MBI KRUESET E DHËMBËVE NË POEZI

Menjëherë po jua heq kureshtinë e titullit.

 

Shën Helenë

Në vaskën e plumbtë
vetë uji
derdhet
kur hyj brenda 

të qëroj petë-petë
ekzemën
nga mishi i shpirtit. 

Kam shumë
trofe varur rrotull
por të gjithë pyesin
vetëm
a është kallpe
koka e drerit.

Në sulm!
Përpara!
Bukëpeshku
i kuzhinës nuk lë
të dëgjojë
ushtria ime
prej kruesesh dhëmbësh.

Poezia flet për humbjen, për shpartallimin e shpresave. Që nga titulli e kuptojmë se për kë bëhet fjalë, ndonëse emri nuk del gjëkundi: janë vitet e fundit të Bonapartit të madh si metaforë universale e shkatërrimit njerëzor pas betejave të jetës, iluzioneve të humbura, zhgjëndrrave…

E për autorin e vargjeve, ç’mund të themi? Një gjë të sigurt: duhet të jetë shqiptar, se poezia është në shqip. Po le ta japim tani poezinë në përkthimin anglisht, bërë nga Brenda Porster:

Saint Helena

In the lead tub
the water spills over
in person
when I get in

to scale off
the eczema
from the flesh of the soul.

I have many trophies
on the wall
but everyone asks
only
if the deer head
is fake.

To battle!
Onwards!
The kitchen papier-mâché
won’t let me
listen
to my army
of toothpicks.

Po ta analizojmë filologjikisht tekstin anglisht, ndonjë shmangie të vogël edhe do ta gjejmë, por në këtë pikë duhet thënë që Brenda përkthimin e ka bërë nga versioni italisht i autorit, jo drejtpërdrejt nga origjinali. Nejse, nuk desha të vë këtë në dukje. Desha të vë në dukje që, e dhënë kësisoj, anonime dhe në një gjuhë “universale” si anglishtja, askush nuk është më në gjendje të thotë diçka për autorin. Cilido autor, nga cilido vend i botës (përfshi edhe Francën) mund t’i kish shkruar këto vargje.

Kështu, pra, bëmë një arsyetim të thjeshtë dhe zbuluam misterin e krueseve të dhëmbëve. Se nga ato do ta rinisim. Kemi të njëjtin autor, po kësaj radhe poezia është e shkruar në italisht dhe, ç’është më e keqja, nuk kemi versione në gjuhë të tjera.

Lo stuzzicadenti

Ah sì lo stuzzicadenti
me lo ricordo
eravamo in quel tal ristorante
i telegiornali tuonavano
i giornali con titoli in prima pagina
sul piano quinquennale
realizzato con eccedenza
e tu chiedesti
uno stuzzicadenti “ma per favore”
hai detto al cameriere “per favore
che non sia usato”.

Në këtë histori (të dëgjuar) që autori, vite më pas, e ka hedhur në vargje, Kruesja e Dhëmbëve bëhet e përveçme, hipën në piedestal. Po tjetër? Tjetër mund të themi që kjo poezi është e kundërta e të parës. Atje kishim metaforë, këtu ironi. Kemi të bëjmë përsëri me një trop, si figurë retorike, por, ndërsa metafora bashkëvë, me anë të një procesi asociativ psikik dhe gjuhësor dy realitete të ndryshme në të njëjtin plan ndiesor, ironia nënkupton të kundërtën e asaj që shpreh, se ka për qëllim të nxjerrë në pah boshin e një ideje që bën sikur e mbron. Por, mbi të gjitha, mund të themi që, edhe e lexuar kështu në një gjuhë që nuk është shqipja dhe pavarësisht se emri “Shqipëri” nuk del gjëkundi, seç kemi diçka familjare që një lexues i vëmendshëm e kupton nga penelatat e bojrave të shtresëzuara në ndërkuptime, që me gjasë kemi të bëjmë me atdheun e shqiptarëve në një kohë fatkeqe, treguar nga poeti tek përpiqet të harrojë, por nuk mundet (se të tillë janë poetët, me kujtesën e tyre prej elefanti) ndaj rrëfen mbresa, vraja, trauma, me një nënqeshje që rreket t’i lehtësojë dhimbjen atij vetë dhe të tjerëve (nuk bën t’i trondisim shumë brezat e ardhshëm, njerëzit tanë), për t’u tëhuajtur, më së fundi, deri brenda një gjuhe tjetër.

*

Do kohë më parë Shtëpia Botuese “il Mulino” botoi një antologji të poezisë italiane përpiluar nga Valerio Magrelli, një nga poetët më të rëndësishëm italianë të gjallë, përkthyes, profesor universitar i letërsisë frënge. Ngaqë e dinte që për zgjedhjet e veta do të ndeshte me turinj të thartuar, menjëherë Magrelli i doli të keqes përpara duke e quajtur, që në nëntitull, antologjinë e tij si “sentimentale”. Prapë mërmërimat nuk shterën. Njëmijë vite histori e poezisë italiane përfaqësoheshin me vetëm 39 poetë (39, si prefiksi telefonik i Italisë). Kufizimi numerik shumë i kishte lënë jashtë. Por, sidomos, përzgjedhja bëhej nën shenjën e plurilinguizmit, multikulturalizmit dhe kjo ishte polemika kryesore. Vetëm se u fashit, kur doli në plan të parë një “mëkat” tjetër edhe më i madh i Magrelli-t (se të tilla janë kohërat): nga të 39 poetët e përzgjedhur vetëm njëra ishte femër (Amelia Rosselli, ndër të tjera poete trigjuhëshe: frëngjisht, anglisht, italisht, me vargjet e para në italisht shkruar rreth të tridhjetave).

Pa përmendur disa poetë dialektalë të antologjizuar, gjejmë të përfshirë në libërth, ndër të tjerë, poetin siçilian Abd al-Jabbār ibn Muḥammad ibn Ḥamdīs (1056-1133), që ka shkruar (në arabisht, natyrisht – tekstet e tij vijnë me përkthim) poezi të mrekullueshme për atë që ai e konsideronte si atdheun e tij: Siçilinë, sikurse gjejmë edhe John Milton-in, për një grusht tingëllimash shkruar në italisht (ky kushedi cilit i zuri vendin). Por kemi edhe Giovanni Pontano-n (1429-1503), që shkruante vetëm në latinisht, apo Poliziano-n (1454-1494), që vjen me poezi në greqishten e vjetër (por ka shkruar poezi edhe në italisht e latinisht). Se letërsia nuk është kurrë një rrethanë e mbyllur në kullën e gjuhës, por osmozë ndërkulturore kapilare e ëndrrave (po të doni, edhe e maktheve), që janë universale.

*

Si t’ia bëjmë tani poetit tonë, që ia kënda të merreshka me kruese dhëmbësh: a do t’ia qasim ndonjë nga poezitë që thamë në një antologji të pritshme të poezisë shqipe/shqiptare? E, nëse po, cilën nga të dyja? Atë që e trajton argumentin, në shqip vërtet, por me një cinizëm anglez, apo atë që flet për Shqipërinë pa e përmendur dhe, më e keqja, në gjuhë tjetër? Ose, po ta formulojmë pyetjen ndryshe: cila nga këto dy poezi është më shqiptare? Apo përpiluesit e mundshëm të kësaj antologjie do ta zgjidhin çështjen “alla shqiptarçe”:

“Ou, s’po e fusim fare!”

Të them të drejtën, edhe mua kjo më duket zgjidhja më e mirë.

 

(c) 2021 Arben Dedja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin