APOFONIA NË JETËN E SHQIPES

nga Emine Sadiku

Fjalë përshëndetëse me rastin e promovimit të librit “Gjurmë të apofonisë indoevropiane në gjuhën shqipe“ të gjuhëtarit Albert Riska.

Të dashur kolegë!

Sot dua t’ju përshëndes dhe t’ju përgëzoj nga zemra për nismën dhe angazhimin tuaj për të analizuar e festuar botimin e librit „Gjurmë të apofonisë indoevropiane në gjuhën shqipe“të prof. Albert Riskës. Duke i rezervuar vetvetes të drejtën, duke pohuar mendimin e dëshirën,  që në një të ardhme jo të largët, të shprehem më gjerësisht dhe më profesionalisht për këtë vepër, sot do të ndalem vetëm në një vlerësim laudativ të Albertit dhe veprës së tij.

I dashur Albert!

Ka vite që ditët tona rrjedhin në troje të ndryshme. Ka vite që ne nuk takohemi në auditoret dhe në kafenetë e universitetit për të vazhduar diskutimet e nisura në leksionet e seminaret tona. Na mungojnë „përplasjet dhe ndeshjet“ për probleme gjuhësore që ndoshta dhe sot nuk i kemi zgjidhur. Nuk e di pse ai realiteti i kafeve të asaj kohe më sjell intuivisht ndër mend tablonë gjeniale të Van Gogh-ut „Le cafe, la nuit“ . Jo se ishte natë atëherë, ishte ditë, por tabloja e van Gogh-ut, si çdo vepër gjeniale, të jep mundësinë ta lexosh, ta interpretosh në shumë mënyra. Madje ai e thotë vetë: si postimpresionist vendos në tablotë e veta zemrën dhe shpirtin e tij, pikturave u jep një kuptim që e kapërcen natyrshmërinë e  objekteve dhe ngjyrave të prezantuara. Ngjashmërinë me ditët tona të kafeneve e gjej në receptimin e pikturës si një tabllo që emeton më shumë mendim dhe emocion se sa argëtim. Të vështruar nga jashtë edhe ne ishim grupe personash anonimë në atë atmosferë  kafeneje. Mungonte qielli i madh me yjet e ndritur të cilët i kishim me bollëk kur ndodhte të festonim në oborr të ndonjë lokali jashtë qytetit.

Ndodh, megjithatë që rrugët tona takohen dhe vendoset përsëri komunikimi. Kjo ndodh, sidomos,  kur mbajmë në duar librat e botimet e njëri-tjetrit.

Është vështirë të lavdërosh

Para shumë vitesh vetë autori më dhuroi librin „Shqipja dhe krishtërimi“. Më kujtohet, edhe pse isha shumë e ngarkuar aso kohe, librin e lexova me një frymë. Se i tillë ishte, të tërhiqte me të gjitha dimensionet e një studimi.

Tani që po shkruaj këto rradhë më vetëtin pada në mendim thënia e mësipërme „Është vështirë të lavdërosh“. Këtë e përjetoj sa herë rrekem të konceptoj dhe të shpreh vlerat, bukuritë e një studimi që ka lënë mbresa të pashlyeshme tek unë. I pashlyeshëm, i paharrueshëm është përkushtimi i librit në fjalë: “Ky libër, që në një pjesë të mirë shqyrton material të mbledhur në ekspedita gjuhësore, u kushtohet studentëve të mi, kursit gjuhë-letërsi 2009 – 2012 të Universitetit “A. Xhuvani”, 11 studentëve që humbën jetën…”. Dhimbja për jetët e humbura të studentëve tanë më 21 maj 2012 do t’i qëndrojë gjithnjë si sfond e si atmosferë receptimit të materialit aq interesant të librit. Libri është organizuar në disa kapituj ose krerë. Çdo krye përmban disa çështje. Autori, në parathënie shfaq (disi) shqetësimin se titulli nuk mund të “përligjet plotësisht si titull i një libri të vetëm”. Duke e vështruar/kundruar dhe njëherë librin nga largësia kohore do t’i thoja autorit: “Jo, Albert, titulli është tejet sinjifikativ dhe i përligjur për atë material që përmban libri!” Studimi, edhe pse përbën një tematikë komplekse, trajton disa çështje, ndikon si një tërësi. Kuptimi i studimit nuk është i tillë që të rroket si shumë përmbajtjesh pjesësh të veçanta. Aftësia e autorit nuk ndikon me shkëlqime vetmitare, por shfaqet gradualisht me anë akumulacionesh. Ndikimi shpesh është i një lloji subtil: me anë të shumë hollësive, të një numri pa fund faktesh vjen te ne dhe një lirizëm fin si veçori e stilit, gjithsesi shkencor, të Albertit. Këtu kam parasysh parafytyrimet që zhvillohen nga vizatimi gjeografik e gjuhësor i atyre kishave të zbuluara në ekspeditat që kaluan kryq e tërthor vendit tonë. Teksti i Albertit i jep rrugë mendimit dhe imagjinatës njëkohësisht…

Stili si përmbajtje

Në librin “Gjurmë të apofonisë indoevropiane në gjuhën shqipe“ mungojnë (në atë masë si në „Shqipja dhe krishterimi“) ato „dritaret dhe ballkonet“ ku imagjinata bën shtigje për të depërtuar në përmbajtje. Stili braktis lirizmin, që prodhon në receptim, e shpaloset si përmbajtje. Teksti paraqitet më kompakt, më i ngjeshur. Nuk ka më vende bosh, hapësira ndër-rrjeshtore, mundësira të shumta për fantazim si në tekstet fiktive – letrare (ose si në librin „Shqipja dhe krishtërimi“). Argumentimi logjiko – empirik e frenon disi imagjinatën e receptuesit që të aktivizohet e të krijojë atmosfera të cilat e shoqërojnë në çdo hap leximin. Por nuk mund të mohohet asnjëherë dimensioni subjektiv i receptimit të një teksti, qoftë ai shkencor i mirëfilltë.  Veç forca e fantazisë së autorit është gjithnjë e pranishme për shkak të tematikës historike – etimologjike. Trajtimet historike i lënë gjithnjë mundësi imagjinatës të marrë pjesë sidomos në prodhimin (më pak në receptimin) e  përmbajtjes tekstore. Studimet etimologjike (këtë e shfaq jo vetëm teksti i studimit “Shqipja dhe krishterimi”, por edhe materiali i “Gjurmë të apofonisë indoevropiane në gjuhën shqipe”) përmbajnë, në forma të ndryshme,  edhe fantazim dhe fantazi të autorit. Madje M. Pfister e vendos etimologjinë në një plan midis shkencës dhe artit. (Pfister, Max: Einführung in die romanische Etymologie, Darmstadt, 1980, f. 32).

Siç dëshmon dhe materiali i ofruar në librin “Gjurmë të apofonisë indoevropiane në gjuhën shqipe” koncepti i etimologjisë si disiplinë krejt më vete është kapërcyer. “Në vend të kërkimit, shpesh spekulativ, të kuptimit fillestar të rrënjëve, të fjalëve, praktikohet studimi historik-etimologjik i fjalëve, nuk synohet më gjetja, hamendësimi i kuptimit të parë, por ndiqet/hulumtohet kuptimi i elementeve gjuhësore në rrjedhë të kohës mbështetur në burime të disponueshme” (shih për këtë edhe : Baldinger, K.: L’etymologie hier et aujourd’hui, Cahier de l’associacion internationale des etudes francaises, 1989, nr. 11, f. 233-265). Etimologjia e sotme s’është veç “biografi e fjalëve”. Me veprën e tij A. Riska, si shumë indoevropianistë të tjerë, nuk na shfaqet me shikim të ngulur në kuptimin e parë, në të shkuarën e largët, por ndjek linjën historike të ndryshimeve semantike-fonetike duke ilustruar me të dhëna të shumta rrjedhën e ndryshimeve kuptimore, nga më të hollësishmet. Historia dhe etimologjia e fjalëve është sot një fushë legjitime dhe interesante e kërkimit shkencor gjuhësor dhe arritjet e autorit Albert Riska në këtë domen janë një shembull për t’u konsideruar dhe për t’u ndjekur.

Shënim: Në artikullin e tij “Etimologjia dhe historia e fjalëve” (Etymologie und Wortgeschichte) Jürgen Untermann synon të përpunojë, të evidentojë karakteristikat thelbësore të këtyre drejtimeve shkencore si dhe raportin midis tyre: “Baza empirike e historisë së fjalëve janë kontekste kohësh të ndryshme… Etimologjia është instancë ndihmëse sepse furnizon me elemente që motivojnë lindjen e zhvillimin e fjalëve… “( Untermann, J.: Etymologie und Wortgeschichte, Seiler, Hansjakob (Hg.); Linguistic Workschop III, München, 1975, f. 93-116). Litaratura e studimeve të sotme etimologjike luhatet midis hulumtimit e fiksimit të origjinës dhe historisë së fjalëve. Edhe pse janë fusha dhe drejtime të ndryshme shkencore, ato kushtëzojnë dhe plotësojnë njëra tjetrën, synojnë një simbiozë. Studimi i A. Riskës është një shembull i gjallë i këtij realiteti.

Që në fillim të hulumtimeve autori thekson hipotezën :”…gjurmët e dukurisë indoeuropiane të apofonisë në gjuhën shqipe janë më të rëndësishme nga ç’përmendin dhe vetë veprat tona sintetizuese…” (viii) Gjuha shqipe zë një vend të rëndësishëm ndër gjuhët indoevropiane si një gjuhë që është prekur fort në sistemin e saj leksikor nga ndikimet e huaja. Por me materialin autokton, me konservimet e veta ajo mund të ndihmojë për njohjen dhe të kuptuarit e apofonisë si variacion vokalik me funksion morfologjik. Përmes shembujsh pa fund, vrojtimesh, analizash, krahasimesh, argumentesh, hipotezat fillestare vërtetohen njëra pas tjetrës. Analizat synojnë të evidentojnë se si (në çfarë kushtesh) apofonia indoevropiane ka mbijetuar në gjuhën shqipe. Një aspekt që bie dukshëm në sy në trajtimet historike – morfologjike është dhe ai teoriko -gjuhësor që ka të bëjë me shenjën gjuhësore. Më se njëherë (gjatë leximit) lindi tek unë pyetja: a është shenja gjuhësore gjithnjë arbitrare. Platoni dhe Saussure vijnë në konkluzionin që forma gjuhësore është arbitrare ndaj përmbajtjes. Më saktë lidhja midis tyre i nënshtrohet një konvencioni që respektohet nga komuniteti gjuhësor i cili nuk pyet pse kështu dhe jo ndryshe: pse ky kompleks fonetik për këtë kuptim dhe jo një tjetër. Studimet etimologjike, përfshirë këtu dhe trajtimet teorike – empirike në studimin e A. Riskës, e lënë disi të hapur çështjen e arbitraritetit në raportin formë – përmbajtje. Këtu vlen të arsyetojmë dhe me veprimin e ligjit të shkakësisë në mendimin tonë: Gjithçka, që ekziston, e ka një “causa efficiens” (shkak – të jashtëm veprues, sipas filozofisë aristoteliane). Shembuj bindës për veprimin jo absolut të arbitraritetit formë – përmbajtje janë zbulimet e shumë etimoneve, që bartin një kuptim të motivuar fillestar, përshkrimi i zhvillimit, i ndryshimit të tyre në rrjedhë të kohës (karpë – shkarpë – krep të lidhura të gjitha me terrenin, shkëmb i thepisur, f. 103). Gjithsesi, nuk mund të flasim për një anulim të arbitraritetit/ konvencionalitetit në raportin formë – përmbajtje të shenjës gjuhësore. Por për ekzistencën e një materiali gjuhësor (qoftë dhe të kufizuar në sasi: fjalë të parme, të prejardhura, të përngjitura etj.) që dëshmojnë një raport (formë – përmbajtje) të motivuar ose pjesërisht të motivuar. Në rastin konkret zhvillimi fonetiko – kuptimor shpjegohet me veprimin e apofonisë në gjuhën tonë.

Disa veçori të rëndësishme të studimit do të ishin:

  • Baza shumë e gjerë materiale, që përmban dukurinë e studiuar, apofoninë, përfshirë dhe dokumente historike.
  • Autori ka njohuri perfekte përsa i përket zhvillimit të tingujve në gjuhën e shkruar dhe në dialekte. Kjo i mundëson dallimin midis rrënjëve dhe elementeve fjalë – e trajtëformuese, e ka ndihmuar të veçojë fjalët e trashëguara nga ato të huazuara.
  • Studiuesi shquhet për një bagazh voluminoz njohurish, për një aftësi të veçantë përfytyruese që ka lejuar një lidhje adekuate midis kuptimit të fjalëve dhe realitetit jashtëgjuhësor.
  • E një rëndësie të veçantë është vendosja e fjalëve, e shembujve ilustrues, në një kontekst sociokulturor ku merren në konsideratë dhe elementet konotative.

Si mbyllje të këtij shkrimi do të citonim një pjesë të hyrjes së studimit shumëvjeçar të Albert Riskës: “…nga analiza e shembujve të përdorur, disa fjalë, që mendimi i derisotëm etimologjik i ka konsideruar si huazime, duke qenë se i nënshtrohen skemës apofonike brenda gjuhës, do të na duhet t’ia kthejmë shqipes si pjesë të vetën të trashëguar…”(ix)

(c) 2023 Emine Sadiku. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Imazhi në kopertinë: Photo by Bruno Martins on Unsplash

Rreth Autorit

Emine Sadiku Teichmann ka studiuar në universitetin e Tiranës, në degën Gjuhë-Letërsi të fakultetit Histori-Filologji. Ajo ka kryer një sërë specializimesh në disa universitete gjermane. Është autore e disa librave në fushën e gjuhësisë, stilistikës gjuhësore, mësimdhënies së shqipes e të gjermanishtes. Që prej vitit 1996 jeton dhe punon në Gjermani.

Author Archive Page

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin