Ç’BËRI NJË ZERO

Në përpjekje patetike për të ndihmuar publikun në “luftën” kundër koronavirusit, edhe Gazeta Si kish botuar dje “Protokollin e mjekut të njohur Oz kundër Covid-19”, ku mes të tjerash jepen këshillat e mëposhtme për “mbështetjen e imunitetit”:

Lexojeni edhe një herë: doza e sugjeruar e zinkut është “rreth 800 mg në ditë.”

Te faqja me këshilla nga dr. Oz, nga ku besoj se është përkthyer shkrimi, doza e sugjeruar është 80 mg.

800 mg zink do të ishte, besoj, vdekjeprurëse – edhe pse trupi do të mbrohej njëfarësoj ndaj këshillës së Gazetës Si, përmes të vjellit. Ideja e përkthyesit mbase ka qenë që të eliminohet virusi duke eliminuar edhe bartësin përkatës; por nuk kemi arritur deri në këtë shkallë dëshpërimi.

(edhe këshilla e Oz-it për të marrë shurup ose karamele me elderberry katër herë në ditë për 5 ditë është shqipëruar, në mënyrë krijuese, si “shurup ose lëngje katër herë në ditë për pesë ditë”, pa e përmendur fare elderberry-n dhe duke i përkthyer karamelet (losenges) si “lëngje”: në fakt, anglishtja losenge, sikurse e kanë vërtetuar disa paleologë në Shqipëri, vjen nga pellazgjishtja “lëng”, dhe le të plasin ata që nuk na duan.

Shkova rastësisht te kjo faqe: nuk i kam kontrolluar dot këshillat e panumërta, që gjen anembanë Internetit shqip. Por kam frikë se ky gabim, i tipit “ç’bëri një zero”, nuk është i vetmi.

Këshilla ime për t’u mbrojtur nga koronavirusi: qëndrojuni larg këtyre paçavureve të papërgjegjshme dhe zerove të tyre: ruani gjyshet nëse i keni, dhe ndiqni këshillat e tyre të kujdesshme.

© 2020, Peizazhe të fjalës™.

 

3 Komente

  1. Portali “L….com” keshillon qe duart NUK duhet te lahen me uje TE NGROHTE, pasi nga larjet e shpeshta, uji i ngrohte nxit tharjen e lekures, qe pasohet me plasaritjet e saj, prej nga mund te depertoje virusi Covid19.
    Portali “R….com”, keshillon qe duart te lahen me uje TE NGROHTE, pasi uji me temperature mbi 25 grade mundeson me shume shkume sapuni, qe nga ana e saj shkrin mbulesen yndyrore te virusit dhe e vret ate.
    Dhe jane portale “prestigjoze”.
    Prej disa ditesh madje, ka edhe portale te cilat e kane shpikur vaksinen!

  2. Desha te sjell lezetin e dites, portalin qe rekomandonte masturbacionin si menyre efikatese per te shpetuar njerzit nga koronavirusi edhe pse pa percaktuar dozen ditore, por me mire keshtu se nuk e di çdo te kishte ndodhur po te gabonin edhe ata e t’i shtonin nje zero nga pas. Por ne çastin e fundit u kujtova se portali ne fjale nuk mund te akuzohet per gjesendi sepse e kishte marre ate rekomandim nga Bild. https://alusa.live/2020/03/24/bild-pse-masturbimi-te-mbron-nga-koronavirusi/

    A thua se se fundi doli edhe sekreti i mireruajtur i Gjermanise qe shpjgeon gjendjen e saj relativisht te kenaqeshme?

  3. Falë zotit, gazeta “Si” në këtë rast do të merrte në qafë vetëm një numër të kufizuar lexuesish të saj. Por si i bëhet hallit, kur qeveritë e një numri të pakufizuar vëndesh kanë zgjedhur të ecin në gjurmët e një supershteti, i cili e ka në program marrjen përsipër vetë të zgjidhjes të cdo problemi shoqëror? Kjo që po ndodh është vërtetë e çuditshme, një eksperiment me pasoja të pallogaritëshme! Të flakësh pa më të voglin hezitim “kujdesin e gjysheve” dhe të mos marrësh në konsideratë “…këshillat e tyre të kujdesëshme”, pa folur këtu për dashurinë e pamatë me të cilat ato mbështillen dhe ta zëvëndësosh këtë me kujdesin qeveritar, kjo është vërtetë diçka e çuditshme, e pangjarë më parë. Askush nuk mund të mohojë arritjet shkencore si tregues bazë në luftën për mposhtjen e të keqes. Por me masat që po ndërmerren, duke mos marrë në konsideratë mejtet tradicionale me të cilat njeriu është përballur me të keqen në luftën për mbijetesë, dhe për më tepër duke i flakur forcërisht ato si të rrezikshme për rastin konkret, kjo duket thjesht si një përpjekje mekanike, fatkeqe, të cilës, mjerisht, i mungon pjesa më sinjifikative e prezencës së shpirtit njerëzor.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin