PENË ME QIRA

Kisha katër muaj që nuk kisha asnjë opinion. Nuk kisha asnjë mendim për shtetin islamik. Asnjë pozicion të qartë për zgjedhjet në SHBA. Kurrfarë qëndrimi ndaj BREXIT. Nuk arrija të dalloja asnjë simpati apo antipati për presidentin, klasën politike, rrahjen e fëmijëve nga edukatorët apo reformën në drejtësi. Nuk isha indiferent. Madje shumë i përfshirë, por nuk kisha asnjë opinion, asnjë mendim që të më poziciononte apo shquante nga të tjerë. Hiç.

Fillimisht mendova se një sëmundje e rrezikshme më kishte kapluar. Terror. Net të pagjuma. Përpiqesha të pozicionohesha. Të kisha një opinion. Clinton po. Trump jo. Nuk zgjaste as për disa sekonda. Sërish bosh. Sërish zbrazëti. Lëkundje. Kolovitje.

U mundova ta ankoroj mendimin në njërin opinionist, gazetë, blog apo profil Facebook-u. E pamundur. Ende pezull. Si një tullumbace sipër kokave të njerëzve. Pa asnjë peshë rëndese. Pa opinion. Atje lart isha vetëm. I vetmuar.

Vizita te mjeku më dëshpëroi edhe më shumë. Opinion deficit disorder! Por sipas tij nuk kish arsye për t’u shqetësuar. Si mund të jetë “ok” që njeriu të mos ketë opinion? Si na qenka normale? Për ç’normalitet fliste ky palo mjek? Normalitetin e vetes e tij dhe të kokëboshëve?

Pas disa kohësh i bëra derman vetes. Jo nga ndonjë shkrepëtimë gjenialiteti, sesa nga nevoja për para. Meqë nuk kisha asnjë mendim timin, vendosa të shes mendimet e të tjerëve. Vendosa të bëhem ghostwriter, shkrimtar fantazmë.

Tregtia është në fillesat e saj. Shumë kërkesa nuk kam pasur. Prandaj e pashë të udhës të reklamoj shërbimet e mia këtu. Epërsia ime ndaj konkurrencës është se unë e kam kokën tërësisht të pastruar nga çdo lloj qëndrimi paraprak apo paragjykimi. Jam dyst.

Lista e shërbimeve kryesore është si më poshtë.

  1. Artikuj në të përditshmet mbi politikën dhe situatën aktuale në vend. Nëse duhen përshtatur me inteligjencën e porositësit, çmimi bazë rritet me 20%. Gjithashtu +20% nëse artikulli duhet të përmbajë romuze, shaka bajate dhe sulme denigruese ndaj personave të tjerë. Nëse porositësi është deputet përfiton 10% zbritje.
  2. Artikujt mbi arsimin, ekonominë dhe politikat e mbrojtjes që kërkojnë kërkime kushtojnë +50% të çmimit bazë. Kur porosia vjen me të dhënat e duhura dhe hulumtime paraprake atëherë ka një zbritje prej 25%. Nëse porositësi është pedagog në universitet apo deputet me të kaluar akademike, tarifa rritet me 30%.
  3. Shërbime për porositësit që kanë fituar prokurimin e një shërbimi për studime apo konsulencë nga qeveria apo ndonjë organizatë ndërkombëtare. Në këtë rast merren 50% të honorarit që është reklamuar për këtë shërbim. Nëse porositësi merr pjesë aktive në hartimin e materialit, atëherë shërbimi reduktohet me 25%.
  4. Hulumtime shkencore: Prezantimet në konferenca shkencore, punimet e doktoratës, aplikimet për projekte shkencore dhe punime të ngjashme llogariten në bazë të volumit të punimit dhe gjendjes financiare të porositësit. Porositë për artikuj shkencorë paguhen në varësi të formatit të publikimit dhe revistës. Nëse vendosni të përdorni studime të mëparshme të miat, ka një zbritje prej 75%. Kostoja e pjesëmarrjes në konferenca duhet të përfshijë edhe dietat. Studimet monografike në kuadrin e marrjes së titujve akademikë paguhen në bazë të tirazhit.

Duke falënderuar platformën “Peizazhe të fjalës” për reklamimin e këtyre shërbimeve, ju inkurajoj të më kontaktoni sa më parë.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: