DOBIA E GRUPIT

Lajmi i hidhur për vdekjen e poetit Ndoc Gjetja, të cilin e njihja pak, më kujtoi edhe për një dukuri kureshtare në letërsinë shqipe të viteve 1980: përvijimi i një grupi sui generis, që unë do ta quaja “shkollë të poetëve veriorë”, e ku veç Ndoc Gjetjes, merrte pjesë edhe Ndoc Papleka, Rudolf Marku, Preç Zogaj, Skënder Buçpapaj, Besnik Mustafaj e ndonjë tjetër që nuk më kujtohet tani.

Natyrisht, këta ishin poetë të mirë, që komunikonin artistikisht mes tyre në bazë eksperiencash e ndoshta filozofish të përbashkëta, brenda mundësive të kohës; nuk besoj të kenë pasur ndonjë organizim formal, as ndonjë manifest të tyrin – por ngjashmëria e temave, e kredove, e vizioneve dhe e teknikave poetike, së bashku me mbështetjen që ia jepnin njëri-tjetrit, të lejojnë t’i konsiderosh si “shkollë” ose grup poetësh. Në rrethana të tjera, këta do të kishin ndoshta revistën e tyre dhe do të përvijoheshin më mirë si konstelacion i mëvetësishëm.

Edhe pse nuk e ndjek nga afër jetën artistike dhe kulturore në Tiranë, përsëri kam përshtypjen se ajo mbetet e themeluar mbi baza institucionale nga njëra anë, individuale nga ana tjetër; dhe artistët, krijuesit dhe autorët ndihen të vetmuar përballë institucioneve shpesh inerciale, dhe përpiqen t’u imponohen këtyre individualisht. Kjo ndodh jo vetëm në letërsi, por edhe në teatër, në kinematografi, në artet vizuale dhe në fusha të tjera të krijimtarisë intelektuale.

Një shembull që më ka tërhequr vëmendjen për mirë kohët e fundit, është grupi i koaguluar rreth blogut Saktivista dhe revistës Gazeta, e cila botohet çdo javë dhe që, për nga fermentet intelektuale, është ku e ku më lart se botimet mainstream të Tiranës. Nivelin e vet të lartë Gazeta e ka arritur, besoj unë, edhe nëpërmjet ndërveprimit mes autorëve të saj, të cilët stimulojnë njëri-tjetrin, përkrahin njëri-tjetrin, marrin pjesë në debate pjellore për krijimtarinë e ideve dhe mësohen për t’i shprehur publikisht me guxim pikëpamjet e tyre. Unë nuk e gjej veten gjithnjë në pozicionet radikale të majta të disa prej atyre shkrimeve, por u heq kapelen autorëve për nivelin e lartë që kërkojnë t’ia mbajnë diskursit, pikërisht në një kohë kur mediat e tjera në Tiranë janë katandisur në fletushka partiake.

Natyrisht do të ketë edhe grupe të tjera që unë s’i njoh; por dukuria, në vetvete, ndeshet ende rrallë dhe brezat e artistëve dhe të autorëve, që sferës shqiptare nuk i mungojnë aspak, ende nuk po e ndiejnë sa duhet nevojën e organizimit informal, jashtë institucioneve tradicionale; dhe të koagulimit rreth pak ideve të përbashkëta, të tilla që t’ua ndihmojnë dhe katalizojnë krijimtarinë individuale.

Emri i këtyre grupeve nuk ka shumë rëndësi: klube, shkolla, kolektiva; ndonjëherë është mirë që autorët ose artistët ta formulojnë kodin gjenetik të krijimtarisë së tyre në dokumente të tilla si manifestet; herë tjetër një revistë do të luajë të njëjtin rol. Grupet nuk është e thënë të kenë prijës dhe vartës; as të administrojnë burime financiare – vullneti i mirë, simpatia e ndërsjelltë, interesi për krijimet e kolegëve dhe mbështetja e hapur për njëri-tjetrin në publik do të mjaftonin.

Kur mendoj për një kolektiv artistësh që kanë arritur sukses global falë bashkëpunimit mes tyre, më vjen menjëherë ndërmend grupi Dogme 95 i formuar, në 1995, nga një grup kineastësh danezë (mes të cilëve Lars von Trier, Thomas Vinterberg, Kristian Levring dhe Søren Kragh-Jacobsen), të cilët njëkohësisht formuluan një manifest të tyrin dhe ia imponuan vetes një bashkësi rregullash ndonjëherë jashtëzakonisht puritane dhe arbitrare (p.sh. mospranimi i skenografisë dhe i butaforisë, refuzimi i kolonës zanore, përdorimi ekskluziv i kameras së dorës, refuzimi i veprimit sipërfaqësor, p.sh. vrasjeve ose armëve, refuzimi i jetërsimit gjeografik, ndalimi i filmave të zhanrit, refuzimi i formatit ekran-gjerë etj.). Edhe pse unë vetë nuk jam shumë entuziast për filmat e këtij kolektivi, e kam të qartë se asnjë prej regjisorëve të implikuar në projekt nuk do të kishte pasur suksesin që ka arritur sot, po të mos kishte qenë pjesë e kolektivit. Gjithashtu, artificialiteti i rregullave të adoptuara nga kolektivi ka ndikuar në përpunimin e një gjuhe filmike origjinale, e cila i ka veçuar filmat e Dogme 95 nga filma të tjerë europianë.

Në letërsi, një histori suksesi të pashembullt përfaqëson lëvizja intelektuale që iu shoqërua revistës pariziane Tel Quel, e themeluar nga Philippe Sollers dhe Jean-Edern Hallier, me të cilën pastaj bashkëpunuan autorë si  Roland Barthes, Maurice Blanchot, Jacques Derrida, Jean-Pierre Faye, Julia Kristeva, Marcelin Pleynet, Tzvetan Todorov, Francis Ponge, Umberto Eco, Gérard Genette, Pierre Boulez dhe plot të tjerë. Edhe pse nuk kam marrë në dorë kurrë një numër të kësaj reviste legjendare, autorëve të mësipërm ua detyroj pothuajse krejt formimin tim në lëmin e semiotikës, së paku gjatë viteve të studimeve pasuniversitare.

Pengesë kryesore për shkolla ose kolektiva të tillë ndër shqiptarët, veçanërisht në Shqipëri, është mungesa e traditës së organizimit informal, jo-institucional. Shumë vetë ende kujtojnë, jo pa nostalgji, strukturat dhe institucionet e komunikimit kulturor të krijuara dhe të riprodhuara gjatë viteve të totalitarizmit, në një kohë që e kanë harruar, ose së paku nuk duan ta mbajnë parasysh, se këto struktura dhe institucione ishin ngritur në funksion të indoktrinimit të publikut, jo të zhvillimit autonom të kulturës.

Shembulli i Gazetës tregon se, të paktën ndër brezat e rinj, po kristalizohet bindja se autorët nuk e arrijnë dot publikun e tyre të vetëm; dhe se organizimi i vetvetishëm, ose nga poshtë, shpesh është e vetmja alternativë ndaj dorëzimit interesave politike ose komerciale. Nëse artistët ose intelektualët mund të jenë egocentrikë ose introvertë për nga natyra e tyre, ata janë njëkohësisht aq të mençur sa ta kuptojnë se me kolegët e tyre përndryshe rivalë i afron dhe i lidh, megjithatë, nevoja për t’u mbrojtur përballë armikut kryesor, pushtetit, të kuptuar si mega-institucion inercial në roje të statu quo-së.

Nga ana tjetër, shkollat ose kolektivat krijuese nuk janë vetëm organizime individësh për hir të mbrojtjes nga kërcënimi entropik i statu quo-së, por edhe struktura që janë vetvetiu në gjendje të përftojnë anti-entropi, nëpërmjet adoptimit të rregullave, edhe pse ndonjëherë artificiale, kufizuese ose arbitrare. Përvoja tregon se rregulla të tilla nuk janë ndonjë produkt i modernitetit; mjaft të përmend këtu parimet aristoteliane të njësisë së veprimit, të vendit dhe të kohës, të cilave duhej t’iu nënshtrohej drama klasike e mbi të cilat u themelua dhe lulëzoi pastaj shkolla e suksesshme e dramës frënge gjatë shekullit XVII (Molière, Racine, Corneille).

Natyrisht, nuk mund të presësh organizime të kësaj natyre nga institucione qendrore, si p.sh. Teatri Kombëtar ose Qendra Kombëtare Kinematografike, të cilat për vetë natyrën që kanë janë të “dënuara” të respektojnë konvencionet mainstream dhe traditën; prandaj koagulime të tilla si grupet, shkollat dhe kolektivat krijuese dhe intelektuale do t’i presësh të ndodhin në hapësirën jashtë-institucionale, ose atje ku krijuesi ose autori individual ndihet ende i pambrojtur, përballë institucioneve inerciale. Megjithatë, me kalimin e kohës, janë pikërisht grupe dhe grupime të tilla që do të zënë, meritueshëm, kryet e vendit në shoqërinë civile, për të zhvendosur që andej OJQ-të e sotme, të cilat shpesh nuk janë veçse zgjatime të forcave dhe të interesave politike, vendëse ose të huaja.

Nuk ka komente

  1. Problemi i krijimit te grupeve autonome, shoqatave apo klubeve kulturore(-politike) dihet qe eshte ai i financimit.

    Ka tre menyra, financimi nga jashte , fondacione te huaja apo te diaspores, financimi shteteror dhe ai qe nuk ekziston tek ne, fondacione pasanikesh vendas, tip mecenatesh.

    Kryesori eshte financimi shteteror. Nuk di se c’behet ne Amerike, po ne Itali ka nje numer te madh shoqatash reale dhe virtuale qe perfitojne financime shteterore. Ato virtualet kuptohet i kane njerezit e asesoreve(?) kulturore, qe merren me shpendarjen e financimeve.

    Ai qe financon i jep edhe karakterin shoqates, po ashtu edhe nese kemi nje grup ne filize ai do gjeje financuesin qe i mbeshtet, po mund te mos gjeje keshtu qe heret a vone shperbehet ose vdes qe ne filize.

    Nuk e kam idene si mbijeton e fuqizohet Saktivista e Gazeta, ndoshta me pune vullnetare, nese eshte keshtu do merdhife shpejt.

    Shteti nuk vepron vetem ne rruge institucionale, por financon shoqatat kulturore.

    Une mendoj se duhet te jete shteti ai qe perkujdeset, ai qe financon, ne baze te kritereve te caktuara te cilat nuk duhet te cenojne autonomine e grupeve.

    Vetem shteti mund ta garantoje njefare autonomie, privati nuk te lejon kurrfare autonomie, sepse ai mund ti hedhe leket edhe pa pritur rezultate, sikunder ndodh, po privati do rezultate dhe ne ate drejtim qe do ai.

    Mirepo rezultatet kulturore nuk i binden ligjit kosto-perfitim, mund te shpenzohet pafund e te kete pak rezultate ashtu sikunder mund te shpezohet pak e te kete shume rezultate.

    Vetem shteti mund t’ja lejoje vetes dhe do thoja se tani qe ne disa vende kane ardhur kohet e kursimit, keto lloj financimesh ‘pa bereqet’ jane te parat qe ‘hollohen’; te pakten ne vende fqinje, Greqi e Itali.

    ”””Megjithatë, me kalimin e kohës, janë pikërisht grupe dhe grupime të tilla që do të zënë, meritueshëm, kryet e vendit në shoqërinë civile, për të zhvendosur që andej OJQ-të e sotme, të cilat shpesh nuk janë veçse zgjatime të forcave dhe të interesave politike, vendëse ose të huaja.””’

    Kur bota i takon korporatave(fabrikave) si mund te zene kryet e vendit ne shoqerine civile grupime(punishte) te tilla?

  2. Ndërsa unë them që problemi kryesor është përkushtimi, talenti, vullneti, aftësia për tu grumbulluar dhe debatuar si dhe kultura e përftuar nga jashtë e cila përpunohet për t’ia paraqitur shoqërisë e cila shpesh gjendet e papërgatitur për të pranuar ide (snobe) dhe bindje në një shoqëri totalisht konsumerike.

  3. Kam pershtypjen se ne grupin e Lezhes numeroheshin, per arsye madhore, te diktuara nga planifikimet shteterore te levizjes se kuadrit, edhe letrare te tille si cifti Agim dhe Vera Isaku. Besnik Mustafaj me Skender Bucpapen, duke u shtuar dhe te ndjerin Agim Spahiu, perfshiheshin me grupin lezhjan brenda nje grupimi ende me te madh, te shenjuar nga nje ndergjegje gjenerate, grup qe perfshinte edhe tepelenasit Ilirjan Zhupen, Qazim Shemen e s’me kujtohet ke te tjeter.

    Lezha poetike, me natyren dhe historine e vet specifike, me nje pajtor te papohuar, por joinfluencues si Fishta, pasi formoi nje etos liberal e pranveror ne pasditet jashte orarit te punes te viteve ’80, mendoj se percaktoi ne dekaden tjeter edhe krijimin e Lezhes politike, me gazeten “Koha jone”, e cila pak nga pak e zbriti frymen e beselidhjes lezhiane ne Tirane.

    Gati te gjithe personazhet e gjenerates letrare te viteve ’80, punonjes te institucioneve te kultures e propagandes, u perfshine ne politiken e larte te pluralizmit te ri. Shumica e tyre, per vete te kaluaren ne borderote e institucioneve te rendesishme ideologjike te diktatures (shtepi botuese, shtyp, organizma politiko-kulturore) plus veprimin letrar, te perftuar si liberalizues, kishin nje pozicion te ndermjetem midis poleve te reja te politikes shqiptare: ne njeren ane, lidhjet e vjetra te kameraderise profesionale i mbanin jo krejt te shkeputur me eliten intelektuale qe trashegoi peshen e PPSh ne formen e PS, e me anen tjeter, u bene themelues te partise se pare opozitare e te shtypit te saj. Levizjet e mevonshme te tyre midis dy poleve, sa ato ne krijimin e nje alternative te trete, sa ne bashkepunimet me partine ish-komuniste, reflektojne simbolikisht vete pozicionin e tyre letrar si “brez i bute” (titist?) qe sherbeu ne historine e letersise shqipe per te filtruar trashegimine masoviko-industriale te poezise se viteve ’60, drejt “privatizimit” te poezise ne autoret e fillimit te viteve ’90.

    Ne nje interviste te pak koheve me pare, historiani Oliver Shmit do te percaktonte si nje nga shkaqet me teknike dhe kryesore njeheresh te mbizoterimit te frymes moniste, uniformizuese ne kulturen shqiptare, faktin se ne vendin tone te vogel, perqendrimi i gjithe forcave intelektuale e krijuese ne vetem nje qender minuskule si Tirana, prodhon natyrshem edhe mungesen e distances kritike, higjenike midis burimeve te opinionit. Pervec ndonje interesi te rreshtimit politiko-ekonomik, asgje nuk e shtyn drejt kundershtise, kritikes, klasen e punetoreve te mendjes, e cila tufezohet e vellazerohet ne te njejten klaustrofobi kafenesh, promovimesh libri apo pritjesh rituale ne ambasada. Mund te shpresohej se nje qytet me i madh, apo nje nje shperndarje e qendrave kulturore neper harte, mund t’i prishte konspiracionet e pafajshme te fqinjesise se mire qe krijohen
    vetiu ne sallonet tiranase. (Infrastruktura spaciale, eshte perfillur seriozisht nga kritika pershembull, ne dallimin midis piktures europiane dhe asaj amerikane te pasluftes, kur kjo e fundit zhvillohej ne studiot bujare e madhoshe te Nju Jorkut, ndersa e para ne papafingot mbi ndertesat e qyteteve muzeale te kontinentit te vjeter). Mbetet per t’u zbuluar edhe efekti perafrues per pervojat qe ushtron monocentrizmi edhe ne veprimtarine artistike, letrare ne vend, ne nje kohe kur asnje politike pasaportizimi a emerimi nuk i ndal dot periferite te zbrazen per mesymje drejt sheshit “Skenderbej”.

    Megjithate, ne paralel me grupimin e Lezhes, ne vitet ’90 ka pasur edhe te pakten dy grupime disi te ngjashme letrare, njeri ne Shkoder e tjetri ne Gjirokaster.

    Me theksin tek ringjallja e gegerishtes, me pergjegjesine e vijimit te tradites se nje kulture si ajo e qytetit te vet, nje grupim letraresh shpesh te talentuar shkodrane (Ridvan Dibra, Albri Brahusha, Shpetim Kelmendi, Gazmend Krasniqi, Ledia Dushi, Irhan Jubica etj) nisen te shfaqen ne tribuna te tilla si “Orana”, e metej “Ars”. Veprimi i tyre metaletrar, kerkoi te perfshinte, nen shenjen e gegerishtes, edhe kontribute e prirje nga Kosova, duke marre shpesh nje poze agresiviteti e refuzimi ndaj menyrave te tjera te shkrimit qe zhvilloheshin me poshte ne gjeografi (letrarishtja, “ismailofilia” etj) apo ne histori (letersia e realizmit socialist).
    Nje letrar i afirmuar brenda ketij grupimi si i talentuari Astrit Cani, duket se ka krijuar nje minigrupim tjeter te vetin, me atituda e nisma botuese te reja, te stacionuara keto te fundit ne Tirane.

    Nje grupim tjeter, me pak i formalizuar se shkodrani, eshte ai i Gjirokastres, qytet edhe ky, afermendsh, me biografi te mire letrare, por me teper me nje profil tundues pamor e kulturor. Autore si Gentian Cocoli, Alket Cani, Celo Hoxha por edhe Romeo Collaku sarandiot do te demonstronin vec solidaritetit, edhe aferi
    ne qasjet ndaj procesit letrar, nje perkujdesje per te shfaqur ne publik po aq krijime origjinale sa edhe perkthime. Ky grupim i vogel do te shkartisej me pas ne Tirane, rreth revistes “Aleph”-drejtuar nga G.Cocoli-me te tjera grupime te formuara qe ne fillim te te ’90-tave ne qytetin Studenti, ku kish precipituar edhe me heret nje talent tjeter gjirokastrit si Virion Graci.

    Duket se asnje grupim nuk i ka rezistuar gravitacionit fatal tiranas, i cili, ne nje mase a tjetren, ka tendencen t’i prishe disi konturet origjinale te grupeve krijuar gjetiu.

    Sigurisht, dy dekadat e fundit kane demonstruar faktin se nje pjese e pabesueshme si numer e popullsise shqiptare ia del te thure vargje, e bile t’i botoje me libra, dhe sigurisht ne shume ngulime shqiptaresh neper atdhe, ka poete qe jane bere dy e nga dy e tre e nga tre per te qare halle letrarisht, por dukshmeri kane fituar vetem grupime qe kane pasur mundesi te gjenerojne edhe diskurs publik te caktuar apo te perfaqesohen permes nismave a periodikeve letrare.

    Per te permendur permbledhtas gjithe heronjte e heshtur te letersise neper atdhe, mjafton nje grupim i paemertueshem kollaj, me baze ne Cerrik. Personazhe dionisiake rreth te tridhjetave, gjysem “te forte” e gjysem boheme, qe i drejtohen sipas nje zakoni vendor njeri-tjetrit me graden “xha” (si tek “xha Landi” apo “xha Turi”), kane alergji ndaj botimit, dhe mblidhen ne vende te pazakonta per deklamime poezie, per te ndare midis tymit e alkoolit vargjet e tyre me te reja.

    Nje faktor tjeter qe mundeson krijimin e grupimeve letrare, eshte pa medyshje edhe interneti, me forumet e blogjet ku shkembehen krijime e rikrijime letrare, ide e pelqime, por ky eshte nje muhabet tjeter, pa shume lidhje me ate cka nxiti permendja e Lezhes, si targe e nje grupimi letrar.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin