radio i viteve 1950. Edhe vetë butoni, si element i ndërfaqes, është skeuomorf. Shumë ikona kompjuterike janë skeuomorfe gjithashtu: për shembull ajo e emailit, që shpesh ka trajtën e një zarfi; ose ajo e regjistrimit të zërit, që ka trajtën e një mikrofoni; ajo e thirrjes telefonike, që ka trajtën e një telefoni me disk; e kështu me radhë. Skeuomorf është zhurma klikuese që lëshon telefoni celular, sa herë që shkrepet një fotografi, në imitim të kamerave tradicionale, ku shkrepja kërkonte lëvizjen e pjesëve mekanike dhe sustave. Pena magnetike (digitizer), që unë përdor ndonjëherë për të mbajtur shënime me dorë në tabletë, ka formën, ngjyrat dhe dizajnin e një lapsi tradicional Staedtler.

Këto marifete të dizajnit nuk janë thjesht për estetikë dhe as për kënaqësinë e përdoruesit: roli i tyre kryesor është të ndërmjetësojnë për të futur, në jetën e përditshme, një teknologji relativisht të panjohur, si ajo kompjuterike (dixhitale); ose virtualitetin.

Lexuesit elektronikë të librit – si Amazon Kindle, por jo vetëm – dhe që janë kombinim i një hardueri dhe i një softueri të specializuar, vijnë të ngarkuara dingas me skeuomorfe; meqë marketuesit e tyre duan t’i kujtojnë lexuesit librin tradicional në çdo aspekt. Ato jo vetëm kanë formën dhe peshën e një libri të vogël; por edhe tregojnë imazhin e kopertinës së librit. App-i Kindle për Android ka një efekt vizual të shfletimit që i ngjan shumë shfletimit të një libri real (nëpërmjet animacionit, faqja virtuale përthyhet dhe lakohet kur gishti yt prek ekranin, si të ishte faqe reale). Nëse kërkon që ta mbash mend një faqe për çfarëdo arsyeje, mund të përdorësh një “faqeshënjues” (bookmark) që ka trajtën e një fiongoje të vogël, me dhëmbëzim. App-i gjithashtu të lejon ta shfletosh librin me gisht, nëpërmjet një gjesti të njëjtë me atë të shfletimit të një libri real.

Kësisoj, skeuomorfet duan t’ia ngrohin librin eletronik përdoruesit, duke ia referuar librit real; dhe duke shpresuar se kësisoj do ta bëjnë lexuesin të harrojë se çfarë dallimesh dramatike ka midis këtyre dy teknologjive.

Gjithsesi, kur flet për skeuomorfet në kontekstin e librit dhe të leximit, Will Self-i nuk e ka fjalën për këto marifete; dhe nëse e përdor këtë koncept relativisht të specializuar, e bën për të përshkruar tezën e vet se jo vetëm versioni elektronik i një romani në Kindle (bashkë me softuerin e nevojshëm për lexim) është skeuomorf i librit prej letre, shkronjash dhe kartoni; por edhe se vetë romani sot ka përfunduar në një skeuomorf të romanit klasik; duke qenë, si të thuash, letërsi që, për t’iu përshtatur epokës dhe teknologjisë sunduese, i ruan disa karakteristika nga e shkuara, me synimin që ta qetësojë përdoruesin.

Arsyet pse romani i sotëm mund të jetë skeuomorf nuk lidhen drejtpërdrejt me teknologjinë e leximit; meqë Self-i në esenë e tij e ka fjalën për romanin, jo për teknologjinë përkatëse të shtypshkrimit (tipografisë); në kuptimin që skeumorfizmi prek edhe romanin prej letre, që shitet në librari; ose romanin si audiobook. Në fakt, kjo lloj përshtatjeje e teknologjisë letrare – nëse mund ta quaj kështu – ka të bëjë me transformimin që ka ndodhur te lexuesi, si pasojë e ekspozimit total të këtij të fundit ndaj virtualitetit (Internetit, rrjeteve sociale, hipertekstit, motorëve të kërkimit, multitaskimit, etj.); një transformim që e ka ndryshuar tashmë qasjen e përgjithshme të lexuesit ndaj teksteve, sikurse ka ndryshuar edhe qasjen e përgjithshme të shkrimtarit ndaj teksteve. Proliferimi i sotëm i romanit, si skeuomorf, shpjegohet – gjithnjë sipas Self-it – me shndërrimin e tij nga synimtar (purposive) në dekorativ. Nëse ky perëndim i romanit do të ndikojë në themelimin e një vetëdijeje të re individuale, apo është efekt i ndërrimit të vetëdijes individuale si pasojë e virtualitetit[2], kjo mbetet e hapur për diskutim. Gjithsesi, Self-i e mbyll esenë e vet duke pranuar se nuk sheh ndonjë të ardhme për fjalët e printuara në letër ose formën e artit që ato përftonin, “nëse qytetërimi ynë e vazhdon këtë trajektore dixhitale”; në kuptimin që e ardhmja nuk do të kalojë dot përmes portalit të tekstit të printuar.

Ka një arsye specifike që Self-i flet pikërisht për vdekjen e romanit: ky zhanër i fiksionit të gjatë narrativ botohet zakonisht si libër, duke instauruar kështu një lloj simetrie midis diskursit dhe mediumit. Në përkufizim përfshihet zakonisht edhe natyra pak a shumë realiste e zhanrit, që thuhet se ka në fokus “eksperiencën njerëzore”. Për t’u shënuar edhe marrëdhënia e ngushtë e romanit si zhanër me teknologjinë e shtypshkrimit, që ia mundësoi popullarizimin.

Pa u zgjatur më me natyrën dhe historinë e romanit si zhanër, mjaft të themi këtu se lulëzimi i këtij të paktën në kulturën perëndimore përkon me kristalizimin e vetëdijes individuale a të subjektit guttenbergian si artifakt i teknologjisë shkrimore; sipas Bakhtin-it, këtë arritje e ndërmjetëson natyra dialogjike e diskursit letrar të shfaqur në roman (intertekstualiteti); natyra polifonike a shumëzërëshe e romanit, që mundëson pavarësimin e personazheve nga (zëri i) autori(t); heteroglosia, ose bashkëjetesa e zhanreve të ndryshme të ligjërimit në tekst; dhe më në fund, mënyra si mishërohen në roman kronotopet.

Vdekja e romanit është përfolur relativisht shpesh dhe lirshëm gjatë shekullit XX, që me ndërhyrjet e Ortega y Gasset dhe Walter Benjamin-it; ndonjëherë edhe në kontekstin e diskursit për vdekjen e autorit dhe vdekjeve të tjera madhore. Edhe Will Self-i i është kthyer kësaj disa herë, si në esenë The Novel Is Dead, ku e lidh fundin e këtij zhanri kaq të suksesshëm me krijimin e një “permanent now” nga mediat dhe teknologjitë dixhitale (çfarë i sheshon kronotopet); dhe duke sqaruar se me vdekje të romanit nuk duhet kuptuar detyrimisht mundësia që romanet të mos shkruhen më, por edhe mundësia tjetër, edhe më e frikshme, që romanet të mos lexohen më. Në një ese pak a shumë të njëkohshme me të parën, i njëjti Self pat paralajmëruar The Death of the Shelf (vdekjen e raftit të librave).[3]

Ata që e lidhin vdekjen e romanit me post-modernizmin, do të kënaqeshin me shembullin e veprës S. (Ship of Theseus), të krijuar nga J.J. Abrams, me autor Doug Dorst; një artifakt tipografik kompleks, ku romanit si vepër arti ia zë vendin leximi i tij; ose ku lexuesi ftohet të konsumojë leximin fiktiv të një vepre më të hershme, duke ndjekur një dialog midis dy studentëve, që ka trajtën e shënimeve në anë të faqes të romanit në fjalë; plus gjithfarë materialesh suplementare si kartolina, harta, copëza gazetash, fatura etj. të futura mes faqeve të librit. Këtë roman e kanë quajtur “pjesërisht vepër arti, eksperiment letrar dhe letër dashurie drejtuar mishërimit fizik të librave.” Jo më kot J.J. Abrams përmendet në kreditet, si një lloj “drejtori artistik” i këtij instalacioni tipografik.[4]

Duke iu paraqitur lexuesit, në mënyrë lojcake ose “shkelasysh”, si roman i përdorur, i lexuar dhe i përjetuar nga të tjerë, S. rimerr disa trope të mirënjohura të librit të tjetrit, ose të një objekti që mund ta gjesh në një tezgë librash të përdorur a në një yard sale; dhe merr kështu tiparet karakteristike të një skeumorfi; çfarë duket sikur mbështet, sado tërthorazi, se skeuomorfizmi i librit-roman nuk është doemos dhe detyrimisht aq i lidhur me teknologjinë e tekstit dhe të dixhital, sa ç’është i lidhur me shpërbërjen e subjektit guttenbergian në kushtet e globalizimit social dhe kulturor.

 

© 2018, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet rreptësisht riprodhimi pa leje.


 

[1] Skeuomorf është edhe “Libri i Artë i Albanologjisë”,  i mbiquajtur “kodiku i fundmë i Shqipërisë”. Citoj nga prezantimi:

Për këtë kodik punoi në rrugë artizanale një nga tre mjeshtrit më të njohur që vazhdojnë të mbajnë gjallë këtë mjeshtëri luksi aristokratik në Itali, mjeshtri Matteo Cuttita, specialist në laboratorin e restaurimit në manastirin e Munxifsit, një manastir me tradita ekumenike, që ka bashkuar kishat dhe liturgjitë, me një rol historik-kulturor mbiadriatik. “Ka qenë akademiku Matteo Mandala, ai që u përkujdes me gjithë dashurinë dhe kujdesin e tij sakral në gjithë fazat e përgatitjes së tij, deri tek paketimi specifik për ta sjellë me mbrojtje të sigurt kodikun, deri në momentin e dorëzimit në Akademi.

[2] Kjo tezë mund të artikulohej edhe më, duke thirrur në ndihmë parashtresat dhe spekulimet e Baudrillard-it për simulimin dhe simulakrat.

[3] Jungiani mes jush do ta ketë vënë re tani përkimin gati djallëzor midis emrit të shkrimtarit, Self dhe temën rekurrente të spekulimeve të tij: vdekjes së unit guttenbergian (the Guttenberg self) dhe të raftit të librave (shelf).

[4] Një strukturë të ngjashme, edhe pse jo kaq “multimediale”, ka romani Pale Fire i Nabokovit.

3 Komente

  1. Esé mjaft instruktive per nje fenomen qe na rrethon te gjitheve, çdo dite por qe jo gjithkush konstaton se çfare sjell. Te pakten une, jo. Me analizen qe behet ketu kupton se evolucioni jo vetem i mjeteve shprehese ne kohen tone, por edhe vete menyra se si shprehet akti krijues, i iken duarsh edhe vete autorit, ne kontekste te caktuara. Ose mund te jete si puna e atyre ligjeve te evolucionit, qe procedojne ne menyre gati te pavetedijeshme, si shprehje e instinktit te mbijeteses: evoluo ose vdis! Edhe pse jo gjithmone eshte fjala per nje proces te tille te thjeshte.

  2. Mua me ben shume pershtypje vendi i romanit ne krahasim me vendin e asaj qe ne anglisht quhet non-fiction. Nese romani deri dikur kishte nje rol introspektiv – e shtynte lexuesin te reflektonte mbi botekuptimin e vet duke lexuar mbu nje situate fiktive – sot ka nje rol tjeter qe mbase eshte e veshtire te identifikoet. Roli introspektiv i eshte dhene non-fiction me nje bollek librash self-help apo pseudofilozofi. Ne kete kendveshtrim, per mua vdekja e romanit nuk eshte vdekje e formes, pikerisht ajo qe thua dhe ti Ardian ne kete shkrim, por me shume nje lloj vdekje e qellimit. Perse i lexojme romanet sot?

  3. Nese keto shenja vdekjeje te romanit, jo vetem ne kuptimin fizik, por edhe si permbajtje nuk do ta nxisin autorin te kuptoje dhe reagoje ndaj botes virtuale ku ai ndervepron atehere do te vdese vete autori, e pas tij edhe romani. Deri tani eshte ende gjalle. Post-modernizmi eshte nje reference se si ta ndalesh vdekjen e autorit. Jane shume pak “sende”, nese mund ta quajme keshtu romanin, si dicka fizike, qe kane aftesine te jene gjalle edhe pasi kane vdekur fizikisht. Njelloj ashtu si gjeniu. Keshtu eshte edhe romani. Nese bota sot krijon biblioteka e librari online nuk ka asgje per t’u frikesuar, autori mund te gjeje vend edhe atje. Romani nuk eshte i rendesishem se eshte fizik, eshte nga permbajtja. Filmi ishte i pari qe tentoi ta vrase fizikisht, ndonese vetem pjeserisht. Ja nje rast, miliona njerez nuk e kishin lexuar Ana Kareninen kur ishin te ulur para ekranit ne kinema per ta pare, por historia ishte aty, dhe jo kopertinat. Cila eshte zgjidhja? Autori duhet te behet edhe lexues ne nje bote qe nuk ndryshon me hapa qindra vjecare, por me 10 ose edhe me pak, Kush e imagjintonte Kindle-in para 10 vitesh?!

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: