AKADEMIA NË MEDIAT

një koment

Kolegu Ilir Yzeiri, të cilin edhe e kam shok të vjetër, ka nxjerrë sot një status në Facebook, ku flet për një aktivitet kulturor të Akademisë së Shkencave, me temë “Ismail Kadare, një disidencë letrare”, me rastin e botimit shqip të veprës me të njëjtin titull, të studiuesit frëng Jean-Paul Champseix; dhe me pjesëmarrjen e autorit vetë, përkthyesve, dhe drejtuesve më të lartë të Akademisë. Yzeiri indinjohet, mes të tjerash, që mass mediat në Shqipëri, dhe veçanërisht RTSH-ja, nuk treguan vëmendjen dhe respektin e duhur ndaj këtij takimi. Shkrimin e Yzeirit ju ftoj ta lexoni, edhe ngaqë atje e mora në sy të lë komentin e mëposhtëm, të cilin po e shtoj më poshtë për ju.

Përshëndetje, i dashur Ilir,

Sa ke shkruar më lart, më bëri të mendoj. Në fakt, promovimi i librit të Champseix më kish tërhequr vëmendjen kështu nga larg, sepse është një temë për të cilën kam shkruar dhe ngaqë aty merrnin pjesë miq të mi dhe kolegë që i çmoj shumë.

Champseix nuk e kam njohur dot, por më kanë folur për të gjithnjë mirë njerëz që e kanë njohur. Librin e tij “Bulevardi Stalin” e kam lexuar.

Ky aktivitet, për të cilin shkruan, nuk është i pari i Akademisë që është pritur me indiferencë nga mediat.

Si operojnë mediat në Tiranë këtë e dimë mirë, edhe ti edhe unë. Ti më mirë se unë, sepse je vetë shpesh i pranishëm në emisionet e mbrëmjes dhe e ke të qartë, sërish më shumë se unë, se për çfarë u intereson mediave të flitet.

Unë nuk besoj se mediat, megjithatë, kanë ndonjë synim të fshehtë për ta mbuluar me heshtje temën e disidencës Kadare; thjesht po e gjykojnë këtë si pa interes.

Dhe e gjykojnë si pa interes, sepse këtë temë është folur shumë, dhe është folur shumë nga njerëz që media mbase i gjykon si pa kredibilitet në publik.

Ka qenë apo nuk ka qenë Kadareja disident? Qoftë edhe disident letrar? Vetë Champseix, te “Bulevardi Stalin” shkruan se “Ismail Kadare nuk është as bashkëpunëtor i regjimit dhe as disident.” Vallë të ketë qenë IK disident vetëm LETRAR sipas këtij studiuesi? Jam kurioz të shoh se si e ka argumentuar tezën e tij në librin e ri.

Njerëz si ti dhe si unë, që jemi rritur edhe kulturalisht me veprën e Kadaresë, nuk kanë nevojë që të vijë dikush si Champseix – qoftë ky edhe tejet kompetent dhe elokuent – për të na shpjeguar nëse IK ka qenë apo jo disident, letrar politik apo ideologjik.

I kemi formuar gjykimet tona prej kohësh. Unë e di që ti mendon se IK ka qenë disident; dhe ti e di që unë mendoj se IK nuk ka qenë i tillë. Madje gjithnjë tundohem t’i jap të drejtë Arshi Pipës, i cili e ka quajtur Kadarenë “HERETIK”.

Natyrisht, nuk janë këto dallime në gjykime mes nesh, që e shkaktuan indiferencën e mediave ndaj takimit tuaj. Siç thashë, nëse mediat nuk folën, kjo ndodhi ngaqë mediat nuk nuhatën “klikime” dhe “kuriozitet” te ky lajm.

Në analizë të fundit, mediat kanë nuhatje të fortë, por IQ të ulët. Dhe sidomos, këto tonat nuk dinë të krijojnë vetë interes te publiku. Dhe tani gjykojnë se publiku tashmë është saturuar me vlerësimet e larta për IK dhe kundërvënien e tij ndaj politikave totalitare.

Nëmos e shohin këtë si diçka të pompuar.

Por, siç e shoh unë, problemi këtu është më tepër tek Akademia dhe statusi i saj në raport me publikun dhe mediat.

Për fat të keq, Akademia nuk ka arritur të ndërtojë marrëdhëniet e duhura me publikun dhe me mediat, gjithë duke pasur parasysh se këto të dyja janë të lidhura mes tyre.

Publikut sikur i ka humbur respekti i dikurshëm për Akademinë, për arsye të ndryshme. Një nga këto, është puna e pamjaftueshme e Akademisë vetë, për t’i shëndoshur marrëdhëniet me publikun. Akademia tregohet e mefshtë dhe e mbyllur në punët e veta duke u fokusuar në festime datëlindjesh geriatrike dhe kremtime e përshëndetje të tjera gjithfarësh.

Ajo hapësirë që, në mass media, duhej të ishte okupuar nga njerëz të Akademisë në bashkëbisedim me publikun, tashmë u është lënë në dorë sharlatanëve dhe shpellazgëve.

Shumë aktivitete kulturore të Akademisë, të cilat përcillen në faqen e saj zyrtare dhe në FB (nga ku u shkojnë edhe mass mediave), janë reduktuar në rituale performative, të cilat – le ta them hapur – nuk i interesojnë njeriu.

E megjithatë, po të kish pasur profesionalizmin e duhur në Public Relations, Akademia do të kish ngjallur vëmendjen e mediave edhe për promovimin e tanishëm.

Një mënyrë do të ishte duke ftuar, në promovim, edhe studiues që kanë mendim tjetër nga Champseix, për “disidencën letrare” të IK; dhe të shfrytëzohej ashtu rasti për debat.

Po të ndodhte kjo, jam pothuajse i sigurt se mediat do të ishin ngacmuar menjëherë, madje do ta kishin ftuar Champseix-në në emisionet e mbrëmjes, për t’i vazhduar debatet.

Mediat kanë prirje të të përdorin, prandaj ashtu duhet t’i përdorësh edhe ti (nuk e kam personalisht për ty, ti-ja këtu është gjenerike)…

Qëndrimi ndaj Kadaresë dhe interpretimi i raporteve të tij me shtetin totalitar është pjesë domethënëse e qasjes sonë ndaj së shkuarës totalitare. Akademia – si ajka e dijes sonë historike – ka rol të madh për të luajtur, në analizën e kësaj të kaluare. Ka edhe përgjegjësi të madhe.

Për fat të keq, ka zgjedhur të rrijë indiferente ndaj kësaj problematike – aq sa të krijohet, në opinionin publik, bindja, me gjasë e papërligjshme, se kryesinë e Akademisë e kanë kapur enveristët dhe nostalgjikët e regjimit të djeshëm.

A nuk është për t’u marrë kjo seriozisht dhe për t’u adresuar me forcë?

Që publiku sot në Shqipëri ka ende etje për problematikat e së kaluarës totalitare e konfirmoi edhe interesi i madh, i tanishëm, për librin “Të lirë” të Lea Ypit.

Një seksion aktiv dhe eficient i marrëdhënieve me publikun do ta kish shfrytëzuar edhe këtë interes, për ta nxjerrë në pah aktivitetin e tanishëm për disidencën e Kadaresë, letrare apo politike.

Unë mendoj se është gjithnjë mirë, që flitet për veprën e Kadaresë – sikurse mendoj se një studiues serioz si Champseix, kur vjen në Tiranë të shpjegojë pse kjo Kadareja është disident letrar, duhet t’u referohet edhe atyre që kanë thënë studiuesit shqiptarë për disidencën e Kadaresë vetë dhe disidencën në përgjithësi, gjatë regjimit të Hoxhës.

Si njeri që e kam përjetuar atë vepër dora-dorës, në vitet 1970-1980 dhe që jam rritur intelektualisht me faqet dhe vizionet e saj, them se Kadareja më ofronte një alternativë të çmuar ndaj propagandës së regjimit, por të tillë që unë nuk e quaja dot disidencë atëherë dhe as e quaj dot tani.

Dhe – me gjithë respektin – nuk pres që këtë mendim të ma ndryshojë një lexues francez i IK, sado i kualifikuar dhe i zoti të jetë.

Disidenti është disident për publikun e vet, jo për lexuesit që qëllon të ketë në një vend tjetër të botës; aq më tepër kur, atyre lexuesve në atë vend tjetër, nuk ua ka dërguar veprën me dorëshkrim kontrabandë (si Pasternaku Zhivagon), por me bekimin e Enver Hoxhës, i cili madje i ofroi edhe përkthyesin e vet, Vrionin.

Gjithsesi – se e zgjata – mua ky aktivitet, për të cilin ti ankohesh se u la në hije, më duket si i shkuar dëm, dhe si një rast i humbur për të gjithë ne që interesohemi për veprën e IK dhe për kulturën gjatë periudhës totalitare.

Nuk pres gjë të madhe nga mediat (aq e kanë metrin); por pres diçka më tepër nga Akademia, i së cilës jam edhe anëtar (i jashtëm). Te një qasje si kjo e tanishmja, nuk e gjej veten. Shpresoja se Akademia do të mund të pozicionohej ndryshe, më fort dhe më bindshëm. Prandaj ndoshta faji më mbetet mua, disidentit pas pilafit.

 

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht botimi në media të tjera. Shkelësit do të përndiqen ligjërisht.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin