MARGINALIA

Herë pas here, më bien në dorë libra të bibliotekës ose gjetur në tezga të rrugëve ose që i blej të përdorur online; e ku lexues të mëparshëm kanë lënë gjurmë të panumërta, si kalimtarët në rrugën e mbuluar me dëborë gjatë natës. Më pëlqen të eci duke shkelur mbi hapat e tyre, ose të paktën t’ua ndjek shtegun me sy deri kur zhduket tutje, ose e mbulon dëbora sërish; ashtu sikur i takoj pak dhe ndaj me ta përshtypjet për botët që i kemi krijuar së bashku duke shfletuar të njëjtat libra në kohë të ndryshme; para se t’i lëmë këto botë të na i shembë, kështjella të shkrifta prej rëre, batica që avitet. Ju rrëfej më poshtë lexuesit që kam takuar dhe që më kanë takuar; meritat janë të atyre, gabimet të miat.

1. Rebelimi në tempull

Këtë lexuese, mendje e dashuruar me argumentin po aq sa ç’përçmon argumentuesin që i qëndron përballë, nuk e shoh të pajtohet gjëkundi me autorin e librit. Lapsi i saj është i vrazhdë dhe sadist, pyetjet e saj të shumta dhe kryeneçe, toni shpuzë, pikëpyetjet varur pezull në anë të faqes si veshë rrushi, ndonjëherë me fjalë sarkastike që u vinë rrotull, si grera. Megjithatë, i paska shkuar veprës deri në fund, duke shtuar një “bravo” ironike në faqen e epilogut.

2. Ta shthurësh telin me gjemba

Ky lexues e ka sulmuar tekstin përnjimend; duke ia nxirë e mbuluar disa fjalë, pasazhe e ndonjëherë paragrafe të tëra me bojë të zezë kine, të padepërtueshme nga syri, si censura; gjetiu duke e ngulur majën e lapsit ose të stilolapsit aq fort në fletë, sa ta shpojë e grisë letrën e të çelë vrima gjatësore tej për tej si kanale për të shtruar kavot e mendimit të tij shkatërrimtar; diku tjetër duke shkulur me zemërim faqe të tëra ose copra të çrregullta faqesh, të cilat i ka futur pastaj, ndoshta i penduar, mes faqesh të tjera, si për t’i fshehur nga syri gjykues i brezave.

3. Mëshira e inkuizitorit

Ky lexues tjetër, përkundrazi, është përpjekur ta përmirësojë veprën; duke iu qasur si redaktor i dhembshur, por pedant, me laps të kuq e të trashë prej mësuesi nga ata të dikurshmit. I është dashur të korrigjojë ndonjëherë pasazhe të gjata, duke i rishkruar me shkrim të dendur mu sipër radhëve ekzistuese; ka fshirë fjalë të tepërta ose pa vend, ka shkatërruar tautologji dhe pleonazma, ka mëkëmbur struktura sintaksore të komprometuara; syshqiponjë ka pikasur barbarizma të pahijshme, krahinizma dhe fjalë kuptimisht të lëkundshme, për t’i zëvendësuar me terma të saktë të një gjuhe të zgjedhur, ndonjëherë edhe të bukur; nuk ka harruar as të ndërrojë vitin e copyright-it, duke ndrequr pastaj edhe një gabim shtypi, të vogël por të pafalshëm, në emrin e autorit në kopertinën e brendshme.

4. Po-Mo

Ndoshta për faj të bojës tipografike ose të letrës së cilësisë së keqe që ka përdorur shtypshkruesi, ose edhe bombardimit radioaktiv a ekspozimit ndaj rrezesh kozmike gjatë ndonjë kalese impromptu në orbitë, në këtë libër teksti origjinal është venitur, zbërdhylur dhe shuar krejt prej fletëve; madje edhe ato pak shkronja që kanë mbijetuar shqiten prej faqes e të shkërmoqen në majë të gishtave, si pushi i sedeftë i krahëve të fluturave. Përkundrazi, shënimet e lexuesve të shumtë kanë mbetur të forta dhe asertive; nënvizimet, mbishkrimet anës faqeve, rreshtat e përshenjuara me markerë ngjyrash të ndryshme dhe rezistente, që tani shtrihen tutje vetëm si tela telefonash që veç i bëjnë zile njëri-tjetrit. I shprazur nga teksti origjinal, libri i ngjan një vepre arti të brishtë dhe kurioze, kolazh njëkohësisht kaligrafik dhe eksperimental, gjeometri e një mendimi dikur të organizuar dhe dinjitoz, por që tashmë identifikohet veç nëpërmjet ekskrementeve të veta.

5. La voce del padrone

Kur e hap këtë libër kokëfortë, ndesh në një lexuese me mendje superiore ndaj simes; nënvizimet e saj më ndihmojnë të zbërthej çka përndryshe do ta kisha shpërfillur nga pafuqia; pikëçuditëset e saj aq vertikale më tërheqin vëmendjen për çka do të më kishte shpëtuar; komentet e saj anash me shkrim të dendur më lejojnë të rrok çka përndryshe do të më kish mbetur e pakuptueshme. Dalëngadalë mësohem të mendoj me mendjen e saj, të reagoj me intelektin e saj, të gëzohem kur ajo më në fund e zbërthen një koncept veçanërisht të koklavitur, ose e shpërthen një derë mendimesh deri atëherë të kyçur. Zëri me të cilin i lexoj radhët vetmevete nuk është më imi; mendja e zgjuar prej dritës së përtejme tashmë është duke më zëvendësuar; veç dora që shfleton më ka mbetur pas kolonizimit, si ngushëllim.

6. Udhëkryqe të kuptimit

Këtë lexues, ndryshe nga librin që kam përpara, nuk po e kuptoj dot kurrsesi; as e marr dot me mend logjikën me të cilën ai ka nënvizuar disa pasazhe ose fjalë; me vija që befas ndërpriten në mes të fjalisë, ndonjëherë në mes të fjalës; ose me nënvizime të dyfishta poshtë ndonjë ndajfoljeje të përulët, ose togfjalëshi tranzitor, si për më tepër; ose në këtë rast, ose edhe pse, ose në një nga kapitujt e ardhshëm, ose nga ana tjetër. Ka lexuar një tekst të ndryshëm nga imi; mendimi i tij i përket një përmase për mua të ndaluar; u takuam në këtë hapësirë si dy kometa ardhur nga anë të ndryshme të galaktikës, ose dy trena mallrash trans-siberianë që u kryqëzohen shinat në kapërcyell zonash orare të papërballueshme.

7. Natyrë e qetë me libër

Ky vëllim i virgjër, pa shënime dhe opinione të mëparshme, pa rrudhje vetullash dhe duartrokitje dhe psherëtima moskuptimi, më ka ardhur i mbushur gjer në zgrip me shenja dhe gjurmë të lexuesve të djeshëm: gjethe hurme të fjetura mes faqesh, së bashku me lule të thara delikate, pendë të bishtit të palloit, bileta koncertesh të 20-30 vjetëve të shkuara, dëftesa të zverdhura automatesh bankare për tërheqje shumash modeste në vite krizash; artikuj të prerë me gërshërë nga gazetat ose revistat me klasifikime të kampionatit të rugby-së ose të xhiros çiklistike të Flandrës; pa zënë pastaj në gojë thërrime buke të dyllosura, njolla rimeli dhe pudre, pllanga gjalpi të pikuar dhe gjaku, njolla kafeje të fortë dhe çaji Europe, ndoshta edhe lotësh të rastit në pasazhet më sentimentale, ose thjesht pikash të mëdha shiu. Disa fletë e kanë ruajtur një parfum të dikurshëm gruaje, tashmë të mumifikuar; së bashku me ndonjë fije floku tek-tuk, bojë të verdhë herë gri të hapur herë të zezë në rrënjët.

8. Graffiti

Këtë vëllim lexuesja para meje e ka pasuruar me durim, duke u shtuar faqeve ilustrime të vetat baroke, arabeska, labirinte, zhgarravina të vogla, fraktale, o-të mbushura me bojë, objekte të pamundura escheriane, dialogë absurdistë në trajtë stripash, shenja zodiaku, harta të hollësishme që u përgjigjen vendeve të përmendura në libër dhe harta të tjera të askund, trëndafilë erërash, portrete të karaktereve të veprës; madje është munduar deri edhe të ngjyrosë me gusto ilustrimet ekzistuese e t’ia vizatojë një karikaturë të besueshme autorit, në faqen e parë, përbri emrit në Times New Roman.

9. Dialog i pjesëtuar me zero

Ky libër tjetër është i mërzitshëm, i shkruar shkeleshko dhe pa shije, praktikisht i dështuar nga një autor që veç më fton të mos ia vë shumë veshin; do ta kisha lënë përgjysmë me kohë, sikur të mos isha tërhequr pas shënimeve që kanë lënë aty të tjerët; të cilët jo vetëm komentojnë librin, por edhe nisin t’i përgjigjen njëri-tjetrit si në forume zukatëse Interneti, duke u përfshirë në polemika që vazhdojnë nga një faqe në tjetrën, duke u derdhur e shumëzuar pastaj në hapësirat boshe në fund të çdo kapitulli. Komentuesit njihen mes tyre me emër, ia mbajnë mend shoku-shokut dobësitë dhe pikat e forta, mangësitë dhe kompetencat, kartat e mira dhe të këqijat që u kanë mbetur për të luajtur; duke ua ndjekur dyluftimet, ndihem po aq i vetmuar sa autori.

10. Telenovelë për një pasdite

Ndesh në një lexues që e paska njohur nga afër autorin, po të gjykoj nga mënyra dhe toni si i drejtohet me shënimet e shumta; është njeri i vrarë nga jeta, ndoshta i shtypur nga pesha e viteve, kushedi i dergjur në një shtrat spitali, kapur në pezhishkën e një sëmundjeje të gjatë, të pashërueshme; lexues që ka aq kohë sa të merret, pa ngut, me dhimbjen e vet si metaforë të la condition humaine. Mes tij dhe autorit ka pasur një grua, Selma, Sylma, Salomé ose Selimé (nuk e lexoj dot mirë); ose kjo s’është veçse një personazh nga ndonjë vepër tjetër, e botuar ose ende jo; që tashmë më pështjellon edhe mua me hiret e veta të tërthorta; sikurse ka pasur edhe fëmijë që tashmë zvarriten nga një gjyq në tjetrin për trashëgimitë, fatin e dorëshkrimeve dhe të ditareve, përqindjet e honorareve. Lexuesi i zvenitur herë ankohet, herë tjetër u kërcënohet këtyre dhe të tjerëve; teksti për të nuk është veçse një orvatje patetike, nga ana e autorit, për të kamufluar të keqen që ka sjellë në botë, duke përfshirë këtu edhe mllefin dhe hidhësinë e lexuesit vetë. Në fund të librit ai ka shtuar një mallkim të dyfishtë me dorë reumatike – kundër autorit dhe kundër lexuesit tjetër, të mëpasmë. Me mendje, eksploroj tani qëllimshëm të gjitha ato skenare ku lexuesi i mëpasmë nuk do të kem qenë rastësisht unë.

11. Anti-alibi

Ja edhe një libër i vjetër; tashmë i përfshirë në kanonin e letërsisë perëndimore, pse jo botërore. Aradhe lexuesish e kanë kaluar nëpër duar, me përulësi e reverencë; ndonjë aq naiv sa ta shprehë admirimin haptazi, duke nënvizuar pasazhe përndryshe të cituara nga çdo enciklopedi e tekst shkollor të kësaj ane të botës; të vëna në krye si epigrafe qindra e ndoshta mijëra vëllimesh të shkruara më pas, nga autorë që s’e kanë pasur të vështirë të njohin, publikisht, borxhin e tyre intelektual dhe moral ndaj paraardhësit dhe mësuesit të tyre të lavdishëm. Duke e shfletuar njoh, mes të tjerash, fjalë që më tingëllojnë familjare, shkruar nga një dorë njëlloj familjare – janë të miat, nga një lexim i shumë viteve më parë; edhe pse sot do të isha shprehur me siguri ndryshe. Nuk di nëse kam arsye të krenohem me vetveten time të dikurshme, që e kam lënë mbishkrim përdhosës mbi monumentin e kulturës; por edhe nuk më vjen të thërres “kapeni!”.

12. Privatësi që dhunohet

Brenda këtij libri, tërheqës në vetvete, ndesh gjithfarë shënimesh nga jetët e lexuesve të vjetër; mesazhe të tipit “unë po fle, fik dritën, të lutem” ose “Ketin nuk po e shpie sot në çerdhe”; numra telefoni ndonjëherë me prefikse vendesh ekzotike ose shtetesh që tani e kanë humbur pavarësinë, adresa shtëpish kumari, picerish ose fallxhoresh, numra llotarie për t’u luajtur, lista sendesh për t’u blerë ose pjesësh këmbimi për mullirin e kafesë, ose tharësen e flokëve. Gjetiu dikush ia ka mbajtur pikët obsesivisht një loje të zgjatur për disa faqe me radhë, ndoshta edhe kapituj të shkurtër; mund të ketë qenë domino, pesëqindshe, xing ose scrabble; ose edhe një serie lojërash, pjesë e së njëjtës sfidë vëllavrasëse. Në fund të librit, në faqet që ndonjëherë lihen të bardha për arsye tipografike, gjej edhe një mesazh që më drejtohet mua, lexuesit të tanishëm, për të më kërkuar t’i bëj të fala një bibliotekareje me emrin Marika; por adresa e Marikës nuk është veçse një numër indeksi çfarëdo, si të ishte fjala për një libër tjetër.

13. Libri, megjithatë, kuptohej

Këtë libër e ka kaluar nëpër duar një lexues që flet një gjuhë për mua të pakuptueshme; hapësirat anash ky i ka nxirë me komente shkruar me një alfabet për mua të panjohur, tamil ose kamboxhian ose gjeorgjian, ndoshta armen; vende-vende më duket gjej dy, tre ose më shumë alfabete të ndryshme; ose alfabetin e së njëjtës gjuhë, por tashmë të reformuar, thjeshtuar e pasuruar me shkronja të reja, moderne. Ndonjëherë, për shkak të numrit tepër të madh të grafemave të ndryshme që shquaj, dyshoj se ky nuk është aq shkrim alfabetik i mirëfilltë, sesa rrokjesor, si i koreanëve ose i shumerëve; kurse nuk jam i sigurt nëse komentuesi ka shkruar nga e majta në të djathtë apo e djathta në të majtë; nga lart poshtë, apo nga poshtë lart; ndoshta edhe në bustrofedon. Dyshimi se kjo gjuhë mund të ketë vdekur tashmë ma bën librin që kam në dorë papritmas të vyer, si skeletin e ruajtur mirë të një dinosauri të vogël.

14. Faded jeans

Ja edhe një libër i ri në llojin e vet; edhe pse i lidhur hijshëm, si për t’iu dhuruar një princi trashëgimtar të mbetur përndryshe pa fron. Askush nuk e ka lexuar para meje, sepse faqet i kërcasin gjatë shfletimit, madje disa refuzojnë të shqiten prej shoqeve, duke mbetur të përqafuara, si fletë çarçafi në një dhomë hoteli kështjellë në Marok. Por ky libër, ndryshe nga të tjerët, i ka përfshirë shënimet, shenjat anës faqes dhe nënvizimet me laps të ngjyrshëm që në origjinë; duke m’i sjellë të shtypshkruara, si pjesë e dizajnit grafik. Është libër i ri i paprekur, që kërkon të hiqet si i përdorur, ready-made, madje i keqpërdorur, i abuzuar nga lexues të pagdhendur, i bërë pis, i grisur, i zhyer, i lënë në shi dhe i harruar në tryeza mensash ose lavamanë palestrash, i prerë me gërshërë dhe thika inoks të temperuara mirë. Më sjell ndërmend vepra të falsifikuara arti, hoax-e vjetruar nga mjeshtra të mashtrimit në gjithfarë autoklavash me tym bloze të squfurt. Çuditërisht, mbi faqet e plastifikuara e kam të pamundur të shkruaj, madje as emrin tim ose një dedikim çfarëdo, pa le kritikë teksti të arsyetuar ose denoncime gabimesh elementare të autorit. Një shenjë që përpiqem të lë me marker ngjyrë të gjelbër të ndezur më transferohet sakaq, ende e njomë, në mollëz të gishtit, duke e lënë faqen po aq të bardhë dhe llamburitëse sa më parë, si të mbrojtur pas një cipe qelqi.

15. Kur të mos lexojmë më

Ja edhe një lexuese me të cilën nuk pajtohem dot kurrë; çfarë më pëlqen mua, kjo e paska urryer; çfarë do ta kisha miratuar unë me një “Po!” entuziaste, kjo e paska shënuar me një “Jo!” zemërake; çfarë më duket mua e zbehtë, ose e argumentuar keq, ose edhe fare pa kuptim, këtë e paska lënë gojëhapur për nga thellësia ose mprehtësia ose pasuria e implikimeve; vërejtjet e saj më tingëllojnë të cekëta, reagimet dhe emocionet e saj groteske, gjykimet dhe opinionet e saj të kundërta me të miat. Megjithatë, na bashkojnë ato pjesë të librit ku nuk kemi shënuar e shtuar asgjë, ndoshta që edhe i kemi lënë pa lexuar pse nuk na kanë interesuar asfare; në shtrat të heshtjes dhe shpërfilljes përziejmë tërheqjen dhe pasionin tonë sekret.

16. Cura te ipsum, auctor

Rastësisht tërheq nga biblioteka një libër timin të shumë vjetëve më parë; për të parë ç’kanë gjetur dhe nënvizuar aty lexuesit, çfarë u ka ngacmuar përfytyrimin, çfarë nuk kanë kuptuar dot, çfarë nuk kanë dashur të kuptojnë. Libri i ka shënimet të pakta dhe të drojtura, thuase lexuesit e kanë shmangur ose, përkundrazi, e kanë trajtuar me kujdes të tepruar; atmosfera e rralluar mbishenjon ose temená, ose indiferencë; por unë tani nuk po i qëmtoj shënimet e të tjerëve më, madje edhe kur i fryjnë zjarrit pa shkak, ose aludojnë për pikat e mia të dobëta, ose më vijnë nga njerëz që përndryshe i njoh e që çmoj pa masë e që ua njoh shkrimin me të parë; paskam harruar sakaq që librin e kam shkruar unë dhe i qenkam zhytur leximit, teksa kërkoj lapsin e pamungueshëm, në sirtar të komodinës së atëhershme.

Nuk ka komente

  1. Shkrim shume kendshem Xhaxha, here here me behej disi alegorik dhe une nuk i shpetova perfytyrimit se do te ishit kureshtar per shkaravitjet e lexuesve te blogut mbi shkrimet tuaja…

    Megjithate me kujtoi nje pasion te vjeter dhe dicka interesante mbi menyren sesi i trajtoja librat. Une qe prej shkolles se mesme isha i apasionuar pas eres se librave. Sapo me dorezohej nje liber i ri per mua, nuk i rezistoja dot pa i mbajtur ere. Dikur ne oren e mesimit me eshte dashur madje t’i shuaj kureshtjen dhe profesorit te letersise kur me pa te fusja hundet literalisht ne nje kopje libri pasi na e kishte dorezuar.

    Ndersa marifeti per menyren sesi i trajtoja librat ishte ky; ne shkolle te mesme na kishin thene se pas mbarimit te vitit librat duhet t’i dorezonim, pasi nuk paguanim per ta. Dhe detyrimisht do duhet te ishin ne gjendje te mirembajtur. Mu duk e udhes te flertoja me kureshtjen e lexuesit pasardhes, keshtu shkruaja shenime te ndryshe qe i drejtoheshin posacerisht atij. Psh diku ne nje faqe shkruaja: Perkufizoni se cfare eshte nje gjyshe, dhe me pas i drejtoja ne tjeter faqe duke thene: pergjigjen e gjeni ne faqen 55. Here pas here jepja nje pergjigje humoristike ne lidhje me pyetjen paraprake dhe here te tjera, u shkruaja se i kisha mashtruar duke luajtur me pritshmerine e tyre. Nuk pata ndonjehere fatin te dija se cfare mendonin lexuesit mbi keto shenime. Po ju falenderoj qe ma kujtuat kete reng.

    1. Falemnderit, J.

      Edhe unë e kam pasur (dhe e kam) zakon t’u marr erë librave. Akt i çuditshëm: sepse kur e nuhat ti librin, të nuhat edhe libri ty – po perifrazoj Nietzsche-n.

      Në Shqipëri librat mbanin erë zamk, ndonjëherë me tone mbizotëruese tutkalli; por veprat e Enverit mbanin erë terpentinë ose diçka të ngjashme, të athët dhe ushtarake; si kuti lodrash kineze me zemberek.

      Vetë dhoma ku flija ishte e mbushur me libra të tim eti; libra profesioni, me kapak të fortë, shumica në rusisht; erën e tyre mbytëse vetëm duhani mund ta dëbonte. Veçanërisht 50 e kusur vëllimet e Enciklopedisë Sovjetike kundërmonin stalinizëm, entuziazëm stakanovist të balsamosur dhe kabinë tanku të kohës kur ra Berlini.

      Mbaj mend që në vitet 1970 më patën sjellë rastësisht nga Parisi dy libra të serisë Livres de Poche (Le Meilleur des Mondes, i Huxley-t; dhe Le Livre de San Michèle, i Axel Munthe); këtyre u vinte një erë pothuajse parfumi, shumë e ëmbël.

      Pastaj, një tjetër surprizë: era e librarisë Feltrinelli në Romë, të cilën nuk e harroj kurrë, sepse më ka dhënë atëbotë një eksperiencë në kufi të transhendencës.

      Librave italianë me kapak të fortë u vinte erë e mirë; por jo atyre paperback dhe aq më pak librave të xhepit, që m’i mbante mua xhepi.

      Libra gjermanë nuk kam pasur shumë; por një fjalori Mackensen, që mezi e kisha porositur në Tiranë, i vinte aromë e mrekullueshme dijeje, institucionesh dhe skrivanish me dru qershie.

      Në NYC nuk ua ndiej shumë erën librave në Barnes & Noble; me përjashtim të seksionit me ulje çmimi, ku tek-tuk ndesh në ndonjë album me imazhe që kundërmojnë, si ato tonat me Enverin e dikur Hrushovin.

      Tani, pas shumë vjetësh nuhatjeje, kam arritur në përfundimin se librat francezë mbajnë erë më të mirë se të tjerët.

  2. Ky shkrim me kujton keshillat e para ne femijeri: trajtoje librin me respekt dhe delikatese, sepse lidhja e pare qe do te kesh me njohjen do te te vije nga libri. Dhe lidhja qe kam sot me librin nuk eshte vetem miqesia me e mire por edhe obligimi i pafund dhe mirenjohja, dhe kohe e mbytur ne emocione dhe inteligjence.
    Ne femijerine e hershme me kishin regjistruar ne teatrin e kukullave ne te cilin ne, grupi femijeve shkruanim poezi dhe fjale per kukullat. Fjalet i hidhnim ne leter dhe letrat e asaj kohe i ruaj si relike kukullash qe flisnin gjuhen time. Cfare dua te them eshte se edhe pse femije jam munduar ta ruaj fjalen ne leter edhe pse pa shume vlere artistike, cfare dua te them eshte qe per librin duhet te kujdesesh pa e perthyer dhe zhgarravitur, sesi do mundesh ndryshe te fyesh fjalet dhe mendimet qe percillen ne liber.
    Fatkeqsisht po perjetojme kohen e IPad-it dhe libri po kthehet ne antikitet, por si do mundeshim dot te lexojme pa u mberthyer ne aromen e fleteve te librit, por si do mundeshim dot ne miqte e e librit ta tradhetojme librin me nje screen?

  3. Më kujtove mëkatin tim të hershëm Xha Xha, dëshirën që më lindi kur lexoja “Shën Mërinë e Parisit”e Hugo-së për tu futur në një kishë dhe të shkruaj “Anange”!

  4. Me pelqeu shkrimi xhaxha. Odise ne miqesine njeri-liber. Miqesia ime me librin eshte disi “e dhunshme” e jo me delikatese si e L_-se.
    Po pres te me dergojne “Shqipen Totalitare.” Xhaxha, nqs do te te binte ne dore ndonje dite, do gjeje keto gjurme: Highlights me “marker” te verdhe, ne piramiden e ngjyrave te “markers” ajo eshte me e larta, dmth fjalite/paragrafet me kyce nenvizohen me ate ngjyre. Roza eshte e me uleta.
    Pastaj “VI”= very important, anash ndonje fakti.
    X=jo dakort me xhaxhain, apo sipas mendjes sime, xhaxhai e ka gabim.
    ?= cfare do te thote xhaxhai me kete.
    Look it up = google, apo shiko ndonje reference per kete.
    Edhe shenime sipas rastit, nje analogji, apo nje krahasim tjeter qe me ngulit ne mendje me mire argumentin e prure.

    Me nje fjale, miqesi e dhunshme, por e pandare.

    Prandaj, nqs do dorezohesha ndonje dite te bleja e-reader, qe po e konsideroj, do e perdorja ekskluzivisht vetem per fiction, apo per miqesite platonike.

  5. Nuk a kam pasur zakon që të shkruaj apo nënvizoj në librat që lexoja.Ndoshta sepse mendoja që libri,edhepse pronë e imja,nuk më takonte vetëm mua.E shumta nënvizoja me laps grafik fjalët e panjohura, dhe pastaj e pastroja me gomë.Kjo më ngjante në rininë time, kur kisha edhe shumë fjalë për të mësuar.
    Në këtë çast më kujtohet libri i Rexhep Qosjes ”Dialogje me shkrimtarë” të cilin e kam lexuar me laps në dorë dhe me ”Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe” pranë.
    Përndryshe më pëlqente shumë kur më binin në dorë libra me shënime dhe nënvizime nga lexuesit.
    Diku në vitin 2001, në një tezgë në qendër të Tiranës, e bleva librin e Ismail Kadaresë ”Eskili, ky humbës i madh”.E bleva për 20 DM. Shitësi më tha se kishte vendosur që të largohej nga Shqipëria dhe për këtë i duhej të shiste të gjitha librat që i kishte.Kjo ishte përgjegjja e tij në kërkesën time që ta ulte pak çmimin.
    Libri është botim i ”Naim Frashërit”, viti 1990,30 mijë kopje.
    Në këtë libër nuk ka nënvizime dhe shënime nga lexuesit, por ka një dedikim.Dikush i kishte dhuruar dikujt këtë libër, dhe me një dorëshkrim ”teknik” me ngjyrë të zezë kishte shkruar:
    ”E sotmja dhe e ardhmja e atdheut kanë shumë nevojë për pasionin e zellin tuaj për shkencën,teknikën,artet dhe letërsinë”.
    Në fund është nënshkrimi (firma) e dhuruesit.
    Nëse dikush nga lexuesit e PTF-së e ”njeh” veten në këto fjalë, le të lajmërohet.Do t’ia kthej me kënaqësi.Natyrisht,gratis.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin