INTERVISTA PËR ARDIAN KLOSIN

Katror i zi - Malevich

Katror i zi – Malevich (1932?)

(Me rastin e përvjetorit të vdekjes së Ardian Klosit, po i risjell lexuesit këtë intervistë timen të përgatitur nga Aida Tuci, që u botua në gazetën MAPO, më datën 18 shkurt 2013.)

 A mund të themi se “Te kundërcjapi” shfaqet Ardian Klosi në të gjitha dimensionet e tij?

Do të thoja se shfaqet më shumë si eseist, shkrimtar, kritik, gjuhëtar, vëzhgues dhe transformues i realitetit, qytetar i angazhuar në debatet publike, pikë referimi e shoqërisë civile; por nuk duhet të harrojmë edhe se Klosi bëri emër dhe la gjurmë të pashlyeshme si përkthyes veprash “të rënda” dhe si filolog, ose botues dhe studiues i teksteve shqipe. Le të themi më mirë se vepra në fjalë, “Kundërcjapi”, është një pasqyrë e asaj çfarë përfaqësonte Klosi, ose do të mund të ishte shkruar vetëm nga një figurë poliedrike si ai, sepse Klosi figurë publike ishte shumë më tepër se autori i teksteve të librit në fjalë: ishte një prani e përhershme e angazhuar, vëzhguese dhe kritike, që – të paktën në momentet e veta më të frymëzuara – arrinte të kombinonte fjalën me veprimin, gjestin me refleksionin. Prandaj libri do parë më shumë si një plotësim i gjithçkaje ka bërë Klosi në këto 30 vjet, ose më mirë si një kontrapunkt i Klosit homo publicus.

Ardian Klosi e ka kuruar vetë këtë libër deri në detajin më të vogël. A mund të na tregoni si ka qenë ky proces pune që nga “zgjedhja” e pjesëve dhe deri tek titulli i pazakontë “te Kundërcjapi”? 

Disa nga këto pjesë janë të periudhës kur Klosi sapo kish nisur të shkruante, ose të viteve 1980; edhe pse i përkasin një epoke tjetër, kur kodet e botimit ishin të tjera, ato megjithatë zënë vend mirë në libër, sepse i bashkon e njëjta frymë kritike, e njëjta dëshirë për ta përballur mediokritetin, i njëjti antikonformizëm. Në vitet 1980, megjithatë, çdo kritikë publike e paporositur do të perceptohej, vetvetiu, si distancim ndaj vijës politike të momentit, si akt i dyshimtë dhe individualist; prandaj çfarë bënte Klosi nuk ishte pa rreziqe. Aso kohe kritika gjithnjë ishte një akt balancimi, që kërkonte një teknikë herë të dukshme e herë të padukshme, për të përdorur njërën anë të politikës kundër tjetrës, ose për ta luftuar regjimin me mjetet e veta. Kritiku duhej të ishte, si të thuash, mjeshtër i xhudo-s, pse vetëm ashtu do të mund ta mposhtte sistemin. Edhe titulli i librit, Te kundërcjapi, e ka prejardhjen nga një term i sajuar i një fjalori të anatomisë, autorët e të cilit ishin treguar tepër të zellshëm në zëvendësimin e termave latine me neologjizma të shqipes; dhe emrin antitragus, të një kërceje të veshit, e kishin analizuar në pjesë, anti + tragus, dhe e kishin shqipëruar pastaj si kundërcjap (meqë tragus, në latinishte, do të thotë cjap). Ai shkrim u botua atëherë në revistën “Hosteni” dhe në dukje qesëndiste një obsesion të terminologëve, që i tiganisnin këto terma sikur të ishin petulla; por në të vërtetë kishte implikime që shkonin përtej terminologjisë dhe sensit të masës në neologji, meqë prekte çështje të ksenofobisë së regjimit të atëhershëm, dhe manisë për të shqiptarizuar gjithçka, e cila frymëzohej nga parimi strategjik i ndërtimit të socializmit “me forcat e veta.” Klosi i atyre viteve punonte në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” dhe merrej drejtpërdrejt me letërsinë shqipe, të cilën e përdorte edhe si laborator, për të izoluar të gjitha patologjitë e njeriut të ri, si shkrimtar dhe si personazh, çka duket edhe në shumë prej shkrimeve. Në thelb i kishte hyrë një rruge që do ta çonte, në fund të vitit 1990, në ballë të lëvizjes politike kundër regjimit; dhe është për t’u vërejtur, këtu, se ai ashtu mbeti gjithë jetën, në krye të kundërshtimit, i paepur në rebelimin e vet, që drejtohej kundër një sistemi dhe jo kundër këtij apo atij personi, autoriteti ose ideologjie.

Si do ta portretizonit si mik por edhe si krijues duke iu referuar këtij libri Ardian Klosin?

Libri është shumë i mirë në vetvete, por mua më flet, pra së gjithash, për veprën e munguar të Klosit, ose për çfarë ai mund të kish bërë akoma, sikur të mos largohej ashtu papritur, duke përplasur derën. Unë kam pasur miqësi të vjetër me autorin, por që më pas na është rralluar, ngaqë kemi jetuar në vende të ndryshme; e megjithatë kemi ruajtur bashkëpunimin dhe kontaktet, për më se njëzet vjet. Shpesh, bisedat e mia imagjinare me këtë mik të pazëvendësueshëm, i kam nisur kur kam lexuar ndërhyrjet e tij publike, ose kur kam lexuar për veprimtarinë e tij publike; dhe ajo çfarë ai ka arritur, si qytetar, si kritik social, si krijues dhe si përkthyes, ka qenë një nga të paktat arsye që më kanë bërë, rregullisht, të më vijë keq që jam larguar nga Tirana. E megjithatë, kur e shoh librin, e marr në dorë dhe e krahasoj me masën e botimeve që ka mundësuar Klosi – përkthimeve, librave origjinale, antologjive, manualeve – nuk mund të mos mendoj se ai nuk pati kohë t’i realizojë dëshirat e veta krijuese, ose ta derdhë veten në plumbin e shkronjave të dala nga dora e tij; përkthente shumë dhe shpejt, vepra të rëndësishme, ndonjëherë themelore për kulturën e një vendi dhe një populli të vogël si yni; dhe në këtë kuptim sakrifikonte nga vetja, për të shërbyer si ndërmjetës i dy botëve, njërës tepër të pasur, tjetrës ende të varfër. Dhe nuk besoj se e bënte këtë vetëm për të mbijetuar. Në fakt, që në vitet e universitetit, kur shoqëroheshim bashkë, Klosi dallohej për pasionin që kish për letërsinë e huaj; si dhe për një pasion tjetër, më të rrallë, për të shërbyer si kanal, si kapërcyell, si lidhje mes dy botëve. Ishte një njeri që të sillte kulturë; jo të vetën, por të Tjetrit, pasi e kish filtruar dhe qëmtuar për ty.

Çfarë e frymëzonte në gjithë krijimtarinë e tij?

Besoj se e frymëzonte bindja se ne të gjithë, si qytetarë të Republikës së Shqipërisë; dhe ai vetë si njeri dhe si veprimtar i angazhuar në çështjen publike, meritonim më tepër, në të gjitha fushat: në politikë, në kulturë, në jetën e përditshme. Përndryshe, nuk është e lehtë ta përcaktosh, me pak fjalë, se çfarë e motivon tjetrin, pa rënë në psikologjizëm, ose, më keq akoma, në patetizëm. Të gjithë kërkojmë të realizojmë potencialin tonë, në këtë jetë, teksa duam të bëjmë të lumtur edhe të gjithë ata që duam; por këtu jo të gjithë kanë të njëjtin kapacitet, dhe s’e kam fjalën veç për kapacitetin intelektual, por edhe e sidomos, për kapacitetin moral. Disa pak njerëz të rrallë, dhe Klosi i përket pa dyshim atij grupi, nuk rrinë dot pa lëshuar dritë, madje pa ua sjellë dritën të tjerëve; janë vetë të ndriçuar, por kjo nuk u mjafton, veçse si shtysë për t’i bërë dritësjellës. Nuk e bëjnë këtë nga zori, as ngaqë ua kërkon kush; nuk e bëjnë për emër dhe pará, as për të mbytur ndonjë dëshpërim të brendshëm; por vetëm ngaqë vetëm ashtu mund të ekzistojnë. Në rastin e Klosit, edhe pse ky ishte profilizuar, me ndërhyrjet e veta publike, si kritik, personalitet acerbik, ndonjëherë i hidhur, prapë nuk do të ishte e drejtë ta cilësonim si njeri që gjente kënaqësi te disfata e tjetrit, qoftë edhe te disfata e së keqes; çfarë mund të themi, përkundrazi, është se ai kish tolerancë shumë të ulët për bullshit-in, konformizmin, burokracinë dhe pompozitetin – në jetë dhe në art.

Duket sikur ky libër është gjithë bota e Klosit. Një njohura ime thotë “Lexo Te kundërcjapi që të kuptosh betejën mes absurdit: njeriut të mbarsur me dije, përpjekjeve për zë dhe heshtjes mbytëse të rrymës…A mendoni se për këtë libër ai ka “zgjedhur” pikërisht gjithçka që reflekton mbi betejat e shumta që Klosi ndërmori gjatë viteve të jetës së tij?

Vërtet, gjen aty përfshirjen e tij në politikën opozitare, gjatë periudhës romantike të kësaj të fundit; gjen zotimin e tij qytetar dhe në mbrojtje të mjedisit: atij fizik, të qyteteve tona dhe të Shqipërisë gjeografike, por edhe të mjedisit shpirtëror, të kapur për fyti nga degradimi. Përballë të gjithë atyre që abuzuan me mjedisin me çdo mënyrë, për hir të ambicieve të tyre personale, për karrierë ose për pará; përballë krimeve të përsëritura që bëheshin dhe ende po bëhen ndaj natyrës, ndaj qyteteve, ndaj trashëgimisë dhe kulturës, duket sikur armiku kryesor i Klosit kritik social, objekti i indinjatës dhe shigjetimeve të tij, është indiferenca e publikut, që buron nga një psikologji individuale, katundare, e kujt nuk është mësuar ta konsiderojë publiken si të vetën. Trishtimi, në këtë mes, ka të bëjë me atë se Klosi i humbi shumë nga këto beteja, pa çka se ne veç mund të përfytyrojmë se në ç’hendek do të ishte Shqipëria, sikur këto beteja, pa çka se të pabarabarta, të mos ishin luftuar asfare.

Ndërthurja mes se kaluarës si historike ashtu dhe kulturore dhe kaosit rrafshues (siç e quani dhe ju në parathënie të librit) të së sotmes është e qëllimshme nga autori?

Klosi ishte filolog dhe historian i gjuhës dhe i letërsisë, nga formimi profesional; dhe kjo ia impononte, njëfarësoj, një vështrim historik të realitetit, ose dëshirën për të depërtuar në përmasën kohore të objekteve që i interesonin. Njohës i mirë i historisë së shqiptarëve dhe i kulturës së tyre, atij nuk i shpëtonin tiparet dhe huqet fatale, që i ktheheshin dhe i riktheheshin shqiptarisë, në momentet e saj më kritike; ose të gjitha shfaqjet e asaj force të errët, që kërkon të zhbëjë, me egërsi prej reptili, çdo arritje e përpjekje të mendjeve më të ndriçuara të kombit, për t’i dhënë dinjitet qytetar shqiptarit e për ta bërë të ndihet i barabartë mes të barabartëve në Europë, jo “anës detit i palarë,” e “anës dritës i paparë.” Ashtu edhe orvatjet e tij për të sjellë diçka të re në historiografinë shqip, nëpërmjet përkthimeve aq kontroversiale që ia bëri veprës së Schmitt-it e disi më pak edhe të Pouqueville-it, nuk ishin aq çmitizuese, sa modernizuese; ose ndërhyrje të menduara, ndonjëherë të rrezikshme, në mendësinë e koracuar të shqiptarit produkt tipik të viteve të totalitarizmit, të gjymtuar nga propaganda, manikeizmi, paranoja dhe manipulimi i fakteve në emër të ideologjisë.

A është ky libër “testamenti” i Ardian Klosit?

Unë nuk do ta quaja kështu. Nuk gjej dot lidhje midis trajektores së Ardianit njeri, që u shua në mënyrë sa dramatike aq edhe absurde; dhe rrugëtimit të Klosit autor, që ende nuk kishte filluar mirë t’ia bënte vendin vetes mes të mëdhenjve, në kulturën shqiptare. Nuk gjej dot lidhje, sepse Klosi, me veprimtarinë e tij të palodhur dhe aftësinë e tij të rrallë për t’i bërë ngjarjet kulturore të ndodhnin, kish ngritur në këmbë një makineri formidabël botimesh, përkthimesh, konferencash, seminaresh, ndërhyrjesh publike me jehonë të gjerë në opinion; dhe kjo makineri po jepte rezultate të jashtëzakonshme, siç mund edhe të bindemi tani, kur zembereku i saj, zemra që e vinte në punë, nuk punon më. Vetëm pak ditë para se të ndahej prej nesh, ai më pat shkruar për plane shumë konkrete, në lidhje me disa botime dhe autorë që kërkonte të prezantonte në Tiranë; më pyeste nëse do të mund të udhëtoja edhe unë aty; njëlloj sikur të refuzonte të komunikonte me Ardianin tjetër, të cilit bota i ishte ligështuar.

“Në momentet më të sinqerta të tij, ose atëherë kur proza i afrohet më shumë rrëfimit vetjak, deri edhe privat, e gjej Klosin të identifikohet fshehtazi, ndoshta edhe pavetëdijshëm, me Krishtin – jo aq atë të Ungjijve, sesa Krishtin e përcjellë nëpërmjet Nolit, atë të tradhtuarin e “Shën Pjetrit mbi mangall”; njeriun që e lanë vetëm, për faj të forcës e magjisë që ia kish fjala dhe imazhi”- shkruani ju. Po nga kush u tradhtua Klosi?

Nga të gjithë ata njerëz, miq kolegë e të njohur, tek të cilët shihte bashkudhëtarë të vetët. Jo sepse i kthyen kurrizin në momente të vështira, por sepse nuk ia dëgjuan thirrjen për të bërë diçka, për të vepruar kundër së keqes, kundër vdekjes termike të universit kulturor shqiptar, kundër maskarallëkut që i ka shtrirë metastazat kudo, aq sa shumë prej nesh e konsiderojmë normal. Natyrisht Klosi nuk përpiqej gjë të ngjitej në piedestal moral, as të pozicionohej si martir i luftës kundër mjerimit shpirtëror dhe fizik të shqiptarisë; por fakt është se ai këtë luftë nuk e bënte dot i vetëm. Ndryshe nga shumë institucione edhe kulturore në Tiranë, qëllimi i veprimtarisë së tij nuk ishte të siguronte riprodhimin e statusit ose të aleancave dhe klientelave private, por të çonte përpara një ide, një vizion, një mënyrë të të bërit të kulturës – por shumëkush këtë përkushtim ia perceptoi si protagonizëm, dhe veçanërisht nuk ia kuptoi dot kurrë pavarësinë nga politika dhe të fortët e deklaruar të Shqipërisë. Më kanë thënë edhe se, në muajt e fundit para se të vdiste, ai kish kërkuar të punonte në institucionet universitare dhe akademike, me cilësinë e albanologut, që e kish fituar me djersë; por titullarët e këtyre institucioneve nuk ia kishin mirëpritur kërkesën, ndoshta ngaqë nuk ia falën kritikat e djeshme, ndoshta edhe ngaqë ndiheshin të kërcënuar, nga ky njeri. Fakt është që Ardiani njeri dhe Klosi veprimtar i kulturës duhej të negocionin, çdo ditë, ekuilibrin e vështirë midis jetës private dhe jetës publike; pa çka se, veç po të marrësh botimet e K&B, e kupton se një njeri, i përkushtuar në mënyrë totale, mund të rivalizojë deri edhe institucione kombëtare, me cilësinë dhe numrin e produkteve. E vërteta mbetet se Ardian Klosi ishte i pamirëpritur nga administratorët e rutinës në Tiranë, dhe i tillë mbeti deri në fund – një kalorës, krenar dhe romantik, në epokën e snajperëve dhe të peshkatarëve; dhe unë e shoh këtë edhe si një farë ironie, duke pasur parasysh një farë alergjie të përhershme që kishte ai ndaj romantizmit si të tillë. Por ky antiromantik, e pati megjithatë romantik fatin e vet; dhe s’kish si të ndodhte ndryshe, sepse intelektualët shpesh nuk mbrohen dot mirë ndaj egërsisë së mediokërve për faj të pikërisht atyre vetive të karakterit dhe të mendjes, që gjetiu u vlejnë si virtyte. Dhe është e rëndë, të mendosh se me sa lehtësi i sulmon ndonjëherë opinioni publik, i shndërruar në turmë, figura të tilla që përkundrazi, duhej t’i trajtonte si pasuri kombëtare; sepse ato nuk zëvendësohen kurrë, ndryshe nga pjesët e një makine ose tullat e një muri. Mallkimi i kulturës sonë nuk është se nuk arrin dot të përftojë shkëlqim aq sa duhet, as se nuk arrin të vetëstrukturohet në mënyrë organike, por sepse vuan nga një sëmundje auto-imune foshnjore, e tillë që e bën të luftojë pikërisht arritjet dhe shfaqjet e veta më të admirueshme. Disa e ndiejnë këtë dhe, për të ruajtur mendtë e kresë, largohen nga skena si pa u ndier, duke ua lënë mejdanin mediokërve e duke i parë tempujt e kulturës të shndërrohen në çadra cirku e salla bixhozi; pastaj të gjithë ankohemi, për intelektualët që nuk i dalin zot të sotmes. Dhe ndonjëherë duhet të përplasë derën, tek ikën, ndonjë Klos, për ta kuptuar se në ç’baltëra e kemi katandisur veten.

(2013)

No Comments

  1. Me pelqen menyra sesi shkruan Vehbiu, per nje mik te tijin..le ta themi qe ndihet boshlleku i Klosit ne kulturen shqiptare dhe debatin publik. Trishtimi dukej sheshitne syte e Klosit, dukej ajo lufta e brendshme qe ai perjetonte..do ta lexoj me kenaqesi librin e tij.

  2. Keto dite lexuam dy artikuj me vleresime te kunderta per te ndjerin Klosi. Njeri e konsideron Klosin si nje person pa talent per perkthime, i publikuar nga A. Nreca ne “Respublica” qe i ka lene pa mend njerezit qe kane nocionin e fjales kulture. Kurse sot lexova nje shkrim brilant per Klosin. Sot nuk do te lexoj asnje material tjeter, dua qe ne mendjen time te ngelet shija e ketij portretizimi te bukur per nje njeri me aq vyrtite si Klosi. Personalisht jam mjaft i ndikuar si nga Klosi ashtu dhe Vehbiu, te cilet kane qene referencat e mia te preferuara ne disa artikuj shtypi.
    Nje shenim te vogel: fjala latine Tragus e ka orgjinen nga fjala greke “Tragos”. Nuk besoj se e ka huajtur gjuha greke nga ajo latine.