REFORMA NË ARSIMIN E LARTË: PERSONELI AKADEMIK (2.2)

[vijon …] Sipas Xhaferri and Brankovic (2013) personeli akademik i matur sipas FTE (full time equivalent) u rrit me 50% që prej vitit 2007 (nga 5 707 në vitin 2007, në 10 652 në 2012). Me këto shifra raporti student-pedagog në rang republike ka qëndruar i njëjtë (13:1), por ndryshon shumë ndër institucione.

Numri i studentëve është rritur mesatarisht me 15% në vit ndërsa ai i personelit me 13%. Rritja e numrit të studentëve në universitetet publike është administruar kryesisht me rritjen e personelit me kohë të pjesshme, siç vërehet nga figura 1, që tregon numrin e personelit akademik për periudhën 2004-2011.

1

Në Universitetin e Tiranës gjatë 2009-10 vetëm 50% e personelit ishin me titullin akademik Dr. e sipër, ndërsa në 2012 ishin vetëm 36%, ku raporti më i ulët ishte në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja (7%). Në 2012 mbi 54% e personelit akademik ishin punësuar me kohë të pjesshme (joefektiv). Bazuar mbi metodën e përllogaritjes në renditjen e universiteteve nga US News, raporti student-pedagog është më i larti në Fakultetin e Shkencave Sociale (rreth 48.5 :1) dhe në Fakultetin e Juridikut (43:1), ky ka edhe një raport shumë të lartë udhëheqës për doktorantë (12:1), në kundërshtim me kuadrin ligjor që e përcakton maksimumi 5:1. Vetëm Fakulteti i Mjekësisë, sot Universiteti Mjekësor, ka një raport të pranueshëm studentë-pedagog (10:1). Raporti student-pedagog ishte mbi 40 me 1 në universitetet e Shkodrës, Durrësit, Korçës, Vlorës dhe Elbasanit për vitin 2011-12. 2 Numri i personelit që rekrutohet në universitetet publike kontrollohet nga qeveria pasi ato operojnë në bazë të ligjit të buxhetit. Edhe përse universitetet publike nuk marrin fonde shtesë për programet e doktoratës, kuotat për këto programe vendosen nga qeveria. Ndërprerja e programeve të doktoratës dhe e procedimit të njohjes së titujve akademikë gjatë 2007-09 uli raportin e pedagogëve me titull në institucione, por që prej 2009 janë rreth 2600 studentë të regjistruar në programet e doktoratës, prej të cilëve 63% në UT. Sa i përket promovimit, neni 47 i ligjit (2007) njeh pesë tituj akademikë për personelin mësimdhënës dhe të kërkimit shkencor (profesor, prof. asociuar, docent, lektor dhe kërkues) dhe një titull për anëtarët e Akademisë së Shkencave (akademik). Autoriteti për administrimin e titujve i përket Këshillit të Profesorëve. Titulli “profesor” përfitohet pas vlerësimit të Këshillit të Profesorëve dhe më pas miratimit të komisionit ministror me anëtar të caktuar nga ministri dhe të njohur në komunitetin akademik (VKM, nr. 467-2007). Por kuadri aktual ligjor ka një problem sa i përket kompetencave të qeverisë për dhënien e titujve akademikë. Qeveria miraton pagat sipas titujve akademikë, por statusi ligjor i titullit është i paqartë, pasi ai nuk është i njësuar me “gradën”. Titulli akademik është një pozicion pune dhe jo medoemos “gradë”, siç përdoret në ushtrinë tonë ose gjetkë në komunitetin akademik. E nëse titulli “profesor” është i varur nga pozicioni i punës në institucion, atëherë është i pavlefshëm jashtë tij. P.sh. në Gjermani titulli “profesor” ka statusin ligjor të nëpunësit civil dhe përfshin edhe konceptin e gradës (pas Habilitation); një profesor cilësohet i tillë dhe paguhet respektivisht (W3 ose C3) edhe kur punësohet në një tjetër institucion apo është i jashtëm (Gesetz über die Hochschulen des Landes Nordrhein-Westfalen, 28.04.2004). Por në Shqipëri nuk ka ligj që shprehet për statusin ligjor të “profesorit” përveç atij të akademikut, të rregulluar me ligjin e Akademisë së Shkencave. Përveç që qeveria ndërhyn edhe në vendosjen e meritave akademike, një mbetje kjo nga periudha socialiste, tradicionalisht (por jo ligjërisht) interpretimi është që në Shqipëri “titulli” njësohet me “gradën” dhe mbartet edhe jashtë institucionit ku është përftuar. Sipas mendimit tim, udhëzimi i qeverisë për të rregulluar titujt akademikë edhe në institucionet private është i diskutueshëm, pasi titulli akademik është i lidhur me vendin e punës dhe jo “gradën”. Dikush duhet ta sqarojë këtë punë. Qeveria gjithashtu vendos edhe pagat e shpërblimet e pedagogëve, së bashku me ngarkesën mësimore (Nr. 748/2009 dhe Nr. 467/2007). Në tabelën e mëposhtme paraqitet ngarkesa mësimore dhe pagat sipas titullit akademik dhe funksionit administrativ. Minimumi i orëve të kontaktit (normës) në universitetet publike është 50% (~750 orë) dhe 70% (~1050 orë) e të gjithë orëve totale të mësimdhënies, në varësi të titullit akademik dhe pozicionit administrativ (Nr. 467/2007). Ka një kufi deri në 30% të ngarkesës maksimale për orët shtesë, në mënyrë që të kontrollohet pagesa dhe oreksi i disa akademikëve. Kufiri minimal në javë i orëve në mësimdhënie për vitin akademik është 6 orë në javë; vetëm 5% e personelit mund të përjashtohen nga ky kusht (Nr. 467/2007).

3

Sa i përket buxhetit të shpenzuar për personelin në universitetet publike ka dallime të mëdha ndërmjet UT dhe universiteteve rajonale. Në vitin 2012 UT planifikonte të shpenzonte rreth 93% të fondit të pakushtëzuar (shtetëror) për personelin akademik (paga dhe kontributet e sigurimeve shoqërore). Fondi i qeverisë në 2012 mbulonte vetëm 46% të të gjitha shpenzimeve. Në 2011 kostot e personelit në UT zinin mbi  35% të të gjitha shpenzimeve (për krahasim në Akademinë e Arteve dhe Universitetin e Gjirokastrës janë mbi 80%). Në vitin 2012 UT synonte të përdorte rreth 30% të të ardhurave për të mbuluar shpenzimet e personelit. UT ka rreth 1352 personel ekuivalent me kohë të plotë {FTE = 967 personeli me kohë të plotë + 1/3 (1156 personeli me kohë të pjesshme)}. Metodat e përllogaritjes së personelit “ekuivalent me kohë të plotë” janë të ndryshme, p.sh. një përllogaritje më e saktë do të ishte në bazë të ngarkesës së normuar vjetore dhe programit të studimit në kreditë (ECTS). Shënim mbi të dhënat: Të dhënat janë nga Vjetari Statistikor i MAS 2009-10, 2010-11, plan-buxheti i UT-ës për vitin 2012 dhe INSTAT (2014). Statistikat e INSTAT (2014) me ato të Universitetit të Tiranës nuk korrespondojnë, p.sh. për periudhën 2011-12 INSTAT raporton 1671 studentë doktorate, ndërsa UT=1621. Mospërputhja dëshmon se INSTAT nuk ka ndërmarrë një analizë se sa korrespondojnë kuotat e miratuara nga qeveria me numrin faktik të studentëve të regjistruar në universitetet publike. Gjithashtu, përllogaritjet e paraqitura në plan-reformë mund të jenë të gabuara, p.sh. Gjonca (fq. 13) ka shifra ndryshe nga ato të INSTAT (2014) për vitet 2006-09 dhe 2010-12. Ose, në vitin 2010-11 qeveria (VKM, Nr.586-2010) miratoi 23,534 kuota për studime me kohë të plotë dhe 8,610 me kohë të pjesshme, ndërkohë që MAS në vjetarin statistikor 2010-11 ka raportuar 27,650 të regjistruar për vitin 2010-11. Sa i përket të dhënave financiare, në të gjitha universitetet publike mungon transparenca e shpenzimeve për vitet e kaluara.

 


Të dhënat e mia janë siguruar jo zyrtarisht pasi nuk ka asgjë publike për shpenzimet në detaje si koston për student, koston për kredit, kostot e personelit akademik, investimet kapitale etj.)

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin