Ç’I MUNGON BAKLLAVASË

Ka njerëz që janë përpjekur ta nxjerrin Shqipërinë nga Europa, raportohet të jetë ankuar Ismail Kadareja, në një ceremoni në Prishtinë, gjatë së cilës i dhanë çmimi ndërkombëtar Ali Podrimja.

Shkrimtari bën mirë që i hap këto muhabete në Kosovë, edhe pse në gojën e tij çdo lloj diskursi shndërrohet menjëherë në mitologjik.

Në fakt, kjo narrativë e paraqitjes së shqiptarëve si viktimë e përhershme e grykësisë, keqdashjes, shovinizmit të së tjerëve sikur është lodhur tashmë.

Aq më tepër që, sikurse pranohet që ne nuk na futi kush në Europë por erdhëm aty vetë, atëherë nëse do të na nxjerrin ndonjëherë, kjo do të ndodhë sepse do të dalim sërish vetë.

Më qëlloi që e lexova këtë lajm për hyrje-daljet tona historike në Europë pikërisht kur nisa të dëgjoj një album të grupit Hespèrion XXI, të drejtuar nga muzikanti dhe muzikologu i mirënjohur katalan, Jordi Savall.

Albumi titullohet Esprit des Balkans, dhe përmban një numër pjesësh folklorike nga popujt dhe kulturat e gadishullit: serbe, rumune, greke, turke, bullgare, cigane, kurde, sefardi, maqedonase, kroate…

Çfarë mungon aty, është muzika shqiptare. Shiheni vetë listën e pjesëve!

Në këtë faqe, mund të lexoni prezantimin që ia bën vetë Savall këtij disku dhe historisë së krijimit të tij – te rubrika “Commentaires”.

Flitet aty për sllavë dhe turq, sikurse flitet për të krishterë dhe myslimanë; vend i madh u jepet sefardive – ose hebrenjve të Mesdheut: përmenden katër herë, në krahasim me Shqipërinë, e cila përmendet vetëm për të thënë se shpalli pavarësinë në 1912.

Është e vështirë ta kuptosh si ka ndodhur që një artist i kalibrit të Savall-it ka guxuar të regjistrojë një CD me muzikë për “shpirtin e Ballkanit”, duke lënë jashtë muzikën shqiptare.

Duket sikur ai anon nga ideja se çfarë e ka bërë Ballkanin të tillë, ose njësi kulturore, sa i përket muzikës, kanë qenë ciganët dhe deri diku sefarditët – ose popullsitë shtegtare.

Kjo mund të jetë deri diku e vërtetë për Ballkanin qytetar, ose muzikën e mejhaneve, sikurse duket edhe në vetë folklorin shqiptar qytetar.

Por ka një Ballkan tjetër, më të thellë, që u paraprin edhe ciganëve edhe sefardive – dhe të cilin e përfaqëson në mënyrë unike polifonia jonë e Jugut, ose edhe monofonia e Veriut.

Sidoqë ta rrotullosh historinë e Ballkanit, shqiptarët nuk i dëbon dot as nga tryezat as nga skenat; qoftë edhe vetëm për rolin që kanë luajtur në transmetimin e motiveve, skemave dhe temave muzikore në shekuj.

Që disa kanë dashur ta nxjerrin Shqipërinë nga Europa, këtë e marrim me mend; por që Savall-i, një artist që e respektoj dhe ia ndjek muzikën, t’i nxirrte shqiptarët nga Ballkani, këtë nuk kemi si ta përfytyrojmë.

Nuk ka fat më të hidhur për një popull, se tejdukshmëria; ose çfarë ndodh kur të tjerët shohin tej për tej, dhe nuk vënë re që je aty, dhe që ke qenë prej kohësh, me hallet dhe haretë e tua, gazet dhe vajet, këngët dhe vallet.

Çfarë të habit edhe më, është që shqiptarët prej kohësh dërgojnë këngëtarët e tyre në Eurofestival, duke ia bërë vetes një vend në hartën e Europës muzikore pop; pa çka se muzika e tyre folk duhej ta kish fituar këtë vend më parë, dhe shumë më meritueshëm.

Si admirues i përpjekjeve për ta dëgjuar muzikën shqiptare autentike (në kuptimin relativ të fjalës) të interpretuar në skenat europiane nga muzikantë të kalibrit, prisja që Savall-i të përftonte e të përcillte atë që të tjerë nuk kanë arritur.

Dhe këtu kam parasysh edhe përpjekje hibridizimi, si ajo e albumit Kabatronics, nga Fanfara Tirana dhe Transglobal Underground, që më kanë lënë të zhgënjyer.

Ciniku brenda meje më thotë se, nëse duam të hyjmë në Europë si klounë me çdo kusht, doemos që të tjerët do të maten, para se të na hapin dyert.

Por ky arsyetim, njëlloj si ai i mësipërmi i bazuar në fjalët kriptike të Kadaresë, çalon; sepse përjashton rolin që mund të luanin, por që nuk e kanë luajtur, muzikantët, kompozitorët dhe interpretët shqiptarë në këtë proces.

Në këtë kontekst, për të qenë europianë, do të na mjaftonte të konstituoheshim si shqiptarë autentikë; jo duke u mimetizuar, për t’u ngjarë të tjerëve, por duke e gjetur veten në produktet tona kulturore, edhe në ato që i ofrojmë botës.

Madje, madje, një album si ai i Savall-it fare mirë mund të ishte prodhuar në Tiranë ose në Prishtinë – i kemi edhe muzikantët, edhe producentët, edhe instrumentet; madje edhe ciganët vetë, që na i lakmon bota mbarë…

Nuk ka komente

  1. Në të vërtetë, kjo e mëshuara e përditshme identitetit tonë, që ne qenkëmi çfarë qenkëshim, na intereson veç neve që e përsërisim aq shpesh, a thua se vetë paskëshim dyshime për këtë.
    Nëse dyzet vjetët në shkretëtirë – për të dalë tek hebrenjtë, siç po mëtonte Kadareja – na larguan nga Europa, për këtë e patëm fajin vetë, po të mos marrim parasysh që P.K. u themelua nga jugosllavët, ishte marionetë e rusëve dhe e kinezëve e të tjera si këto.
    Është bërë vërtet i lodhshëm nacionalizmi vend e pa vend e nuk mbeti kush – përfshirë dhe Kreshnik Spahiun këtu – që nuk po e tund këtë zilkë. Edhe vetë Kadareja nuk do të bënte keq sikur të merrej me ndonjë problem më jetik, ta zemë, korrupsionin, apo të bënte ndopak autokritikë për “Dimrin e vetmisë së madhe” e të tjera si këto, që po kërkon ende të na i shesë për kryevepra. Për t’i ndenjur krahasimit me hebrenjtë, do i binte sikur të kishte shkruar një panegjirik për Hitlerin.

  2. Be fakt Kadareja, paveresisht deklaratave shpesh qesharake, ka bere shume per dukjen e shqiptareve ne Ballkan por dhe me gjere. Ndersa mungesa e Shqiperise ne listen e Savallit eshte thuajse absurde. Por me sa shikoj nuk mungon vetem Shqiperia por edhe Sllovenia. Ndoshta Savall ka ndermend te beje nje permbledhje te dyte. Kjo do ta shpjegonte sadopak mungesen. Ne te kundert ka vetem nje mundesi ne kete liste qe dominohet nga Serbia dhe Bullgaria; ate qe Savall ka pasur nje keshilltar te keq, me shume gjasa ballkanik qe i ka sugjeruar se s’ka asgje interesante ne Shqiperi apo edhe Slloveni.

    Ndersa persa i perket dukshmerise se muzikes shqiptare, une mendoj se ajo eshte ne nje pozite te mire. Perpara nje viti BBC i dedikoi nje emision me dy pjese qe mund te degjohet edhe online:
    http://www.bbc.co.uk/programmes/b01bs9ds

    Pervec kesaj, Grupe te tilla muzikore si ai i Elida Dunit, Gjon Guralumit apo edhe Fanfara Tirana jane gjthmone e me aktiv, keshtu qe fajin Savallit nuk ia ka askush vec vetvetes… dhe keshilltari i tij mendjengushte.

  3. Ne te vertete kjo puna e Kadarese me identitetin evropian eshte si puna e atij qe do te dilte çdo dite ne ballkon e te deklaronte se : “nuk jam budalla”, ne nje kohe qe askush nuk e pat vene ne dyshim. Prandaj e gjithe logjika e ketij shkrimi eshte e drejte dhe na ben te gezohemi.

  4. ”’Por me sa shikoj nuk mungon vetem Shqiperia por edhe Sllovenia.”’

    Sllovenia nuk eshte Ballkan, ka qene vetem gjate kohes se Jugosllavise, per hir te Jugosllavise.

    ”’Nuk ka fat më të hidhur për një popull, se tejdukshmëria; ose çfarë ndodh kur të tjerët shohin tej për tej, dhe nuk vënë re që je aty, dhe që ke qenë prej kohësh, me hallet dhe haretë e tua, gazet dhe vajet, këngët dhe vallet.”’

    Tejdukshmeria eshte simptome e mediokritetit, ne rastin tone behet fjale mediokritetin politik, kulturor, territorial e demografik. Te gjitha jane pasoje e nje mediokriteti kronik teknik, ne kuptimin grek te ”techne”, te dish te besh.
    Te dinim te beheshim bashke njehere e nje kohe, do pushtonim e kolonizonim territore, do shtohej popullsia, do kishim rrjedhimisht qytete te medha, do zhvillohej qytet-erimi, s’do ngelej ne stadin e kult-ures ( kultit e kultivimit), monofonise e polifonise.
    Sot per sot, per te kapercyer stadin e kult-ures, nevojitet nje metropol prej 1.5-2 milion milion banoresh, i cili eshte i pamundur per demografine e RSH-se. Ne kushtet moderne, vetem nje qytet kaq i madh, ka kapacitetin dhe tensionin e nevojshem per te prodhuar qyteterim (ballkanike te tjere i kane; Beogradi, Sofia, Athina).

    Kadareja nuk ben ‘kthese’, te pakten jo ne kuptimin e dhene ketu, te nje faji ontologjik. Kthesa e tij gjendet tek konfirmimi i natyrshmerise se perkatesise europiane te shqiptareve dhe natyrshmerise se Kosoves si pjese e padiskutueshme e kombit (s’ka me 3 vaje apo elegji per Kosoven, as nevoje per bashkejetesen e rrjedhimisht bashkeperkatesine shqiptaro-serbe te saj).

    Kadareja ndergjegjesohet per ate qe mund te quhet panevojshmeria strukturore e viktimizmit ne gjendjen e sotme. Kemi mbijetuar, jemi europiane, tani te mesojme si te dalim nga prapambetja teknike ( e teknologjike), nevojitet nje zhvendosje epokale e aksit mendor. Mbijetesa kerkon tension te madh identitar, i cili konsumon energji te medha, te cilat kur garantohet mbijetesa dhe qendrueshmeria identitare, mund te perdoren tjeterkund, ne radhe te pare ne techne.

  5. Teper interesante nderhyrja e AK. Do ta zgjeroja shikimin e tij per nevojen e metropoleve per krijimin e vlerave, apo atje ku mundesohet “techne”, ne domosdoshmerine e arritjes te nje mase kritike te kombeve. Eshte epoka e kombeve dhe ato me te fuqishmet ngrene edhe perandorite moderne.

    Por le te kthehemi tek shqiptaret. Eshte e domosdoshme perfundimi i procesit te ngjizjes kombetare. Prandaj rilindja do te mundesohej vertete nese shqiptaret ne Ballkan do t’i meshonin me shume gjerave qe i bashkojne, se sa atyre qe i ndajne. Vetem atehere, shqiptaret kombesisht te bashkuar mund te prodhojne vlera e te mundesojne “techne-n”.

    Kadareja mendoj se ka perfituar ontologjikisht prej nje procesi evolutiv brenda tij, qe deri diku, ka qene i suksesshem. Te tjere intelektuale, ontologjine mbi boten dhe ceshtjet e shqiptarise e kane te mbetur brenda ne istikamet e ideologjise qe i rriti. Keshtu qe “faji ontologjik” i tij mund te jete me shume i predestinuar, megjithe perpjekjet e tij per te kuptuar pertej botes shqiptare te izolimit. Nuk do te kerkoja me shume prej tij, as edhe ne krijimtari, sepse maksimumi i tij nuk mund te shkoje pertej qytetit te gurte apo pallatit te endrrave.

    Ne keto njezet vjet post komunizem, me te drejte, si barke shpetimi, ai ka kuptuar nevojen e arritjes te nje konsensusi mbare kombetar ne trevat e Ballkanit. Permasa kombetare duhet te arrije masen kritike. Ky eshte shpetimi i shqiptareve.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: