NJË XHIRO ME ASHENSOR

Duhet të kem qenë jo më shumë se dymbëdhjetë vjeç, kur kam hipur për herë të parë në ashensor, në fillim të viteve 1970 në Turizmin e Sarandës. Na kishin çuar atje, një grup nxënësish, pasi kishim fituar vend të parë një konkurs matematike për klasat e shtata (?) në Tiranë – ne të “Avni Rustemit”. Mbaj mend që udhëtuam nëpër Shqipëri me mikrobus, dhe ashtu vizituam edhe Pogradecin, Korçën, Përmetin dhe Gjirokastrën, për të arritur pastaj në Sarandë – një udhëtim nga i cili më ka mbetur në mendje edhe Butrinti.

Te Turizmi i Sarandës atraksioni më i madh paskësh qenë ashensori. E dinim se çfarë ishte, por nuk e kishim “provuar”, meqë në Shqipërinë e atyre viteve nuk para kish nevojë për ashensor – shkallët mjaftonin (pallati ikonik te “Flora” ka pasur një pus ashensori, por jo ashensor; përkundrazi, ashensorit funksional të hotel “Dajtit” nuk i qaseshim dot, se nuk na linte kush; dhe nuk po flas për ashensorët e minierave…). Prandaj edhe ashensorin e quanim diçka “të jashtme”, madje më kujtohet që në orën e anglishtes na patën thënë se Britania e Madhe e quajtkësh lift, ndërsa Amerika elevator: ky duhej të ishte shembull politikisht asnjanës, i diferencave mes llojeve të anglishtes.

Gjithsesi, mbaj mend edhe që kish një park lojërash në Tiranë, diku afër Hotel Pezës (nëse e mbaj mend mirë) dhe atje i provonim ndonjëherë zhvendosjet e vrullshme mekanike nga poshtë-lart dhe anasjelltas. Mbase prandaj edhe iu qasëm ashensorit si të ishte edhe ai një atraksion lunaparku, vegël dëfrimi jo mjet për t’u zhvendosur nga një kat i hotelit tek tjetri. E reja, në këtë mes, ishin butonat me numrat e kateve, të cilët të jepnin iluzionin e një farë kontrolli ndaj lëvizjes; kontroll që mund të çohej më tutje, po ta kishim marrë vesh funksionin e ca butonave të tjerë kriptikë, të cilët megjithatë do t’i kemi shtypur eksperimentalisht…

Fëmijën e çudit ashensori si mjet transporti, sepse nuk e “sheh” që është duke u zhvendosur. Hyn në atë kabinë telefoni të veçuar nga bota, i bie numrit duke shtypur një buton të vetëm, pastaj mbyllen dyert dëgjon disa zhurma ndien disa lëkundje, pastaj hapen dyert sërish dhe ja ku gjendet në një “botë” tjetër. Paçka se katet e hotelit zakonisht ngjajnë aq shumë mes tyre, sa shpesh janë vetëm numrat e dhomave që të tregojnë se ke ndërruar nivel.

Kalamajve sikur u pëlqejnë këto përjetime – tek e fundit, trupi njëfarësoj e dallon se po lëviz vertikalisht; të paktën në momentin fillestar. Shumë kohë më pas, kur kam marrë ashensorët aq arrogantë në rrokaqiejt e Manhattan-it, e kam pikasur lëvizjen lart ose poshtë edhe falë veshëve që më kanë kërcitur. Por ashensori i Turizmit në Sarandë – se vetëm një të tillë më duket se kishte – e merrte tejet me nge, meqë distanca që përshkonte ish aq e shkurtër, sa nuk kish as kohë për përshpejtim mirëfilli. Kënaqësia, nëse mund ta quaj kështu, i detyrohej edhe “teleportimit”. Përndryshe, si udhëtim, ai me ashensor i ngjante gjithnjë një udhëtimi në karrocerinë e mbyllur të një kamioni, aq familjar për ne atëherë.

Nuk mund ta shijonim ashensorin veçse kolektivisht; as mund ta përfytyronim se njeriu mund ta përdorte edhe vetëm, si i vdekuri arkivolin. Tani që e mendoj, aq i thjeshtë dhe linear sa ishte në kubizmin e vet metalik, ashensori i mishëronte njëherësh disa nga atraksionet standard të një lunaparku: nga zhvendosjet vertikale, te mbylltësia, te klaustrofobia; fëmijët do të gjenin atje edhe aeroplanin, edhe frigoriferin, edhe shpellën. Natyrisht, e kishim parë si punonte, në filma – por filmat nuk i riprodhojnë dot mirë ndjesitë e thella të trupit, as prishjet alarmante të ekuilibrit dhe as tmerrin e momentit kur kërkon të përfytyrosh se ku je vendosur tamam në raport me ndërtesën. Kur ashensori fillonte lëvizjen, duke u tundur, ne gati-gati prisnim të kalonim në gjendje të papeshë, astronautë në një gishtëz ndërplanetare, të ngrirë në poza të sikletshme dhe ngjitur me njëri-tjetrin, në intimitet të tolerueshëm për shkak të solemnitetit, por edhe me cërkat e shumta të fjalëve që na silleshin përreth, flluska të paplasura.

Nuk donim t’ia dinim se ku do të shkonim – deri edhe shtypja e butonit të katit ishte pjesë e eksperiencës teknologjike prej “loje”; që dikush tjetër do ta përdorte, të njëjtin ashensor, thjesht për të kaluar nga një kat i ndërtesës në tjetrin, na dukej sakaq shpërdorim. Për ne rëndësi kishte rruga, jo destinacioni; paçka se edhe rruga na prezantohej me tipare krejt abstrakte madje metafizike, si pritje e pezullt në një qeli murgu, derisa vinte momenti kur dera hapej “vetë”, si në përralla. Në Shqipërinë tonë të atëhershme edhe dyert automatike kishin sharmin e tyre. Pa folur për gjërat e tjera që bëheshin a ndodhnin vetë: ashensorin që vinte “vetë” kur e thërrisje, dhe pastaj u bindej gishtave të tu mbi butonat për t’u nisur sërish “vetë”. Me pak fantazi, mund edhe t’ia njihje një inteligjencë rudimentare kësaj kafshe barre kokulur dhe drejtvizore, që të mbante pastaj në barkun e vet.

Bëjmë një xhiro me ashensor – kjo do të ketë qenë shprehja që përdornim për njëri-tjetrin, kur kërkonim pak argëtim, në mbrëmjet e plogëta të Turizmit të Sarandës. Ishin kohët e xhirove për ne: nga ato në bulevard, ku kishim aderuar sado në moshë të mitur; tek ato me biçikletë dhe ato të tjerat, më të privilegjuara, me motor a me makinë. Kjo fjalë e hyrë në shqipe nga italishtja, xhiro, bashkë me zakonin kulturor që i bashkëngjitej, i referohej shëtitjes, çapitjes për qejf, zakonisht në qytet, në pazar, më shumë për të parë dhe për t’u parë. Hiq karrocat me kushineta që kërkonin reputacion (street smarts) dhe specializim teknik, mjeti ynë i lakmueshëm dhe i arritshëm i transportit ishte biçikleta; të cilën shumë prej nesh “ia merrnin për një xhiro” tjetrit, me ç’rast fjala e përcillte edhe kuptimin e vet të mirëfilltë, të një lëvizjeje rrethore, sepse ti e merrje biçikletën, i vije “rrotull” lagjes, përshëndesje dhe të përshëndetnin, dhe ktheheshe atje ku ishe nisur, si zogu në fole.

Kur ishim më të vegjël, na çonin ndonjëherë edhe për xhiro me autobusin urban: më kujtohet një e tillë me gjyshen, kur pat nisur linja e unazës. Gjyshja me siguri e kish pasur edhe vetë dëshirë ta provonte atë farë udhëtimi, por më gjeti mua sebep. Më kujtohet se disa urbanë të atyre viteve – kur nuk kishin hyrë ende në përdorim modelet “fizarmonikë” – tërhiqnin nga pas rimorkion, një mjet transporti të improvizuar, ku unë fëmija megjithatë e kisha aq merak të udhëtoja. Hyje te kjo rimorkio duke u përkulur tek dera e ulët dhe zije vend mes njerëzve të ulur përqark, si në minderet e serta të një dhome miqsh, me fytyra të zymta prej kësolli, ndriçuar skiç nga drita që depërtonte prej dritareve të pluhurta. Vallë nuk i ngjante pak ashensorit? Ashtu e vogël siç ishte, aq sa të merrej fryma, dhe ti nuk dije si ta kundërshtoje heshtjen, çfarë edhe të bënte të ndiheshe pak si në makth, a thua se rimorkioja mund të ndodhte që befas të shkëputej nga autobusi që e ndukte pas, dhe të ngecte ashtu në mes të xhadesë, e ngrirë në mjerimin e vet, edhe ajo si një qeli paraburgimi por tashmë jetime ndaj çdo autoriteti.

Hajde bëjmë një xhiro me ashensor – këtë shprehje do ta kemi sajuar mu ato ditë, në Sarandë, kur na duhej t’i vinim një emër asaj që po bënim. Për ne xhiroja, në daç me këmbë në daç me biçikletë në daç në qytet në daç nga liqeni ishte gjithnjë përmasë e lirisë, si lëvizje pa pikësynim. “Nëse nuk e di se ku po shkon, çdo rrugë do të të çojë atje” (If you don’t know where you’re going, any road will take you there), ka pasë kënduar i ndjeri George Harrison (tek Any Road), por kritika e ka parë këtë varg si parafrazim të një pasazhi nga Alice’s Adventures in Wonderland[1]. Nuk ekzagjeroj, pra, kur e krahasoj tani përvojën e atëhershme me diçka prej përralle; përfshi pastaj edhe privimin sensorial, si të atij që rri i zhytur në një cisternë uji, pa kontakte stimuluese me realitetin, dhe ka kohë për të humbur në imagjinatën e vet. Te xhiroja, ciladolloj xhiroje, ka gjithnjë një element meditativ, që i referohet tërthorazi edhe lëvizjes “rrethore”; por njeriu që zhvendoset vertikalisht, i mbyllur në një arkë llamarine, në errësirën e pusit të ashensorit, me kavot që i spërdridhen sipër e poshtë si gjarpërinj të dhjamur, është pothuajse i detyruar të meditojë: për veten, për botën dhe rënien e lirë (ose fluturimin, që është edhe ai një lloj rënieje). Tek e fundit, xhiro ishte edhe ajo e Apollo-s së NASA-s, aq heroike në ato vite, që i vinte rrotull herë Tokës herë Hënës, pa folur pastaj për xhiron e madhe nga Toka në Hënë dhe kthim.

Por edhe lunaparku, madje edhe ai sheshi i djerrë e i pluhurt gati ushtarak, me katër hekurishte të gërvishtura, ku shkonim për t’u zbavitur në vitet 1960, ngrihet mbi konceptin e rrethsjelljes dhe të xhiros, që nga karuseli me kuaj prej druri, te versionet miniaturë të po atij karuseli për fëmijë dhe kuaj fare të vegjël dhe pastaj te ca varka metali të përbindshme, qiklopike, që lëviznin si lavjerrës, në kërkim dëshirues për ta kompletuar rrethin edhe ato. Me pak fantazi, mund të fillonim edhe ne, kalamajtë në Tiranë, të përgatiteshim për eksperiencën e përshpejtimit, shpejtësisë kozmike dhe mungesës së peshës. Tani besoj se edhe ashensorin jo vetëm e zbuluam në kohën dhe moshën e duhur, por edhe arritëm ta përdorim për synimin sa fisnik aq edhe të pamundur, të stërvitjes totale për të ardhmen e njeriut në hapësirë; çfarë do të mjaftonte për Shqipërinë e atyre viteve, me male të larta por me ndërtesa të ulëta.

Nuk di nëse e përmenda që xhiroja me ashensor ishte falas.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] “Would you tell me, please, which way I ought to go from here?”

“That depends a good deal on where you want to get to,” said the Cat.

“I don’t much care where—” said Alice.

“Then it doesn’t matter which way you go,” said the Cat.

“—so long as I get SOMEWHERE,” Alice added as an explanation.

“Oh, you’re sure to do that,” said the Cat, “if you only walk long enough.”