MISHI TRETET KOCKA MBETET (II)

Për dy gishtërinjtë e Galileo Galilei-t që kanë përfunduar në Muzeun e Historisë së Shkencës në Firenze të Italisë, së bashku me një dhëmb të shkencëtarit  kam shkruar më parë, qëkur drejtori i atij muzeu lajmëroi se i kishte blerë gishtërinjtë në një ankand.

Me atë rast mësova se një vertebër e Galileo-s ruhet në Universitetin e Padova-s, ku Galileo-ja ka dhënë mësim për shumë vjet.

Tani marr vesh se muzeu në fjalë i paska ekspozuar më në fund dy gishtërinjtë e rinj, teksa është rihapur për publikun dhe ka ndërruar madje edhe edhe emrin e vet, duke u ripagëzuar si Muzeu Galileo.

Nuk e fsheh se ky trajtim i eshtrave të një dijetari dhe shkencëtari eksperimentalist si të ishin relike shenjtorësh jo vetëm më lë gojëhapur, por edhe më kujton ekzaktësisht dy gjëra: (1) fatin e eshtrave të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit, të cilat përfunduan si hajmali në gjokset e turqve të sertë, pasi këta ia hapën varrin në Lezhë; dhe (2) qimen e Pejgamberit, për të cilën më kishin rrëfyer në vegjëli dhe që nuk di pse më frikësonte pa masë; por që më pas e kam parë në muzeun e pallatit Topkapi, në Stamboll (Sakal-ı Şerif).

Gjithsesi, reliket kanë vendin e tyre në rekuizitën e tempujve; por tejbartja e tyre nga katedralet, varret dhe pallatet mesjetare në muzetë e shkencës, pa ua prekur atributet, më duket e dyshimtë tej mase.

Çfarë duan gishtërinjtë, vertebrat dhe dhëmbët e Galileo-s në një muze të shkencës? Të shërojnë e të ndriçojnë mendjet e vizitorëve, duke i kthyer nga rruga e fesë në atë të arsyes? T’u provojnë skeptikëve se Galileo-ja ka ekzistuar vërtet dhe se ka pasur gishtërinj ose pjesë të tjera kockore në trupin e vet?

Nuk di sa e kanë kapur, në Firenze dhe gjetiu, ironinë e trajtimit si shenjtor pikërisht të Galileo-s, i cili jo vetëm shenjoi, me veprën e vet, fillimet e shkencës moderne dhe triumfin e botëkuptimit racionalist në qytetërimin perëndimor, por edhe u persekutua për bindjet e veta nga Vatikani – ose Kisha Katolike, që duhet të jetë streha më madhështore e relikeve fetare në planet.

Nga ana tjetër, një muze i shkencës nuk ka pse të konceptohet si muze i shkencëtarëve; as kockat, qimet dhe këmishët e dijetarëve të dikurshëm mund të kenë të njëjtën vlerë historike ose kulturore si dorëshkrimet e tyre ose instrumentet që kanë përdorur dhe shpikur.

Për të njëjtën arsye, në Muzeun e Aeronautikës në Washington DC, kam parë me kërshëri të madhe kostumet origjinale që kishin veshur në Hënë Armstrong-u dhe Aldrin-i; por nuk besoj se do të më kishte tërhequr ndonjë shishe me urinën e tyre, ose pështymën.

Nokturnal (shek. XVII)

Muzeu Galileo i Firenze-s është jashtëzakonisht i pasur; mjafton t’i hedhësh një sy katalogut online, për t’u bindur: me dhjetëra, në mos qindra anemometra, rrufepritëse, lavjerrës, aerometra, astrolabë, barometra, peshore, epruveta, busulla, magnete, kalendarë, këmbana polumbarësh, dylbi, teleskopë, klepsidra, kompasë, harta, deklinometra, disqe astrologjike, elektrometra, elektroskopë, eudiometra, galvanometra, globe qiellore, globe tokësore, goniometra, grafometra, higrometra, llampa, xhama zmadhues, syze, leva, makina llogaritëse, makina elektrostatike, makina magnetoelektrike, centrifuga, metra etalonë, harta të Hënës, modele anatomike, elektromotorë, orë tryeze, orë xhepi, orë diellore, nokturnalë, odometra, pantografë, plane të pjerrëta, pila termoelektrike, pirometra, planisfera, podometra, planetariume, pompa hidraulike, pompa pneumatike, makina shifruese, psikrometra, raportorë, vizore, reostatë, trëndafilë erërash, sfera armilare, pasqyra, spektroskopë, teodolitë, termometra, termoskopë, enë komunikuese, ventilatorë, vida të Arkimedit…

Një festival i mrekullueshëm i shkencës, të manifestuar në trajta pothuajse artistike të objekteve. Megjithatë, madje për fat të keq, milionat e turistëve dhe vizitorëve do ta njohin dhe do ta mbajnë mend për gishtat e Galileo-s, këto objekte që e kanë vendin në ndonjë kabinet kuriozitetesh por jo në një tempull të dijes, që kërkon të kremtojë virtytin e shkencës eksperimentale dhe të arsyes.

Truri është e vetmja pjesë e trupit të një shkencëtari që mund të lidhet, sado tërthorazi, me veprën e tij; dhe nga trutë që u janë hequr shkencëtarëve prej kafkave (zakonisht pas vdekjes), për qëllime “studimi”, më i famshmi është ai i Einstein-it (më parë ia patën hequr edhe matematikanit Carl Friedrich Gauss, pa përmendur trurin e Vladimir Iliç Leninit, i cili ndonjë farë shkencëtari vërtet nuk ishte, por trurin gjithsesi e pat përdorur më shumë se organet e tjera të trupit).

Për mitin e trurit të Einstein-it pat shkruar një ese lapidare Roland Barthes në vitet 1950, një përkthim i së cilës në shqipe (prej meje, shumë vjet të shkuara) mund të lexohet këtu. Siç e sqaron filozofi frëng, në adhurimin e masave pas trurit të fizikanit ndoshta më të madh të të gjitha kohërave, kombinohet mekanicizmi i skajshëm që e koncepton mendimin si produkt të fabrikuar prej trurit, me misticizmin e gjeniut ezoterik, që ia doli t’i reduktoi sekretet e universit në formulën elementare E=mc².

Ndryshe nga truri i Einstein-it, të cilin “e studiuan” shkencëtarët në laborator, gishtat dhe dhëmbët dhe vertebrat e Galileo-s nuk ka ndërmend t’i studiojë njeri; askush nuk interesohet përnjimend të kuptojë lidhjen midis pak mbeturinave eshtërore dhe mendimit shkencor të Rilindjes europiane; në një kohë që shumëkush, e veçanërisht vizitorët që kërkon të tërheqë muzeu i Firenze-s, duan të shkojnë atje, për të thënë më pas që kanë qenë atje dhe për t’i parë reliket e vyera për të thënë më pas që i kanë parë reliket. Prandaj dallimi kryesor mes këtyre objekteve dhe atyre të tjerave, që ruhen në katedrale, kisha, faltore, manastire dhe kuvende anembanë botës, ka të bëjë jo me racionalizmin e shkencës, as me triumfin e saj në epokën moderne, por me nevojën madje tundimin për t’ia kultivuar narcisizmit njeriut të sotëm, i cili kërkon ta përdorë eksperiencën jo për t’u përsosur moralisht dhe intelektualisht, por për të mbushur qilarët e kujtesës me gjithfarë souveniresh dhe fëlliqësirash.

Kjo provon, nga ana e vet, edhe se vizitori i tanishëm i tempujve të dijes, i armatosur me aparat fotografik numerik, videokamera dhe hartë, nuk është më në gjendje ta përtypë informacionin që i ofrohet në mënyrë racionale, as t’i shfrytëzojë “reliket” si katalizatorë të edukimit të vet ose të të kuptuarit të universit; por arrin t’i qaset dot shkencës vetëm si besimtari fesë: nëpërmjet kultit, adhurimit, mahnisë, irracionalitetit, misticizmit dhe misterit të jetë-vdekjes.

Nuk ka komente

  1. Kjo mund te merret si prove se fene nuk e krijuan te pasurit per te shfrytezuar te varferit.
    Ne kesi rastesh me kujtohet vetiu gomari i Zarathustres, tallja me e madhe niceane ndaj njeriut modern; Zoti vdiq, po gomari eshte gjalle.

    Nuk e di se ne c’kompleks psikologjik hyn kjo sjellje, po Frojdi mund te thoshte se , kujtimi i vrasjes se Atit prej djemve dhe ngrenia e mishit te Tij ne darken e shenjte, shkakton ndjenjen e fajit qe sjell adhurimin e eshtrave dmth cfare ngeli pas darke mbi sofer. Keshtu ndodh qe kur shikohen eshtra te nje personazhi madhor, te cilesuar e ndjere si Ati i dickaje, mekanizmi i adhurimit te eshtrave te Atit, shfaqet nga e pandergjegjshmja ne te ndergjegjshmen.

    Te gjithe vuajme nga mekati fillestar, keshtu qe jemi psikologjikisht te prirur te adhurojme eshtrat e Atit.

    Ti xha xha shpjegimin e lidh :

    – ….. me nevojën madje tundimin për t’ia kultivuar narcisizmit njeriut të sotëm, i cili kërkon ta përdorë eksperiencën jo për t’u përsosur moralisht dhe intelektualisht, por për të mbushur qilarët e kujtesës me gjithfarë souveniresh dhe fëlliqësirash.

    Ketu ne fakt bie ndesh me lirine e njeriut ta jetoje jeten si ti doje qejfi, sepse po vendos kritere, ate moral e ate intelektual.

    Njeriu nuk e ka shkencen (ne aspektin teknik) nevoje ekzistenciale per ta jetuar jeten sipas kritereve te mocem te moralit e urtesise.

    Perkundrazi shkenca eshte tashme nevoje ekzistenciale per ta jetuar jeten sipas kriterit te lumturise, pasi shkenca sipas vizionit te sotem eshte esenciale ne arritjen e lumturise, sepse ofron x,y,z.

    Sipas meje ka dicka qe nuk shkon ne vendosjen e kritereve. Jo se s’duhet te kete kritere apo se ne emer te lirise e te drejtave te individit s’duhen vene kritere e kufizime ndaj vete lirise e te drejtave te individit (paradoksi gelltitet pa problem), porse kriteret e kufizimet formalisht priren te shtohen sa me shume shtohet entropia ne shoqeri si pasoje e relativizimit te cdo gjeje (relativizmi eshte edhe Ati i tolerances), dhe deri me sot vetem formalisht.

    Ja ta zeme formalisht mund te miratohet shkrimi me 20 vota dhe 200 tundje pohuese koke, kriteri moralo-intelektual duket ngadhnjyes, po esencialisht sa veta kane objektiv jete persosjen moralo-intelektuale ? Persosja morale po e cilit moral se mund te jene te kundert; intelektuale po a lejohet ta zeme Giovanni Gentile apo Lenini ?

    Kriteret vuajne nga relativizmi i kudondodhur, atehere ci ben ca kritere me te fisme se kriteret e tjera, ci shkeput nga subjektivizmi ne boten e globalizuar (se ne ate te vjetren ‘i shkepusnin’ me menyren e tyre aksiomat metafiziko-fetare) ?

    Mendoj se jane verejtje legjitime, rritja e entropise shoqerore kerkon shquarjen e qendres, pikes absolute te sferes shoqerore.
    Perndryshe rrezikohet te behet shume zhurme per asgje.

    1. Hyllin ti këtu ngre shumë çështje të cilave do të përpiqem t’u kthehem më vonë, por tani vetëm do të komentoj idenë tënde, sipas së cilës kritika ime “bie ndesh me lirinë e njeriut për ta jetuar jetën si t’i dojë qejfi.” Në fakt unë nuk ndaloj njeri që ta kalojë ditën para gishtërinjve të Galileo-s; dhe e drejta ime për të bërë kritikë është njëlloj e meritueshme.

  2. Nuk e mohoj te drejten e kritikes, po edhe ketu jemi perseri ne lemin relativist ku fitojne te gjithe, dmth edhe ti ke te drejten e kritikes, po edhe ai qe adhuron gishtat e Galileut ka te drejte te kritikoje kritiken tende sepse jeten e kalon si i do qejfi me kenaqesite e veta dhe mund te t’akuzoje se po e paragjykon.

    Ndryshe do ish (dhe e verteton historia), po te kish nje Qender anti-entropike, ku kriteret brenda nje hapesire marrin vlere absolute dhe ne ate rast vete muzeu sdo kish vene gishtat per publikun.

    Problemi per mua u perket atyre lart qe s’dine cte bejne me ata poshte, ne Indi nga njera ane adhurohet Lopa, nga ana tjeter India furnizon Perendimin me informaticiene, teknologjia e fundit.

  3. ””’Me atë anglishten e tij ”të këndëshme” me theks grek, që më kujtoi ”kohë të bukura” të kaluara me ”miq grekë” në universitet, si e përqëndroi fjalën e tij vetëm tek marrëdhënia e nënë Terezës me Zotin, Janullatosi ”mënjanoi me elegancë” lidhjen e saj me Shqipërinë, duke përfunduar se kontributi i saj i takon në fakt, botës.””’

    Ne nje shkrim me ngjyra qesendisese, cinike dhe gjasme e irritu-ofenduar, ylli i ri shkelqyes i bashkesise shqiptare e gjeti edhe nje hapesire per te lavderuar dike, njeriu shqiptar debilizohet po kemi Janullatosin extra-shqiptar qe na jep mend.

    Si ndertohet miti? Miti nuk ndertohet, mitin e krijon populli per nevojat e veta, gjithe format para-mitike, letrare apo politike, qe nuk lidhen me nevojat jetegjata te popullit u humb vula qe me brezin e dyte.

    Nene Tereza i duhet politikes se integrimit, populli nuk tregon kurrfare nevoje per mesimet e Nene Terezes edhe pse duhet te tregoje, se nga mesimet e saja s’te gjen gje e keqe.

    Filozofia e Nene Terezes ska lidhje me mendesine shqiptare, prandaj populli ska per ta krijuar kurre mitin e saj, as vete katoliket te cileve u duhet me shume per krenari e prestigj, jo si shembull jete.

    Politika ka nevoje si ne Shqiperi ashtu edhe ne Maqedoni(vete sllavet), propogandohet qe te ngrihet prestigji ne syte e botes.

    Shkenca ketu s’vihet ne sherbim te fese apo te nacionalizmit, po ne sherbim te politikes.

    Ne ka ndonje perpjekje mitizuese kjo i perket mitit te globalizimit, shqiptaret dhe kontributi i tyre per extra-shqiptaret.

    Po edhe kjo perpjekje do deshtoje sepse popullit qe krijon realisht mitet nuk i behet vone per indianet apo bengalezet e Nene Terezes apo ne pergjithesi per extra-shqiptaret.

    Nese akademia e shkencave do ish vene ndonjehere ne sherbim te nacionalizmit, do kishim prej kohesh nje doktrine kombetare te perpiluar qarte, me idete e objektivat e brendshme e te jashtme, me filozofine e vet historike, ligjore e te qenies dhe botekuptimin moralo-spiritual.
    Tek pulle ishte Sami Frasheri dhe e beri nje perpjekje ne kete drejtim.

    Akademia e Shkencave ka qene perhere ne sherbim te politikes ashtu si edhe sot, kur politikes i duhet ndonje shenje nacionalizmi behen edhe ca interpretime ne ate drejtim.

    ””I bëj thirrje Drejtorit të Qendrës së Studimeve Albanologjike që urgjentisht të japë dorëheqjen ””

    Ashtu te lumte. Sa do shese kjo me Dr. para emrit, inshallah i justifikon.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin