SQARIM I MËRZITSHËM

Nuk është hera e parë që, kur guxoj të shkruaj për ndonjë temë për të cilën “nuk kam përgatitjen e duhur akademike”, do të ngrihen zëra të shqetësuar në protestë.

Ma merr mendja se protesta të tilla bëhen në emër të bindjes së çuditshme, që ushqejnë disa, se një autor çfarëdo mund të ulet dhe të shkruajë vetëm për ato tema ose probleme për të cilat është formalisht i kualifikuar, ose kompetent. Sipas kësaj bindjeje, unë u dashka të shkruaj bie fjala vetëm për rotacizmin, rasën rrjedhore ose mënyrën habitore të foljes; pasi të kem afishuar edhe një fotokopje të dokumentit që më kualifikon profesionalisht për t’u shqiptuar në lidhje me tema të tilla.

Aq më qesharake më tingëllojnë kritika të tilla, kur më vijnë rregullisht nga një forum si PPU, të cilit nuk i detyrohem për asgjë; përveç lajmërimeve për shkrimet e PTF, që përcillen automatikisht në rubrikën e tyre të blogosferës shqip.

Si një nga autorët në PTF, nuk kam kurrfarë përgjegjësie ndaj njerëzve që hyjnë dhe dalin te PPU dhe, çuditërisht, ndihen të titulluar për të qëlluar me bajga gjithçka që nuk u pëlqen ose nuk e përtypin dot. As u drejtohem këtyre kur shkruaj, as shpresoj e uroj të më lexojnë, as ua kërkoj.

Nga ana tjetër, PTF është për mua hapësirë ku nuk ushtroj profesionin tim, as shpalos kualifikimin tim; por vetëm kërkoj të mbaj të ndezur debatin për çështje të ndryshme që më interesojnë – jo si linguist dhe si ekspert i kësaj apo asaj fushe, por si qytetar dhe si publicist.

Kurrë nuk kam pretenduar ndonjë autoritet për çështjet me të cilat jam marrë, duke përfshirë edhe ato çështje ku ndihem më i përgatitur se lexuesi joekspert; gjithnjë u kam dhënë vend kritikave, korrigjimeve, madje edhe stroncatura-ve, siç mund ta vërtetojë kushdo që ka durim të lexojë me mijëra komentet e blogut.

Është e vërtetë se nuk kam ndonjë ekspertizë të veçantë në fusha të tilla si mjekësia, fizika teorike, statistika, teknologjia, filozofia dhe shkencat politike, të cilave u kthehem rregullisht në shkrimet; por nuk është aspak ekspertiza që më shtyn të shkruaj – është kurioziteti i madh që kam dhe interesi intelektual.

Ata që nuk e kuptojnë këtë, janë imbecilë; ata që e kuptojnë, por megjithatë e gjejnë me vend të objektojnë, janë dyfish imbecilë. Dykëmbëshave të kësaj kategorie është vështirë t’ua kuptosh qëllimet; por unë nuk kam dyshim se efekti që kërkojnë të arrijnë, ndoshta në emër të ndonjë vetëmjekimi primitiv, është të më mbyllin gojën.

Arena ideale e debatit publik, për këta njerëz, është ajo ku gjithësekush flet për fushën e vet të specialitetit: mjeku OLR për mishin në hundë, etimologu për pellazgjishten, seksologu për gonorrenë, ekonomisti për bakshishet, mikrobiologu për sporet, toksikologu për barin e miut.

Por një arenë e tillë vetëm e debatit publik nuk mund të jetë; meqë asaj i mungon publiku, si partner aktiv; sikurse i mungojnë ndërmjetësit midis botës së ekspertëve dhe publikut.

Dhe publiku këtij vizioni gjysmak i mungon, sepse imbecilët e duan publikun të ulur në sallë, me mentet kundër kollitjes në gojë dhe me duart gati për të duartrokitur, pas fjalës së çdo eksperti “të fushës”, të cilën të gjithëve u lejohet të mos e kuptojnë.

Bernard Show e ka përkufizuar diku ekspertin e kulluar si idiot, në kuptimin e ngushtë të fjalës; dhe nuk e bëj dot me faj. Veç kësaj, unë si qytetar pres nga eksperti para së gjithash ta bëjë mirë punën për të cilën paguhet, dhe vetëm më pas të flasë e të shkruajë mirë për fushën e vet.

A kanë gabime madje gafa shkrimet e mia për sportin, pikturën, këngën e Rolandit, epidemitë, tatuazhet, farmakologjinë, logjikën formale? Doemos që do të kenë. PTF është një blog ku eksperimentohet me mendimin; dhe ku, si autorët ashtu dhe komentuesit, nuk duhet të pengohen as nga mungesa e “ekspertizës”, as nga frika ndaj “gabimeve”, për të thënë mendimin e tyre.

Në mënyrën si e konceptoj unë, PTF është një blog ku më shumë se kjo ose ajo temë, eksplorohet vetë mendimi i lirë shqip. Kjo mundësi për të krijuar dhe komunikuar, që fatmirësisht e ofron sot Interneti, zërit shqip gjithnjë i ka munguar; në një kohë që ekspertët e të gjitha fushave i kemi pasur të shumtë dhe të shumëllojshëm, me të njëjtat vetulla të ngrysura dhe kaleshe.

Por le të mos ketë asnjë iluzion; mendimi qytetar, kritik dhe joekspert, për të gjitha fushat me interes shoqëror, është palë e debatit publik; madje nga palët e këtij debati, është pikërisht ajo që duhet lëvruar dhe mbrojtur: si nga arroganca e ekspertëve të cilëve ndonjëherë nuk u pëlqen të mbikqyren, ashtu edhe nga padija e publikut, që ndonjëherë kërkon zgjidhje që pa u shtruar ende çështjet.

Ka edhe më. Blogu PTF mua më jep ushqim intelektual të jashtëzakonshëm; jo vetëm ngaqë e respektoj pa masë lexuesin dhe përpiqem të përgatitem sa më mirë për çka trajtoj, por edhe nga prurjet e vyera të kolegëve të tjerë, autorë dhe komentues; sikurse më jep edhe kënaqësinë e debatit të kulluar, jashtë interesave të ngushta utilitare dhe konferencave kinse “shkencore”, ku të gjithë i mbajnë sytë tek ora e dorës (ose e celularit).

Por PTF nuk është konceptuar ndonjëherë si një e mirë publike, as mbahet gjallë me kontributet financiare ose politike të lexuesve të tij ose të publikut në përgjithësi.

Ky është një blog privat, i themeluar nga një grusht miqsh që kanë vendosur të çojnë përpara një diskurs të tyrin për çështje me interes të përbashkët. Për shkak të seriozitetit tonë si autorë, por edhe të besimit që kanë pasur lexuesit tek ne; dhe interesit që kanë ngjallur temat e debatuara te lexuesit në përgjithësi, PTF sot vizitohet çdo ditë nga 800-900 vetë mesatarisht. Formula jonë ka pasur sukses; dhe ka pasur sukses, sepse ne jo vetëm kemi ofruar material me interes publik, por edhe e kemi bërë këtë me sinqeritet dhe ndershmëri intelektuale.

Shumë gazeta të Tiranës kanë tentuar të marrin “hua” materiale nga blogu; u kemi shkruar, për t’u kërkuar që të mos vazhdojnë kështu, dhe nuk kanë vazhduar. Blogu nuk është i sindikuar, dhe e vetmja faqe Interneti e autorizuar që t’ia paraqitë lexuesit të vet materiale të PTF ka qenë Peshku pa Ujë; një faqe ku unë dikur kam marrë pjesë gjallërisht në diskutimet, por nga ku pastaj jam larguar, për shkak të atmosferës së qelbur të krijuar rreth disa shkrimeve të miat.

Sipas këndvështrimit tim, unë si administrator dhe autor i PTF u kam bërë një favor lexuesve të PPU, kur i kam lejuar administratorët e asaj faqeje që të vazhdojnë të nxjerrin atje feeds nga shkrimet e mia; edhe pse administratorët dhe moderatorët e atjeshëm asnjëherë nuk janë treguar në gjendje të mbrojnë figurën dhe dinjitetin tim si autor, nga bajgat që nuk kanë munguar kurrë – dhe këtu nuk e kam aspak fjalën për kritikat, të cilat i mirëpres, këtu dhe kudo gjetiu; dhe as për lavdërimet, të cilat parapëlqej t’i shoh të shndërruara në interes intelektual për diskutimet.

Dua të them, me këtë, që për mua si autor, PPU është diçka irrelevante nga pikëpamja intelektuale, si një gjellëtore anës rrugës që servir vetëm mish turli; çfarë nuk ka të bëjë me faktin që disa nga autorët dhe komentuesit i atjeshëm unë i njoh dhe i çmoj madje admiroj, dhe disa të tjerë i respektoj për dijet, profilin intelektual dhe sensibilitetin; dhe që do të doja t’i lexoja më shumë dhe të diskutoja me ta në mjedise me ajër të pastër.

Megjithatë, modeli që po i ofron sot Internetit shqiptar ky forum sa popullor aq edhe populist nuk mund të shpëtohet më; sepse është model i themeluar mbi zilinë, kompleksin e inferioritetit dhe pështymën anonime. Administratorët dhe moderatorët e atjeshëm ndoshta mund të bënin diçka më tepër për të mbrojtur autorët nga balta që u hidhet dhe nga vulgariteti i disa komentuesve nga rruga; por ndoshta edhe vetë formula e një blogu-forum të moderuar post-factum nuk mund të funksionojë më. Mua kjo më intereson si të thuash teorikisht, meqë rregullisht më tërheqin manifestimet e ndryshme patologjike në forume të tilla; por edhe drejtpërdrejt, sepse shkrimet e mia atje vijojnë të keqtrajtohen, nga i njëjti grup llafazanësh – që ndoshta janë pakicë dhe ndonjëri edhe krejt i skaduar nga pikëpamja humane, por që, si çdo pakicë tjetër, janë të zhurmshëm dhe patogjenë.

Sqarimi më doli i gjatë; po e përmbledh me dy fjalë: në PTF unë, si Xha Xhai, shkruaj për çfarë të më dojë mideja dhe nuk i jap kujt llogari as për temat që trajtoj, as për metodat që përdor, sa kohë që nuk shpif, nuk fyej kënd dhe nuk ia dhunoj kujt të drejtat; nëse them gjëra të paqena ose budallallëqe, çka me siguri ndodh herë pas here, i mirëpres të gjithë të vijnë dhe të ma vënë në dukje me argumente, po të kenë këllqe; nuk ia njoh askujt autoritetin si gjykatës të mendimit tim në PTF, as do t’ia njoh ndonjëherë; ndryshe nga shumë imbecilë rreth e rrotull, nuk besoj se tryezat e debatit publik duhet të sundohen nga ekspertët, sepse ekspertët zakonisht nuk janë ekspertë debatesh; më në fund, edhe pse autor dhe administrator i PTF, nuk mund t’u lutem më administratorëve të PPU që t’i ndërpresin krejtësisht marrëdhëniet me mua; e kam bërë njëherë këtë, dhe nuk i kam bindur dot.

Nuk ka komente

  1. Xha xha, nëse energjinë që ke djegur për këtë mesazh të shkruar me verve (për të cilin mua do me duhej një javë punë) e ke bërë me të vërtetë se ndihesh i fyer nga provokimi i dikujt (që nuk besoj se mendon se do të jetë i fundit), them se e ke gabim.

    Nëse, siç ma do mendja, ke kapur rastin për të përmbledhur edhe një herë idetë themeluese, mënyrën e të qasurit të problemeve të ndryshme, etikën e deontologjinë e këtij logu (që po merr trajtën e një fenomeni social), për lexuesit e rinj, për ata qe e zbulojnë rishtas a për ata që dëshirojnë t’u afrosh një këndvështrim e të kontribuojnë pastaj me tema e komente, them se e ke mirë.

    1. Lyss, ka muaj që te PPU lëshohen bajga kundër meje dhe veçanërisht kundër PTF; nga pak dythundrakë, vërtet; por mua gjithnjë më shqetëson indiferenca e të gjithë atyre që i prisja të ndërhynin; sepse ndryshe nga dythundrakët, këta të tjerët janë njerëz me të cilët më qëllon edhe të shkëmbej ndonjë mendim për së mbari, ose të pi ndonjë kafe sipas rastit. Asnjë shqetësim nuk do të përbënte për mua bajga e dalë nga një gojë që s’mund të nxjerrë veç bajga; por një bajgë avulluese që lihet në mes të tryezës së debatit, madje që serviret si të ishte tortë me qershinë në mes, është turp për tryezën dhe për vetë gostarët. Mua pikërisht kjo më shqetëson – kualiteti i atyre që heshtin te PPU, jo mizerja e atyre që flasin.

  2. Kot je nxehur xhaxha. Po aq sa ke te drejte ti t’ia fusesh kot vazhdimisht, ka dhe ai te ta thote vazhdimisht se vazhdimisht ia fut kot.
    Pershendetje.

    1. Jo, Dion; dhe të lutem mos më sill këtu argumente kaq gjysmake. Nëse dikush më thotë “ia ke futë kot”, por nuk më sqaron se ku dhe çfarë, atëherë është e drejta ime ta quaj këtë dikush ose hajvan, ose hajvan provokator (sipas rastit). E pranoj, me ty, se kushdo ka të drejtë edhe që të jetë hajvan – por jo në kurrizin tim. Që mos të të gënjejë mendja as ty, as kolegët e tu, ja ku të siguroj se unë nuk kam vënë njeri prift të çka shkruaj; dhe kompleksi i inferioritetit nuk mund të përdoret si alibi për t’i dhënë vetes rolin e gjykatësit.

  3. Ta besoj pështjellimin që ke kaluar Xhaxha.
    Më shumë se komentet idiote (që s’ka ç’ju bën gjë asnjeri atyre) që bëhen tek artikujt e publikuar automatikisht atje, gjëja më acaruese është kur… sapo del tek faqja e PPU artikulli i importuar… vjen me një yll (vlersim “furre” 😛 )… dhe ndoshta zhgënjimi që pëson nga ata njerëz që kujtoje se i njihje që të bën të nxehesh dhe të bësh “Sqarime të mërzitshme” (se po t’ishe kamionist, do i kishe futur një t’shame me libër shpie t’gjithve dhe ndoshta do ndiheshe edhe më i çliruar 😛 )

  4. PPU eshte zgjeruar shume dhe ka lloj-lloj tipash, e keshtu eshte me lehte per shume syresh te krijojne nje ‘profil’ ne mendjet e tyre per kedo qe shkruan dhe ti pergjigjen profilit sesa shkrimit konkret.

    Kjo them se mund te kete ndikuar disi me ty persa i perket debatit per librin e Shmidit ose gjera te tilla (qe me thene te drejten une e kisha harruar fare para se te merrja pjese rregullisht ketu se fundmi, dhe mbase dikur kemi disktuar dhe bashke aty per kete, po tani me kujtohet dhe per dicka tjeter me nje person tjeter qe s’eshte me aty…tani mu kujtuan lol) dhe mbase dhe kjo ka te beje, megjithese nuk besoj se eshte kjo kryesorja.

    Gjithsesi, tani s’do perbeje me problem kjo se sapo lexova tek PPU tani (tek feed i ketij artikulli) nje nga cunat qe eshte administrator i cili konfirmoi qe artikujt e PTF nuk do importohen aty me automatikisht, duke plotesuar keshtu kerkesen tende.

    1. Xhibi:

      sapo lexova tek PPU tani (tek feed i ketij artikulli) nje nga cunat qe eshte administrator i cili konfirmoi qe artikujt e PTF nuk do importohen aty me automatikisht, duke plotesuar keshtu kerkesen tende.

      Me këtë rast u kompletua edhe një operacion i censurës indirekte, për çka të gjitha palët janë për t’u përgëzuar.

      1. Joint operation, coordinated attack, etj. Mission accomplished si perfundim, si Nato ne Kosove ama, jo si Bushi ne Irak. lol

        ….

        Speaking of artikuj jashte specialitetit, a s’do shkruaje dicka dikush nga juve per Cern-in dhe Large Hadron Collider, per opportunitetet e zbulimit te Higgs boson duke konfirmuar keshtu teorine standarte te fizikes nepermjet Higgs field/particle qe supozohet–sipas ketij modeli–ti jape mase cdo materie, ose te dimensioneve shtese duke paraqitur keshtu prova eksperimentale per teorine e shume-dimensioneve (dhe mbase dhe te universeve paralele me kete teori?), apo dhe per zbulime te mundshme te dark matter, apo mbase dhe te forcave krejt te reja apo te dickaje tjeter qe mund te ktheje komplet permbys jo vetem teorite aktuale te fizikes, por konceptin qe kemi ne pergjithesi per universin, per fillimet e tij etj?

        Kjo them se do ishte me interes. Me kete rast mbase artikulli terheq ne diskutim dhe dikend qe mund te dije me shume ne lidhje me keto qe permenda, dhe me c’rast dhe ne te tjeret mesojme dicka.

        Apo qofte per ta diskutuar ne rafshin filozofik, apo qofte dhe nenkuptimet religjioze; tek e fundit Higgs boson quhet ndryshe dhe “the God particle”.

  5. Xhaxha, peshkun shiheni me shume si kanal te njeanshem komunikimi me te cilen nuk duhet te interagoni shpesh, aq me pak ti merrni peshtymehedhesit seriozisht. Pikesepari sepse sa me i madh komuniteti aq me i veshtire eshte komunikimi i mirefillte dykahesh.

    Me te vertete tek ai komunitet ka nje pakice numerikisht te paperfillshme e njekohesisht vokale qe eshte shume e veshtire te mos ti gerrice nervat ne menyre te perseritshme. Por atje ka dhe nje shumice te heshtur qe “flet” duke emigruar gradualisht tek blogu juaj. Mbase informacioni se sa azilante nga peshku ju pranoni rregullisht ketu, mund t’ju ndihmoje ta lexoni raportin e ketij shkembimi ne menyre me te plote.

    Prandaj mendoj se vazhdimi i publikimit te shkrimeve tuaja tek peshku te pakten per nje periudhe te caktuar ka nje lloj vlere pasi nga njera ane qe andej ju thithni lexues e nga ana tjeter edhe nje blog me i madh si peshku nuk lihet krejtesisht ne meshire te mediokritetit e fodullekut.

  6. Vrasja e AlbClub-it prej helmit te injorances dhe harbutllekut duhet ti mesoje dicka peshkut ne te thate…

  7. Kerkon shume nga jeta ti xha xha; ne kohet e super-specializimit kerkon nga njeriu te mendoje. Ne s’kemi menduar ne kohe te tjera e jo me tani. Koha e mat 7 here e pri 1 here, ka ngelur prapa (ne ka qene), tani eshte koha e pri 1 here pastaj mate. Jemi njerez moderne, ne veprojme, mendimet i kemi ne kallepe te ndryshme te cilat krijohen nga specialistet dhe na sherbehen per konsum. Kjo eshte menyra me eficente, pra me e dobishme, nuk mund ti dilet kunder, eshte themeli i ngrehines shoqerore.

    Kur dikush te thote s’je specialist, prandaj merru me punen tende, ai eshte ne kerkim te kallepit, atij i duhet ‘te dije’, ‘te nxeje’ jo ‘te mendoje’.
    Ka nje dallim interesant midis deshires per te nxene dhe deshires per te menduar.
    Ai qe kerkon dijen, kerkon te nxeje, lexon papushim, sheh emisione, ndjek konferenca, ky ne fakt s’ka shume kohe te mendoje ; dija eshte qellim, ku ndodhet ajo duhet gjetur.
    Nderkaq ai qe kerkon te mendoje, i nevojitet dija, te nxenit si mjet per te arritur qellimin e tij, pra ai e kapercen dijen, nuk ndalet mbi te, ndalet vetem mbi ate dije qe ‘i jep buke’.

    Ti thua dicka qe me kap telat:

    ””’Në mënyrën si e konceptoj unë, PTF është një blog ku më shumë se kjo ose ajo temë, eksplorohet vetë mendimi i lirë shqip. Kjo mundësi për të krijuar dhe komunikuar, që fatmirësisht e ofron sot Interneti, zërit shqip gjithnjë i ka munguar; në një kohë që ekspertët e të gjitha fushave i kemi pasur të shumtë dhe të shumëllojshëm, me të njëjtat vetulla të ngrysura dhe kaleshe.””’

    Ai qe kerkon posacerisht dijen, ka pergjithesisht funksion riprodhues (eksperti,specialisti), nxe cfare duket dhe e nxjerr. Te nxesh domethene te zesh, te kapesh, te pervetesosh, pra eshte veprim qe nenkupton pritjen,perthithjen e se perjashtmes.
    Pra nxenia varet nga c’eshte jashte. E perjashtmja ndikon thellesisht individin, duke perfshire edhe procesin e te menduarit.
    Kur e perjashtmja si ne rastin tone e perjashton lirine e mendimit nepermjet mendimeve-kallep apo formulave, mberrihet ne rrethanen kur cdo para-qitje e mendimit duhet ti bindet nje kallepi, nje formule te ekspertit.

    Pra para-qitja e nje mendimi nuk ka me(apo kemi zbehje te plote) si njesi matese, njesite e brendshme (si logjika apo saktesia e domethenies se fjaleve) por perputhjen me kallepin; nese s’perputhet me kallepin, s’puthesh me Milon.

    Liria e mendimit eshte liria e fundit per te cilen njeriu shqetesohet, anipse ajo eshte vete liria e arsyes. Liria e fjales i eshte mbivendosur tragjikisht lirise se mendimit jo vetem tek ne, por tek ne behet me tragjike duke qene se ‘e perjashtmja’ jone eshte me se shumti pjelle e mendimit joshqiptar.
    Keshtu ne gjendemi jo vetem pa hapesira te mendimit te lire shqip, por edhe ne emer te lirise se fjales, perpiqemi te vrasim cdo filize te mendimit te lire shqip. Ne fakt mendimi i lire shqip per shumicen derrmuese te shqiptareve qe kam hasur perfaqeson nje koncept te panjohur ose pakuptim, dhe qe tingellon me shume si kercenim per inteligjencen e individit, sepse patjeter qe ai mendon shqip po ky mendim i lire shqip, meqe duket ne pamje te pamje te pare si dicka e thjeshte por njekohesisht veshtiresisht e rrokshme, o eshte ndonje paradoks o ska ndonje kuptim, perndryshe do ishte lehtesisht e rrokshme. Koncept filoqyli, do thoshte ndokush.

    Pradoksalisht si e permende edhe ti xha xha flasim per debat publik dhe pastaj nenkuptojme debat specialistesh, dmth perjashtojme publikun nga debati, pra veteperjashtohemi. Kjo eshte njesoj si te thuash debat parlamentar dhe te perjashtosh deputetet; te lejosh vetem lideret te flasin.

  8. Une them se gjuhetaret kane gjithe kualifikimin e duhur per te folur e shkruar per cilendo teme. Ata bejne: indin ku cdo debat thurret, apo po ta krahasoja me organizmin njerin prej sistemeve (veshtire te zgjedh). Diskutimi, debati, ka vetem mire prej tyre, ai behet me i qarte e thurret me radhe, por behet edhe me i zhdervjellet. Pa gjuhetaret gjithcka do kthehej ne nje derrase te zeze mbushur me formula fizike te cilat pakkush do ti kuptonte.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin