PËRTEJ DEPRESIONIT

Në komentin e vet, Arti me të drejtë vuri në dukje që buja rreth një vetëvrasjeje të një njeriu të njohur mirë nga publiku gjithnjë mund dhe duhet të shfrytëzohet për të përndjeshmuar opinionin rreth çrregullimeve mendore, të cilat shpesh i paraprijnë një akti të tillë ekstrem.

Çështja më duket delikate, nga shumë anë; sidomos në bazë të gjithçkaje kam lexuar këto ditë ankthi dhe kërkimi frenetik për përgjigje të pyetjeve që më mundojnë.

Në rastin e tanishëm, kam frikë se mjekët mund dhe duhej të kishin bërë më tepër për të parandaluar shkallëzimin, sa kohë që kishte pasur orvatje të përsëritura për vetëvrasje, në të shkuarën, të cilat kishin dështuar për arsye të ndryshme. Psikiatrit e kanë të qartë, më shumë e më mirë se ne të tjerët, që këto orvatje duhen marrë me seriozitetin më të madh dhe duhen trajtuar me po atë kujdes dhe përparësi që i kushtohet, bie fjala, një infarkti të zemrës në urgjencën kardiologjike – meqë gjithnjë është fjala për të shpëtuar një jetë njeriu.

Nga ana tjetër, rreziku/predisponimi për vetëvrasje është e vështirë të trajtohet, as të parandalohet jashtë strukturave profesionale dhe të specializuara.

Zakonisht, këtë çrregullim (suicidality) e lidhin me depresionin; edhe pse depresioni është mjaft i përhapur, ndërsa vetëvrasja jo. Prandaj vetëm lidhja me depresionin nuk mjafton si shpjegim, sikurse mjekimi i depresionit nuk garanton gjë, sa i përket rrezikut për të vrarë veten.

Ndonjëherë madje depresivët kryejnë vetëvrasje pikërisht kur dalin nga kriza, meqë vetëm atëherë i gjejnë energjitë e nevojshme për ta organizuar dhe çuar deri në fund vendimin e marrë prej kohësh. Kjo e bën tepër problematik trajtimin e pambikëqyrur të dikujt që ka bërë orvatje për të vrarë veten me barna antidepresive, të cilat i mësyjnë simptomat e depresionit në mënyrë të pabarabartë (p.sh. mund të energjizojnë para se të kenë larguar ankthin ose perceptimet e pamjaftueshmërisë).

Prej psikiatërve pritet që ta dinë këtë; sikurse pritet që ta dinë se rreziku për vetëvrasje do trajtuar veçmas depresionit. Sikurse lexoj këto ditë, vetëvrasjen e lidhin shpesh me perceptimin që ia bën viktima vetes si barrë për të tjerët, ndjesinë e shkëputjes nga mjedisi familjar, uljen e ndjeshmërisë ndaj dhimbjes fizike dhe idhullzimin e vdekjes, si diçka në thelb pozitive, madje të bukur. Të gjithë këta faktorë nuk lidhen doemos dhe drejtpërdrejt me depresionin, në kuptimin teknik të kësaj fjale.

Natyrisht, kjo na çon te një tjetër rrejshmëri – që ka të bëjë me kuptimin e fjalës depresion, në ligjërimin e zakonshëm. Meqë sëmundjet mendore, edhe ndër shqiptarë madje sidomos ndër shqiptarë, vijojnë të rrethohen nga stigma e rëndë e refuzimit social, atëherë termi depresion, i huazuar nga zhargoni psikiatrik, ka ardhur duke u përdorur si eufemizëm për çdo lloj çrregullimi psikik, që shkakton tërheqje sociale, ose pamundësi për të funksionuar në shoqëri dhe profesionalisht.

Kjo vjen, besoj unë, kryesisht ngaqë depresioni, ose trishtimi, ose melankolia, ose rënia e energjisë, ose mbyllja në vete, ose kapitja fizike dhe shpirtërore janë më të pranueshme prej opinionit, si çrregullime, në krahasim me disa të tjera, si skizofrenia dhe psikozat në përgjithësi, të cilat edhe ato mund të shkaktojnë tërheqje nga jeta sociale dhe mjedisi; dhe janë më të pranueshme meqë, këto të gjithë i provojmë në situata normale, ndryshe nga zërat që dëgjon skizofreni, bie fjala, ose agorafobia e kujt ka frikë të dalë nga shtëpia. Kësisoj, duke i quajtur të gjitha sëmundjet mendore depresion, opinioni publik bën një përpjekje për t’i paraqitur këto si teprime sasiore shenjash dhe simptomash që i kemi të gjithë.

Shto këtu edhe zakonin që, shumë njerëz, sidomos adoleshentë dhe të rinj, e përdorin me lehtësi të madhe fjalën depresion për të shënjuar gjithfarë gjendjesh kalimtare, shpesh reaktive, dhe gjithsesi jo doemos depresive në vetvete; si trishtimi që na kaplon kur ndahemi nga e dashura, ose zymtësia e kujt nuk gjen dot punë, ose frustrimi i atij tjetrit, që është më tepër ambicioz se ç’ia lejon kapaciteti.

Nëse është kështu, atëherë lidhja mes depresionit dhe vetëvrasjes problematizohet edhe më; meqë për publikun e gjerë etiketa e depresivit i ngjitet, pa ngurrim, çdo lloj çrregullimi mendor, ndërsa vetëvrasja mbetet relativisht e rrallë, pa çka se çdo akt i tillë priret të pushtojë kryetitujt e mediave.

Autorët që kanë studiuar vetëvrasjen, si problem psikiatrik dhe social, zakonisht janë të mendimit se kjo ndodh si kombinim fatal i një numri faktorësh –siç mund të jenë ngjarje traumatike ose negative në jetën e viktimës, p.sh. divorci, humbja e punës, fyerja në nder ose poshtërimi i përsëritur, një diagnozë me sëmundje të pashërueshme, një gabim katastrofik, efektet biologjike të plakjes etj., nga njëra anë; dhe predispozita gjenetike për vetëvrasje, vetë aftësia për të vrarë veten ose për ta dhunuar trupin tënd (shumë pak prej nesh e kanë), impulsiviteti (kokëkrisja), disa çrregullime neurohormonale (të serotoninës) ose të mësuarit me dhimbjen dhe familjarizimi me vetëplagosjen nga ana tjetër (çka lidhet edhe me përdorimin e drogës); frika nga izolimi ose padobishmëria dhe më në fund prishja e perceptimit të lidhjeve me të tjerët e të pozicionit në shoqëri, ose përshtypja e të qenit barrë për të afërmit (së bashku me turpin që e shoqëron), etj.

Depresioni, në kuptimin e humbjes së shpresës, këtu është njëri prej shumë faktorëve, në një kohë që rolin themelor e luan zakonisht kombinimi i tyre.

Përballë rrethanash të tilla, dhe në pamundësi për të ndërhyrë dhe larguar shkaqet objektive ose sociale të krizës, e vetmja gjë e arsyeshme që mund të bëjnë familjarët dhe të afërmit e dikujt që tenton të vrasë veten ose thotë se ka ndërmend ta bëjë këtë është t’i drejtohen për ndihmë psikiatrit, ose psikoterapeutit, i cili është i vetmi që ka ekspertizën e nevojshme për ta ndihmuar viktimën.

Paradoksalisht, ndonjëherë edhe kujdesi i tepruar dhe shqetësimi i madh i të afërmve dhe miqve të dikujt që ka kryer një orvatje për vetëvrasje, mund të merren, nga viktima, si konfirmim i dyshimit të tij se është bërë tashmë barrë për të tjerët; dhe ta nxitin këtë për t’u orvatur sërish. E sjell këtë shembull të fundit, për të ilustruar pse zgjidhja nuk mund të vijë dot brenda familjes, as shoqërisë.

Përndryshe, shumë njerëzve u shkon në mend vetëvrasja, por fare të paktë janë ata që mund ta realizojnë. Pikërisht sot shihja rezultatet e një ankete të sapobërë publike, sipas së cilës 28.4% e japonezëve të moshës 20 vjeçare e kanë çuar në mend vetëvrasjen, krahasuar me 23.4% të popullatës së atij vendi në moshë të rritur. Natyrisht, Japonia është nga vendet me më shumë vetëvrasje: më shumë se 30,000 në vit; madje vetëvrasja për arsye nderi është pjesë e kulturës tradicionale japoneze; megjithatë, po të krahasohet shifra e 24.1 të vetëvrarë për 100,000 banorë, me përqindjen e atyre që e kanë konsideruar vetëvrasjen si opsion (praktikisht, nga këta të fundit, vetëm 1 në 1,000 e realizon opsionin në praktikë), atëherë kuptohet se problemi kryesor i dijes mjekësore dhe sociale, përballë vetëvrasjes si dukuri, është pikërisht të shpjegojë këtë diferencë të madhe midis atyre që e çojnë vetëvrasjen në mendje dhe atyre që e kryejnë, meqë psikiatria nuk mund të merret me të gjithë ata që e mendojnë vetëvrasjen, në një kohë që çdo akt i tillë individual mund të parandalohej, së paku në teori.

Shënim: të dhënat për etiologjinë e sjelljes vetëvrasëse më lart i kam nxjerrë kryesisht nga Why People Die by Suicide, nga Thomas Joiner. Përndryshe, unë nuk kam kurrfarë autoriteti dhe ekspertize në lidhje me këtë çështje, tepër serioze për viktimat, familjarët dhe të afërmit e tyre por edhe për shoqërinë në tërësi. Megjithatë, meqë bëj pjesë tani në radhët e atyre që kanë humbur një mik të afërt prej vetëvrasjes, dua të kuptoj më tepër dhe, nëpërmjet të mësuarit, e sublimoj edhe dhimbjen.

Nuk ka komente

  1. Edhe me vdekjen e vet, Klosi arriti të na mësojë disa gjëra.

  2. Meqe ne ato reshtat e fundit e paske shkarkuar tet ate nga pergjegjesia e çka ke shkruar ;), kam degjuar shpesh tim ate, qe guarda il caso, eshte koleg i tet ati, qe vetevrasjet me faktor primar depresionin kryhen zakonisht ne te gdhire, ne oret e para te mengjesit dhe ne vende demostrative. Vetevrasja e Klosit eshte paksa anormale ne kete aspekt, si per orarin e zgjedhur, ashtu edhe per vendin e fshehur. Kjo mund te jete edhe nje deshmi e faktit qe depresioni eshte nje faktor i vetem nga teresia e asaj qe te çon ne nje vendimmarje kaq fatale.
    Dhe per te mbetur ne teme, gjithnje nga goja e tim eti, kam degjuar dhe me ka mbetur i fiksuar perkufizimi qe ai i bente depresionit, si e vetmja semundje psikike e kurueshme dhe e sherueshme.

  3. “sëmundjet mendore…”

    Sëmundjet zhvillohen mbi organe (qeliza). Mëndja nuk është organ. Truri po.

    Më vjen keq për Klosin.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin