QË SHQIPJA TË MOS JETË THJESHT SHQIPONJË

nga Eda Derhemi

Qendra e Botimeve për Diasporën që merret edhe me promovimin dhe zhvillimin e shqipes në diasporën shqiptare, më bëri pesë pyetje nën titullin “Gjuha shqipe në mërgatë”. Vijojnë përgjigjet e mia.

  1. A është e rëndësishme për brezat e rinj të shqiptarëve jashtë vendit që të ruajnë gjuhën shqipe? Nëse po, për çfarë mendoni se u shërben?

Nuk mund ta theksoj mjaftueshëm se sa e nevojshme them se është shqipja për emigrantin, si brez i parë, si i dytë, e më pas i tretë. Fjala “e nevojshme” për mua lidhet më shumë me rolin e gjuhës në atë çka individi është, rolin si tullat në të cilat konsiston identiteti i personit. Padrejtësisht fjala “e nevojshme” konceptohet së pari si karakteristikë e lidhur me efekte materiale, praktike, dhe konkrete. Edhe si e tillë, ruajtja e shqipes për ta është e nevojshme:

a) studimet bashkëkohore sistematikisht thonë se shumëgjuhësia ka efekte pozitive për zhvillimin e aftësive të caktuara kognitive dhe emocionale.

b) shqipja është një njohuri me avantazhe praktike të njohura për përdoruesin – ata që e kanë, e shkruajnë në CV, dhe shqipja bëhet element i mjaftueshëm për të krijuar “listën” e gjuhëve; e përmendin kur aplikojnë në universitete ose punë të caktuara që duan njohje gjuhësh europiane, ballkanike, të rralla, LCTL-e, me interes strategjik etj.; në universitet, që të marrësh diplomën, duhet të kesh një numër të caktuar kreditesh për gjuhë të huaj. Plot studentë me origjinë shqiptare vijnë në zyrën time të marrin një shkresë që vërteton se njohin shqipen për një nivel të caktuar, dhe që pastaj i lejon të mos paguajnë për 2-4 kurse universitare gjuhe të huaj.

Por kryesorja, siç thashë, është vlera simbolike identitare e gjuhës, me konsekuenca psikologjike komplekse. Dihet që identitetet janë shumëfishe, shumë-shtresash dhe të ndryshueshme. Por ama, shumica e të rinjve shqiptarë në mërgim, vetë-identifikohen si shqiptarë, edhe kur nuk kanë lindur në Shqipëri. Shumica e tyre janë brez i dytë mërgimi (dhe, edhe brez fare i ri, i tretë, që ende s’e dimë si do identifikohen) – kjo, veç popullsive shqiptare prej Kosove, Maqedonie dhe Mali të Zi që janë emigrantë edhe më të hershëm se ne. Ky brezi i dytë, nuk kafshohet aq fort nga pamundësitë dhe hallet sa brezi i parë; gjithashtu, edhe eksploron me kuriozitet dhe pasion hapësirat tranzitore dhe ndërfaqëshe mes kulturash dhe etnicitetesh. Këta, që herët nisin e mbulohen me tatu simbolesh shqiptare, ndjekin mediat sociale të lidhura me Shqipërinë apo këngëtarë e grupe muzikore shqiptare në të gjitha hapësirat e mundshme. Duan fort t’i takojnë komunitetit shqiptar.

Por kur provojnë realisht e seriozisht ta bëjnë këtë, gjuha bëhet një pengesë e madhe. Një pjesë nuk e flet hiç shqipen, edhe kur i kanë të dy prindërit shqiptarë. Ka të tjerë që e flasin pjesërisht, por nuk e shkruajnë dhe as e lexojnë. Plot të rinj nuk e njohin slangun shqip, dhe kjo i mundon si mungesë që e bën të paplotë prerjen identitare mes moshës dhe etnicitetit; por shpesh nuk njohin as ato shtresa e sisteme të shqipes që kujtojnë se i njohin si pasojë e ndjesive pozitive ndaj shqiptarizmës. Mundësia e të mësuarit të shqipes për ta do ishte edhe mundësi e krijimit të një lidhjeje reale me Shqipërinë, një plotësim i një identiteti përndryshe të mangët e fluturak, një zbritje me këmbë në tokë dhe njohje reale e vetes dhe elementeve jomitike të shqiptarisë. Thënë më shkurt, gjuha do i maturonte duke u dhënë edhe dinjitet individual e kulturor.

Vë re ndryshimin mes amerikanëve (individë) me kujtesë etnike, dhe atyre pa të: krahasoj një amerikan që e di nga cili qytet apo fshat i Suedisë, Indisë, Polonisë, apo Kinës a Italisë ka ardhur, që ua njeh atyre historinë, kulturën dhe aq më shumë edhe gjuhën, dhe një tjetër amerikan që ka një njohje opake dhe di vetëm se të parët kanë ardhur prej Italie apo Finlande. Kategoria e parë ka shanse shumë më të mëdha të jetë tërheqëse jo vetëm në marrëdhënie me miq e të njohur, por në tregun e punës, në emetimin e një transnacionalizmi pa pozë, në aftësi kreative, në krijimin e një familjeje dhe jete më të plotë dhe interesante.

  1. Gjuha shqipe ndihmesë apo pengesë për integrimin e shqiptarëve jashtë vendit?

Është fatkeqësi që mes shqiptarëve ende bëhet kjo pyetje. Këtë çështje shkencat sociale dhe ato të psikologjisë eksperimentale e kanë zgjidhur me kohë. Pyetja tregon të qenët tonë së paku 50 vjet mbrapa. Humbja e gjuhës, herët a vonë, do i shfaqet individit si mangësi, edhe sikur të mos jetë i ndërgjegjshëm për mangësinë. Mëkat për kë nuk e kupton! Integrimi social e kulturor me dy gjuhë apo edhe tre, bëhet më lehtë e më mirë. Nëse ky integrim nuk ndodh, nuk është gjuha arsyeja apo pengesa. Dy-gjuhësia dhe dy-kulturësia, përkundrazi, janë faktorë që lehtësojnë integrimin në sisteme të reja.

  1. A duhet të ketë një politikë shtetërore për mbështetjen e përhapjes së gjuhës shqipe në botë dhe cili është roli i insitucioneve shtetërore në këtë proces?

Nga pozita ime ideologjike, shteti ka, së pari, përgjegjësi morale. Vetëm rrallë qëllon që një individ merr rrugët e botës [për punë e jetesë, jo për turizëm] nga dëshira e papërmbajtshme që të eksplorojë horizonte politike e kulturore të ndryshme e të largëta prej të vetave. Mërgatat krijohen nga ata që vendi i vet nuk i mban as me punë, as me bukë, as me dinjitet; ose që nuk u jep liri. Pra shteti, për mua, është përgjegjës për “të ikurit”, valët centrifuge të të cilëve nuk shterin edhe pas 30 vjetësh “demokracie”, demokraci që u dha edhe lirinë të marrin rrugët e botës.

Por kjo nuk është thjesht çështje etike. Dihet që politika e një shteti flet gjuhën e interesit më mirë se moralishten. Ndaj edhe unë do e shpjegoj nëpërmjet gjuhës praktike. Edhe pa bërë analizën morale, politika ka plot arsye praktike që të merret me shqipot në mërgim. Dhe sa më gjatë ata të kenë një shqipe të gjallë, aq më gjatë do jenë shqiptarë dhe të lidhur me origjinën. Ekonomikisht, për investime e turizëm, lidhja e mirë me shqiptarët e ikur është e çmuar; potenciali i tyre për të votuar do ishte me shumë interes, sido që, shumë, nuk votojnë ende; nëpërmjet tyre Shqipëria gjithashtu do rriste imazhin dhe pushtetin e vet influencues në botë; dërgesat e këtyre shqiptarëve kanë qenë pjesa më e pastër e parave të hyra në Shqipëri pas ’90-ës dhe zbutëse të varfërisë së popullsive të të gjithë grupeve sociale dhe gjeografike. Shtetit i intereson t’i mbajë ato gjallë sa më gjatë, për arsye ekonomike. Kuptohet që ne jemi një vend europian me shtet të dobët në raport me shtete të tjera më të fuqishme e me traditë të gjatë, e sidomos, shërbyer nga qeveri, shpesh, të papërgatitura teknikisht dhe me sisteme administratash të korruptuara. Si të tillë, e kemi më të thjeshtë të injorojmë ose të konsiderojmë si të parëndësishme marrëdhëniet me diasporën.

Kishim më në fund një ministri që mendova se do ishte një e mirë e madhe, por edhe ajo u eliminua. Ndoshta, sepse puna që bënte ishte punë duku, si shumica e ministrive dhe agjencive tona që mendojnë se paratë e taksave janë pronë drejtuesish. Ndoshta, sepse këshilluesit e kryeministrit ende nuk kuptojnë vlerën e diasporës për Shqipërinë… që është popullsi diaspore më shumë se popullsi brenda kufirit shtetëror. Për ta kuptuar sa humbasim, vetëm mendoni sa agresivë janë shtete më të fuqishme se ne kur është fjala për mbajtjen gjallë të gjuhës së tyre në diasporat përkatëse,  dhe të mësuarit e saj nëpër botë! Kam parasysh Francën, MB, Italinë, Spanjën, Gjermaninë, por edhe vendet e Lindjes ish-komuniste, dhe madje edhe disa nga Ballkanet janë më largpamëse se ne lidhur me investimet për mbajtjen e gjuhës në diasporë. Shoh p.sh. ndërhyrjet e shtetit francez në mbajtjen gjallë të katedrave që japin frëngjisht në ShBA, çmimet nderuese që jep për nivel të mirë të frëngjishtes nga amerikanët, harxhimet për të mbajtur afër dhe mobilizuar diasporën e vet të vogël e të çuditshme në Amerikë, lidhjet disa-palëshe mes katedrave me qendrën në shtetin francez, rolin mobilizues të ambasadave, si edhe me gjithë ish-kolonitë që janë sot fort qartë neo-koloni franceze. Nuk ka mënyrë më të mirë për të ruajtur dhe reklamuar etnicitetin dhe kulturën, sesa gjuha… flas për reklamë me qëllime ekonomike dhe politike kësaj radhe. Nëse këtë nuk e kemi kuptuar mirë ende, duhet t’i biem sa më parë dhe sa më fort kësaj kambane.

Shqipja në diasporë, pa dyshim, mbahet gjallë së pari nëpërmjet shkollave për të vegjlit e të rinjtë që janë motorë të përdorimit, duke imagjinuar se do kemi një mërgatë solide në sjelljen e vet pro-shqipes; por shteti mund të ndërhyjë në shumë forma të tjera. Disa nga shkrimtarët më të mirë të shqipes sot janë në diasporë. Atyre u duhet të hyjnë në marrëdhënie shpesh të pafavorshme me botuesin që detyrimisht është shqiptar, sepse këta shkrimtarë në mërgim janë si peshku pa ujë, sado i talentuar dhe prodhimtar të jetë “peshku”. Ata nuk e arrijnë dot publikun shqiptar si e arrin një shkrues i shqipes në hapësirat shqipfolëse. Për ta institucionet duhet të krijojnë lehtësira, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në pikat e nxehta të shqipes, atje ku ne kemi dendësi më të mëdha mërgimtare. Duke organizuar promovime të librave të tyre -ku shkrimtarët bëhen jo vetëm altoparlantë të librit të vet, por edhe promovues të shqipes- nuk ndihmohet vetëm mbijetesa frymëpakë e tyre, por edhe mbijetesa e shqipes në diasporë.

  1. Përtej politikave shtetërore, cilat mendoni se mund të jenë rrugët më efikase për mbështetjen e mësimit të gjuhës shqipe jashtë vendit?

Pa dyshim që mund të ketë edhe rrugë të tjera, por ato janë, për vetë mënyrën e organizimit dhe financimit, sporadike dhe të dobëta. Ne nuk kemi komunitete të lidhura mirë nëpër vendet ku jetojmë. Klubet shqiptare nuk merren seriozisht prej vetë komunitetit: komuniteti kulturor dhe etnik është shpesh i reduktuar në çështje festash, bëhet me hope, dhe më shpesh është edhe çështje dukjeje e protagonizmi. Nuk jemi komunitet që meditojmë dhe japim gratis; duam më shumë të dukemi dhe të marrim. Nuk kemi organizata vërtet aktive dhe me programe të qëndrueshme që të mund të organizonin si duhet mësimin e shqipes, as edhe në ato vende ku baza mërgimtare ka qenë ekzistuese shumë kohë para viteve ‘90. Kjo nuk do të thotë se mësimi i shqipes nuk ndodh në shumë vende të botës thjesht për iniciativa individuale dhe që nuk kemi idealistë; por janë të paktë. Lëvizjet nga poshtë kanë dinamizëm të jashtëzakonshëm dhe do ishin fantastike, po t’i kishim. Krijimi i një tradite të tillë të re është i mundshëm, sigurisht; por përshpejtimi i mësimit masiv të gjuhës ndër të rinjtë e diasporës shqiptare është çështje që do shpejtësi, shpërndarje ekstensive, dhe efikasitet. Vetëm shteti mund të arrijë këtë lloj aksesi dhe suksesi.

  1. Çfarë është për ju gjuha shqipe?

Shqipja është ekzistenca ime më e vrullshme dhe më e thellë, por edhe më e rehatshmja; është edhe indi që më natyrshëm m’i bën njësh të shkuarën, të ardhmen, dhe të tashmen.

(c) 2021 Eda Derhemi. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Rreth Autorit

Eda Derhemi jeton e punon në Champaign-Urbana të ShBA-ve. Pasi punoi si pedagoge e gjuhësisë në Universitetin e Tiranës (1985-1990), ajo emigroi në Itali, e më pas në ShBA. Përfundoi një Master (Linguistics) dhe një PhD (Communications) në Universitetin e Illinoisit në Urbana-Champaign, ku, prej shumë vjetësh, punon si pedagoge me fokus kurse për gjendjen sociolinguistike në Itali, Mesdhe dhe Europë. Pas doktoratës, ka kryer dy herë kërkime post-doktorale 1-vjecare: në Kosovë mbështetur prej IREX, dhe në Tiranë mbështetur prej Fulbright. Puna e saj shkencore është ndërdisiplinore dhe ndërthur gjuhësinë me etnicitetin, politikën, ligjin, dhe kulturën. Pakicat gjuhësore dhe rrezikimi i ekzistencës së gjuhëve minoritare në Europë, sidomos gjendja e arbërishtes dhe arvanitishtes, janë qendrore në punën e saj. Mbetet shumë e lidhur me shqipen dhe Shqipërinë, sido që ka mbi 30 vjet që nuk është banuese e përhershme në Tiranë. Gjyshja e saj nga Tirana (nona), dhe Tirona e Vjetër me zakonet e veta i janë vazhdimisht në mendje. https://www.routledge.com/Endangered-Languages-in-the-21st-Century/Derhemi-Moseley/p/book/9781032196749

Author Archive Page

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin