KASËM TREBESHINA DHE ROMANI “RRUGA E GOLGOTËS”

nga Alisa Velaj

Metafizika e vullnetit të mirë

Krahas konceptit të së keqes absolute, plazmuar në kornizat e pashpirtërisë, ekziston edhe metafizika e një vullneti të mirë. Kategori të tilla, si e mira dhe e keqja, janë trajtuar gjerësisht në fushat e filozofisë, etikës e psikologjisë, në marrëdhëniet etnike, komunitare etj. Ajo që tërheq më tepër vëmendjen në analizën e romanit “Rruga e Golgotëstë Trebeshinës është padyshim mënyra si i percepton filozofia dy kategoritë e mësipërme, pasi, siç shprehet edhe At Zef Pllumi: “Me mjeshtërinë më të madhe të një artisti me këtë vepër autori ka krijuar Epikën e Filozofisë”.[1] Kategoria e së mirës bashkëshoqërohet domosdoshmërisht me gjendjet dhe dukuritë përkatëse, në të cilat gjendet e përfshirë. Një nga këto është edhe vullneti i mirë, të cilin e ka trajtuar gjerësisht Imanuel Kant. Sipas Kantit, është e pamundur të mendohet në botë, e në përgjithësi jashtë saj, diçka që mund të konsiderohet si e mirë pa kufizime, me përjashtim vetëm të vullnetit të mirë.[2] Pra, vullneti i mirë qenka një e mirë e pakufizuar dhe, për pasojë, qenia që mbart në vetvete një vullnet të tillë nuk ka si të jetë e drejtuar tjetër veçse nga e mira, në çdo mendim që i formësohet në tru, në çdo veprim që i ngjizet në tru, apo çdo veprim që rrjedh nga mendimet e tij. Kur ky vullnet i mirë ekziston si një dukuri vepruese në të gjitha gjendjet dhe situatat që përbëjnë jetën tonë angazhuese, në mbështetje të një ideali të lartë, qenia si subjekt përjetues është përherë e patjetërsueshme, në detyrat dhe idealet e veta, pavarësisht klimës ku kërkojnë të vihen në jetë këto ideale dhe aspirata. Protagonisti i këtij romani, Gani Tahiri simbolizon pikërisht këto lloj qeniesh njerëzore, të cilat ishin ushqyer me ëndrra të mëdha për lirinë dhe begatinë e atdheut të varfër e të drobitur, Shqipërisë. Ndjenja e tij e detyrës, ajo që do të sillte në jetë frytet e ëndrrave të tij, mbetet përherë e shenjtë dhe shenjtëria e saj është e vetmja faltore së cilës ai i përkulet me nderim. Përballë pastërtisë së detyrës së personazhit tonë vendoset një botë e tërë grackash dhe dredhish.

Referentët kohorë të tekstit na çojnë në dimrin e vitit 1943, periudhë kur lufta partizane po shkonte drejt përfundimit. Atmosfera në Shqipërinë e asaj kohe do të pikëllonte zemrat e shumë prej atyre që kishin luftuar të udhëhequr vetëm nga ideali i lirisë dhe tradhtia ndaj këtij ideali e krerëve që patën themeluar më 1941 Partinë Komuniste Shqiptare.

Po!… Ata mund të mësonin diçka dhe jo t’u hipnin këmbëve dhe të bënin ashtu siç po bënin !!! …Sepse në fakt ata nuk dinin ku të vinin në vrapimin e tyre. Pa qenë realisht të thyer në ndonjë betejë, po largoheshin me panik për të shkuar nuk dihej ku! …Ajo ishte një tërheqje e çuditshme, një tërheqje absurde!

Ndjenja e detyrës ndaj atdheut pranëvë dy tipa personazhesh: ata që nuk devijuan për asnjë çast prej saj dhe krahun tjetër të personazheve, përkrahësit e Satan-Beut, hajdutit të lavdisë historike. Protagonisti i këtij romani, si zëdhënës i idealeve të tipit të parë të personazheve e habit, e çorodit, e trondit dhe e tmerron njëherësh ajo këngë tej mase e përvajshme e partizanëve, togfjalëshit që përsëritet plot gjashtë herë që në paragrafët e parë të veprës, si për të paralajmëruar lexuesin nëpërmjet dukurisë së metanarrativitetit në vepër, se ndjenja e detyrës, aq fort e themeluar tek Gani Tahiri, është në antitezë të plotë me ndjenjën e detyrës, me ndjenjën e detyrës së pjesës tjetër të personazheve. Protagonisti nuk lëkundet në asnjë situatë në mendimet e tij, të cilat u paraprihen armiqve të atdheut dhe ndihmën e dhënë për Forcat Aleate, në çështjen e madhe të paqes për drejtësi. Figura e ushtarit përfaqëson për Gani Tahirin, atë lloj njeriu, i cili duhet të vdesë si burrë në fushën e betejës, dhe jo zëri i asaj kënge tej mase të përvajshme.

Me anë të Gani Tahirit autori pasqyron me ngjyra të gjalla atë epokë të çoroditur, kur shumë njerëz të mirë, të drejtë e të pastër, qenë luftëtarë e heronj të një kauze aq absurde, e cila pretendonte se vetëm me dhunë mund të ndërtohej pallati madhështor i Drejtësisë njerëzore mbi tokë.[3] Në këtë kontekst, protagonisti ynë paraqitet si një hero veprues tepër tragjik, i cili në veprimet e tij nuk zmbrapset para asnjë kompromisi në kurriz të idealeve të tij, ndërsa misioni që ai kërkon të përmbushë, qëllimi i tij suprem, nuk i justifikon mjetet që ai ka zgjedhur për të mbërritur tek ky qëllim. Ideja e luftës si një çmenduri njerëzore u përcillet lexuesve përmes figurës së Evangjelistit, i cili është zëdhënësi kryesor i zërit autorial në romanin “Rruga e Golgotës”. Themi pra, se Gani Tahiri na paraqitet si një figurë e dyfishtë: nga njëra anë me një vullnet të mirë, të pandryshueshëm, çka dëshmon ekzistencën e një karakteri të drejtë, dhe nga ana tjetër me një heroizëm tragjik, i cili i merr këto ngjyrime, në sajë të idesë, se ajo që duket drejtësi dhe barazi nuk mund të ngrihet mbi themele gjaku. Vullneti i mirë mbetet i patjetërsueshëm, si dashuri e pakufishme ndaj atdheut, ndërsa ky vullnet ndaj luftës si veprimtari shfarosëse njerëzore nis të tronditet kur bindet se idealet e Partisë Komuniste, jo vetëm që nuk binin aspak erë atdhe, por ishin pikërisht ato që kishin shkatërruar në shpirtrat dhe zemrat e njerëzve të thjeshtë shumë balanca. Dashuria, barazia dhe vëllazëria që kishte brumosur fryma komuniste në Shqipëri ishte e tillë vetëm në dukje, kurse nën lëkurën e saj kjo dogmë fshihte autokracinë dhe shtypjen e njeriut nga njeriu.

Qenia pëson transformime të përshkallëzuara falë bashkudhëtimit të tij me Evangjelistin, i cili, krahas zërit autorial, është shkaktari kryesor i tronditjes së pavetëdijes së Gani Tahirit. Episodi i dorëzimit të robërve nga ana e tij, me justifikimin që ishin njerëz të varfër, të futur në rrugë pa krye nga udhëheqësit e tyre të ligj, tregon tronditjen e parë të vërtetë të vetëdijes së tij. Ai ka nisur të mendojë në këto çaste se shpesh njerëzit i klasifikojmë në miq dhe armiq nga ideologjia që ata përqafojnë dhe se janë këto ideologji që përçajnë miqtë e madje edhe familjarët, duke çuar pashmangshëm drejt luftërave vëllavrasëse. Megjithatë protagonisti gjen forcë të ngrihet mbi ideologjitë dhe të vazhdojë përpjekjet për lirinë e atdheut të tij të drobitur. Në këtë pikë, vullneti i mirë që ai mbartte mbetet një cilësi karakteri e adhurueshme. Sipas Kantit: “Edhe sikur për ndonjë mosfavor të veçantë të fatit, ose për shkak të ndonjë natyre njerkë dorështrënguar, vullnetit t’i mungonin tërësisht mjetet për të arritur synimet e veta, ky vullnet do të shkëlqente për vetveten si një thesar; si diçka që mbart vlerën e plotë të tij në vetvete”.[4] Natyra njerkë dorështrënguar, në këtë rast mjeti i gabuar që qenia ka zgjedhur, është rruga e luftës. Kjo e fundit, në këtë tekst nënkupton një çmenduri njerëzore pa anë e fund, në kushtet e ekzistencës së një vullneti të protagonistit, që shkëlqen vërtet si një thesar, me pakompromentimin, besën dhe drejtësinë, si cilësi të karakterit të tij prej ushtari të vërtetë. Nëse ky vullnet do të bashkohej me mjetet e duhura, atëherë gjithçka do të ishte krejt ndryshe. Krahas ideologjive vëllavrasëse si komunizmi, autori dënon tërthorazi edhe ideologji të tjera, të cilat çojnë në shuarjen e jetëve njerëzore. Kështu Evangjelisti bën këtë arsyetim: “Unë mendoj që, po të jetë se të gjithë refuzojnë t’i prekin armët, po të refuzojmë t’i marrim ato në dorë, Kush do të mbetej për të vazhduar luftën?”

Gani Tahiri dhe Evangjelisti përshkojnë të njëjtën rrugë me këmbët e tyre, por jo me kokat; ata kanë të njëjtin qëndrim final, të njëjtat dëshira supreme, dhe të njëjtat synime[5]. Rrugët e lirisë janë nga më të ndryshmet, por duke qenë se liria mbart në thelbin e saj humanizmin, dhe humanizëm do të thotë dashuri për Njeriun, atëherë kjo liri që ngrihet mbi mohimin njerëzor nuk është liri e vërtetë, por një përçudnim i atij morali që predikon Bibla përmes Evangjelistit. Gjatë rrugëtimit tekstual shohim se vetëdija e këtij të fundit nis të projektohet tek protagonisti. Njeriu që është parë në fillimet e romanit prej Gani Tahirit veçse si një tuhaf, dëgjohet befas prej tij me shumë vëmendje, ndonëse ai nuk bie dot dakord me ato çka ai predikon. Gani Tahiri paraqitet që në fillim si i ndryshëm nga personazhet e tjerë me të cilët e bashkon e njëjta ideologji komuniste. Zemra e tij i përmban dozat e humanizmit, derisa ai nuk e pranon urdhrin e prerë për pushkatimin e Evangjelistit, vetëdijes së tij të munguar, siç do të shohim përgjatë fabulës së romanit.

Mirëpo ky humanizëm i Gani Tahirit u është drejtuar vetëm bashkëkombësve të vet, shqiptarëve, ndërsa tjetri në frontin përballë (gjermanët) vështrohet prej tij si i huaj dhe armik. Edhe nëse shqiptarët gabojnë, veprimet e tyre justifikohen: ata quhen fajtorë pa faj. Një optikë vështrimi kjo me të cilën nuk shihen kurrë të huajt. Është kjo mungesë perceptimi që e pengon protagonistin t’i gjykojë luftërat nën frymën e Evangjelistit dhe, nga ana tjetër, janë po këto doza humanizmi ndaj të ngjashmëve të vet, të cilat e bëjnë këtë tip ushtari komunist që të jetë i ndryshëm prej komunistëve të vërtetë.

Evangjelisti do të arrijë të tronditë mjaft gjykime të protagonistit, por kurrsesi nuk do të shkulë dot prej tij mendimin, se kauza e luftës për liri është një kauzë e gabuar. Mjetet paqësore për mbjelljen e lirisë janë një koncept i papërtypshëm për mënyrën e tij të të gjykuarit. Ideja e dashurisë, si forcë e madhe jetësore, ka shumë kuptime në këtë vepër, ajo vjen herë si dashuri ndaj atdheut, herë si dashuri ndaj vajzës, herë si dashuri ndaj gjithë species njerëzore, e herë si dashuri kundrejt Zotit. Dashuria e parë ka tejmbushur zemrën dhe shpirtin e protagonistit. E dyta refuzohet për shkak të detyrës dhe ideologjisë dhe, kur kuptohet se ato janë veç një mashtrim, zemra kthehet sërish drejt altarit të dashurisë, aty ku e pret e përmalluar gruaja e tij e vogël. Dashuria e tretë ndihet vetëm për të ngjashmit, ndërsa dashuria për Perëndinë nis të perceptohet si një frikë. Referuar Shkrimeve të Shenjta, ku është shkruar se frika është fillimi i njohjes së Zotit,[6] në këtë rast themi se qenia sapo ka nisur ta rrokë dashurinë hyjnore. Këtë njohje zemra e shqetësuar e Gani Tahirit nis ta zbulojë teksa pyet veten: ç’është ajo gjë që shkaktonte atë frikë të madhe, kur shpirti ishte i përjetshëm dhe trupi nuk ishte gjë tjetër veçse diçka si një lëkurë e flakur gjarpri?

Koncepti i së keqes

Transformimi i protagonistit nga një përkrahës i ideologjisë komuniste në një kundërshtar të hapur të saj vjen pashmangshmërisht, pasi tek kjo ideologji ai sheh zbatimin e parimeve që janë absolutisht kundër të mirës, si dhe lindjen e një fjale, që më vonë do të bëhej baza e një shteti diktatorial: tradhtisë. Gani Tahiri e ndjen më së pari në vetvete tradhtinë dhe kjo është pikërisht magjja ku ngjizet tragjedia. Vetet e Gani Tahirit kanë dalë njëra kundër tjetrës dhe, në këtë konflikt të paarsyeshëm për hir të ideologjisë, qenia ndien se ka humbur burimet e tij jetëdhënëse. Ndjenja e dashurisë mes tij dhe gruas së vogël përbën elegjinë më të madhe të këtij romani. Vetja e protagonistit të përkushtuar karshi detyrës triumfon fillimisht ndaj asaj vetes që përjeton dashurinë e vajzës, si ndjenjën më të pastër dhe sublime. Kjo është gjendja mendore dhe shpirtërore, teksa ideologjia që i ka pushtuar vetëdijen dhe pavetëdijen është shndërruar në parimin e tij jetik. Prandaj edhe i largohet dashurisë. Në këtë pikë, mund të themi se dashuria për ideologjinë është njëfarësoj një dashuri më e madhe se ajo për vajzën. Po të rrëmojmë edhe më thellë në lidhjen mes ndërgjegjes së protagonistit dhe ideologjisë, arrijmë drejt përfundimit se një platformë politike, e cila merr përsipër të manipulojë qeniet njerëzore në atë farë feje, sa të përcaktojë se ç’është e mirë dhe ç’është e keqe jo vetëm në politikë, por edhe në ndjenjat shpirtërore, mund të thuhet se hedh bazat e një dehumanizimi rrëqethës, duke skalitur në këtë ndërgjegje superioritetin e një klase njerëzish ndaj gjithë të tjerëve, inferiorëve, të pavlefshmëve, vetëm e vetëm se janë kundër ideologjisë komuniste. Domethënë se Satan-beu krijon individin Zot dhe individin skllav përmes luftës së klasave. Individi skllav është e ligjshme të luftohet, ndërsa zotërit e vegjël, jo vetëm janë më të mirë pa kurrfarë arsyeje, por kanë legjitimitetin absolut të sundojnë politikisht, për shkak të disa vlerave që u vishen vetëm se quhen komunistë. Delir profanësh dhe zotërim vlerash nga frymorë që nuk mbartin asnjë cilësi njerëzore. Zotër të vegjël, që në çdo gjë dhe mbi gjithçka kanë vetëm vetveten.

I gjithë ky egocentrizëm merr emrin “ndjenja e detyrës”, e cila nuk mund të lihet në asnjë kohë dhe për askënd, pasi është më e shenjtë se nëna, babai… madje edhe Zoti! Është ai lloj besimi mjeran dhe ata lloj besimtarësh që, siç thotë At Zef Pllumi: “hidhnin kem e thimjan në altarin e “Zotit të Ri”, “Satan Beut”. Satan-beu është ai që dikton kë duhet të kesh mik e kë duhet të kesh armik, kë duhet të dashurosh dhe kujt duhet t’i largohesh, çfarë ëndrrash duhet të shohësh e cilat duhet t’i shmangësh, sepse të gjitha këto bëjnë pjesë në ndjenjën karshi Atdheut dhe Partisë. Ndjenja e detyrës qëndron shumë më lart se të gjitha dashuritë të marra së bashku. Kjo lloj ndjenje është një konotacion shumështresor, e cila mbart në brendi dashurinë për vetveten, përcaktimin e superioritetit të Gani Tahirit si komunist dhe mbrujtjen me parime jo të drejta, të vajzës që ai dashuron, si edhe të fisit të saj. Po edhe sikur ndjenja e detyrës të ishte fare e pastër, pa kurrfarë egocentrizmi përbrenda, ajo sërish nuk mund ta çonte qenien në mohimin e dashurisë, pasi, si e shpjegon Imanuel Kanti: “as rrëmimi më i kujdesshëm i ndërgjegjes nuk arrin të kuptojë se çfarë qëndron jashtë themelit të detyrës; mund të kishte vepruar mbi ne me aq forcë, sa të na shtynte drejt këtij apo atij veprimi të mirë që na ka kushtuar aq shumë sakrificë e, megjithatë, prej tij nuk mund të nxjerrësh me siguri përfundime, sepse realisht ndonjë impuls i fshehur i dashurisë për vetveten ka qenë shkaku i vërtetë përcaktues i vullnetit, pas fasadës kulluese të idesë së detyrës”.[7] Fasada e kulluar e idesë së detyrës e mrekullon vetëm për pak Gani Tahirin. Pastaj zbulon tradhtinë ndaj çdo parimi të shprehur më fjalë të bukura dhe hipokrizinë e atyre që kërkojnë theror koka njerëzish të pafajshëm.

Tronditja që shkakton tek qenia hapja e syve është tepër e fuqishme. E para gjë që ëndërron, pas kthjellimit, është dashuria e tij e braktisur. Kur egocentrizmi vyshket dhe nis të shohë tek njerëzit shpirtin dhe jo parimet, protagonisti rilindet për së dyti. Megjithatë, duhet theksuar se tek ai do të vazhdojnë të jetojë deri në fund parimet e një vullneti të mirë, parime të cilat e shtyjnë të paramendojë një atdhe të lirë dhe një Shqipëri republikë. Ndjenja e detyrës ndaj Partisë Komuniste i shtrin aq thellë tentakulat e saj në ndërgjegje, saqë nuk e lë protagonistin të ëndërrojë dhe meditojë për dashurinë. Kur kjo ndjenjë fashitet, ai merr frymë lirisht dhe rikthen në zemër gruan e tij të vogël. Vdekja e saj e papritur do ta përmbysë përfundimisht protagonistin, si për të treguar se janë ngjarjet shpirtërore ato që duhet të përcaktojnë fluturimin në qiejt e dashurisë apo rënien prej tyre.
Po kur tragjedia e humbjes nuk shkaktohet nga ndonjë shkak natyror, por nga ideologjia komuniste, e cila gjeneron përherë veç pashpirtshmëri, atëherë ç’mund të thuhet? Sipas Kierkegaardit, kur duan të jenë të pashpirt, flasin me fjalë të thjeshta, sepse nuk janë në gjendje të përdorin ato fjalë që përdor vetë mjeshtri i tyre.[8] Kështu, kur protagonisti është në prag të pashpirtëshmërisë, shohim se ka një fjalor vërtet të varfër, ndërsa, kur çlirohet prej prangave të saj, fjalët e tij janë me tharm jetësor, pasi mjeshtri i tij është Evangjelisti, zëdhënësi i të vërtetave hyjnore dhe jo pasuesit e “Satan Beut”. I vetmi justifikim i këtyre pasuesve për gjithçka janë fjalët:

Ti, a nuk je anëtar partie?! Ti e di se një anëtar partie është i detyruar të japë llogari për të gjitha ato që ka bërë”. Transformimi i plotë i Gani Tahirit ndodh kur i largohet pashpirtësisë, duke e shpallur veten jo më si komunist, por si ushtar i thjeshtë, që do të japë llogari vetëm përpara Kombit dhe Atdheut.

E mira nënkupton natyrshëm rigjetjen e lirisë, çlirimin, shpëtimin.[9] E kundërta e lirisë gjenerohet si e keqe. Gani Tahiri përpiqet të jetë një ushtar i lirisë, por, që kjo liri mund ose duhet arritur përmes armëve dhe luftës, është një kauzë që vihet në pikëpyetje nga autori, përmes Evangjelistit. Kemi këtu ndarjen e asaj që është e mirë dhe e keqe për gjykimin njerëzor dhe asaj që është e mirë dhe e keqe për gjykimin hyjnor. Prandaj themi se në romanin “Rruga e Golgotës” autori ka krijuar epikën e filozofisë dhe, në këtë kontekst, Gani Tahiri është po ai Promete mitologjik, por i palidhur, që lufton me forcë vigane kundër njerëzve, kundër botës, kundër vetes, vetëm e vetëm për të gjetur Drejtësinë mbi tokë. Vetëm e vetëm për me gjetë veten, atdheun dhe Zotin e vërtetë. [10]

Katharsisi përmes vizioneve

Romani “Rruga e Golgotës” nis me një atmosferë mbytëse që në rreshtat e parë; vdekja është klima mbizotëruese. Një boshësi permanente, e cila e vendos lexuesin përpara zbërthimesh psikologjike të realizuara mjeshtërisht, aspak të zakonta për traditën e prozës shqipe. Ndonëse përsosja e shpirtit është një temë gjerësisht e rrahur, në shumicën e rasteve është trajtuar në optika krejt të përkundërta, në krahasim me optikën që servir ky roman. Konvertimi i protagonistit, nga një qenie ateiste në një qenie që pranon ekzistencën e Zotit, kalon në një rrugë plot shtigje të ngushta e dilema të mëdha. Hyjnorja nis të kërkojë birin e saj të humbur, Gani Tahirin, përmes dy rrugëve që zgjaten paralel me njëra-tjetrën: përmes pranisë fatlume të Evangjelistit, predikuesit të paqes dhe vëllazërimit në botë, si dhe përmes vizioneve të fuqishme, të cilat për nga realizmi tronditës i domethënieve të tyre, të bëjnë të mendosh se ndodhesh përpara një parabole të vërtetë biblike. Jo më kot At Zef Pllumi shprehet: “Vizionet e shumta të shkrimtarit në Rrugën e Golgotës janë aq të fuqishme, të nalta, të frymëzueme, si ato të nji apokalipsi”.[11] Të tërheq vëmendjen fakti se prifti françeskan nuk i etiketon këto vizione si “vizione të protagonistit”, por “si vizione të autorit”. Besoj se jo pa qëllim, ai e zhvendos këtë proces shpirtëror, psikologjik e hyjnor nga personazhet tek autori. Është e njohur shprehja e shkrimtarit francez Andre Gide, sipas të cilit, një shkrimtar mund të jetë i suksesshëm duke shkruar në veprat e tij, çdo gjë që i ndodh atij vetë në jetë, mjafton që të flasë për vetveten në vetë të tretë dhe jo në vetë të parë. Cila është lidhja në rastin konkret? Asnjë shkrimtar nuk do të rrëfente me kaq përpikëri përsosjen e shpirtit përmes vizioneve, nëse nuk do t’i kishte përjetuar vetë. Shkrimtari mund të jetë pafundësisht psikolog në paraqitjen e botës së njeriut, mendimeve të tij më të thella, anëve më të errëta të pavetëdijes njerëzore, por s’mund të jetë kurrsesi kaq i përsosur në një shpalosje të tillë të shpirtit njerëzor, sa të depërtojë në luhatje të tilla të së pandërgjegjshmes, nëse luhatje të tilla s’do t’i kishte provuar më parë në veten e vet. Po si përjetohen nga protagonisti Gani Tahiri këto vizione hyjnore, rrëfimet gojore të të cilave vijnë përmes fjalëve të Evangjelistit?

Romani nis me një atmosferë mbytëse, disa herë përgjatë tekstit kemi përdorimin e togfjalëshave: “simfoni kakofonike, kompozuar nga vetë djalli” dhe “kënga tej mase e përvajshme e ushtarëve”, të cilët, teksa marshojnë “ngjajnë si hije”, ndërsa “kënga e tyre ka diçka që vjen nga ferri, diçka që të kujton vdekjen”. Vdekja, pra, si klimë mbizotëruese, ndihet që në zanafillë të rrëfimit dhe do të rikthehet sërish me të njëjtat trajta në apokalipsin tokësor të personazheve, në fund të veprës. Veçse perceptimi për të (vdekjen) do të kalojë nëpër një trajektore të tillë, e cila shkon në përpjesëtim të drejtë me pranimin që qenia i bën thelbit hyjnor. Në një roman tjetër, i cili do të shenjonte përsosjen e shpirtit me fjalë si “ferr”, “hije”, “simfoni kakofonike”, “Djall”[12] etj., ato nuk do të ishin tjetër veçse një gjendje amullie dhe pikëllimi të skajshëm, ndërsa në këtë roman të Trebeshinës jo rastësisht të pagëzuar “Rruga e Golgotës”, këto sema nuk janë thjesht artific letrar, por, të marra së bashku, formësojnë alegorinë e botës së përtejme, fantazmagorinë e ferrit në tokë, pushtimin e shpirtrave njerëzorë nga djalli, i cili i shtyn të vrasin pas krahëve njëri-tjetrin. Alegoria e ferrit shpaloset që në fjalinë e parë të romanit, me simfoninë që dirigjohet prej qoftëlargut dhe mjerimin shpirtëror të partizanëve, qenie të cilat, për të fituar lirinë, duhet të vrasin qenie të tjera. Qeniet njerëzore kërkojnë liri duke braktisur rrugën e Zotit. Braktisje kjo që është bërë edhe nga kryengjëlli i Zotit, Luciferi, i cili, nga mbajtës drite dhe dirigjues i korit të engjëjve që adhuronte Perëndinë, shndërrohet në djall dhe përjashtohet përjetësisht nga mbretëria qiellore, meqenëse në zemrën dhe mendjen e tij kishin bërë fole mendime të papastra. Ai (Luciferi) ëndërronte të ngrihej në madhështi mbi vetë Zotin e ushtrive. Trebeshina krijon alegorinë e muzikës kakofonike të djallit në këtë tekst, duke shfrytëzuar intertekstin biblik. Është kjo një muzikë që nuk ndjell gjë tjetër veç vdekjes, pasi jeta prej nga mund të marrë notat e saj gjendet në Qiell. Mirëpo Luciferi, prej largimit nga koha dhe hapësira e përjetësisë, nuk do të jetë më kurrë Lucifer.

Salltaneti yt ka rënë në Sheol tok me tingujt e harpave të tua; poshtë teje shtrihet një shtrat me krimba dhe krimbat janë mbulesa jote.
Vallë, si ke rënë nga qielli, o Lucifer, bir i Agimit? Vallë si të hodhën përtokë ty, që i hidhje poshtë kombet?

Ti thoshnje në zemrën tënde: “Unë do të ngjitem në qiell, do të ngre fronin tim përmbi yjet e Perëndisë, do të ulem mbi malin e asamblesë në pjesën skajore të veriut, do të ngjitem mbi pjesët më të larta të reve, do të jem i ngjashëm me Shumë të Lartin.[13]

Prandaj drita mungon anekënd atmosferës së ngjarjeve dhe kështjella (zakonisht, simbol madhështie) e partizanët (sypatrembur në krejt letërsinë e soc-realizmit) paraqiten si hije në përshkrimet e këtij romani. Asgjë tjetër, përpos braktisjes së vazhdueshme. Evangjelisti, i cili, për çudinë e Gani Tahirit, mbetet bashkë me grupin a partizanëve në shi, alegorizon idenë se besimi (Perëndia) është ai që mbetet, kur gjithçka tjetër të tradhton. Mbretëria e gjumit është pushtuar gjithashtu nga lloj-lloj demonësh. Kjo botë pavetëdijeje fsheh bërthamën e vërtetë të luftës titanike që zhvillohet gjithmonë përgjatë shekujve ndërmjet Pambarimit dhe Hiçit, Ujkut dhe Qengjit, së Drejtës dhe së Shtrembrës.[14]

E Drejta dhe e Shtrembra vijnë përmes ëndërrimit si një e folur me shëmbëlltyrë, për ngjarje që ende s’kanë ndodhur. Në këtë këndvështrim, këto ëndrra të personazhit vijnë si ëndrra profetike, në ndryshim nga vizionet, të cilat përvijojnë raportin mes Pambarimit dhe Hiçit, rrugë nëpër të cilën Gani Tahiri nis t’i afrohet mundimshëm esencës hyjnore. Ëndrrat hyjnore alegorizojnë diktaturën komuniste dhe kufiri mes sarkazmës dhe groteskut anon më tepër nga ky i fundit. Referentët tekstorë në ëndrrat e protagonistit, nëpërmjet të cilëve realizohet grotesku, janë: Zoti i Ri ose Satan Beu, Mbretëria e Yllit të Lavdishëm, dhe Froni i Artë që vezullon vetëtimthi. Në këtë Front të Artë do të ngjitet Zoti i Ri, ose Satan Beu. Grotesku servir “të drejtën” e atyre njerëzve që duan të bëhen edhe zotër të ëndrrave të të tjerëve. Dashur pa dashur, edhe ëndrrat e Gani Tahirit janë pushtuar prej të vërtetave të hidhura, që në gjendjen zgjuar do të fillojnë të përmbushen një nga një. Në këtë realitet do të lindin qeniet e dehumanizuara, të cilat do t’i falen idhullit të tyre tokësor, Satan Beut. Në Shkrimet e Shenjta, Mesia simbolizohet me yllin e mëngjesit,[15] ndërsa në këtë tekst, përmes një simbolike të përmbysur dhe notash sarkastike, rrëfimtari hipotetik deshifron delirin e Zotit të Ri. Zhveshja deri në konotacionin më të pastër na çon drejt yllit komunist. Në këtë kontekst, ky Zot i Ri është po aq i mallkuar sa ç’ishte Luciferi, një mbartës i vërtetë errësire. Për me tepër, flet në një gjuhë e cila, në rrafshin social, ngjiz një tradhti kombëtare. Satan Beu flet në gjuhën serbe.

Mes ëndrrave profetike dhe vizioneve apokaliptike “jetojnë” ëndrrat e Evangjelistit, pikërisht ato që Gani Tahiri i quan në fillim përralla. Për sa kohë i merr si të tilla, ai nuk ndien kurrfarë ankthi në gjendjen zgjuar. Ky ankth nis t’i lindë gjatë gjumit. Sa më shumë parabola biblike zbërthen Evangjelisti, aq më shumë qenia fillon t’u largohet maktheve të ëndrrave parathënëse, ose aq më shumë këto ëndrra largohen prej Gani Tahirit. Në këto çaste, ai nis të meditojë rreth vizioneve. Pra, predikimi jo i drejtpërdrejtë i Evangjelistit shërben si një katalizator për ta nxjerrë atë nga realiteti djallëzor (plazmuar mes ëndrrash profetike) drejt hapësirave qiellore (vizioneve). Qenia lëkundet pandërprerë mes Hiçit dhe Pambarimit. Ndodh të shkëputet prej Hiçit dhe kjo gjë zbërthehet nga një nëntekst tepër i maskuar, kur nga përralla, ëndrrat e Evangjelistit i quan legjenda të mbetura nga kohët e lashtësisë. Kalojmë kështu një hop cilësor në perceptimin e qenies për hyjnoren, duke qenë se përrallat janë thjesht krijime fantastike, ndërsa në legjenda mbishtresa fantastike është e vendosur mbi një shtrat të vërtetë. Kjo tronditje në perceptim do të pasohet nga luhatje të tjera, ku trajektorja më e përgjithshme vjen sipas këtij grafiku:Po le të kthehemi pikë së pari në kohën kur perceptimi i qenies i kalonte madje edhe kufijtë e ateizmit. Është koha kur reflektimi për vdekjen e tjetrit nuk ekziston asfare, ndërsa reflektohet vetëm për vdekjen e vet, si një armik, kur vjen ora që ajo do të të mundë.

Vdekja është më se e natyrshme për njeriun, por është e tmerrshme agonia e atij që vdes duke qarë me lot të hidhur, i munduar dhe i lebetitur, duke u përpëlitur në kthetrat e armikut vdekje”.

Në këtë monolog, subjekti ka lënë mënjanë ëndrrat për liri e idealet atdhetare dhe shfaq anën e tij thjesht njerëzore, atë frikë përpara hiçit, që hedh përherë rrënjë në shpirtin dhe qenien e çdo humani. Mirëpo, në një subjekt njohës të Perëndisë, kjo frikë zbehet shumë. Gani Tahiri, jo vetëm që e shtron çështjen në mendjen e tij, se vdekja është ajo që do ta mundë, mendim që të shpie në pambarimin e asgjësë, por nuk llogarit vdekjet e të tjerëve (gjermanëve), të cilët do të shuhen me asgjësim fizik nga vetë ai. Konceptimi i qenies do të ndryshojë kryekëput, në çastin kur pranon Zotin si shpëtimtarin e tij, por, përpara se të mbërrijmë në këtë dëlirësim të shpirtit të tij, le të analizojmë luhatjet në skemën e mësipërme. Gani Tahirin e mundojnë ëndrra të çuditshme, të cilat nuk kanë të bëjnë as me ëndrrat profetike, as me ëndrrat-vizione, por, sipas Evangjelistit, janë fund e krye herezi. Megjithatë, po sipas Evangjelistit, Gani Tahiri do ta sigurojë më në fund mëshirën dhe përkrahjen e Atit të Shenjtë, pasi ai është i çiltër në dyshimet e veta.

Agnosticizmi (besimi në një fuqi të mbinatyrshme të papërcaktuar konkretisht) shfaqet në pjesën e tretë të romanit, e cila mban nëntitullin Prej Yjeve në Tokë. Para se rrëfimi të zhvillohej në këtë hapësirë (yje-tokë), nënpjesa e mëparshme mbante titullin Fjalë dhe Plumba. Dy atmosfera krejtësisht të kundërta, të cilat përcaktojnë ndryshueshmërinë e mendimeve të protagonistit. Në hapësirën e parë rrëfimore (të dytën për romanin), ai nuk ndien kurrfarë ankthi për misionin që kish marrë përsipër të kryente, por, në çastin kur ndodh tradhtia e krerëve të lartë (sikurse i ishte paralajmëruar në ëndrrën profetike) dhe ai nuk ndihet hero, edhe kur del fitimtar në betejë, madje, shtron pyetjen “ç’është kjo luftë?”, ankthi nis ta pushtojë dalëngadalë, fare pa kuptuar. Është kjo arsyeja që, pas nëntitullit Fjalë dhe Plumba, vjen nëntitulli Prej Yjeve në Tokë. Tashmë, brenda vetes, ai nis t’u japë të drejtë fjalëve të Evangjelistit. Por krenaria njerëzore ia mban ende të ngushtuar zemrën. Përpëlitet mes një besimi të papërcaktuar, thuajse kozmik dhe mureve të ateizmit.

Oh yjtë e mi, yjtë e mi! Ndofta Evangjelisti ka të drejtë! Ne do të bënim mirë sikur të qëndronim tek hapësira e parë ku mund të arrinte arsyetimi ynë i varfër.., ose e gjithë kjo është.., Një përrallë!”

Krenaria e sedrës së heroit nis të zbutet pak nga pak dhe, me gjithë mohimet e vazhdueshme të rrëfimeve të Evangjelistit (këtu, alegori e krishterimit), ai bindet se ekziston një vullnet tjetër përmbi vullnetin njerëzor, një forcë e mbinatyrshme, ku arsyetimi njerëzor nuk mund të mbërrijë. Këto luhatje në mënyrën e të menduarit çojnë drejt një reflektimi fare të ndryshëm mbi vdekjen.
Asnjë nuk e di se ku pushojnë të vdekurit dhe kjo na mbush me një trishtim që nuk ka anë dhe fund.”

Trishtimi i qenies i hap horizonte të reja dyshimit për ç’ka besuar deri më parë si të vërtetë. Qëndrimet e tij ndaj fjalëve të Evangjelistit janë të skajshme; nga pranimi se arsyetimi njerëzor është i varfër, në këndvështrimin se çfarë ai thotë janë përralla, nga përralla të vërteta, në të vërteta edhe shumë më bindëse. Retorika për vëllazërimin, paqen, lirinë dhe luftën e përbotshme i duket një shumë e varfër dhe boshe. Në këtë stacion rrëfimor shihen nga protagonisti edhe vizionet më të fuqishme. Jemi tek lufta mes Ujkut dhe Qengjit. Ujku si simbol i djallit, luftës dhe Qengjit, në kuptimin që shfaqet në parabolat biblike. Për ta kuptuar më mirë këtë gjë, le t’u referohemi Shkrimeve të Shenjta.

“Pastaj pashë Qengjin që rrinte në këmbë në mal të Sionit, dhe bashkë me të ishin njëqind e dyzetë e katër mijë njerëz, që e kishin të shkruar mbi ballin e tyre emrin e tij dhe të Atit të tij.”[16]

“Ata do të luftojnë kundër Qengjit dhe Qengji do t’i mundë, sepse ai është Zot i zotërve dhe Mbret i mbretërve; dhe ata që me të janë të thirrur, të zgjedhur dhe besnikë.”[17]

Qengji simbolizon Mesian, Jezu Krishtin, Shpëtimtarin e njerëzimit dhe këto vizione tregojnë se Gani Tahiri është i thirrur dhe i zgjedhur, ndërsa besnikëria e tij ka filluar të ngjizet vrullshëm. Ai po ndriçohet prej yllit të vërtetë dhe jo prej mbretërisë së yllit të rremë, Satan beut. Ankthi i qenies ka marrë të tilla përmasa, sa në shpirt e mundon orë e çast marrëdhënia me gruan e tij të vogël. Jo në kuptimin e një marrëdhënieje të thjeshtë mashkull-femër, por shumë përtej kësaj. Kujtimi i gruas së tij të vogël i është kthyer në një makth të vërtetë. Sa më shumë ankth, aq më shumë ndjeshmëri.[18] Kur qenia nuk është prekur ende prej Shpirtit të Shenjtë, duke qenë në pashpirtësi, ajo nuk ndien ankth, pasi është shumë e pashpirt për të ndjerë ankthin. Qëndrimi i tij i parë ndaj vajzës është krejt indiferent, ndërsa i mbrami (pas shuarjes së saj fizike) e përmbys përfundimisht protagonistin. Kjo përmbysje shenjon rilidhjen e tij me botën e ankthit dhe prekjen e tij prej Shpirtit të Shenjtë.

Në stacionin rrëfimor “Toka e premtuar” shohim se qenies i shfaqet zbulesa e vërtetë, i premtohet shpëtimi përmes Jezusit. Ai, Mesia, është Toka e Premtuar për të. Zbulesa i vjen pasi është bindur përfundimisht se jeton në një botë të turbulluar ideologjikisht, dhe se nuk mund t’i quash si armiqtë e tu njerëzit e futur në rrugë të gabuar nga udhëheqësit e ligj. Pra, në logjikën e Gani Tahirit zënë vend të tjera perceptime në lidhje me konceptin e së drejtës dhe jo së drejtës. Në këtë raport, në gjykimin e Evangjelistit, ai ka arritur të jetë më i denjë në sytë e Zotit, pasi ka arritur të arsyetojë me një logjikë të tillë, që të mos arrijë të vrasë jetë njerëzore. Një e drejtë kjo që, sipas Shkrimeve të Shenjta, nuk i jepet asnjë të vdekshmi. Është vetëm Perëndia që krijon jetë dhe i gjykon këto jetë.  Sa më drejt gjykon Gani Tahiri, aq më i thellë është ankthi i tij. Protagonisti shndërrohet i gjithi në ankth, pasi përjeton humbjen e së dashurës. Kulmi i ankthit mbjell atë frikë të madhe, pa të cilën nuk mund të njihet dot Zoti.
“Ç’ishte ajo gjë që i shkaktonte atë frikë të madhe kur trupi nuk ishte gjë tjetër veçse diçka si një lëkurë e flakur e një gjarpri?”.

Pikërisht atëherë kur dëshiron me gjithë shpirt që ky ferr mbi tokë të marrë fund, vjen edhe vdekja tokësore e protagonistit, si rruga më e shkurtër për në Qiell. Që të arrinte të depërtonte në thelbin e gjithçkaje që predikonte Evangjelisti, Gani Tahirit i duhet të provojë vuajtjeje të patregueshme njerëzore, dredhira dhe gracka, humbje njerëzish të shtrenjtë, thika pas shpine, me pak fjalë një simfoni të tërë kakofonike e kompozuar nga vetë Djalli. Rruga e Golgotës është ajo që ndjek ai vetë dhe përtej asaj që bëhet kurban prej dishepujve të Satan Beut, ai pati fatin të shihte me sy të shqyer të Vërteta të Epërme, të cilat donin ta rilindin në një kohë dhe hapësirë tjetër, shpirtin e tij mëkatar.

 

[1] At Zef Pllumi. Shkrimtari në rrugën e Golgotës. Parathënie në Rruga e Golgotës. Humanitas. Tiranë. 1992. f. 5.
[2]Imanuel Kant. Themelimi i zakoneve shoqërore. Përktheu Ajsela Koka, Tiranë. 2004. f. 61.
[3] Po aty. f. 5-6.
[4] Imanuel Kant. vep.cit, f. 63.
[5] At Zef Pllumi.vep.cit.  f. 6.
[6] Bibla. Fjalët e Urta 1:7.
[7] Imanuel Kant. vep.cit. f. 82.
[8] Sorren Kierkegaard. Koncepti i ankthit. Plejad. Tiranë. 2000. f. 98.
[9] po aty,  f. 121.
[10] At Zef Pllumi. vep.cit. f. 6-7.
[11] po aty. f. 7.
[12] Shkruar kjo fjalë me gërmë të madhe, madje.
[13] Isaia 14: 11-14.
[14] At Zef Pllumi. vep.cit.  f. 6.
[15] Në Shkrimet e Shenjta shkruhet: “Unë, Jezusi, dërgova engjëllin tim, për t’ju dëshmuar për këto gjëra nëpër kisha. Unë jam Rrënja dhe pasardhja e Davidit, ylli i ndritshëm i mëngjesit.
Bibla (Dhjata e Vjetër dhe Dhjata e Re). Shoqëria Biblike Shqiptare. Tiranë. 2009. Zbulesa: 22:16.
[16] Bibla (Dhjata e Vjetër dhe Dhjata e Re). Shoqëria Biblike Shqiptare. Tiranë. 2009. Zbulesa 14:1.
[17] po aty. 17:14.
[18] Sorren Kierkegaard. vep.cit. f. 79.

Rreth Autorit

Alisa Velaj është poete dhe studiuese e letërsisë. Autore e tri përmbledhjeve me poezi: “Përanash Flakës”, “Tej kthellës së epërme” dhe “Shtjellë reje, shtjellë zjarri”, mban titullin shkencor “Doktore e Shkencave Filologjike”.

Author Archive Page

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin