TË SHKRUASH ME GABIME (II)

Se çfarë mendojnë njerëzit për gabimet e tyre në të shkruar dhe si i gjykojnë ato, është një gjë; po se çfarë mendojnë, të njëjtët njerëz, për gabimet e të tjerëve, dhe sidomos si i gjykojnë ato, është një gjë tjetër. Dhe kjo ndodh jo vetëm ngaqë jemi mësuar të jemi të butë dhe të mirëkuptueshëm me veten, ndërsa të tjerët t’i vlerësojmë për nga mos-arritjet më shumë se nga arritjet; por edhe ngaqë kur gabojmë ne vetë, këtë e shohim si shmangie nga çfarë (kujtojmë se) jemi vërtet; por kur gabojnë të tjerët, këtë e shohim si provë ose tregues se çfarë janë ata vërtet. Dhe për çudi, ose mbase edhe jo aq për çudi, lajthitjet tona të vogla i konsiderojmë në mënyrë pragmatike dhe kontekstuale, ndërsa ato të tjetrit, sado të vogla, fillojmë t’i shpjegojmë me argumente të natyrës ideologjike. Prandaj, dikë që e shkruan shqipen me gabime, pavarësisht se të ç’lloji, do ta shohim si pak a shumë të gjymtuar në kompetencat e veta sociale dhe, veçanërisht, si me arsim të pamjaftueshëm. Një gjykim i tillë nuk është detyrimisht i gabuar, pa çka se të shkruarit në pajtim me rregullat drejtshkrimore të shqipes nuk dëshmon gjë se shkruesi në fjalë është doemos kompetent, i zoti ose i përgatitur në fusha të tjera përtej drejtshkrimit. Arsyeja do kërkuar gjetiu, dhe pikërisht te natyra sistematike e përpjekjeve që pritet të bëjë dikush, për ta përvetësuar mirë drejtshkrimin e shqipes, me gjithë rregullat dhe përjashtimet e tij dhe me rregullat e tjera të bashkëlidhura, si ato të përdorimit të shumësit, të nyjave, të formave foljore, të shkronjave të mëdha dhe të shenjave të pikësimit; një aparat barok rregullsish arbitrare, të cilat kërkojnë praktikë dhe përkushtim, për t’u shndërruar në shprehi. Kam njohur madje njerëz të letrave, që nuk kanë qenë gjuhëtarë as mësues të gjuhës, por që i pat kapur miratimi i Rregullave të Drejtshkrimit “nel mezzo del cammin di loro vita”, ose pasi e patën mësuar si ta shkruajnë mirë një shqipe tjetër; dhe që pastaj iu përveshën rregullave të reja me zellin e një studenti që edhe pak ditë i mbeten, për të lexuar “Iliadën” dhe “Odisenë” njëherësh; dhe pastaj e konsideruan familjarizimin e tyre me këto rregulla si një arsye krenarie dhe vetëbesimi të shtuar. Çfarë lidhet drejtpërdrejt me rolin që i ka qenë besuar mësimit dhe ushtrimit të rregullave arbitrare në shkollë; dhe që në kohët moderne është vazhdimi i studimit të gramatikës, logjikës, retorikës, gjeometrisë, aritmetikës, muzikës dhe astronomisë – lëndë të njohura edhe me emrat trivium dhe quadrivium; një traditë që sot e kësaj dite ruhet në institucionet me orientim më tradicional, si studim i latinishtes, greqishtes së vjetër dhe autorëve klasikë; dhe vlen të shënohet këtu që trivium-i synonte t’u edukonte nxënësve të menduarit kritik, ndërsa quadrivium-i t’i përgatiste më tej për studimin e filozofisë dhe, më pas, të teologjisë. Ky orientim metodologjik i shkollës klasike që nuk lidhet drejtpërdrejt me të mësuarin praktik të një zanati ose një arti utilitar, që t’i shërbejë nxënësit për të nxjerrë bukën nesër; por lidhet, përkundrazi, me konceptin qendror të disiplinës, fjalë që në latinishte, si disciplina, shënjonte arsimin, të mësuarit, dijen por edhe objektin e të mësuarit a të dijes; duke rrjedhur nga discipulus, “nxënës, ndjekës”, pas gjase nga folja discere, të mësosh. Nga latinishtja edhe mesjetare, fjala disiplinë ka hyrë pastaj në gjuhët e mëdha perëndimore, për të shënjuar një mënyrë sistematike për t’i bërë gjërat, duke ndjekur një bashkësi rregullash dhe normash të rrepta; por edhe një mënyrë sistematike për të studiuar dhe përvetësuar diçka, e cila shërben edhe për të transformuar mendërisht dhe shpirtërisht subjektin me synim arritjen e një objektivi qoftë edhe abstrakt ose të suksesit; dhe që pastaj mund të përdoret dhe do të përdoret për të nënshtruar “rebelimin” ose ngashënjimet centrifugale dhe për të vendosur rregullin (ose disiplinën) në mjedise kolektive, si shkolla ose institucionet e korrektimit dhe kudo gjetiu ku mblidhen së bashku shumë vetë; që këtej edhe folja disiplinoj, me kuptimin “vë dhe mbaj rregullin”. Dhe në këtë kontekst, drejtshkrimi i shqipes, edhe pse shpesh arbitrar dhe i vështirë për t’u përvetësuar në hollësitë, ka shërbyer dhe me siguri vazhdon të shërbejë në shkollat, së bashku me matematikën dhe gjimnastikën, si lëndë disiplinuese, ose trashëgimtare e trivium-it të dikurshëm. Pavarësisht nga funksionet utilitare që ka, të shkruarit e shqipes sipas rregullave i shërben kështu formimit mendor të nxënësit nëpërmjet disiplinimit; dhe, me inferencë, dikush që e shkruan shqipen mirë dëshmon jo vetëm se e shkruan shqipen mirë, por edhe ka qenë në gjendje t’i nënshtrohet me sukses procesit disiplinues dhe socializues të shkollimit, duke qenë tani gati për t’u integruar në një aktivitet produktiv. Këtë rol specifik të drejtshkrimit në shkolla do ta krahasoja me rreshtoren si pjesë e detyrueshme e stërvitjes ushtarake (së bashku me rregullimin mjeshtëror të krevatit); në dukje pa kuptim dhe pa dobi dhe e mërzitshme, por që në të vërtetë synon integrimin e individit në struktura supra-individuale, të cilat veprojnë në mënyrë të njëzëshme dhe të bashkërenduar, për të arritur synime praktike komplekse. Dhe nëse është kështu, ose nëse të mësuarit e drejtshkrimit të shqipes i shërben edhe disiplinimit të individit si pjesë me rëndësi kritike e arsimimit dhe socializimit të fëmijëve, atëherë një person çfarëdo, që nuk e shkruan mirë shqipen në ato kontekste ku shqipja duhet shkruar mirë (çfarë ia vlen të theksohet) tradhton një proces socializimi të mangët ose të lënë përgjysmë; çfarë në Shqipëri shpesh ka lidhje me cilësinë e keqe të mësimdhënies dhe të organizimit didaktik në shkolla dhe me faktin që vetë mësuesit nuk janë të titulluar deri në fund, që ta udhëheqin këtë lloj disiplinimi vit pas viti. Në fakt, një person që arrin të mësojë, në shkollë, që ta shkruajë shqipen sipas rregullave në fuqi, mund të mos i vlejë pastaj shoqërisë për asgjë; por ai vetë është dëshmi se sistemi shkollor ka funksionuar, ose e ka arritur qëllimin; njëlloj siç e arrin kur ia mëson nxënësit si të gjejë derivatin e një funksioni trigonometrik, pa çka se gjasat janë që ky nxënës të mos ndeshet kurrë më në jetën e vet me funksione të tilla.

[vijon]
error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: