Debatet rreth raporteve problematike mes standardit dhe dialekteve janë kapur peng i një keqkuptimi; edhe pse, kur vjen puna te pozicionet e disa ekspertëve, më shumë se për keqkuptim duhet folur për keqbesim.
Ky keqkuptim – le ta quajmë kështu – i ka rrënjët në kundërvënien midis dy mekanizmave që veprojnë në kulturë, për ta ndryshuar këtë: zëvendësimit dhe shtimit. Zëvendësimin e gjen në sisteme të shtangëta dhe të njëtrajtshme, që nuk e pranojnë variacionin; shtimin e ndesh, përkundrazi, në sisteme të hapura, të cilat variacioni nuk i fut dot në krizë, madje i ushqen.
Deri më sot, në Shqipëri jemi mësuar kryesisht me zëvendësimin si rregullsi zhvillimi: hiq qeleshen dhe vër kasketën; hidhe penën dhe fillo të shkruash me stilolaps; mos blej më Shekullin, por Ditën; mos e pi më kafen te Europa, por te Chagall-i; e kështu me radhë – siç do ta shembëllzonte edhe fjalia Tash e tutje, do të shkojmë në Itali me traget; të krahasohet kjo me Tash e tutje do të shkojmë në Itali edhe me traget. Në modelin e parë, trageti zëvendëson dhe i përjashton mjetet e tjera për të udhëtuar përtej Adriatikut: motoskafin, avionin, gomonin, helikopterin, automobilin, nëndetësen; në modelin e dytë, trageti u shtohet opsioneve që kemi, duke i rivlerësuar secilin, por jo duke i zëvendësuar.
Debatet për standardin dhe dialektet dëshmojnë, edhe pse nuk ishte nevoja për dëshmi të tilla, që kemi mbetur robër mendërisht të mekanizmit të zëvendësimit: futjen e një elementi të ri e shohim vetvetiu si fatale për elementin ekzistues me funksione të ngjashme: a thua se, bie fjala, kitara do të heqë nga përdorimi mandolinën ose çiftelinë; violonceli lahutën dhe tastiera elektronike pianoforten. Progresi ose edhe thjesht ndryshimi kuptohet kështu në mënyrë lineare, ose si një vijë që zgjatohet në një përmasë vetëm; dhe ku çdo fazë e re ia lëshon vendin të vjetrës.
Çfarë na mungon, për ta vazhduar metaforën, është nocioni dhe sidomos praktika e orkestrës.
Edhe për dialektet, shumë prej nesh i shohin si të rrezikuara nga standardi – madje mësuesit mund të qëllojë t’u shpjegojnë nxënësve, në shkollë, se “tash e tutje nuk do të thoni më kam shkue, por kam shkuar; sikurse nuk do të thoni më desha me pyetë, por desha të pyes.” Këtu shohim modelin e zëvendësimit në veprim – edhe pse korrekte do të ishte, përkundrazi, që të shpjegohej se standardi i mbivendoset dialektit, pa e zëvendësuar; dhe fëmijëve t’u mësohet se kur apo në ç’rrethana të thonë kam shkue dhe kur apo në ç’rrethana të thonë a të shkruajnë kam shkuar (ose, në një krahinë tjetër, kur të thonë ku o veç? dhe kur të thonë a të shkruajnë ku do të vesh?).
Zëvendësim apo shtim? Pyetja vjen me rreziqet e veta. Shtimi sjell me vete edhe një zëvendësim të pjesshëm – meqë tironsi nuk do të thotë dot më, në parlament, i kina shkrujt, po s’na ka kthy përgjigje; meqë tani pritet të ketë mësuar, në shkollë, se në parlament duhet thënë: i kemi shkruar, por s’na ka kthyer përgjigje. Pra, sa i përket konteksteve sociale të reja, shtimi është zëvendësim i një forme jo-adekuate (p.sh. të folmes së fshatit, në një mjedis universitar); por ai mbetet i pjesshëm, kur këqyrim ligjërimin në përgjithësi (pse e folmja e fshatit mbijeton në fshatin përkatës).
Kjo na bën ta shohim progresin jo aq si zëvendësim të së vjetrës me të renë, sesa si ndërlikim ose pasurim të ekzistueses me çfarë më parë nuk ekzistonte. Nëse një fshatari që rrallëherë largohej nga krahina e tij, deri dje, i mjaftonte dialekti për të komunikuar, sot të njëjtit fshatar i duhet edhe standardi, për të kuptuar lajmet në TV, gazetën dhe Internetin. Nëse ky fshatar dëshiron pastaj të marrë pjesë aktive në jetën publike, ose edhe vetëm të plotësojë një formular ose të shkruajë një lutje, atëherë atij i duhet edhe që ta zotërojë aktivisht standardin – për çfarë e ndihmon para së gjithash shkolla, por edhe kontakti i vijueshëm me mediat.[1]
Mirëpo i njëjti fshatar përdor shatin dhe lopatën në kopshtin e shtëpisë, por traktorin kur del të punojë në arë; por askush nuk po fillon të shkulë flokët, se kështu po “na humbet” kultura e përdorimit të shatit dhe të lopatës, ngaqë tani fshatarët punojnë me traktor. Për të njëjtën arsye, kanalet vaditëse nuk kanë zëvendësuar markuçin, as ujitësen e luleve. Në fakt, teknologjia përparon kryesisht nëpërmjet shtimit inkremental, jo zëvendësimit; çka do të thotë edhe se na rriten opsionet, ose shkallët e lirisë – dhe krahas tyre, edhe ne vetë ndihemi më të lirë. Dikush ende mund të vendosë të udhëtojë me kalë nga Qafë-Shtama në Tiranë, por në fakt e ka më të lehtë ta bëjë këtë me makinë – dhe prandaj edhe e bën. Kur na ikin dritat, askush nga ne nuk ngurron të ndezë qiririn; kur nuk kemi alkool, të gërricurën e maces (ose edhe plagën e plumbit, xhanëm) e dezinfektojmë me raki.
Rreziku kryesor që i kërcënohet teknologjisë tradicionale të shatit, lopatës, markuçit dhe ujitëses së luleve është betoni, ose zhdukja fizike e bahçeve. Mund të ndodhë, bie fjala, që fshatari të bartet familjarisht në qytet dhe të vendoset në një apartament; ashtu fëmijët e tij do të harrojnë si kontrollohen pulat për vezë, si kullotet viçi, si prashitet kopshti dhe si përdoren me lehtësi veglat përkatëse; por do të mësojnë, ndërkaq, të përdorin ashensorin, të fshijnë shkallën, të zgjedhin mes perimeve të freskëta në dyqan dhe të kapërcejnë rrugën në vijat e bardha, mes të tjerash.[2]
Dhe jo vetëm – edhe dialekti që kanë sjellë me vete do t’u përzihet me dialekte të tjera, kryesisht sociale; çka do t’i bëjë disa që të ngrihen dhe të thonë se “dialektin e ruajnë më tepër moshat e vjetra;” a thua se kjo është ndonjë e keqe dhe diçka për t’u shmangur, qoftë edhe me ndërhyrjen e shtetit; dhe jo thjesht efekt anësor i zhvillimeve demografike.
Në fakt, shumë linguistë dhe antropologë i qasen gjuhës së jashtmi, si objekt studimi dhe harrojnë se për të tjerët ajo s’është veçse një vegël: dhe një vegël që mbijeton qoftë edhe artificialisht, edhe pse nuk përdoret, nis të përmbushë funksione ornamentale, ose simbolike; njëlloj si shpata që ngjeshin rojet moderne të Gardës, ose çelësi i Bashkisë së Tiranës.
Jetojmë në një epokë ku shtimi, si teknologji e progresit – nëse mund të shprehem kështu – gjithnjë e më shpesh po parapëlqehet ndaj zëvendësimit, i cili ka qenë karakteristik për sistemet kulturore autoritare, mes të cilave edhe ato totalitare, të cilat marrëdhëniet mes alternativave i shohin gjithnjë si antagoniste, ose të llojit aut/aut.[3] Prandaj dialektet është mirë të ruhen, edhe pse jo me çdo kusht dhe jo kundër prirjes për ri-përkufizim të funksioneve të tyre sociale, në rrethanat e një komunikimi që nuk i përfill më distancat gjeografike.
Në fakt, edhe sot synohet homogjenizim, por jo aq duke e çrrënjosur heterogjenitetin, sesa me rrugë të diferencuar, ose duke krijuar nivele autonome, më homogjene, krahas atyre të tjerave, më heterogjene. Këtë mund ta shembëllzojmë, bie fjala, me fatin e orientalizmave në shqipe – dje, Rilindja kërkoi t’i shlyente krejt nga leksiku, duke i trajtuar si elemente “të huaja”; më pas, erdhi Noli dhe tregoi se orientalizmat ishin, në fakt, pasuri e shqipes, me kusht që të përdoreshin në regjistra të caktuar. Sot kjo klasë fjalësh mbijeton kryesisht në leksikun bisedor të shqipes, madje shpesh duke shërbyer si shenjë dalluese e këtij regjistri; në një kohë që shqipja librore nuk i pranon orientalizmat lehtë, përveçse kur është fjala për historizma. Kemi, pra, nga njëra anë, modelin e zëvendësimit (që në këtë fushë manifestohet si purizëm); dhe nga ana tjetër modelin e shtimit, i cili i shndërron orientalizmat në opsione regjistri. Në rastin e parë, rezultat është homogjenizimi; në rastin e dytë, pasurimi.[4]
[1] Tek e fundit, dialekti nuk ka qenë kurrë i destinuar të përdoret atje ku duhet përdorur standardi; dhe zhvillimi i standardit ka ndodhur pikërisht për t’iu përgjigjur nevojave të atyre hapësirave dhe konteksteve ku dialekti nuk ekziston. [2] Ky është, po, zëvendësim – meqë shtimin tani nuk e favorizon konteksti social. [3] Që kjo është çështje mendësie, duket sikur e mbështet edhe polemika e fundit, e hapur nga Ndriçim Kulla, sipas të cilit Çmimi i Madh i Publicistikës i Festivalit të Librit i duhej kushtuar Branko Merxhanit, jo Ardian Klosit. Edhe këtu shohim të njëjtën logjikë aut/aut në veprim: ku një konflikt synohet të zgjidhet nëpërmjet zëvendësimit, jo akomodimit – ose pasurimit të sistemit. Kullës nuk i shkon ndërmend që ka vend, në kulturë, për dy dhe më shumë çmime të pranëvëna; dhe që zëvendësimi, në fakt, nuk pasuron asgjë. [4] Këtu është ndoshta vendi të kujtojmë edhe absurditetin e klishesë “të pastrimit dhe pasurimit të gjuhës shqipe”, të cilën e dëgjon në çdo tubim zyrtar gjuhëtarësh që kërkojnë respekt, pa çka se pastrimi nuk mund të jetë pasurim; as pasurimi pastrim.
”’Kemi, pra, nga njëra anë, modelin e zëvendësimit (që në këtë fushë manifestohet si purizëm); dhe nga ana tjetër modelin e shtimit, i cili i shndërron orientalizmat në opsione regjistri. Në rastin e parë, rezultat është homogjenizimi; në rastin e dytë, pasurimi.[4]”’
Homogjenizimi/purizmi eshte proçes qe kerkon pasurimin ne cilesi. Kundershtia eshte mes pasurimit ne cilesi e pasurimit ne sasi. Normalisht,purizmi ne çdo fushe te jetes synin rritjen e cilesise, llafi qe bie purizmi qe ushtron me ane te kritereve per pjesemarrjen ne blog synon rritjen e cilesise, ndersa kur ke dashur sasine ke ndjekur politika te tjera.
Koncepti i se pastres, se kulluares lidhet gjithnje me pasurimin ne cilesi, ndryshe nga pasurimi ne sasi i cili lidhet me koncepte te tipit turli, soj e sorrollop etj.
Sigurisht qe nese do dallonim veçse demokraci e autoritarizem, atehere pasurimi ne cilesi do i mvishej autoritarizmit e pasurimi ne sasi demokracise. Por ne kete rast, veç sa do shihnin shtrember demokracine e do vleresonim autokracine, keshtu qe me mire te lihen jashte thjeshtimet dialektike te tipit autokraci vs demokraci, sepse psh do te nxirrnim logjikisht qe blogu ka administrim autokratik, rrjedhimisht antidemokratik .
Kur hasim pranevenien e pastrimit dhe pasurimit si tek ”pasurimi dhe pastrimi i gjuhes shqipe” praktikisht po degjojme qe shqipja te pasurohet, ne veçanti nepermjet rritjes se cilesise. Natyrisht me cilesi, nenkuptohet krijimi i fjaleve te reja me rrenje nga fjalet e fondit indoeuropian te shqipes dhe atyre te fondeve me te vjetra. Kjo jo vetem qe nuk eshte absurde por shume e logjikshme, perderisa natyren shqipe gjuhes ia jep pikerisht fondi i saj indoeuropian, keshtu qe cilesia lidhet me forcimin e natyres se saj. Fjala cilesi do te thote pikerisht forcimi i natyres/qenies se gjese, sepse natyra e gjese eshte deshmia e individualitetit e rrjedhimisht ekzistences se gjese. Themi ‘cili/cila’ per te dalluar.
Perndryshe huazimi eshte rritje ne sasi nepermjet se huajes, rrjedhimisht kemi dobesimin e natyres se shqipes, meqenese shfavorizon fondin autokton te shqipes ne lidhje me fondet e huaja. Natyrisht ky dobesim i shqipes mund te quhet i nevojshem, madje edhe pasurim ( ketu duhen disa pikepyetje nga ana logjike) persa kohe qe nuk jemi ne gjendje te rrisim cilesine e shqipes, por nevoja nuk duhet te na verboje mendjen.
Mundi i pamase qe duhet ne krijimin e fjaleve te reja krahasuar me lehtesine e jashtezakonshme te huazimit e tregon vetiu se ku nevojitet nderhyrja e shtetit dhe bashkesise. Ne rastin e pare duhet ndertuar, ne rastin e dyte duhet rregulluar kaosi, ne te parin duhen krijues, ne te dytin administratore.