NGA GABIMI NË REBELIM

Disa njerëz, dhe nuk janë pak, i hakërrehen standardit të shqipes jo se vijnë nga ndonjë fillesë kulturore tjetër, as ngaqë ndihen të ndrydhur në identitetin e tyre gjuhësor, por vetëm ngaqë nuk tolerojnë dot më idenë se mund ta kenë gabim dhe praktikën që dikush tjetër t’ua ndreqë këtë gabim, ose të paktën të ketë të drejtën ose prerogativën t’ua ndreqë.

Kjo dukuri nuk është dhe aq tradicionale, as ka lidhje gjë me shkëlqimin kulturor të gegëve katolikë dje e me komunizmin e toskëve, as me pluralizmin kulturor si kriter për bashkekzistencën paqësore të shqiptarëve, qoftë edhe në një shtet të centralizuar; por lidhet më shumë me përhapjen virale dhe shpesh absurde, pas Luftës II Botërore, të relativizmit si opsion jo vetëm filozofik, por edhe etik, anembanë botës Perëndimore.

Standardi vendos, dashur pa dashur, një hierarki vertikale në gjuhë; dhe më tej se gjuha, në marrëdhëniet shoqërore.

Kur ti ulesh dhe shkruan shqipëtar, një tjetër, që e njeh drejtshkrimin e shqipes më mirë se ti, mund të ngrihet e të të korrigjojë, duke të thënë: nuk thuhet shqipëtar, por shqiptar.

Le të fokusohemi për një çast tek ky akt, sepse që andej burojnë shumë karakteristika, të mira dhe të pamira, të shoqërive të disiplinuara ku jetojmë, ose të paktën ku duam të jetojmë.

Mes dy formave gjuhësore, shqiptar dhe shqipëtar, vendoset tani një marrëdhënie vertikale, e cila përcakton që e para është “e drejtë” ose “e rregullt” (në bazë të një kodi pak a shumë arbitrar të rregullave drejtshkrimore), ndërsa e dyta “e gabuar”.

Shikoni sa larg është kjo praktikë, nga ajo tjetra, relativiste, me të cilën në fusha të ndryshme nga gjuha na kanë stërvitur e mësuar tashmë; dhe sipas së cilës ti do të shkruaje shqiptar dhe unë shqipëtar dhe të dy do t’ia respektonim format dhe diversitetin njëri-tjetrit (sikurse ia respektojmë fenë, preferencat seksuale, vathët dhe tatuazhet), pa guxuar të zinim në gojë hierarkitë, gabimet, vertikalitetin dhe rregullat.

Gjithsesi, çfarë shpesh nuk i pëlqejmë standardit nuk është aq imponimi i një disipline në shumëllojshmërinë e trajtave gjuhësore, sesa arbitrariteti i këtij imponimi; në kuptimin që nuk ka asnjë arsye gjuhësore ose më mirë pragmatike të mirëfilltë pse trajta jote shqiptar të preferohet ndaj simes shqipëtar; ose që trajta jote kurorë të preferohet ndaj simes kunorë; ose fjala jote qumësht të preferohet ndaj simes tamël; përveç arsyes që ti po më kërkon mua të flas gjuhën tënde, ose duke m’i ndërruar muret dhe mobiljes e shtëpisë së qenies.

Këtë arbitraritet shumë prej nesh e përjetojnë si dhunim të lirisë intime.

Ka edhe më. Që nga momenti kur standardi e pranon, madje e kërkon korrigjimin, si praktikë esenciale të disiplinimit gjuhësor të përdoruesve publikë të gjuhës, atëherë krijohet një tjetër hierarki – ajo midis të korrigjuarve dhe korrigjuesve.

Korrigjuesit, në kuptim të gjerë të fjalës, janë ata që e kanë përvetësuar standardin nëpërmjet studimit këmbëngulës; studim që, sikurse dikur ai i latinishtes ose quadrivium-it, vlente jo aq për rezultatet praktike, konkrete të studimit, sesa për transformimin intelektual dhe shpirtëror që pësonte studenti vetë, gjatë procesit.

Në kuptimin që studimi i asaj forme arbitrare të gjuhës, që është standardi, dhe përvetësimi i saj deri në natyrshmëri, prodhon një shtresë qytetarësh “profesionistë” (në kuptimin e qytetarisë si profesion), të cilët jo vetëm shquhen ngaqë e flasin dhe e shkruajnë standardin qartë dhe pa gabime, por edhe që – në praktikë e sipër të të mësuarit – janë shndërruar nëpërmjet disiplinimit.

Kjo tingëllon si diçka e mnershme, por në fakt nuk është; le të krahasojmë me sportistin, i cili jo vetëm zhvillon muskulaturën dhe reflekset, por edhe mësohet të punojë së bashku me të tjerët, për të arritur një synim të caktuar; gjë që vështirë se e gjen, bie fjala, te një piktor ose një roje nate.

Tani, që nga momenti kur standardi kristalizohet, në trajta të një kodi të shkruar, atëherë ai vetvetiu do të shndërrohet, në kontekstin e një shteti modern të qendërzuar, në kriter meritokratik – duke privilegjiuar zotëruesit e standardit ndaj atyre të tjerëve, që standardin nuk e zotërojnë.

Në shoqëritë dhe kulturat tradicionale, vertikaliteti ka qenë pranuar pa probleme, si diçka e natyrshme; por sot njerëzit kërkojnë barazi, qoftë edhe me kusht që ta imponojnë këtë barazi nga poshtë; dhe këtë barazi e kërkojnë jo vetëm në të drejta dhe në politikë, por edhe në sfera deri dje të sunduara nga vlera, si p.sh. arti.

Cili intelektual i respektueshëm do të guxonte të ngrihej sot dhe të thoshte në publik se Schubert-i është objektivisht më i madh se John Cage-i? Se Rodin-i është objektivisht më i madh dhe më i rëndësishëm se Jeff Koons-i? Se Bernini është arkitekt më i admirueshëm se Le Corbusier-i?

E kështu me radhë.

Kësisoj, revolta ndaj standardit është edhe revoltë ndaj marrëdhënies vertikale midis të korrigjuarve dhe korrigjuesve; ose revolta e atyre që, simbolikisht, kanë mbetur “nxënës të dobët” edhe në jetë, pa çka se kjo mund të ketë ndodhur në trajta të një padrejtësie sociale.

Është, me fjalë të tjera, revolta e “We don’t need no education.”

Sikurse edhe gjetiu sot në botë, edukata dhe dija kanë ardhur duke humbur terren, si vlera njerëzore ndër shqiptarët; për t’u zëvendësuar me vlera të tjera: shkathtësia, dinakëria, energjia, intuita, dukja (look), kalkulimi, rrjetëzimi (networking), aftësia për të rrezikuar. Në këto rrethana, kur shahut ia zë vendin pokeri, edhe zotërimi i standardit vjen duke e humbur vlerën që kishte dje; sepse sot promovimi social nuk ka nevojë për garancitë që deri dje ia ofronte edukimi.

Pushteti i normës gjuhësore, të shprehur nëpërmjet imperativit për t’iu konformuar kodit ekzistues të drejtshkrimit dhe të gramatikës, nuk është se ka dhënë shpirt; por vetëm sa ekziston paralelisht me lirinë e Tjetrit për ta shkelur atë normë dhe atë kod pa ndonjë pasojë për veten (edhe pse me pasoja, ndonjëherë fatale, për kolektivitetin).

Kaq e vërtetë është kjo, sa ndoshta mjafton për t’u përdorur si kriter për të dalluar midis të vjetërve, ose atyre që ende e mbrojnë standardin dhe në përgjithësi disiplinimin social, si shenja të domosdoshme të qytetarisë; dhe të rinjve, që standardin e shohin në rastin më të mirë si relike, dhe në rastin më të keq si përpjekje të hierarkive të dikurshme për t’u ri-imponuar. Fatkeqësia është se shpesh, nën maskën e luftës së barazi, përgatitet trualli për të themeluar hierarki krejt të tjera.

Kjo punë s’ka të bëjë me gjuhën, as me gegërishten e djeshme dhe të sotme, as me komunizmin dhe katolicizmin, por me pronësinë ndaj hapësirës ligjërimore publike: deri dje, rregullat, kodet e mirëmbajtura dhe respekti për gramatikën shërbenin si çelës për t’ia hapur dyert asaj hapësire; ndërsa sot ka njerëz që dyert po duan t’i shpërthejnë.

Përralla e patës që bënte vezë të arta shërben, në këtë rast, si përkujtesë për katastrofën që na pret.

Nuk ka komente

  1. Është e vërtetë kjo, Xhaxha. Sulmi bëhet ndaj autoritetit, dhe mënyrës sesi ky shfaqet. Masivizimi i komunikimit dhe i mediave “na zuri” në një epokë të keqe. Është modë kudo në botë sfida ndaj çdo lloj autoriteti. Ka madje edhe background teorik kjo gjë. Përveç relativizimit, fuzzy logic, teoria Bayes-iane, chaos theory etj.

    Por nëse në perëndim disa gjëra i marrin si të mirëqena, dhe nuk sfidohen, nuk sfidohet gjuha psh, standardi… madje është karakteristike që në komunitete virtuale greke, forume, blogje, ata që mbështesin një lloj tradicionalizmi, si organizata “patriotike”, apo njerëz të fesë, stigmatizohen shpesh se nuk dinë të përdorin saktë gjuhën dhe vlerat që mbrojnë. Konsiderohen si gjysëm analfabetë.

    Ama ndaj autoritetit, kur ky u shfaqet në formën e një individi, si kryetar partie psh, apo ekspert, nuk i kursen asnjë stigmatizimet, hedhjen poshtë, character killing etj.

    Bëni një eksperiment të thjeshtë, kush të dojë… shkoni diku në një komunitet virtual dhe lavdëroni me superlativa një personalitet çfarëdo… të medias, artit, politikës etj. Do shikoni reagimin negativ të menjëhershëm. Do ketë të paktën tre katër vetë që do e hedhin poshtë personin në fjalë. Kjo ngjan me atë fabulën e karavidheve që rastisi të lexoja ca kohë më parë në PTF. (këtë e them sidomos për Lulian Kodrën, se po e shoh të harxhojë shumë energji për të mbrojt … dikë të veçantë :D)

    Nëse bota perëndimore do e gjejë ilaçin besoj tek streha e vlerave abstrakte, tek ne ka një problem se këto vlera nuk njihen as artikulohen siç duhet.

  2. Po pse disa e perjetokan si dhunim te lirise intime cdo forme artikulimi ndryshe nga e tyrja dhe disa te tjere pranojne lehte formen e kodifikuar? Pse duhet t’u hapet udhe dhe t’u degjohet fjala ketyre tekanjozve te sapo ardhur si buka nga majaja, kur ne themel cdo diskutim i kesaj natyre nderton kurthin ku injoranti ka per te fituar. Sepse ketu nuk po flitet mbi baze logjike dhe arsyetimi, nuk po kritikohet standardi ne menyre te shendetshme, apo si te thuash ne baze profesionale. Ketu po diskutohet per bindje, qe jane paradhenia e cdo qendrimi te metejshem, apo te metutjeshem meqe ka dy forma edhe ketu. Po marr nje shembull qe lidhet me televizionin. Sa here shkoj ne Sarande apo edhe ne Vlore dhe degjoj stacionet lokale qe japin edicionin informativ thjesht te hipin nervat dhe irritohesh nga ajo e folur dialektore qe lidhet sidomos me intonacionin. Eshte e folura ime, por aty, ne ate ekran nuk qendron. Tjeter eshte puna kur degjoj ta zeme KTV-ne; standardi respektohet dhe madje mund te them me bindje se nga pervoja qe kam me te gjitha krahinat, me me lehtesi per te shaluar standardin e kane femrat nga Veriu. Po te heqim Shkodren dhe disa rajone te Dibres disi. Lakimi eshte me i natyrshem, tingullimi dhe theksi po ashtu nuk ndihen dhe kete mund te konstatosh edhe me mire kur e sheh kete kontigjent te absorboje gati si avuj caji te folmen e perditshme te Tiranes, qe eshte padyshim nje gegnishte e bute qytetare, pa kontraktimin dhe mbyljen e serte te ligjerimit qe kane dialektet e tjera. Nje vlonjat, nje gjirokastrit, nje progradecar, nje korcar, nje fierak apo beratas do dallohen qe tutje se jane nga Jugu per shkak te INTONACIONIT. Dhe ky eshte problem shume me i veshtire per t’u kapercyer sesa ai i pari; qe pse kur flasim podiumeve nuk themi me punue, por per te punuar. Pra edhe ne termat praktike debati eshte nul, eshte i paqene. Nje tjeter rast qe e kam hasur vete vjen nga Kosova e ndoshta e kam sjelle ketu edhe me heret. Ka te beje me ankesen e nje kosovari per rolin e Digitalbit ne perpunimin gjuhesor te shoqerise dhe ai e kishte me djalin e vogel qe sipas tij nuk flet si gjakovar. Ja qe edhe problemi i cenimit te initmitetit eshte hipokrizi bruto. Nga ana tjeter askush nuk ndalon ne shkrimin e letersise ne dialekt dhe paradoksi ketu eshte se edhe nje gegoman si poeti Shpetim Kelmendi kishte perkthyer ne standard poezine e paarritshme te Montales-Limonat. Hierarkite jane permbysur dhe kjo eshte fakt, por krijimi i hierarkive te reja kerkon medoemos vlera te verteta qe te imponohet. Standardi sic thuhet ketu eshte nje kod artificial, por ai eshte edhe nje kontribut i pacmuar ne unifikim, qytetari dhe ndjesine e kombesise. Duhet ta themi se nga kjo rruge vijme; standardi i 1972-it eshte arritje dhe jo goditje.
    Pertej ceshtjes se gjuhes ketu shtrohet natyrshem edhe nje pyetje e karakterit strategjik: nese gegnishtja se afermi do te kapilarizohet brenda normes ekzistuese per te eksperimentuar fuzionin lingustik a eshte e qarte per gjithkend se ne finale do te kemi vete gegnishten ne rolin e standardit? Dhe nese kjo ndodh me cilat mekanizma do te realizohet integrimi i zones se Jugut ne nje gjedhe gjuhesore qe eshte e papranueshme per te? Une supozoj se kjo do te imponoje riorientimin gjeopolitik te Shqiperise e cila edhe keshtu perbehet nga nje popullsi e krjuar ne kushtet dhe rolin e kushintes. Sa per fene sa edhe per antropologjince sociale qe paraqet.

    Shkruan xha xhai: Kjo punë s’ka të bëjë me gjuhën, as me gegërishten e djeshme dhe të sotme, as me komunizmin dhe katolicizmin, por me pronësinë ndaj hapësirës ligjërimore publike

    Nese eshte keshtu, cilat jane atehere institucionet qe do te sanksionojne rendin e ri, pasi nese debati i deritanishem eshte produkt i perplasjes se paleve virtuale si komunizmi dhe katolicizmi, gegnishte-toskerishte, eleminimi i tyre si gjenerator i te vertetave sektare (tashme) kerkon medoemos themelimin e institucioneve me baze kombetare. Kerkon konsensus qe te mbijetoje. Si pra do u beka kjo?

  3. Perhere kur flitet per standardin sillet ne vemendje interesi i larte kombetar.
    A eshte e mundur te flitet apo debatohet mbi kete ceshtje, pa perfillur interesat e larta kombetare apo globale(nje debat thjeshte shkencor, profesional)?
    Ky lloj argumenti( argumentum ad hominem) e ndrydh debatin, ashtu sic ndrydh edhe shume debate te tjera.
    Por, neqoftese eshte e pamundur te shmanget ky lloj argumenti, atehere te pakten, te perdoret i njejti sdandard edhe per ceshtje te tjera qe kane lidhje te drejtperdrejte me interesin e larte kombetar apo shteteror.Ne te kundert, dashakeqet do na kujtojne ate per te cilen ata tregohen me gisht: strehen e nacionalizmit!

    Efekti i standardit mbi popullsine e veriut , ne fakt, eshte i madh.Per kete nuk eshte folur dhe nuk flitet, sepse konsiderohet nga ato gjera delikate, qe mund te ndikojne ne kohezionin kombetar.Mirepo eshte pikerisht ky efekt, negativ patjeter, mbi nje pjese te popullsise, shkaku i vertete i ketij “rebelimi” gege.

    Prsh, hapesira mediatike eshte e mbushur me analiste, opinioniste , padyshim profesioniste, te cilet vijne, bie fjala, nga fshatrat e Kolonjes apo Sarandes e Skraparit.Nga Shkodra sa mund te kete?a ka?(disfate kulturore??)

    Intelektuale apo gazetare nga veriu(kam parasysh edhe Kosoven) dalin herpashere ne arenen e debatit publik, por ,per nje pjese te madhe te tyre te vjen keq kur i veren tek pothuaj belbezojne,shterzojne per ta artikuluar me mire mendimin.Jam mese i sigurte, se kjo pasoje e sdandardit , atyre ju mvishet si deficence intelekutale.
    Nje shembull: derisa R.Qosja(mbrojtes i flakte i standardit) nuk hyri ne debat me I.Kadarene , vleresohej shume, vecanerisht per adhurimin qe ka ai per intelektualet rilindas.Mirepo, menjehere sapo u perfshi ne debat ne nje menyre skuthe, te lige dhe teper te terthorte kujtohej se ai eshte kosovari, intelektuali kosovar; i cili megjithese dashuron gjuhen shqipe, sdandardin , te vret veshin me ato ‘nuancat’ dialektore!!

    Kjo mund te quhet edhe disfate kulturore, dhe pikerisht si te tille e marrin edhe ata qe jane kunder standardit.Nuk besoj se ka ndonje te gje te rende ketu , perderisa edhe fqinjet tane, kur ne ankohemi per padrejtesite e verteta dhe hipotetike, na e permendim me lezet disfaten kulturore, por tashme per te gjithe e pa dallim gege apo toske.

    1. Shkruan:

      Hapesira mediatike eshte e mbushur me analiste, opinioniste , padyshim profesioniste, te cilet vijne, bie fjala, nga fshatrat e Kolonjes apo Sarandes e Skraparit.Nga Shkodra sa mund te kete? a ka?

      Në fakt, disa nga gjuhëtarët më të mirë dhe më kompetentë sot në Shqipëri janë me origjinë nga veriu, ose gjithsesi gegë: Bahri Beci (Shkodra), Seit Mansaku (Tirana), Gjovalin Shkurtaj (Shkodra), Mehmet Çeliku (Elbasani), Enver Hysa (Dibra); dhe këta janë shprehur haptazi në mbështetje të standardit. Edhe Kristina Jorgaqi, që e ka mbrojtur me këmbëngulje standardin tani vonë, është gjysmë katolike nga Shkodra.

      Shkruan:

      Intelektuale apo gazetare nga veriu(kam parasysh edhe Kosoven) dalin herpashere ne arenen e debatit publik, por ,per nje pjese te madhe te tyre te vjen keq kur i veren tek pothuaj belbezojne,shterzojne per ta artikuluar me mire mendimin.

      Kjo dukuri, besoj unë, ka të bëjë kryesisht (1) me mangësitë në shkollimin e tyre (2) me faktin që janë rritur në mjedise relativisht të izoluara dhe kulturorisht homogjene dhe (3), për një kategori të kufizuar, edhe me vlerësimin dhe respektin dhe detyrimin më të madh që ndiejnë ndaj krahinës së tyre dhe prejardhjes së tyre krahinore, sesa ndaj shtetit i të cilit janë qytetarë, që i bën t’i druhen standardit, ndonjëherë edhe pa dashur.

      Përndryshe, prej një intelektuali të atij niveli do të pritej të fliste qartë jo vetëm standardin, por edhe dy-tre gjuhë të huaja (gjë që edhe zakonisht ndodh).

  4. Analist nga fshatrat e Sarandes?! Po mendohem dhe po i vij verdalle dhe nuk me rezulton ndonje. Vetem Filip Cakuli, po ai eshte me shume se analist. Ai eshte humorist, anetar i ngrire i PD-se, minoritar me standard te konsoliduar.

    1. Nuk dua të paragjykoj Oskeolën, por shih si krijohet kjo psikozë, pa ndonjë bazë, për dominime krahinore. Gjetiu, të thonë se redaktorët nuk i lejojnë fjalët e rralla nga gegërishtja, e kështu me radhë. Unë asnjëherë s’e kam besuar këtë; dhe kur kam kërkuar prova s’m’i ka sjellë kush. Një perde tymi, një perde pluhuri, që fsheh kushedi se çfarë. Që dikush dominon dhe dikush tjetër dominohet, për këtë nuk kam dyshim; por në gjuhësinë e aplikuar, së paku në nivelet e larta, nuk më duket se dominojnë gjë toskët ndaj gegëve.

  5. Xha Xhai,
    une jam nje admirues i standardit, per te mos thene nje adhurues i tij.
    Psikoza per te cilen flisni ekziston ;une vec sa e permend, e ve ne dukje.
    Eshte me mire qe “djajte” ti quajme me emrin e tyre, perndryshe edhe debatet e humbin sinqeritetin , e kesisoj edhe argumentet besueshmerine.

    Efektet sociale te standardit ekzistojne, por kjo nuk e ve ne dyshim standardin si te tille, edhe ju vete e shpjegoni kete shume qarte.Besoj se duhet te flitet per keto efekte , sepse pikerisht mbi keto efekte ngrihet edhe psikoza per te cilen flisni.

    Per nje sere qytetesh thuhet qe jane djepe te kultures, por nqs ka nje qytet qe e meriton plotesisht kete cilesim, eshte pikerisht Shkodra.Shkodra qe edhe gjate diktatures ka nxjerre artiste te kualitetit te larte(kompozitoret e medhenj shqiptare, vargun e gjate te aktoreve, te gjithe cilesore etj) , nuk qenka ne gjendje, qe ne kohen e sotme , te nxjerre ndonje analist apo gazetar te zot?!
    E di se mund te merret si naivitet, por kam pershtypjen se kjo ka lidhje qe cke me te me standardin, ndonese jo drejtperdrejt.
    E mora si shembull kete aspekt te jetes publike , se pikerisht ketu mund te dallohen me qarte efektet e standardit.

    Xha Xhai, une nuk dyshoj asnje grime ne sinqeritetin tuaj kur flisni per standardin,aspak.E kete nuk e them per qoke.Por dyshoj se shume te tjere, profesioniste ose jo, pas “betejes” per standardin fshehin frikera e paragjykime qe shkojne me larg.

    1. Më vjen keq, e thashë që në rreshtin e parë të komentit tim, se “nuk dua të paragjykoj Oskeolën.” Nuk jam nga ata që e vrasin lajmëtarin…

    2. …”Shkodra qe edhe gjate diktatures ka nxjerre artiste te kualitetit te larte…”

      …”E di se mund te merret si naivitet, por kam pershtypjen se kjo ka lidhje qe cke me te me standardin,…”

      Shkodra ne fakt ka qene aktive ne skenen e kultures shqiptare shume perpara viteve 40-50 te shekullit te kaluar.
      Kolegji Saverian i jezuiteve u hap ne ate qytet qe ne 1877. Keshtuqe ascendenca e rolit te ketij qyteti ne kulturen shqiptare do kete qene 60-70 vjet, kjo ne nje kohe kur shume qendra te tjera te sotme nuk figuronin kerkund ne “harten” kulturore.

      Shkodra eshte si ajo vera e forte, qe mund te thyeje edhe enen e vet, e te shkoje dem. Me duket se ka pas nje perpjekje, ndofta artificiale, qe mbas L1B e ketej, per ta mos ta lene te lire ne mundesite e veta. Ne fund te shek 19 dhe fillim te shek. 20, te gjitha shtetet e medha te kohes kishin zyrat e perfaqesive te tyre ne ate qytet.
      Shkodra, (ka shume mundesi qe nga koha e Venedikut), luante rolin e nje pike hyrje dhe dalje te mallrave, (dhe ne e dime qe bashke me to hyjne edhe njerezit dhe idete) ne Shqiperi. Qyteti kishte portin e vet, magazinat e veta dhe zyrat e doganes ne shek 19.

      Mbas L1B, kjo ndryshoi komplet. A ishte e vullnetshme apo rrjedhoje e rrymave te kohes, forca e te cilave ishte me e madhe se sa fati i nje qyteti, kjo mund te diskutohet.
      Une kam idene se nese Shkodra arrin ta shkepuse orjentimin e vet ekonomik nga centrizmi i Tiranes, atehere do te shihnim nje rilindje dhe rigjenerim te kultures shkodrane dhe rolit e kontributit te saj ne kulturen shqiptare.
      Por kjo mendoj se s`ka te beje me standartin aspak.

      ps: eshte karakteristike e kultures shqiptare per te mos e respektuar shume trashegimine tone, pervecse asaj me natyre ornamentale. Psh Alepo e Sirise eshte qyteti nga dolen shume prej baballareve greke te Kishes se hershme. Por edhe sot mbas 1500-1700 vjetesh, qytetit ngelet zona me e pasur e atij vendi. Njesoj. Si atehere ashtu edhe sot.

  6. “Analiste nga fshatrat e Sarandes?!”,
    Ne fakt desha te thosha analiste nga fshatrat e jugut, ne kontrast me analistet e munguar nga qyteti i Shkodres;por mendova se mund te merrej si paragjykim total veri-jug.
    Filip Cakuli eshte vertete ashtu si thoni ju, dhe shume i nderuar bile.
    Por ka minoritare e minoritare, si prsh zoti Vangjel Dule , standardi i te cilit eshte edhe me i konsoliduar(me te vertete) se ai i Filipit, sidomos ne kontrast me idiolektin e zonjes Topalli.

    1. Nuk e di, te thuash se sot nuk ka analiste nga Shkodra pse standardi ndikoi ne aftesite e tyre ndervepruese gjuhesore eshte disi e papertypshme per mua. Nga pikepamja logjike. Nese arrin deri ketu, si pastaj do i sugjeronit ju dikujt nga Jugu qe te lexoje Fishten apo Mjeden?
      Pastaj sot brezi i ri i minoritareve nuk di me shqip,flasin shatra-patra. Dhe nese Dule me nje pedagogjike te Gjirokastres apo Bollano me qendrimin ne Durres absorbon kaq mire normen, pra integrohet ne boten shqiptare, si xhanem qenka kaq e veshtire per geget te pranojne te njejten gjuhe? Se jo per gje, po keshtu i afrohemi idese sime te preferuar.

  7. ipare,
    ju shkruani se “Shkodra ne fakt ka qene aktive…”

    E permenda me qellim periudhen e diktatures, sepse supozohet qe gjate saj Shkodra te kete pasur me shume probleme ne lidhje me afirmimin kulturor se disa qytete te tjera.
    Dmth qe edhe ne ate kohe te veshtire, Shkodra deshmoi se mund prodhonte kulture cilesore.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin