KRITIKË APO QOKË?

Një temë që ia vlen të nxirret në pah, për kritikën letrare, është se dikush duhet të angazhohet rregullisht në kritika, që ta marrin seriozisht për ato që shkruan.

Kjo sepse kritikut i duhet jo vetëm të jetë i paanshëm, por edhe të ketë një reputacion se është i paanshëm; dhe jo në kuptimin që të mos ketë preferenca dhe shije, por në kuptimin që të mos jenë preferencat dhe shijet, ato që e motivojnë për të shkruar.

Dhe e vetmja mënyrë që di unë, për ta krijuar këtë reputacion, është rregullsia, rekurrenca, rubrika.

Nëse kjo nuk ndodh, dhe nëse një kulturë nuk e sheh të nevojshme ta mbajë gjallë si praktikë, atëherë kritika nuk do ta përmbushë rolin e vet elementar.

Do të më thonë: po ja, nuk është se kritika nuk ka; herë pas here dalin shkrime të niveleve të ndryshme, edhe si recensione edhe si analiza, për librat e rinj dhe të spikatur.

E megjithatë, rreziku gjithnjë ekziston që këto shkrime, sa kohë që vijnë nga autorë që veshin vetëm rrallë e sporadikisht petkat e kritikut, do të perceptohen si qoka (kur janë pozitive) ose si larje hesapesh (kur janë negative).

Ta zëmë se profesori i nderuar A.A., titullar i letërsisë shqipe në një universitet po aq të nderuar, vendos të shkruajë një analizë kritike të një romani të ri, që i ka pëlqyer.

Lexuesi, që me të drejtë nuk e njeh A.A.-në si kritik dhe nuk e mban mend të ketë shkruar për ndonjë libër më parë, do të pyesë se çfarë e ka shtyrë që të ulet dhe të shkruajë për këtë roman tani; dhe gjasat janë që të nxjerrë përfundimin se A.A. e bën këtë për qokë.

Për ata që e duan letërsinë, nuk ka gjë më të shpifur se qoka; e cila jo vetëm mbulon me vlerë të rreme diçka që mbase edhe kish vlerë letrare por që tani nuk do ta ketë më; por edhe diskrediton vetë funksionin e analizës letrare, dhe pikërisht ndërmjetësimin mes lexuesit dhe veprës.

Sepse e vetmja gjë që arrin qoka t’i komunikojë lexuesit është se autori i qokës dhe autori i veprës janë miq dhe në kontroll të fatit të tyre letrar.

Por vini re: kjo ndodh edhe kur autori i shkrimit nuk niset nga dëshira për t’i shkelur syrin autorit, por nxitet nga ndonjë motiv tjetër – për shembull, për të treguar si duhet shkruar një kritikë letrare, ose ngaqë dëshiron t’i bëjë qejfin botuesit të librit (qokë e një lloji tjetër).

Çështja është si do ta perceptojë këtë lexuesi.

Për fat të keq, kritikat që dalin sot në mediat, përfshi edhe revistat dhe sajtet e specializuara, janë zakonisht qoka; dhe kjo dëmton rëndë edhe vetë idenë që ka publiku, për funksionin e kritikës brenda sistemit letrar.

Përkundrazi, po të kishim një grusht kritikësh të specializuar, që të shkruanin rregullisht për librat, atëherë nuk do të kishim më arsye të dyshonim për qoka. Sepse këta kritikë – të themi të atashuar pranë mediave letrare kryesore – do ta kishin objektivisht të pamundur qokën. Në kuptimin që, edhe po të preferonin një vepër ndaj një tjetre ose ta tepronin për mirë ose për keq në raste të caktuara, këto shkarje të rastit do të ishin megjithatë të papërfillshme, në raport me masën e shkrimeve kritike rutinë.

Kjo nuk do të thotë që kritiku, për t’u parë si i tillë, duhet t’i trajtojë të gjitha veprat njëlloj. Kudo në botë ka kritikë që preferojnë avant-gardën dhe eksperimentin, sikurse ka kritikë që preferojnë modelet tradicionale; ka kritikë që preferojnë realizmin dhe letërsinë e angazhuar, sikurse ka kritikë që preferojnë formalizmin; ka kritikë që e adhurojnë post-modernizmin, sikurse ka kritikë që e urrejnë post-modernizmin, e kështu me radhë.

Kritiku edhe ai e shpreh personalitetin e vet letrar nëpërmjet shijes që tregon; por publiku sërish do ta respektojë, nëse i qëndron asaj shijeje besnik, pavarësisht nga vepra që i bie në dorë.

I vetmi kusht dhe kriter, që gjëra të tilla të ndodhin edhe te ne, është rregullsia. Kur rregullsia mungon, atëherë vendin kritikut ia zë qokatari; dhe publiku me të drejtë do të pyesë: çfarë e shtyu A.A.-në të shkruajë për romanin e ri të B.B.-së?

Dhe nëse është kështu, atëherë tek ne është sistemi që kemi ndërtuar, që i përjashton kritikët, jo kompetenca dhe gatishmëria e individëve me ekspertizën përkatëse. Dhe kur përjashton kritikët, sistemi vetvetiu anulon edhe gjykimin për veprat letrare, duke ua lënë qokatarëve në dorë, që të ndërmjetësojnë mes veprës dhe lexuesit.

Ose pikërisht atyre personazheve, të cilët kur shkruajnë për një vepër, nuk kanë në mendje lexuesin e saj, por autorin; dhe synojnë që t’ia blatojnë këtij autori vlerësimin e tyre si dhuratë.

Thashë personazhe dhe jo persona, sepse jo çdo shkrim kritik është qokë; e megjithatë, kur mungon kritika profesioniste (e rregullt, rekurrente, rutinë), lexuesi do të priret që t’i lexojë të gjitha kritikat si qoka.

Vëreni tani çfarë do të shkruhet për librat e rinj, gjatë dhe pas Panairit, dhe le të flasim për këtë sërish muajin tjetër.

© 2021 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin