JEMI SEKSUALË

Që prej ditës kur Klodian Çela u vetëshpall homoseksual në publik, çështja e homoseksualitetit ndër shqiptarë ka mbetur në qendër të debateve të ndryshme në mediat, me protagonistë debatues zakonisht meshkuj. Që homoseksualiteti i deklaruar po shqetëson veçanërisht mashkullin shqiptar, kjo besoj unë ka lidhje të ngushtë me vetë çështjen e debatuar.

Gjithnjë i kam kritikuar forumet e hapura të debatit, në Internet, si arena të vulgaritetit; por nuk e mohoj vlerën e tyre të paçmuar, për të sonduar thellësitë e mendësisë shqiptare moderne, përtej shtresave elitare që shprehen në mediat rregullisht. Sa i përket homoseksualitetit, kuptohet vetiu se këto forume sundohen, sot për sot, nga refuzimi; i cili jo rrallë merr nuanca të përqeshjes ose të përbuzjes për gays dhe mënyrën e të qenit gay.

Duke i lexuar reagimet spontane të personave të ndryshëm, shpesh anonimë, ndaj homoseksualitetit në Shqipërinë urbane dhe metropolitane, kam vënë re se një pjesë e mirë e tyre tradhtojnë një ambiguitet serioz në mënyrën si mashkulli shqiptar modern e përjeton seksualitetin në përgjithësi dhe mashkullsinë në veçanti.

Kjo ka të bëjë drejtpërdrejt me perceptimin e dyzuar që i bëhet homoseksualit – më një anë si një njeri që “e ka mendjen te bytha” dhe më anë tjetër si një “bythëqirë”, ose njeri që “e përjeton seksualitetin e vet nëpërmjet bythës”. Këto dy modele, ku i njëjti surrogat gjenital – anusi – paraqitet një herë i lakmuar, ose si objekt i dëshirës; dhe një herë tjetër si vegël identifikimi, ose instrument i dëshirës, mbeten të papajtueshme mes tyre.

Ka edhe më. Këtij modeli të dyzuar, i mbivendoset një model i dytë, ku mashkulli homoseksual nuk është veçse një mashkull që ka hequr dorë nga mashkullsia për t’u shndërruar në femër (nëpërmjet manierizmave të sjelljes dhe të të folurit, zakoneve të higjienës vetjake si depilimi ose makijazhi ose lyerja e flokëve, veshjes ekzibicioniste, etj., por sidomos duke u tërhequr pas mashkullit pronar dhe përdorues i penisit); dhe një model i tretë, ku mashkulli homoseksual, këtë herë i quajtur rregullisht pederast, interesohet për çuna të rinj ose dylberë, duke u paraqitur si një version beninj i pedofilit.

Është për t’u vënë re që emërtimi pederast, i cili në gjuhët e origjinës përdoret me kuptimin “pedofil”, në shqipe dhe në gjuhë të tjera ballkanike përdoret me kuptimin “homoseksual aktiv”.

Megjithatë, diskursi i sotëm popullor dhe populist për homoseksualët meshkuj në Shqipëri mbizotërohet nga imazhi i gay-t të feminizuar, i cili e përjeton seksualitetin anal në mënyrë pasive; ose që kërkon të penetrohet, jo të penetrojë. Ky është pikërisht edhe imazhi që u ofrohet masave për ta përbuzur dhe për t’u distancuar; sepse në vetvete është një kombinim djallëzor i dy sekseve tradicionale që vë në krizë pikërisht dallimet mes tyre dhe krejt institucionet sociale që mbështeten në këto dallime, duke filluar nga familja vetë.

Këtu nuk mund të mos mendosh se imazhi i seksualitetit, së paku ndër këtë kampion shqiptarësh që zhurmojnë poshtë e lart në forumet, i përgjigjet jo aq seksualitetit të mbështetur në inventarin gjenital dhe në ndarjen e roleve gjatë riprodhimit; por një seksualiteti tjetër, i cili themelohet mbi dallimin funksional midis një seksi aktiv (penetrues) dhe një seksi pasiv (të penetruar).

E kotë ta shtoj se këtë dallim e gjen të shtjelluar qartë te Foucault (The History of Sexuality II, The Use of Pleasure, Vintage Books Edition 1990, f. 46 dhe vijim), i cili i referohet ndër të tjera edhe Aristotelit, kur analizon perceptimin e seksit, të diferencave seksuale dhe të seksualitetit në Greqinë e lashtë, duke dalluar mes seksit “aktiv” ose agens nga seksi “pasiv” ose patiens, në kuadrin e çka grekët e quanin aphrodisia (latinisht: venerea), ose veprimtarisë seksuale si burim kënaqësie.

Vetë Aristoteli, gjithnjë sipas Foucault, e bën të qartë shprehimisht se “femra, si femër, është pasive; dhe mashkulli, si mashkull, është aktiv.”

Foucault shpjegon, në vijim të kësaj ideje, se një koncept i tillë i seksualitetit vetvetiu do t’i ndante njerëzit në aktorë aktivë dhe në aktorë pasivë, sa i përket dramës së kënaqësisë; me të parët si subjekte të veprimtarisë seksuale dhe të dytët si partnerë-objekte.

Në Greqinë klasike aktorët aktivë ishin, gjithnjë sipas këtij këndvështrimi, të gjithë meshkuj të rritur dhe të lirë; të dytët përbënin, përkundrazi, një grup heterogjen, që përfshinte jo vetëm gratë, por edhe “djemtë” dhe “skllevërit”.

Një vizion i ngjashëm, në mos i njëjtë për seksualitetin, edhe pse jo i arsyetuar si në Greqinë e lashtë por më tepër instinktiv dhe impulsiv, do të ketë mbijetuar për bukuri ndër shqiptarët e sotëm; ku, po të gjykosh nga reagimet ndaj çështjes “Klodi” dallimet midis seksit “aktiv” dhe seksit “pasiv” marrin përparësi ndaj atyre thjesht gjenitale, midis meshkujve që kanë penis dhe femrave që kanë vaginë.

Të jesh mashkull, brenda këtij vizioni, do të thotë jo vetëm të zotërosh penis, por edhe ta përdorësh penisin aktivisht, pavarësisht nëse me funksione riprodhuese ose thjesht kënaqësie; përndryshe, një mashkull “anatomik” që, me përkufizim, tërhiqet seksualisht ndaj meshkujve penetrues, do ta vërë ndarjen e sekseve në krizë, meqë do të paraqitet në publik si “mashkull” që kërkon të jetë njëkohësisht edhe “femër”; mashkull për shkak të anatomisë dhe identitetit vetjak, femër për shkak të rolit pasiv që kërkon të luajë brenda marrëdhënies seksuale (ose interesimit erotik për persona të të njëjtit seks me të).

Kështu mund të shpjegohet, besoj unë, pse opinioni publik, së paku në Tiranë, gjithnjë ka treguar interes të veçantë për homoseksualët pasivë – disa prej të cilëve i kanë identifikuar botërisht dhe ndonjëherë edhe ngacmuar në rrugë; në një kohë që homoseksualët aktivë, ose partnerët e detyrueshëm (dhe të pashmangshëm) të këtyre pasivëve, nuk është kujdesur as shqetësuar kush për t’i njohur dhe identifikuar. Me përkufizim, mashkulli nuk është konsideruar se e humbte mashkullsinë e vet nëse e penetronte partnerin në anus, në vend që ta penetronte në vaginë (për penetruesin, seksi anal do të ishte, kështu, një farë surrogati i seksit vaginal); sikurse nuk e humbte mashkullsinë edhe po të penetronte një mashkull tjetër, ose një dhí.

Rëndësi ka, në këtë kontekst, akti penetrues, jo natyra specifike e objektit të penetruar.

Opinioni publik, ose rruga, njëlloj tregonte kujdes rregullator edhe për pedofilët; pa çka se këta të fundit njëfarësoj ngatërroheshin me pederastët dhe homoseksualët në përgjithësi, por që mund të rrezikonin fëmijët; por vëmendja në këtë rast kishte natyrë si të thuash pedagogjike dhe lidhej me nevojën për të mbrojtur të miturit dhe çunat e rinj nga ekspozimi ndaj këtyre predatorëve.

Brenda këtij modeli alternativ të seksualitetit ka qenë gjithnjë vështirë t’u bësh vend femrave homoseksuale, ose lesbikeve; të cilat zakonisht janë shpërfillur krejt, meqë aphrodisia e tyre, si rregull, nuk shoqërohet me ndonjë lloj penetrimi – pavarësisht nga rolet që mund të luhen dhe lojërat seksuale pak a shumë simbolike që mund të eksperimentohen brenda çiftit lesbik.

Kjo ndoshta shpjegon edhe pse, në debatet e sotme për homoseksualitetin, femrat nuk duken shumë të shqetësuara, as të rrezikuara në seksualitetin e tyre; jo aq sepse janë më të emancipuara dhe toleruese se meshkujt përkatës, as për hir të solidaritetit me gay-t pasivë përballë pushtetit dhe “dhunës” së mashkullit penetrues tradicional; por më tepër, besoj unë, për shkak se vetëdeklarimi homoseksual, brenda modelit aktiv/pasiv të seksualitetit të cilit vijon t’i referohet opinioni publik ndërshqiptar, nuk përfaqëson ndonjë farë kërcënimi për femërsinë.

Kriza e sotme në opinionin publik shqiptar, me fjalë të tjera, ka të bëjë drejtpërdrejt me konfliktin midis dy modeleve të papajtueshme të seksualitetit – modelit riprodhues, që mbështetet në funksionin gjenital parësor; dhe modelit tjetër, ose “skenik”, që mbështetet në ndarjen e roleve në aktive dhe pasive, gjatë marrëdhënies seksuale. Ky konflikt është serioz sa s’bëhet, meqë perceptimi që ia bën mashkulli shqiptar seksualitetit të vet qëndron në themel të strukturave autoritare ekzistuese të familjes, të komuniteteve dhe të institucioneve sociale e politike; dhe si çdo konflikt tjetër serioz, nuk mund të gjejë zgjidhje, veçse gradualisht, me mirëkuptim nga të gjitha palët e përfshira.

Shënim: Vite më parë kam lexuar, te revista “Përpjekja”, një artikull të gjatë që analizonte çështje të seksualitetit ndër shqiptarët nga një këndvështrim i ngjashëm. Për fat të keq, nuk e kam më atë numër të revistës; do t’i lutesha ndonjë lexuesi të informuar që ta sillte referencën për korrektesë.

Nuk ka komente

  1. Shkruan xhaxhai :
    në debatet e sotme për homoseksualitetin, femrat nuk duken shumë të shqetësuara, as të rrezikuara në seksualitetin e tyre; jo aq sepse janë më të emancipuara dhe toleruese se meshkujt përkatës, as për hir të solidaritetit me gay-t pasivë përballë pushtetit dhe “dhunës” së mashkullit penetrues tradicional; por më tepër, besoj unë, për shkak se vetëdeklarimi homoseksual, brenda modelit aktiv/pasiv të seksualitetit të cilit vijon t’i referohet opinioni publik ndërshqiptar, nuk përfaqëson ndonjë farë kërcënimi për femërsinë”.

    °
    °
    °

    “Mos ja jep, qe ta lidhesh !” – kjo ishte porosia qe nje shoqja ime (siç më ka thene ne vonë), kish marrë gjate gjithe beqarerise se saj nga e ëma ! Dhe që veçse konfirmon hegjemonine heteropatriarkale te mashkulloritetit ne strukturimin e deshirave, indentiteteve dhe praktikave seksuale nder shqiptarë. Dhe jo vetem nder shqiptarë : perndryshe, si te shpjegosh perputhjen e shkelqyer ne mendime midis Dritero Agollit, kur shkruan “Ky debat as duhet bërë fare në Shqipëri, ne duhet të shikojmë kushtet e vendit… […] …Në Shqipëri, ndryshe nga Evropa, homoseksualët nuk e pranojnë se janë të tillë” (http://www.panorama.com.al/index.php?id=39744) dhe Presidentit iranian Ahmadinenejad qe deklaron se “Nuk ka homeseksualë ne Iran !” (http://www.youtube.com/watch?v=U5Qxoqq8ECo&feature=related)

    ps: Artikulli i “PERPJEKJES” te cilin evokon xhaxhai, titullohet : “Mashkulloriteti shqiptar, puna e seksit dhe emigrimi…”, botuar ne numrin 17 (verë 2003), fq 62, te revistes ne fjale.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin