RRETH PAVETËDIJES INSTITUCIONALE

Çfarë fshihet në pavetëdijen e institucioneve publike sot në Shqipëri?

Më erdhi kjo pyetje kur po lexoja disa shënime të Zhizhekut për pedofilinë në Kishën Katolike (Acheronta Movebo, botuar në The Philosophical Salon); dhe pikërisht atje ku autori arsyeton që abuzimi pedofilik si dukuri nuk ka të bëjë me sjelljen private të këtij apo atij prifti a kleriku, që për arsye aksidentale, qëllon të ketë qenë pedofil. Përkundrazi, thotë Zhizheku, abuzimi ka të bëjë me vetë Kishën Katolike si të tillë, sepse është i brendashkruar në vetë funksionimin e saj si institucion social. Prandaj nuk lidhet vetëm me pavetëdijen private të individëve, por me “pavetëdijen” (ose atë pjesë për të cilën nuk duhet folur publikisht) të Kishës Katolike si institucion.

Vazhdon Zhizheku: ky abuzim nuk është diçka që ndodh sepse institucionit i duhet t’u përshtatet realiteteve patologjike të jetës libidinale, për të mbijetuar; por diçka që institucionit vetë i duhet, për t’u riprodhuar. Mund të përfytyrojmë, thotë ai, një prift jo-pedofil që, pas disa vjetësh shërbimi, përfundon i ngatërruar në pedofili, sepse ashtu e sedukton vetë logjika e institucionit. Kjo pavetëdije institucionale tregon ndyrësinë e fshehur dhe të mohuar që e mban në këmbë institucionin publik.

Nuk di të them nëse kjo analizë e Zhizhekut është e njëanshme apo jo (dhe ky shkrim imi nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me skandalin e pedofilisë që ka përfshirë Kishën Katolike); por më duket se vizioni i tij, për pavetëdijen institucionale, si ndyrësi të fshehur dhe të mohuar që e mban në këmbë institucionin publik, mund të ketë relevancë për të kuptuar funksionimin e institucioneve publike sot në Shqipëri – duke e zëvendësuar pedofilinë me gjithçka me të cilën një pushtetar mund të shantazhohet: vjedhja, korrupsioni, krimi; ose në përgjithësi shkelja e ligjit. Në pajtim me arsyetimin më lart, mund të themi se koluzioni i pushtetit të sotëm me krimin nuk është efekt aksidental i natyrës kriminale ose korruptive të individëve që qëllojnë të jenë edhe në pushtet, por diçka që pushtetit i duhet për të riprodhuar veten. Me fjalë të tjera, jo vetëm që pavetëdija e institucioneve të sotme në Shqipëri është ilegaliteti, por edhe se mes pavetëdijeve të mundshme, ilegaliteti është më i efektshmi, për të mbajtur në këmbë institucione të importuara (shih edhe kulti i kargove), si ato të tanishmet në Tiranë.

Një interpretim banal i kësaj konjekture do të ishte: unë nuk të sjell në pushtet, po të mos kem një diçka kundër teje – me të cilën të të shantazhoj, për të të detyruar të më bindesh. Një interpretim jo-banal do të merrte parasysh edhe që, sfida më e madhe e atyre që, gjithë duke fituar pushtet, duan të ruajnë integritetin e tyre moral, është si të rrinë në pushtet pa u komprometuar njëfarësoj. Madje edhe atëherë kur komprometimi nuk është pjesë e boot camp-it, ose e hyrjes në institucion. Organizatat mirëfilli kriminale, si ato mafiozet, e përdorin rëndom këtë teknikë korruptive, për t’i mbajtur anëtarët të përkushtuar. Institucionet publike (shtetërore) në parim kanë nevojë për besnikërinë dhe devotshmërinë e anëtarëve; por kjo besnikëri dhe kjo devotshmëri mund edhe të themelohen mbi të pathënshmen. Dhe ndryshe nga ç’ndodh me pavetëdijen individuale, që mbetet e fshehur nga uni, pavetëdija institucionale mund të jetë e tillë për institucionin (si tërësi ligjesh, praktikash dhe traditash), por jo për personat që e mishërojnë dhe e përfaqësojnë dhe që, sikurse në rastin e organizatave kriminale dhe parakriminale, pengohen nga mekanizma mbrojtës të llojit omertà (“codice del silenzio”) për ta denoncuar atë çfarë nuk shkon me institucionin. Në pajtim me modelet klasike (freudiane) të pavetëdijes, duhet të kemi parasysh se edhe këta mekanizma mbrojtës do të ishin pjesë e pavetëdijes institucionale.

© 2018, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet rreptësisht riprodhimi.

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: