KU BURON E MIRA

Im atë, gjithë jetën mjek psikiatër, kish edhe një numër pacientësh të alkoolizuar, të cilët kërkonin ndihmë për ta lënë vesin, ose ngaqë alkooli i fuste në gjithfarë ngatërresash në familje dhe në punë.

Pat sjellë nga Moska, ku kish studiuar, plot libra kapakfortë për “dëmet e alkoolit” – Bashkimi Sovjetik atëherë, njëlloj si Rusia sot, ka qenë kampion bote në gëlltitjen e alkoolit dhe abuzimin me të. Pat shkruar edhe ai vetë një broshurë popullarizuese për alkoolizmin.

Në biseda me kureshtarë të pijes dhe të psikiatrisë, e kish zakon të përmendte numrin e saktë të qelizave të trurit (neuroneve) që vriste çdo gram alkool – ky numër me gjasë vinte nga studimi i fundit në laboratorët sovjetikë. Bisedat për qelizat e ngordhura të trurit rus shndërroheshin, në përfytyrimin tim, në pamje milingonash të shfarosura nga një spërkatje eksperimentale me insekticid. Milingonacid. Nuk di pse më kish hyrë dyshimi që këto biseda kaq statistikore bëheshin edhe për të më mbajtur larg alkoolit mua; por këtu kishte gisht edhe zakoni i tim gjyshi për të mos e ndarë gotën e rakisë nga tavolina, të cilin e trashëgoi pastaj edhe xhaxhai beqar, me faqoren e tij legjendare.

Prej babait mbaj mend që thoshte: “alkoolistët janë zakonisht njerëz të mirë.” Më dukej pa kuptim ky konstatim – aq më tepër që ai vetë, i rritur në një familje që ia kish parë të ligën alkoolit, i rrinte larg gotës dhe, deri edhe kur ulej në tavolinë, mjaftohej me një krikëll birrë.

Sillja pastaj ndërmend alkoolistët – alkoolikët? të alkoolizuarit? – që këshilloheshin me të, dhe të tjerë që i njihja unë vetë, dhe më dukej sikur kishte të drejtë. Pastaj fillova të arsyetoj se ai që e tepron me pijen dhe krijon një varësi ndaj saj, shpesh e bën për të larguar a topitur një brengë a një dhimbje që ka, ose për vetë-kurim; dhe se dikush që ka aq kapacitet emocional, sa të japë e të marrë me dhimbjen a brengën brenda vetes, ka edhe kapacitetin moral për të qenë dhe mbetur njeri i mirë.

E megjithatë, nuk e kam pasur kurrë të qartë se cilin personalitet të alkoolistit kish parasysh im atë, kur fliste për “mirësi” – atë që shfaqej si efekt i intoksikimit, apo atë tjetrin, që ish bërë shkas për varësinë; të kesh të bësh me një të dehur zakonisht nuk është gjë për t’u lakmuar, përveçse po të jesh edhe ti duke u rrumbullosur me të; nga ana tjetër, edhe alkoolisti kronik, kur nuk e ka nisur akoma pijen për ditën, nuk është i këndshëm dhe tërheqës. Mbase im atë e kish fjalën, pra, për dilemat dhe sfidat morale që shpresohej në mos t’i zgjidhte, të paktën t’i zbuste dhe t’i bënte më të pranueshme gota.

Këto janë më shumë racionalizime të miat; aq më tepër që edhe mua nuk është se më pëlqen të pi, përveçse në shoqëri të mirë njerëzish dhe pjatash. Shto pastaj që gjithnjë e më shpesh dëgjoj në lajmet për rrahje, përdhunime, plagosje dhe ndonjëherë edhe vrasje që kryhen nën ndikimin e alkoolit; pa llogaritur viktimat e aksidenteve rrugore. Siç dëgjoj se në popull nuk është se ka ndryshuar opinioni për “pijanecin”, megjithë konkurrencën që ia bën “pijetari” dhe sqimën e dijetarëve të verërave.

Dhe prapë dua t’i besoj tim eti.

*

Nënën gjithnjë e kam “përdorur” si burim të dijes gjuhësore – aq sa, në thelb, ndonjëherë e kam menduar si një mishërim a avatar të shqipes, që ma kishin vënë si kujdestare perënditë.

Por tani që nuk e kam më, e kuptoj se më ka vlejtur edhe si enciklopedi e informacionit moral për të tjerët, falë instinktit të saj jo aq për t’i njohur njerëzit, sa për të mos hezituar në klasifikimin e tyre – ky zotni njeri, ajo e pabesë, ky palo burrë, ai tjetri hundëlesh, ajo deri-atje-dhe-kthehu, e kështu me radhë: një galeri me portrete, të etiketuara haptazi dhe qartë, për ata me shqisa të dobëta.

Sot motorët e kërkimit ta bëjnë të lehtë kërkimin e informacionit – për pak sekonda, mund të mësosh çfarë të duash për konstelacionin e Demit, ose për serotoninën. Nëse je edhe më ambicioz dhe ke besim te sinqeriteti i inteligjencës artificiale, mund t’i drejtohesh me pyetje edhe ChatGPT-së. Por teknologjia ende nuk të vë në dispozicion ndonjë mënyrë për të marrë vesh, nëse dikush është njeri i mirë apo jo.

Pa qenë unë plotësisht i vetëdijshëm, këtë ia kam kërkuar gjithnjë sime mëje – duke pritur prej saj jo aq informacion faktik, sa një qëndrim ndaj personazheve përreth; një qëndrim që unë ia lexoja edhe nëpërmjet fjalëve dhe intonacionit të zërit dhe mimikës së fytyrës. Dhe që e bëja pastaj busullën time, për t’u orientuar në xhunglën e Tjetrit.

Këtë rol, prej motori të kërkimit dhe të opinionit moral, ime më arrinte ta luante falë të dhënave, historive dhe thashethemeve për botën, që mua m’i mbante sekret. Aq sa shpesh më qëllonte të dija nëse dikush ishte i besës ose i fjalës, ose dikujt tjetër i duhej ndenjur larg; por nuk dija se mbi ç’rrëfime dhe kujtime bazoheshin të gjitha këto. Ngjarjet që kishin ndodhur, përfshi edhe sidomos “skandalet” dhe që tani shërbenin për të fiksuar pikat e horizontit tim moral, mbeteshin – ato vetë – përtej horizontit tjetër, atij të përjetimit. Dikush tradhtonte shtetin ose të dashurën, dikujt ia dridhte gruaja, një vajzë ikte nga shtëpia me një shofer mikrobusi, një vajzë kokorroçe abortonte fëmijën, një tip dilte nga burgu, ku kish vuajtur dënimin për shitje floriri; një infermiere krijonte varësi ndaj morfinës; njerëzit në rrugë, për mua rregullisht enigma, qenkëshin projeksione të lëvizshme të biografive të tyre.

Dhuntia e saj ishte që ta lexonte jetën si roman dhe rastësitë e përditshme t’i interpretonte në bazë të rregullave të një gramatike interpretative gati mesjetare – sikur ngjarjet, përfshi edhe budallallëqet dhe fatkeqësitë, ndodhnin thjesht për të konfirmuar disa pak parime morale elementare; në kuptimin që e keqja vikësh në botë për të mundësuar etikën.

*

Ku janë të mirët, dhe cilëve u duhet besuar? Në një botë ku e mira është vlerë e rrallë, shpesh e fshehur, dhe po aq shpesh vetëm maskë e së keqes? Ose më mirë akoma, në një botë ku njeriu mësohet të dallojë se çfarë mund t’i shërbejë atij vetë dhe familjes dhe fisit të vet; siç mësohet të dallojë se kë mund të shfrytëzojë dhe sa?

Kujtimet që kam, edhe nga im atë, edhe nga ime më, më thonë tani se të dy – secili në mënyrën e vet – kanë qenë për mua orientues moralë; im atë duke më treguar se shpesh patologjitë dhe varësitë janë edhe shenja të refuzimit që ia bën viktima nënshtrimit ndaj së keqes; ime më, duke e lexuar botën si të ishte roman dhe pastaj, me një gjest intelektual të natyrshëm prej mësueseje të letërsisë që ishte, duke ma thjeshtuar e përmbledhur në pak fjalë (çfarë kish dashur të thotë autori).

Të dy i kam ende të pranishëm, aktorë të palodhur, që baritin në zgripat e skenës së vetëdijes në zhgjëndërr dhe në ëndërr; të dy më thonë gjëra dhe më rrëfejnë të vërteta, por për të tjerë që sot as ata nuk janë më. Ngulin këmbë se ajo botë, dikur e tyrja, nuk ishte ashtu siç dukej; edhe pse sot vetë ajo botë nuk është më, as siç dukej as siç nuk dukej. Ndonjëherë më duket edhe sikur kësaj ane të brishtë të jetimllëkut nuk i skadon afati kurrë.

 

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.

5 Komente

  1. Nga shkrimet e tua me te bukura e te ndiera, Ardian. Ashtu eshte, prinderit tane do te jetojne sa te jetojme ne vete. Aq me teper kur dime ta sjellim me kaq gjalleri kujtimin e tyre.

  2. Sa mall e mallëngjim për këtë farë njerëzishu që përditë bjerret për fare. Mjaft prej nesh kanë pasur familjarë si të tutë, që përditë e më shumë na shenjojnë me mosprani fizike e prani të pareshtur morale…
    Falemnderit Ardi që na i risolle sërish këtu sot duke i ndarë me ne këto përjetime.

  3. Shkrim shume i bukur, familja eshte ba a e gjithçkaje. Me kujtohet kur prindrit e mi flisnin dhe permendnin nje grua pa moral thoshin” eshte pak e kuvenduar” i kujtofsh perhere me dashuri, Ardi!

  4. Shkrim i mrekullueshëm, që të vë në mendime. Shumë madje
    .
    Si busullat tona të pazëvendësueshme morale, prindërit janë mëkuar edhe ata nga etërit dhe mëmat e tyre.

    Dhe në familjet tradicionale shqiptare, qytetare dhe fshatare, ku nën një çati mplekseshin rregullisht tri breza, orientuesi moral ishte, pa dyshim, gjyshi dhe gjyshja.

    Vrulli i jetës post-moderne sot po çmonton me shpejtësi marramendëse hallkat ndërbreznore, të cilat përçonin tek brezi tjetër të mirën dhe të keqen.

    Brezi i ri shumë pak kohë ka të qëndrojë me prindërit, aq më pak me gjyshërit sot, në epokën e ajfounit a samsungut. Dhe kjo të sjell në mendje Shabbatin, një nga pikat kardinale të hebraizmit. E Shtuna ishte dhe është Dita e Familjes. Gjithshka tjetër vjen pas saj.

    Ndofta edhe shoqërive post-moderne do t’u duhet një ditë e javës ku të pezullohej gjithshka digjitale dhe njerëzit të bënin kohë të rimerreshin me njëri-tjetrin.

    Bashkë me përgëzimet për autorin vjen edhe një pyetje e ligjshme: në klasifikimet e Mëmës së tij për njerëzit përfshihet edhe “ajo deri-atje-dhe-kthehu”. Nëse edhe shqipes – sikurse anglishtja – do t’i ndërtonim “fjalorin urban” të saj, si do ta përkufizonim këtë tog magjik fjalësh?

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin