VENDI BOSH I DISIDENTIT

Ardian Klosin e kanë cilësuar si Disidentin (me D të madhe) e periudhës së tranzicionit shqiptar.
Edhe pse jemi mësuar ta shoqërojmë këtë rol, të disidentit, me regjime dhe kultura totalitare, disa zhvillime të spikatura jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera të Lindjes europiane, e kanë sjellë sërish në vëmendje, duke zbuluar njëkohësisht çfarë nuk shkon me shoqëritë post-komuniste dhe si kanë mbijetuar, brenda tyre, struktura dhe mekanizma të regjimit të mëparshëm.
Vetë fakti që ende flitet për disidentë në Shqipëri, por jo për shembull në vende europiane me institucione demokratike të konsoliduara, si Franca ose Gjermania ose Italia, tregon se Europa e Lindjes nuk mund të analizohet mirë as të kuptohet me instrumentet e përpunuara për demokracitë perëndimore.
Etimologjikisht, disidenti është ai që nuk bie dakord; nga latinishtja dissidens, -entis, pjesore e tashme e foljes dissidere – të ulesh veçan, të mos biesh dakord, të mendosh ndryshe.
Se çfarë do të ishte pikërisht disidenti, në një shoqëri si jona, këtë mund ta rrokim edhe thjesht duke u nisur nga çfarë bënte Klosi dhe mënyra si e bënte; dhe pikërisht, duke qenë i pranishëm me fjalën dhe autoritetin e tij në hapësirën publike.
Në fakt, disidenti mishërohet si i tillë jo vetëm duke përpunuar një diskurs të vetin alternativ ose kritik, ndaj establishment-it; por edhe duke e orientuar kritikën e vet ndaj diskursit mbizotërues (dominant). Që këtej, le të themi edhe se disidenti është rol që përftohet brenda një hapësire diskursive, ku ekziston një diskurs mbizotërues; çfarë bie ndesh, në vetvete, me parimin pluralist.
Një disident si Klosi iu kundërvu sistematikisht diskursit mbizotërues të kohës jo vetëm për t’ia çmontuar argumentet dhe mitologjitë, por edhe ngaqë ky ishte mbizotërues dhe intolerant; dhe sepse ky diskurs po përdorej, nga palë të caktuara të komunikimit publik dhe institucional, për të themeluar një hegjemoni të re në kulturë dhe në komunikim, siç edhe për fat të keq nisi të ndodhë pandalshëm, mu pas ikjes së Klosit.
Madje me ikjen e tij aq të parakohshme, ai e la vendin bosh dhe ajo zbrazëti veç ka ardhur duke u rritur, në rrjedhë të viteve, meqë askush nuk ka mundur të artikulohet në mënyrë kritike si ai, gjithë duke mbetur jashtë polarizimeve të teatrit politik. Për të njëjtën arsye, aktiviteti i tij në kulturë – si botues, si promotor, si ndërmjetësues, si organizues dhe si frymëzues – nuk u replikua dot më; aq sa kultura, ky sistem kaq delikat, gjithnjë i tendosur mes politikës dhe argëtimit, tregtisë dhe propagandës, sot e ka të vështirë ta gjejë dhe ta kultivojë identitetin e vet specifik, përballë televizionit komercial, rrjeteve sociale dhe portaleve, eventeve politike performative, teatrit bajat të talk-show-ve, fushatizmit, kitsch-it kombëtarist dhe grimierëve patetikë të imazhit shqiptar.
Por këtu roli i disidentit Klosi do rivlerësuar edhe brenda raportit që vendos opinioni dhe përpjekja individuale me ato të një shumice; meqë në kulturën anglo-saksone, kush merr një pozicion në kundërshtim me shumicën, quhet rëndom edhe contrarian. Rolin që e ka analizuar Christopher Hitchens, te “Letters to a Young Contrarian”, ku kujdeset të bëjë dallim mes contrarian-it dhe asaj çfarë ai autor e quan “titulli fisnik i disidentit”, që konoton sakrificë dhe marrje të rrezikut në sy; dhe që kërkon veçanërisht guxim. Shumë prej nesh e kalojmë një fazë si contrarians në moshë të re, të cilën pastaj e tejkalojmë, njëlloj si aknen, kur nuk e vazhdojmë në trajta snobizmi ose antikonformizmi performativ. Ndërkohë që disa, ata më të mirët dhe intelektualisht më të virtytshmit, ia dalin kultivojnë në diskursin e tyre disentin, duke i thënë publikut, siç e vërente Orwell-i, “atë çfarë ata [njerëzit] nuk kanë dëshirë ta dëgjojnë.”
Klosi u bë me vetëdije një prej këtyre; çfarë e provon edhe çmimi i papranueshëm që pagoi për qëndrimet e veta kundërshtuese të diskursit mbizotërues, ose të konsensusit, shpesh hipokrit, për “çështjet e mëdha.”
Nga ana tjetër, ngaqë u largua para kohe nga skena, ai arriti të shmangë edhe fatin e kujt shndërrohet, ose e shndërrojnë, në disident profesionist; ose në dikë të cilin shqytarët e diskursit publik mbizotërues tashmë janë detyruar ta pranojnë dhe ta përshëndetin si antagonist, qoftë edhe për hir të spektaklit televiziv ose ritualit politik.
Ky rol do t’i afrohej shumë atij të lolos, i cili mund të thotë ç’të dojë në oborrin mbretëror, për të inskenuar kështu tolerancën e të fortit; por edhe për t’u treguar të tjerëve se çfarë u ndalohet. Pushtetet në thelb intolerante, por që shtrëngohen të ruajnë një konfigurim të caktuar të fytyrës publike, kanë nevojë për role të tilla – qofshin këta lolo, papagaj ose qen që lehin; kundërshtimi prej tyre është narkotizuar deri në atë masë sa të mos rrezikojë më asgjë; dhe kjo është arritur duke e infektuar disidentin e djeshëm, tashmë të profesionalizuar, me parashikueshmëri.
Klosi – ky contrarian i temperuar dora-dorës në disident – refuzoi me ngulm t’i ekspozohej këtij rreziku të dytë, ose neutralizimit të misionit disident; deri ditën e zezë kur u largua fizikisht nga skena. Dhe pavarësisht nga çfarë e shtyu të vrasë veten, ose nuk e la të gjente një zgjidhje tjetër për trazimet që e mundonin, i tiji nuk mund veçse të interpretohet tani si akti i fundit prej një disidenti që rebelohet deri edhe ndaj përpjekjeve të establishment-it për ta normalizuar si të tillë.
Arsyet që e çuan Klosin në vetëvrasje nuk do t’i marrim vesh dhe mbase nuk kemi pse të këmbëngulim që t’i marrim vesh, por mbase ia vlen të reflektojmë për arsyet që e shtynë Klosin, dhe të tjerë si ai, jashtë hapësirës ku artikulohet mendimi publik.
Polemist i rrallë, ai nuk druhej të ndërhynte në fusha të ndryshme, nga politika te çështjet mjedisore, por me parapëlqim të kuptueshëm për tema të kulturës, të letërsisë, të historisë dhe të përkthimit, ku edhe ndihej më mirë, pse në elementin e vet. Sot disa prej këtyre temave janë uzurpuar nga një formë kitsch e ideologjisë kombëtariste, ndërsa disa të tjera janë strehuar në faqet e revistave letrare – por të pastruara nga çdo frymë polemike, të sanitizuara, duke i lënë debatet përjashta dhe duke e paraqitur kulturën si ndonjë kopsht idilik, ku lodrojnë vargjet si vashat dhe kundërmojnë trëndafilat e shqiptarisë.
Në të njëjtën kohë, hapësira publike – ose ajo formë e hapësirës publike që janë rrjetet sociale – merr flakë për tema të tilla si përfaqësimi i Shqipërisë në Eurovizion ose peripecitë në Big Brother, çfarë më duket se e shpreh edhe transformimin jo ekzaktësisht për mirë të debatit publik dhe të kontekstit të debatit publik sot.
A ka një regres të mendimit kritik shqip, në krahasim edhe vetëm me 10-15 vjet më parë? Besoj se po. A mund të shpjegohet ky regres vetëm me bartjen e ligjërimit publik nga shtypi në ueb, dhe me televizionin komercial, që i ka mëshuar aspektit argëtues të debateve, duke i veshur “intelektualët” dhe “opinionistët” pjesëmarrës me petkat e aktorëve komikë? Besoj se jo. Arsye e rëndësishme më duket edhe tkurrja dhe rrëgjimi i opozitës politike, gjatë këtyre pak viteve; thjeshtimi i diskursit kritik në kundërvënie mekanike; dhe kriminalizimi i kundërshtarit, deri edhe në panele televizive nga më banalet.
Mbase shoqëria jonë nuk e përballoi dot tensionin intelektual të pluralizmit, siç e shohim edhe te spektakli i padenjë që shpaloset për çdo seancë të kuvendit; dhe ku sërish model mbetet skeçi i estradës ose batuta e filmit të vjetër të Kinostudios; mbase edhe duhet të mësohemi me idenë se debati publik, ashtu siç e ushqyen dhe e konsoliduan Klosi dhe të tjerët, e ka humbur tashmë luftën me hegjemoninë e banalitetit.
Hidhërimi këtu ka të bëjë jo aq me gjendjen e sotme, dhe as me varfërinë e mendimit intelektual dhe kulturor, por me faktin që disa gjëra i kishim, të paktën si fillesa tejet premtuese, por pastaj i humbëm. Dhe sërish, nuk arrij dot ta ndaj daljen e Klosit nga skena, me këtë zbehje dhe kapitullim të diskursit publik që pasoi. Me kohë, jam mësuar ta përfytyroj rolin e Klosit, në raport me pushtetin dhe autoritetin, si atë të shqiponjës në mitin e Prometeut, të rrëfyer nga Kadareja: shqiponja vjen përditë t’ia çukitë mëlçinë titanit të mbërthyer në shkëmb, por kur pastaj nuk vjen më, Prometeut fillon t’i rritet mëlçia aq sa t’ia zërë frymën – prandaj edhe ky e pret me një psherëtimë lehtësie, kur i shfaqet në horizont sërish.
Ky do të ishte, në thelb, roli i diskursit kritik, i domosdoshëm për shëndetin e mendimit publik, në kulturë dhe kudo gjetiu; si formë themelore e komunikimit, jo si armë në luftën për pushtet. Kritika dhe debati ushqejnë idetë; dhe kur zbrazet nga idetë, edhe politika edhe kultura rrezikojnë të reduktohen në fashizëm – përkatësisht, në lakmimin e kulluar të pushtetit, ose në adhurimin e një idhulli që shoqëria e selit në ngjashmëri të vetes.
Ndoshta fashizmi është zgjidhja e vetvetishme e pluralizmit, në shoqëri ku mungon fryma e krijimit; ndoshta mund të mbahet larg vetëm me përpjekje të vetëdijshme dhe këmbëngulëse, të cilat përfshijnë, mes të tjerash, edhe ruajtjen dhe mirëmbajtjen e një hapësire ku diskursi publik kritik të ketë mundësi të riprodhohet i lirë, të përftojë ide, të problematizojë dhe t’i aktualizojë traditat duke edhe i çmontuar. Klosi – me kolegë të tjerë – na pat treguar si mund të realizohet kjo, edhe në atmosfera relativisht armiqësore ndaj disidencës.
Prandaj edhe dëshiroj ta gjej të rikthyer, gjithnjë të vëmendshëm dyshues dhe polemist, sa herë që më del përpara një diskurs kritik publik, pavarësisht se ku. Madje edhe rrjetet sociale, të cilat ai nuk i shfrytëzoi dot mirë sepse nuk arriti, mund t’i ofrojnë hapësirë këtij diskursi, me kusht që t’ia ndiejmë nevojën në mënyrë sistematike.
Një mënyrë e mirë për ta kujtuar Ardian Klosin, do të ishte edhe reflektimi i qetë për nevojën e diskursit kritik sot në kulturë, me premisën se kultura pa diskurs kritik shndërrohet në ritual auto-kremtues dhe kalendarik. Aq më alarmante është kjo, po të konstatojmë se tani na mungon jo vetëm Klosi dhe roli i tij publik, por edhe konteksti ku realizohej Klosi kritik dhe disident, ose habitati i diskursit të disidentit.
Mjaft t’u hedhësh një sy atyre mass mediave, ku shprehej Klosi dikur – për të konstatuar se i janë dorëzuar banalitetit, shkeljeve të syrit, qokave dhe eventizmit. Nëse duam vërtet ta rikthejmë trashëgiminë e vyer të Klosit disident mes nesh, mbase do të na duhej pikërisht të fillonim nga restaurimi dhe mirëmbajtja e hapësirave për të cilat ka nevojë diskursi kritik.
© 2022-2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
(Teksti më lart është versioni i redaktuar dhe mjaft i zgjeruar i fjalës sime në përurimin e ekspozitës “In memoriam Ardian Klosi”, të organizuar nga Biblioteka Kombëtare në maj të vitit 2022, në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta të Ardian Klosit.)

10 Komente

  1. Apologji e sforcuar e nje martiri te munguar, Ndoshta do te mbahej mend per ndo’çka, po te mos kishte vene bast ekzistencial kunder Skenderbeut. Tani jemi tek shenjuesit e nje diskursi majtist progresist qe nuk ka bere vend askund ne popull, por qe ushqen nje qerthull te caktuar te pakices sunduese kulturore te Tiranes ( e cila ia detyron vetveten me se shumti, gjithe negativizmave qe karakterizojne historine e shqiptareve),

    1. Nga mënyra si shprehesh, duket qartë se ti nuk e ke idenë për veprimtarinë e Ardian Klosit në Shqipëri – si operator kulturor, aktivist i mjedisit, botues dhe ndërmjetësues kontaktesh. Ti ke lexuar disa gjëra, në shtypin tabloid, për Schmitt-in dhe Skënderbeun dhe ke mbetur peng i tyre. Ka një varfëri të madhe mendore te këto që thua, të cilën nuk e mbulon dot me gjethen e fikut patriotike dhe zhargonin pseudo-fashist. Siç ka edhe shterpësi të madhe. Askush nuk të pat penguar ty dhe miqtë e tu që t’i kundërviheshit Klosit, gjatë kontroversisë së Skënderbeut: e bëtë, ndonjëherë edhe fare shëmtuar, me sfurqe dhe lopata. Por nuk ma merr mendja që soji yt do të kish treguar të njëjtin mirëkuptim, po të kish pasur pushtetin kulturor (le pastaj atë politikun). Prandaj fola për shterpësi – sepse flamuri juaj kanë mbetur sharlatanët e programeve televizive të mëngjesit dhe rrëmuesit e sirtareve të mykura të pellazgjisë. Po t’ju heqësh ndonjë tabelë qitjeje si Klosi, juve nuk ju mbetet asgjë, veç përrallave.

  2. E lexova si apologji, por ky reagim i ndezur, prej lendimi qe pikon gjak, e afron me shume me requiem-in. Kultura shqiptare me baze shkrimin filloi ne nje kohe te arte per njeriun e letrave; ky mund te sherbente si mesonjes e udherrefyes i nje kombi e jo thjesht si percjelles i interesave te nje pakice sunduese. Komunizmi dhe postkomunizmi i rifuten njerezit e letrave ne brazden historike universale. Tani disidenti nuk eshte ai qe le ‘jetim’ kombin e vet ne emer te kushedi se cfare te vertete vjen nga jashte( e vertete qe vjen me veshje te praruara e xhepat plot) por ai qe i rikthehet rolit te mesonjesit e udherrefyesit te kombit te vet. Nqs i lihet sharlatanit si thua roll i mesonjesit, atij qe shet me shume kopje ne vit sesa gjithe pakica sunduese kulturore marre se bashku, atehere ketu problemi i gjindjes sone zgjidhet fare lehte; nje josharlatan mund te nderhyje e te vere pikat mbi i me botimet e veta cilesore. Por, nqs kjo nuk eshte e mundur, atehere don te thote se shkeputja e njerezve te letrave nga kombi i vet eshte e pakthyeshme, buka qenka thyer ne komunizem. Ne keto kohe kaosi vlerash, ku mungojne pikat e referimit, gjindja shqiptare zgjedh te besoje, jo mbi baze pozicioni e autoriteti, por ate qe i jep nje strumbullar per te bere mullarin e vet identitar.

  3. Meqe disa prej jush keni patur alergji e reaksion te madh nga perpjekjet cmitizuese te Klosit, duhet te tregoheni minimumi konsistent dhe te pajtoheni tani me idene se na duhet KLOSI MIT po aq sa na duhet Skenderbeu, Nene Tereza e te tjere qe i keni fort perzemer. Pra, per hir koherence dhe vijueshmerie te asaj me te cilen keni luftuar Klosin deri tani duhet te pranoni nevojen per konsolidimin e “Klosit Disident” si nje figure qe i duhet shqiptarise sot. Fakti qe ju e kontestoni kete mit-formim rreth Klosit tregon se jeni ne gjendje te respektoni ate qe beri Klosi dje per ta fituar kete status sot. OK? OK.

    1. Klosi eshte ai qe eshte. OK? OK. Po mit? A nuk te duket edhe ty pak si teper?

  4. Me llogjiken formale duket te jesh ne rregull, po miti nuk ze vend ne gjindje nqs i shquari nuk paraqitet prejt mitmetuesve si me bema lehtesisht te kuptueshme, me fitore te korrura apo me sakrifica pertej njerezores.
    Pastaj, i biri i Thanasit, mori te birin e Kristaqit e beri minister, mori te birin e Bilbilit e beri drejtor te RTSH-se, maksimumi mite te majta ndertohen. Dinastia ecen para, qente le te lehin, tha,

  5. Nuk e di nese Klosi mund te klasifikohet si Mit apo disident ,por mejtimet e tij ishin dissent i klisheve te caktuara mbi historine tone .Zjarri qe terhoqi mbi vete kane te bejne edhe me kohen e cila perkoi me kaosin post komunist te Shqiperise.Ne nje Shqiperi kur cdo dite ndodhnin gjera me depresuese se tjetra dhe se kur profecite e fqinjeve se shqiptaret nuk jane ne gjendje te mbajne shtet po realizoheshin me kontributin e vete shqiptareve ,lashtesia jone iliriane apo lavdia e Skenderbeut ishin te paktat gjera qe e mbanin vete respektin tone kombetar i cili ne ato vite ishte ne nivelet me te uleta qe mund te imagjinohej.Eshte e kuptueshme se cdo veshtrim kritik i ketyre tezave gur themeli i krenarise tone kombetare do te sillte reaksion agresiv .Sot kur Shqiperia pavaresisht prej problemeve eshte me mire se c’ka qene ,publiku eshte me i hapur ndaj mendimeve alternative mbi historine dhe origjinen tone.

  6. Koha bie kithet ne ceshtje, sepse shkaqet e kohezgjatjeve jane subjektive, psh i biri i Myslym Pezes apo i biri i Karamam Yllit apo I biri i Xhelil Gjonit ( etj) mund te kene qene ne pozicione pak apo shume kohe, por ketu ka rendesi fakti i fillimit, sepse nqs mga hici i pervojes se punes ngjitesh ne maje, atehere ketu eshte ceshtje dinastike dhe jo meritokracie. Gjithsesi, ceshtja me kurioze per mua, eshte ndikimi i parimit te Ramiz Alise se Enveri eshte me i madh se Skenderbeu, dmth a mos ndoshta kjo lufta e paepur kunder miteve te para 1945, a mos valle cojne uje ne mullirin e parimit alist dhe nisjen e historise ne 1944 ( apo 1941). Keto jane dyshime legjitime duke pare si funksionojne historikisht diktaturat dhe fete. Mund te jete fare mire rastesi, por kur kalohet nga rishikimi i historise se komunizmit ne kryeminister socialist dhe rishikues te Skenderbeut, dyshimi legjitim mbetet.

    1. Actually ,ironia eshte se Klosi te cilin e akuzoni si krijues apo egzaltues te mitit socialist sulmoi mitet qe komunistet kishin krijuar apo perforcuar mbi historine e Shqiperise per te legjitimuar politiken e tyre te mbylljes , izolimit e ksenofobise.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin